Author

Admin - page 36

Admin has 1611 articles published.

Fatimah Hossaini, fotografja që përjetëson bukurinë dhe dinamikën e gruas afgane

in Feminizëm by

Për vite të tërë Fatimah  Hossaini përpiqet të ndryshojë perceptimin e botës për gratë afgane nëpërmjet portreteve të tyre.

Gjatë verës së vitit të shkuar u detyrua të largohej nga vendi i saj, Kabuli, por misionin e bukur e vazhdon duke i mbajtur të gjalla historitë e tyre.

Natyrisht që kur filloi punën, ende nuk e dinte se bota e tyre shumë shpejt do të përmbysej. Ndër të tjera ajo shkruan: “Gjyshërit e mi u larguan nga Afganistani gjatë luftës me Rusinë, prindërit e mi atëherë ishin fëmijë dhe emigruan në Iran. Unë kam lindur në Teheran dhe u rrita aty. Qysh në moshën e gjimnazit kërkova të mësoja se çdo të thotë te jesh qytetar afgan. Brenda shpirtit tim e rrita këtë emër dhe trashëgimi. Nuk kisha shkuar asnjëherë atje, nuk e dija ku binte. Kërkova të shkoja në vitin 2013 dhe munda të realizoja një udhëtim me studentët e Universitetit të Teheranit. Pas përfundimit të studimeve u transferova përfundimisht atje”

Fatimah Hosseini punoi më tepër se 20 vjet për t’i thënë botës se gratë e Afganistanit janë shumë më tepër se burka që veshin. Është shumë e dhimbshme të shikosh se vetëm në disa javë gruaja afgane humbi gjithçka.
“Kur mbërrita në Kabul munda të shikoja se kishte aq shumë bukuri për të cilat nuk fliste askush. Donin ta tregonin gruan afgane vetëm si viktima pas burkës. Kërkova kudo, kërkova të informohesha çdo ditë. Por vetëm kur arrita atje munda të shikoja se brezi i ri ishte me të vërtetë ndryshe. Kështu, vendosa të tregoja historinë e gruas afgane.

Thërrisja gra që patën dëshirë dhe u bëja fotografi. Natyrisht që jo të gjitha ishin të mrekullueshme, por kishin një pjesë demokracie atëherë. Gratë ishin më të lira, në çdo ambjent. Kishin vendin e tyre në ekonomi, në politikë dhe arte, në çdo pjesë të shoqërisë.
Në 15 Gusht të vitit të shkuar, talebanët zotëruan vendin. Ndodh gjithmonë që viktimat kryesore të jenë gratë.

Në të shumtën e rasteve ato nuk u lejuan të ktheheshin në profesionin e tyre, u detyruan të vishnin rroba të tmerrshme. U detyrova te iki nga shtëpia ime, kurrsesi nuk e mendoja se lufta do të ishte aq shkatërruese dhe që do të sillte aq panik. Ne aeroport kuptova se sa të shqetësuar ishin njerëzit. Asnjëherë nuk e mendova se e ardhmja dhe jetët tona do të ndryshonin brenda disa orëve.

Për këtë arsye nuk munda ta mbaroja punën time të fundit për albumin fotografik që quhet BEAUTY AMID WAR . Mendova të tregoja feminitetin dhe bukurinë nëpërmjet portreteve të grave afgane. Nuk e kam kuptuar asnjëherë përse terroristet talebanë kanë kaq shumë problem me gruan. E di… kanë frikë dinamikën e saj. Nëpërmjet punës sime përpiqem të mbaj gjallë pikërisht këtë ikonë. E besoj me të vërtetë se një fotografi mund ta ndryshojë botën. Një fotografi është më e fortë se një mijë fjalë.”

