Një pasthënie e shkurtër nga autorja
Arlinda Guma
“Bobi është një shkrimtar i ri, i cili ka frikë të përballet me sentimentet. Dhe të gjithë diellin që ka brenda vetes, ia rrezaton botës si një fëmijë i prapë, që me copëza pasqyrash në duar, verbon kalimtarët nëpër rrugica.
Ai urren romanet rozë dhe druhet se mos shkruan edhe me jetën e tij një të tillë. Dhe kjo i sjell një seri keqkuptimesh me vajzat.
Shqetësimet e tij intelektuale, si të tilla, janë tejet të stërholluara, por gjuha me të cilën ai ia përcjell lexuesit, është e thjeshtë, e gjallë, gazmore, origjinale, e drejtpërdrejtë, autoironike.
Bobi sapo ka dalë nga një marrëdhënie dashurie traumatike, dhe siç rrëfen me vetëshpoti, ngjan me një aeroport të sertë, të bombarduar, që nuk lejon të kalojnë metale që tringëllijnë. Por ndërsa ai kujdeset që të mos lërë të kalojnë “xhinglat metalike”, një vajzë që ngjan sikur është arratisur nga Fronti i Rezistencës, mu nën hundën e tij, është duke i kaluar tanket…
Zakonisht kur shkrimtari fillon të mbrujtë një personazh, ai do ta marrë atë për dore dhe do t’i mësojë të ecë. Me Bobin nuk ndodhi kështu; ai e fitoi herët pavarësinë ndaj meje: qysh sa lindi u ngrit në këmbë dhe filloi të ecte vetë.
Ai nuk është pjesë e mjedisit të korruptuar letrar, ku kridhen pa ndonjë skrupull kolegët e tij shkrimtarë, kështu që, i huaj për atë ambient, Bobi gjen strehë te përjetësia, me të cilën ka një raport plot ilaritet… Përjetësia do t’i japë më në fund, atë që nuk do t’i hyjë më në punë për asgjë…
Duket sikur mendimet e tij të drejpërdrejta do t’i bënin “grupet e interesit” të dilnin vazhdimisht në protesta, por ky është edhe impulsi që ruan gjallërinë e rrëfimit (në vetën e parë) të këtij personazhi, i cili ndonjëherë mund të të nervozojë dhe ndonjëherë tjetër mund të të bëjë ta duash shumë.
Teksa e mbrujtja, shihja sesi tiparet e mprehta të personalitetit të tij rebeloheshin ndaj formave dhe latimeve që provoja t’u jepja. Dhe ndërsa romani zhvillohej, e përfytyroja sikur të ishte ngjitur në një skenë teatri, në një monolog gjithë nerv, duke rrëfyer veten dhe duke verbuar me copëza pasqyrash, si një fëmijë i prapë, edhe spektatorët në sallë…”
_______
Romanin e gjeni në Libraritë: “Adrion”, “Albania”, “Dita”, “Shtëpia e Librit”, “Tiranabook” pranë Sheshit “Wilson”, “Art’s” pranë Stacionit të Trenit, në Librari “Dyrrahu”, Durrës, në Librari “Dukagjini”, Kosovë dhe në Librari “Riletra”, Kosovë.
Botuar nga Shtëpia e Librit
Kopertina realizuar nga Vlash Papa
__________
Arlinda Guma është autore e romaneve:”Bulevardi i Yjeve”, 2014, “Terma humanitarë si fjala bombardim”, 2016, “Bob Legjenda”, 2021. Autore e faqes defekt-teknik.com.
Nje sinteze eshte gjithmone nje sinteze qe kujdest te mos nxjerre ne drite te papriturat, por edhe me kaq sa lejon te duket, jeta rrjedh vrullshem ne kete liber. Rruge te mbare ketyre personazheve atipikë!
Faleminderit! 🙂
U dashurova me Bobin “tend” qe ne faqet e para te romanit.
Me dukej aq i gjalle, sikur nga casti ne cast do dilte nga libri 😀
Une i kam lexuar romanet tuaj dhe me kane pelqyer dhe trazuar shume qe te tre. Bobin e perpiva dhe e mbaj ne vend te antidepresivit 😀
Ku gjendet romani juaj?
Ben, romanin e gjeni në Libraritë: “Adrion”, “Albania”, “Dita”, “Shtëpia e Librit”, “Tiranabook” pranë Sheshit “Wilson”, “Art’s” pranë Stacionit të Trenit, në Librari “Dukagjini”, Kosovë dhe në Librari “Riletra”, Kosovë.
Ju falënderoj për interesimin!
Gjendet gjithashtu edhe në Librari “Dyrrahu”, Durrës. (Se harrova ta përmendja në komentin më lart.)
Sapo e mbarova. Me pelqeu shume. Ka te drejte Mia me lart. Personazhi te behet i dashur qe ne faqet e para me sinqeritetin carmatoses.