Gjeneral Gramafoni-Skenari që u ndërtua mbi një tregim të vjedhur

in Denonco plagjiaturën/Kinema by

Hija e zesë e lavdisë-Një rrëfim pa dëshmitarë

  Artan Gjyzel Hasani

Kjo është një histori e vërtetë të cilën unë nuk mund ta provoj para jush si të tillë. Dëshmitarët e besueshëm kanë vdekur prej kohësh, ndërsa një dëshmitar disi më i parëndësishëm sapo ka mbushur të nëntëdhjetat. Kur t’i arrini deri në fund këtij rrëfimi nuk kërkoj prej jush ta besoni. As nuk mëtoj të zhbëj gjëra që nuk mund të zhbëhen. As të krijoj zhurmë mediatike apo sensacion. Por kërkoj veç një gjë. Të mendoni që e vërteta mund të jetë edhe kështu siç po ua tregoj. Kaq do të më mjaftonte. Sa ishte gjallë im atë nuk donte t’ia zinim në gojë këtë histori. Pas vdekjes së tij jam matur disa herë ta shkruaj në trajtë tregimi, por nuk e kam bërë. Gjithnjë kam pritur momentin kur do ta rrëfeja ashtu siç ka ndodhur. Dhe po e bëj sot. Historia zë udhë në verën e vitit 1976 në Tiranë. Fillon me një tregim. Një tregim të cilin im atë do ta shkruante për këngëtarin Mentor Xhemali, zëri i të cilit e magjepste. Ideja i kish ardhur pas një bisede me të njohurin e tij, këngëtarin Avni Mula, që i kishte treguar detaje interesante nga jeta e panjohur e Mentor Xhemalit. Me ndërmjetësinë e Avniut u realizua një takim me Mentorin, të cilit i pëlqeu ideja që dikush donte të shkruante një tregim për të. Takohen disa herë, shkojnë në vendin ku basi ynë i ardhshëm i kishte rënë në sy dikujt për herë të parë për zërin e tij, pikërisht në portin e Sarandës, ku kishte punuar si hamall në moshën 18-vjeçare. Pasi kishte shpenzuar edhe qindarkat e fundit hoteleve e restoranteve me Mentorin, im atë kthehet në shtëpinë tonë në Peshkopi dhe ulet të shkruajë për net me radhë. Si tani e kam parasysh kënaqësinë me të cilën ia lexonte çdo mëngjes sime mëje atë që kishte shkruar gjatë natës. Tregimi mbaroi dhe doli një dorëshkrim 30 faqesh të daktilografuara. Mentor Xhemali ishte përlotur kur kish lexuar tregimin në dorëshkrim. Dy shokët e vjetër të tim eti Adriatik Kallulli dhe Vath Koreshi e kishin pëlqyer. Gazeta “Drita”, ku punonte Vathi e kishte refuzuar botimin pasi ishte shumë tregim i gjatë për një format gazete. “Do ta botoj te revista ‘Nëntori’ në disa numra rresht”, kishte premtuar Vath Koreshi dhe kishte marrë dy kopjet e shtypura të tregimit. Kaluan muaj, dhe tregimi nuk po botohej. Telefonatat e tim eti me Vathin ishin rralluar duke pasur parasysh edhe natyrën e ndrojtur të tim eti kur ishte puna për të kërkuar ndere e favore nga të tjerët, qofshin këta edhe shokë te tij. Kaloi edhe viti 1977 dhe asgjë prej gjëje. Im atë nuk i telefonoi më Vathit. Ishte neveritur e lodhur nga pritja e gjatë. Atë vit Mentor Xhemali doli në pension dhe do kishte qenë dhuratë shumë kuptimplotë botimi i atij tregimi pikërisht ato ditë. Por nuk ndodhi. Ndërkohë Vathi ishte larguar nga redaksia e “Dritës” dhe kishte filluar punë si skenarist në Kinostudion e vetme filmike shqiptare.