Përktheu: Nilda Baxha

Eulogji e kohës sonë – Eugenio Montale

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Eulogji e kohës sonë – Eugenio Montale

 

E pamundur të mos ekzagjerosh
rëndësinë e botës
(botës sonë, dua të them),
me gjasë, e vetmja botë
ku njeriu mund të vrasë me art
e, gjithaq, ta krijojë artin
që stolis ethshëm krejt mëngjesin, anipse,
end n’mijëvjeçarë, ndoshta, edhe më shumë.
Jo, nuk mundet assesi t’adhurohet më me bollëk se kaq!
Lypset, pra, që të vazhdojmë turravrapin,
prejse koha ngutet dhe mundet
të jetë e afërt ajo orë
kur fabula t’përmbushet
e krejt marria t’shpërthejë në dëshpërim.

 

Përktheu: Iva Çaushaj

TREGIM PËR NJERIUN QË PRISTE TRAMVAJIN-FERNANDO PESSOA

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

FERNANDO PESSOA

Dikur, ishte një burrë që priste tramvajin.
Po priste tramvajin, tabela e të cilit thoshte se çonte pikërisht aty ku ai donte të shkonte.
Priti aq shumë, sa pandehu se nuk kishte më tramvaje.
Më në fund, ja tek u shfaq një tramvaj, në fund të rrugës. Vrapoi drejt tij, por pa se tabela që mbante nuk tregonte vendin ku ai donte të shkonte. Ama, pas një pritjeje të gjatë, ishte i vetmi që erdhi dhe ai tashmë ishte bërë derr duke pritur. Nuk kishte ardhur asnjë tjetër, as plot as bosh, as shpejt e as ngadalë. Ishte tramvaji i parë, pas një pritje të gjatë. Të hipte apo jo?! Dhe, më në fund, e la të ikte.
S’kaloi shumë, erdhi një tjetër tramvaj. Pra, ishte i dyti, sepse i pari tashmë ishte larguar. Vinte ngadalë dhe bosh. Njeriu pati tundimin të hynte në atë tramvaj bosh që ecte ngadalë dhe në të duhej të rehatohej, pas gjithë asaj pritjeje. Tabela nuk tregonte vendin ku donte të shkonte, por po shkonte, pothuaj, në të njëjtin drejtim dhe ishte bosh dhe i rehatshëm. Përsëri hezitoi, edhe e la të kalonte.
Pas pak, duke qenë edhe më i lodhur, papritur, u duk një tjetër tramvaj që mbërriti pranë tij, para se të ndalonte. Ishte plot me njerëz dhe ecte shumë shpejt. Nga tabela, as ky nuk shkonte aty ku donte njeriu ynë. Kushdo që do të hipte në të nuk do të vonohej, edhe sikur të mos e çonte atje ku donte. Njeriu hezitoi, por nuk hipi dhe e la të kalonte.
Më pas erdhi një tjetër tramvaj dhe, së largu, njeriu që priste njohu personin që frenonte dhe makinistin që nuk po thoshin asgjë, atje në krye të tramvajit. Lokomotiva nuk kishte tabelë se ku shkonte, pasi mbartte mallra. Njeriu u mendua: duke njohur frenuesin dhe makinistin, të shkonte me ta, ishte njësoj si të hipte në tramvaj me tabelë për në vendin e tij. Por, përsëri hezitoi, dhe e la të kalonte edhe atë.
Më në fund, njeriu, tashmë i ënjtur nga pritja dhe i rraskapitur nga lodhja, pa një tramvaj që mbante tabelën me emrin e vendit ku ai donte të shkonte. Nuk ishte as i ngadalshëm as i shpejtë; as plot as bosh; dhe në të nuk kishte as njerëz të njohur, as të panjohur. Ama mjaftonte vetëm se mbante tabelën e vendit të tij. Njeriu nuk hezitoi fare dhe hyri në të. Me atë tramvaj mbërriti në shtëpi, sepse ishte pikërisht tramvaji që e çonte në shtëpi.

