TREGIM PËR NJERIUN QË PRISTE TRAMVAJIN-FERNANDO PESSOA

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

FERNANDO PESSOA

Dikur, ishte një burrë që priste tramvajin.
Po priste tramvajin, tabela e të cilit thoshte se çonte pikërisht aty ku ai donte të shkonte.
Priti aq shumë, sa pandehu se nuk kishte më tramvaje.
Më në fund, ja tek u shfaq një tramvaj, në fund të rrugës. Vrapoi drejt tij, por pa se tabela që mbante nuk tregonte vendin ku ai donte të shkonte. Ama, pas një pritjeje të gjatë, ishte i vetmi që erdhi dhe ai tashmë ishte bërë derr duke pritur. Nuk kishte ardhur asnjë tjetër, as plot as bosh, as shpejt e as ngadalë. Ishte tramvaji i parë, pas një pritje të gjatë. Të hipte apo jo?! Dhe, më në fund, e la të ikte.
S’kaloi shumë, erdhi një tjetër tramvaj. Pra, ishte i dyti, sepse i pari tashmë ishte larguar. Vinte ngadalë dhe bosh. Njeriu pati tundimin të hynte në atë tramvaj bosh që ecte ngadalë dhe në të duhej të rehatohej, pas gjithë asaj pritjeje. Tabela nuk tregonte vendin ku donte të shkonte, por po shkonte, pothuaj, në të njëjtin drejtim dhe ishte bosh dhe i rehatshëm. Përsëri hezitoi, edhe e la të kalonte.
Pas pak, duke qenë edhe më i lodhur, papritur, u duk një tjetër tramvaj që mbërriti pranë tij, para se të ndalonte. Ishte plot me njerëz dhe ecte shumë shpejt. Nga tabela, as ky nuk shkonte aty ku donte njeriu ynë. Kushdo që do të hipte në të nuk do të vonohej, edhe sikur të mos e çonte atje ku donte. Njeriu hezitoi, por nuk hipi dhe e la të kalonte.
Më pas erdhi një tjetër tramvaj dhe, së largu, njeriu që priste njohu personin që frenonte dhe makinistin që nuk po thoshin asgjë, atje në krye të tramvajit. Lokomotiva nuk kishte tabelë se ku shkonte, pasi mbartte mallra. Njeriu u mendua: duke njohur frenuesin dhe makinistin, të shkonte me ta, ishte njësoj si të hipte në tramvaj me tabelë për në vendin e tij. Por, përsëri hezitoi, dhe e la të kalonte edhe atë.
Më në fund, njeriu, tashmë i ënjtur nga pritja dhe i rraskapitur nga lodhja, pa një tramvaj që mbante tabelën me emrin e vendit ku ai donte të shkonte. Nuk ishte as i ngadalshëm as i shpejtë; as plot as bosh; dhe në të nuk kishte as njerëz të njohur, as të panjohur. Ama mjaftonte vetëm se mbante tabelën e vendit të tij. Njeriu nuk hezitoi fare dhe hyri në të. Me atë tramvaj mbërriti në shtëpi, sepse ishte pikërisht tramvaji që e çonte në shtëpi.

Përktheu: Bajram Karabolli

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top