Një mbrëmje të fundvitit 1978 ndërsa po hanim darkë, shohim që në televizion filloi të shfaqej filmi i ri “Gjeneral Gramafoni” që akoma edhe sot konsiderohet si një ndër majat e kinematografisë shqiptare. Skenarist i filmit Vath Koreshi. Në një moment dëgjuam zërin e fikur të tim eti “Po ky qenka tregimi im!”. Ishte zverdhur në fytyrë dhe mbuluar nga djersë të ftohta. Nuk e harroj kurrë atë moment. Kishim mbetur të shtangur të gjithë në shtëpi. I telefonon të nesërmen Vathit. “Gjyzel, nuk kisha ç’të bëja, nuk e botova dot askund, ia propozova Viktor Gjikës, por ai sapo pa emrin tënd të panjohur e refuzoi pa e lexuar, e kështu sa të qëndronte i vdekur në sirtar e ndryshova pak, hoqa Mentorin dhe futa një klarinetist personazh, i futa edhe ca linja të tjera dhe e përshtata për skenar filmi.”

Pasi uli receptorin babai mori dorëshkrimin original të tregimit dhe e grisi copë- copë.

Për shumë vite me radhë nuk e kuptova pse e kishte grisur origjinalin, të vetmen provë të shkruar. Ky ishte edhe fundi i miqësisë së vjetër të tim eti me Vath Koreshin. Një zhgënjim vrastar që e shoqëroi deri sa iku nga kjo botë. Nuk shkruajti kurrë më pas letërsi artistike. Kur ia hapja këtë bisedë shumë vite më vonë dhe i thosha që duhet shkruar kjo histori më përgjigjej: “E kush do të të besojë? Ku e ke dorëshkrimin origjinal? Si do ia vërtetosh publikut që isha unë autori?” “Po pse e grise origjinalin?” e kisha pyetur, ndërsa kujdesesha për të gjatë kohës që lëngonte në shtrat para vdekjes. “Nuk më duhej më. Nuk e kam menduar kurrë ta diskreditoja Vathin në publik. Kemi qenë shumë shokë. Nuk më besohet akoma se si ma bëri atë gjë…”

Mbetet mister se si pranoi Mentor Xhemali të merrte pjesë me zërin e tij në xhirimet e këtij filmi me atë skenar që në origjinal ishte shkruar veç për të! Im atë nuk e takoi kurrë më pas. Prej kohësh Mentori, Vathi dhe im atë nuk jetojnë. A kanë pasur dijeni njerëz të tjerë për këtë histori? Ata miq e shokë të tim eti që e dinin nuk jetojnë më. Adriatik Kallulli, Jorgo Bllaci, Herkul Tartari, doktor Lame Koçi, gazetari Fatos Cekodhima janë disa prej tyre. Jo fort i sigurt, por mbase e di Skifter Këlliçi që akoma jeton… Po ç’rëndësi ka, unë nuk pres të ma pohojë askush pasi jam vetë dëshmitar i tërë kësaj meseleje.

Më erdhi ndërmend sot kjo histori e vjetër dhe po mendoja: Vërtet im atë e grisi dorëshkrimin original, por është vetë skenari vjedhur i filmit që e jep provën. Në film flitet për një muzikant, klarinetist, që e kanë regjistruar italianët gjatë pushtimit në pllaka gramafoni. Në realitet kjo ka ndodhur, por me hamallin Mentor Xhemalin, dhe me asnjë lloj klarinetisti dhe pikërisht ky detaj ka qenë edhe boshti rreth të cilit ngrihej tregimi i tim eti. I regjistruan Mentor Xhemalit në një pllakë gramafoni këngë të njohura italiane të asaj epoke dhe në anën tjetër të pllakës këngë popullore përmetare. Pa orkestër. Veç me zërin e tij. I regjistruan për provë se donin t’ia çonin shtëpisë diskografike në Milano që ta vlerësontë nëse ia vlente. Por pak muaj më pas Mentori iku në Durrës e që andej doli partizan. Ky fakt mbetet e vetmja provë që unë sjell për ju në këtë histori të trishtë, të cilën nuk kërkoj ta besoni si të vërtetë, por të mendoni se edhe mund të jetë e vërtetë…