Përktheu: Bajram Karabolli

Mes punëve të shumta-Tadeusz Rózewicz 

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Mes punëve të shumta-Tadeusz Rózewicz

 

Mes punëve të shumta
të një urgjence të skajshme
harrova
që duhet edhe
të vdes

i pavetëdijshëm siç isha
e shpërfillja këtë detyrë
ose e përmbushja
përciptazi

qysh nesër
gjithçka do ndryshojë

do nis të vdes gjithë kujdes
gjithë optimizëm e urtësi
pa humbur kohë

 

Përktheu: Alket Çani

DALLËNDYSHJA-Xhevdet Bajraj

in Letërsi/Tharm by

DALLËNDYSHJA-Xhevdet Bajraj

 

Mbrëmë ishte party i shkëlqyeshëm
kishte shumë njerëz
dhe shumë alkool
por nuk jam dehur

Kah ora dy e mëngjesit
nuk kishte mbetur njeri i gjallë
nëpër sallonin e shtëpisë
parakaloi një tigër
ndërsa qeni i zonjës së shtëpisë
u shndërrua në kanarinë
dhe doli nga dritarja
duke fluturuar

Nëpër të njëjtën dritare
hyri një dallëndyshe
më mori me sqep
si të isha një fije kashte
dhe më dërgoi në pranverën
nga e cila më kishin përzënë
qëmoti.

 

Shkëputur nga vëllimi: “Me zemër në qese najloni”, Sh. B. “Armagedoni”, 2021

SI LIND NJË TEKST-JORGE LUIS BORGES

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

JORGE LUIS BORGES

Nis nga një lloj zbulimi. Po e përdor këtë fjalë në një mënyrë modeste, pa kurrfarë ambicieje. Dua të them, papritur, unë di se diçka do të ndodhë dhe ajo që do të ndodhë mund të jetë, në rastin e një tregimi, fillimi dhe fundi. Në rastin e një poezie, jo: është një ide më e përgjithshme e nganjëherë ka qenë rreshti i parë. Domethënë, diçka më është dhënë dhe pastaj ndërhyj unë, por ndodh që mund të prishet e gjitha.
Për shembull, në rastin e një tregimi unë di fillimin, pikën e nisjes, di dhe fundin, pikëmbërritjen. Por ama, përmes mjeteve të mia të kufizuara, duhet të zbuloj se çfarë ndodh midis fillimit dhe fundit. Pastaj, ka edhe probleme të tjera për t’u zgjidhur; për shembull, nëse ngjarja duhet rrëfyer në vetën e parë apo në vetën e tretë. Më tej, duhet të përcaktosh kohën e ngjarjes: këtu, sipas meje, “kjo është një zgjidhje imja, personale”, besoj se për mua më mirë do të ishte dekada e fundit e shekullit XIX. Zgjedh, “nëse është fjala për një ngjarje që ndodh brenda qytetit të Buenos Airesit”, apo në rrethinat e tij, po themi, në Palermo*, Barrakas* apo Turdera*. Po ashtu zgjedh vitin, për shembull 1899, që është viti i lindjes sime. Sepse, kush mund ta dijë me saktësi se si flisnin banorët e këtyre lagjeve që tani janë të vdekur? Askush. Kësisoj, unë mund të rrëfej më me lehtësi. Përkundrazi, nëse një shkrimtar zgjedh një temë bashkëkohore, atëherë lexuesi kthehet në një kritik dhe thotë: «Jo, në këtë lagje nuk flitet kështu», apo «Njerëzit e kësaj shtrese nuk do ta përdornin një shprehje të tillë».
Shkrimtari i parashikon të gjitha këto dhe ndihet duarlidhur. Prandaj unë zgjedh një kohë dhe një vend paksa të largët; kësisoj, ndihem më i lirë dhe mund të fantazoj e madje mund të gënjej. Mund të gënjej, pa e marrë vesh kush, pa e ditur as unë vetë, sepse është e nevojshme që shkrimtari që shkruan një fabul, “sado fantastike të jetë”, në ato çaste, të besojë te realiteti i fabulës.
_________
*Palermo, Barrakas, Turdera – lagje në rrethinat e Buenos Airesit