12 Comments

  1. Mund te jete e vertete, por c’rendesi ka kjo, kur vete autori i tregimit, Gjyzel Hasani nuk ka lene disa prova, qe cdo njeri ta besoje kete gje!? Pervec kesaj, ja po themi: dikush tjeter del dhe e pohon kete si fakt. Por ngelet dilema tjeter, a ka qene ai tregim prej rreth 30 faqesh i vlefshem letrarisht (artistikisht) per tu botuar?! Kjo eshte akoma me teper per tu dyshuar, gje qe i ka dhene dore Vath Koreshit & Co. te krijonin nga subjekti i saj nje skenar te mrekullueshem e me te gjere. Se fundi ka dhe nje shprese tjeter, tregimi qe kane marre Vathi & Co. per ta lexuar e botuar duhet te gjindet ne ndonje arkive shteti apo private.
    E gjithe kjo histori ka nje skene te pakuptueshme dhe pallogjikshme, grisjen e origjinalit te tregimit nga vete autori. Pas kesaj skene cdo histori mbi ‘te duket po aq absurde, sic duket dhe ky shkrim i mesiperm! Vetem nese ky i panjohur Gjyzel Hasani ka dhe krijime te tjera letrare, kjo histori e mesiperme merr ndopak kuptim. Ne te kundert, mund te merret si nje trillim!

  2. Kështu më ndodhi edhe me tregimet dhe novelat e mia gjatë vitit 1987. Doja të gjeja “ndërmjetës” për t’i botuar. Dy “shokët” e mi u arrestuan nga policia jugosllave dhe për të mos më komprometuar, dorëshkrimin origjinal
    ia dorëzojnë të daktilografuar në dy kopje njëfarë Kros Kamjanit e ky për fat të “mirë” një emnakut tim duke menduar se jam unë. Të gjithë jemi gjallë përveç emnakut që është larguar nga jeta me gjithë treimet dhe novelat e mia. Fati deshti që kopjen e kam ruajtur por, të kishte qenë origjinali do të ishte më mirë. Tani jam i qetë ngase edhepse ka mundur dikush t’i botojë unë nuk do ta mund ta mbroja autorësinë. Shpresoj me ca ndërhyrje të vogla trgimet dhe novelat e mia të shohin dritën e botimit dhe të bien në duart e adhuruesve tl leximit. Respekte për babin tuaj të ndjerë dhe juve që mbroni veprën e tij!

  3. Shume interesant si shkrim dhe si histori por jo aq i jashtezakonshem sepse raste te tilla ka plot ne art. Kinemaja njihet si arti i historive te pazakonta dhe kesisoj dhe shtyswn e merr nga histori te tilla. Mesa di te njejten histori ka edhe taulanti kerkon nje moter madje kishte te bente me historine e shoqes se ngushte te regjisores xhanfise keko. Do te ishte diabolike po tw mendoje se vath koreshi e ka ndertuar krijimtarine mbi punen e te tjereve sikurse dhe ti hedhesh poshte krijimtarine mbi incidente te tilla qe gjithsesi nuk i provon dot persa kohe nuk ka prova.i vetmi ngushellim ndonjehere qe mund ti thoni vetes eshte qe gjithsesi keni nje kujtim origjinal nga babai juaj dhe nuk eshte pak gjithsesi. Sa per te tjerat mendoj qe disa te verteta ose duhen thene ne moment ose duhet heshtur pergjithnje