Përktheu: Bajram Karabolli

Çfarë Bënte Gjyshi im në Luftën e Dytë Botërore-Peter Constantine

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Çfarë Bënte Gjyshi im në Luftën e Dytë Botërore-Peter Constantine

 

Gjyshi im fitoi një medalje.
Jo për besnikëri ndaj Führerit,
jo për bëma heroike në betejë,
por ngaqë ishte futbollist shumë i mirë
dhe divizioni i tij i tankeve i fitonte ndeshjet njërën pas tjetrës.
Por polakët i ngisnin kuajt si hunët nëpër fusha,
tehet e shpatës shkëlqenin në diellin e zbehtë të veriut
dhe ndeshjet e futbollit u ndërprenë.
Një drithmë, më tha gjyshi, i kaloi përgjatë kurrizit,
tek rrinte i kurthuar në tank, duke menduar vendin e tij.

Gjyshja ime zbriti te lumi
me gratë e tjera të fshatit
për të marrë lajmet nga fronti.
Një cigane hodhi në baltë të brendshmet  e një lepuri 
dhe tregoi me gisht gratë një nga një:
I vdekur!
I gjallë!
I vdekur!
I gjallë!
I vdekur – i vdekur – i vdekur – i vdekur!
I gjallë!

Gjyshja mori trenin,
që u nis pa orar, i heshtur, nëpër natë,
duke udhëtuar drejt veriut përmes Sllovakisë dhe Bohemisë, deri në Poloninë 
gjermane.
“Të ka ardhur gruaja!” i tha koloneli
gjyshit.
“Qenka trimëreshë, një ariane e vërtetë!”
Gjyshi mori tri javë leje.
Të nesërmen erdhën edhe më shumë polakë, hipur mbi kuaj.
I therën të gjithë në divizionin e tankeve
dhe tanku i gjyshit u dogj.
Por gjyshi shpëtoi
falë gjyshes që kishte ardhur ta takonte.

Më vonë gjyshi im u vendos 
në Greqi,
ku luftoi kundër partizanëve në male.
Për çdo ushtar gjerman që ata vrisnin
burrat tanë qëllonin njëzet e pesë fshatarë-
kjo i bëri ata të mendoheshin mirë para se të qëllonin kundër uniformës gjermane
dhe kështu gjyshi shpëtoi përsëri.

Në rrugën e kthimit për në Austri
u hidhte konserva me ushqime nga dritarja e trenit
fëmijëve grekë të uritur që vraponin lakuriq nëpër shina.
“AUSTRIA GUT AUSTRIA GUT”

Por kur humbëm luftën gjyshin tim e kapën francezët
dhe e futën në një burg për ushtarët gjermanë nga fronti.
Kur ai dhe shoku i tij më i mirë u liruan, ishin kockë e lëkurë.
Një plake i erdhi keq dhe i dha secilit nga nëntë
vezë të ziera fort.
Gjyshi hëngri një në mëngjes, një në mesditë dhe një në darkë.
Shoku i tij më i mirë i hëngri të nëntat përnjëherë dhe vdiq.

 

Përktheu: Viktoras Iliopoulos

KULTURA DHE QYTETËRIMI-Michel Tournier

in Esé/Filozofi by

Michel Tournier

Porsa fëmija vjen në këtë botë, rrethohet nga një mori perceptimesh, pastaj përballet me një sërë gjestesh e sjelljesh që varen nga vendi ku dhe koha kur ka lindur. Kështu fëmija mëson të hajë, të luajë, të punojë etj., siç bëhet në mjedisin e tij të lindjes, fillimisht familjar, pastaj shkollor. Por, kuptohet, rolin kryesor e ka gjuha që ai dëgjon e mëson, sepse ajo modelon logjikën dhe ndjeshmërinë e fëmijës.
Quajmë qytetërim atë bagazh të transmetueshëm nga breznia në brezni. Për shembull, shiu – në një vend oqeanik – është një e dhënë materiale që nuk ka të bëjë me qytetërimin. Nga ana tjetër, zakoni për të marrë me vete një ombrellë – apo e kundërta, përbuzja ndaj ombrellës – është një tipar qytetërimi. Deti, mali, që një fëmijë shikon sa herë që del, nuk janë të dhëna të qytetërimit. Por të tilla janë kisha e fshatit apo përmendorja e të vdekurve. Askush nuk i shpëton këtij farkëtimi që e bën çdokënd prej nesh njeri të qytetëruar hic et nunc.
Por fëmija shkon në shkollë dhe dija që fiton atje mund të ketë dy funksione diametralisht të kundërta. Kjo dije mund të rrjedhë pa dëm në brendësi të elementeve të qytetërimit që rrethojnë fëmijën dhe t’i pasurojë ato po aq. Për shembull, shkollari mëson historinë e luftës dhe e kupton më mirë kuptimin e përmendores së të vdekurve. Apo, mësimi fetar do ta bëjë të deshifrojë simbolet që gjenden në kishë.
Por liceisti i talentuar nuk kënaqet me doracakët shkollorë tradicionalë që ia kanë imponuar dhe lexon libra të tjerë, shikon filma, pjesë teatrale, matet të hahet me më të dijshëm se vetja. Kësisoj ai kulturohet. Dhe këtë kulturë është ai vetë që e zgjedh. Ajo do jetë shkencore, politike apo filozofike, sipas opsioneve. Duke bërë këtë, djaloshi distancohet nga arsimimi që ka marrë, e kritikon, e kundërshton, e flak tej pjesërisht. Që prej këtij çasti, dija e tij, që i tejkalon caqet e qytetërimit, e sulmon dhe e shkatërron pjesërisht. Përmendorja e të vdekurve i jep shkas për fjalime antimilitariste. Kisha i ngjall qëndrime antiklerikale.
Mbi të gjitha, mësimi i parë i kulturës është që bota është e madhe, e shkuara e pahulumtueshme, e që miliarda njerëz mendojnë dhe kanë menduar ndryshe nga ne, nga fqinjët dhe nga bashkëqytetarët tanë. Kultura vërshon mbi universalen dhe ngjiz skepticizmin. Duke u përpjekur të zgjerojë idetë e tij deri në përmasat e universales, njeriu i kultivuar e trajton qytetërimin e tij si një rast të veçantë. Ai mendon se nuk ekziston veçmas “qytetërimi”, ndërsa jashtë tij barbaria dhe egërsia, por një mori qytetërimesh të denja të gjitha për respekt. E dënon me të njëjtën forcë aksionin e kolonizatorëve dhe atë të misionarëve që i akuzon si etnocidë.
Ai bëhet shpejt objekt skandali për njeriun e qytetëruar. Renan-i, kur mbërriti me pushime në Tréguier, me kokën të mbushur me gjithë dijen që kish fituar në Paris, e tmerroi famullitarin e gjorë që e kish patur tutor në fëmijërinë e tij të përdëllyer. Në mënyrë të padiskutueshme, qyteti i madh e kish zvetënuar. Parisi ishte mbretëria e Djallit.
Qytetërimet mund të luftojnë me njëri-tjetrin. Perëndimi i krishterë dhe Lindja myslimane kanë luftuar ndërmjet tyre. Por, në gjirin e çdo qytetërimi, njeriu i kulturës është ndier si një kundërshtar i rrezikshëm i rendit moral, që duhet eliminuar. Hallaj, i torturuar në Bagdad në vitin 922, dhe Giordano Bruno, i djegur në Romë në 1600-n, simbolizojnë kulturën e vrarë nga qytetërimi.

CITAT

Barbar, para së gjithash, është njeriu që beson te barbaria.

Claude Lévi-Strauss

Përktheu: Alket Çani

Identitet-Edvin Thomollari

in Letërsi/Tharm by

Identitet-Edvin Thomollari

 

Kalojnë përditë avionë gri, në qiellin gri,
grija është klishe dhe gjithë klishetë janë gri.
U bindemi semaforëve në përditshmëri,
këmbana mbytet nga zhurma e trenave,
e sirenave, e parapërcaktimeve,
deklarimeve, check-ineve dhe skanimeve
të barkodeve që identifikojnë
identitetin tonë, të zhveshur nga idiomat mesdhetare, të një jete kismeti dhe rastësie,
ku Zoti është përditë me ne si njeri që bën me hile për të fituar lojën,
ku Zoti përton si ne të ndjekë algoritmin e integrimit, që ngatërron formularët,
që harron oraret dhe nuk regjistrohet tek seminarët,
ku midis një dite multikulturore zgjedh një ditë në plazh me gurët që i vrasin këmbët
dhe lëkurën që i bie nga moskujdesi.
Këtu dita zgjat deri vonë kundra dëshirës së Zotit.

Çfarë Bëri Gjyshja ime në Luftën e Dytë Botërore-Peter Constantine

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Çfarë Bëri Gjyshja ime në Luftën e Dytë Botërore-Peter Constantine

 

Të nesërmen pasi humbëm luftën
rusët notuan përmes lumit
dhe gratë e fshatit tonë u fshehën
në pyll pranë gurores së mbushur me ujë.

Rusët mbanin orë dore, rrëmbyer prej ushtarëve tanë të vdekur,
të lidhura me rrip në krahë e në këmbë;
disa madje arritën t’i lidhnin rreth kofshëve
me copa spangoje e teli, thoshte gjyshja.

Fqinja jonë prej shtëpisë së madhe që na bllokon kopshtin me
hijen e saj të gjatë,
u fsheh në bodrum
dhe e përdhunuan tetëdhjetë e katër rusë.

Ishte e virgjër, gjaku i rridhte nëpër kofshë
dhe më pas nuk arrinte ta kuptonte se ç’ishin ato pika të kuqe.
Gjyshja ime dhe gratë e tjera i thanë se ishte diçka e pashërueshme.
Askush nuk e dinte se brenda dy vjetësh amerikanët do të sillnin pilula.

Fqinja jonë virgjëreshë u përpoq të mbytej në pusin tonë,
por gjyshja ime e tërhoqi duke e kapur për flokësh dhe e rrahu.
“Do na ndotësh ujin, moj dosë e dreqit!”
Kështu fqinja u kthye në shtëpinë e saj dhe u var tek trarët.

Gjyshja ime i mbijetoi luftës sonë të humbur,
se njohu një poet rus me flokë të zeza kaçurrela.
Ai i shkruante poezi në gjermanisht dhe i sillte patate për të ngrënë.
“Unë pi nektarin e luleve
të kopshtit tënd,
e ëmbla Helenë
dhe mbështes kokën lehtë mbi puplat e patës që rropën gishtat e tu të fortë.”

Kur burrat e fshatit tonë u kthyen
nga fronti,
të gjitha gratë flisnin rusisht, përveç gjyshes sime.
Për t’i bërë qejfin, poeti i saj ishte përpjekur të mësonte
fjalët e buta kërkëllitëse të gjuhës sonë.

Përktheu: Viktoras Iliopoulos

Shënim i revistës: Kur Ushtria e Kuqe hyri në Austri, ushtarët rusë përdhunuan shumë gra austriake. Disa, duke e ditur se ç’do të ndodhte, vranë veten për të mos përfunduar në duart e tyre.

 

1 34 35 36 37 38 162
Go to Top