  4. Një fakt që mund të provojë diçka, do të ishte gjetja dhe publikimi i disqeve të vjetra të incizuar me zërin e M. Xhemalit në vitet ’40 të shekullit 20. Gjithsesi, edhe kjo nuk do të përbënte arsye për të akuzuar V. Koreshin për plagjiaturë. E para, një tekst 30 faqesh s’mund te jete tregim, po roman. Ndoshta roman grafomani, por thjesht si fakt, asnjë argument. Edhe Shekspiri është akuzuar si plagjiat, sepse subjektet e tij i paska shkruar dikush tjetër, emrin e të cilit bota e dëgjoi vetëm kur u përhap historia. Gjithsesi, studiues dhe teoricienë të shquar kanë argumentuar se: të gjitha tekstet në të gjitha kohërat e vendet marrin e japin me njëri-tjetrin, ai i quajturi “megatekst”. Shkrimtar ose artist i vërtetë është ai që një histori të shkruar keq, nga një penë mediokre, di ta transformojë në një kryevepër, duke fituar kështu edhe AUTORËSINË e atij teksti. Se fundi, një FILM është vepër kolektive, një bashkëkrijim i një grupi autorësh, askush nuk e di sa ka dhënë në të skenaristi,regjisori, vetë aktori…

  5. Zoti / Zonja Admin keni të drejtë, e drejta e autorit duhet respektuar pavaresisht nga niveli i realizimit të një vepre, sidomos po te kemi parasysh faktin se tregimi në doreshkrim i pelqeu Vathit dhe ky deshi ta botonte te “Drita”.
    Ne vitet e diktatures komuniste nuk ishte e zhvilluar kultura e se drejtes se autorit. Kjo dukuri ben pjese ne shkaterrimin e moratit te njeriut te ri te socializmit dhe në shkatërrimin e pronësisë si koncept.
    Para se te vijoj me rastin konkret, po ju tregoj nje ngjarje komike/tragjike nga jeta e diktatorit Hoxha dhe Profesorit Hamit Beqja.
    Enveri mendoi te mbante nje mbjedhje me arsimtaret e shkollave 8-vjecare per te dhene disa mendime per revolucionarizimin e teksteve te lendeve shoqerore ne shkolle. U ngarkua Prof. Beqja qe te hartonte nje material baze per kete problem. Ia dhane Enverit, i cili e pelqeu dhe ne mbledhje me mesuesit, filloi ta lexonte materialin sikur ta kishte hartuar ai vete. Ne salle ishte ne rreshtin e pare dhe Prof. Hamit Bqja, i cili ndryshe nga mesuesit, po degjonte, pa hapur ndonje fletore per te mbajtur shenime. Diktatori e pa dhe i tha: “Po ti pse nuk mban shenime”?
    Hamiti nuk nxori ndonje fletore, por vijoi te degjonte. Nje nga sekretaret e Komitetit Qendror, iu afrua Enverit dhe i tha:”Shoku Enver ai eshte Hamit Beqja”. Me nje fjale i kujtoi se Hamiti nuk kishte pse te mbante shenime përderisa ishte autori i materialit. Mirepo, Enveri i intatosut iu drejtua Hamitit me ton urdherues: “Hasan mbaj shenime se dhe ty te duhen”!
    Toni urdherues dhe ndërrimi i emrit nga Hamit ne Hasan, i dhanë të kuptonte Profesor Beqjes se nuk duheshin bërë naze. Nxori nje fletore dhe filloi te mbante shenime…
    Kjo ishte klima morale e kohes. Ata qe kishin pushtet bënin c’të donin me materialet e hartuar prej atyre që nuk kishin pushtet. Këtë dukuri e ka kritikuar dhe D. Agolli te romani humoristik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.
    Thjesht e shkoqur, Vath Koreshi, edhe pse e kam njohur per burre te ndershem, ne kete rast ka bere nje shkelje te rende. Ai duhej te pranonte si bashkautor skenari shokun e tij Gjyzel Hasani, ose te shkruante në titrat e filmit se skenari ishte hartuar mbi bazën e tregimit të këtij autori.
    Konceptin e ruajtjes se te drejtes se autorit nuk e ka pasur as regjisori i filmit, regjisori Viktor Gjika. Në librin e tij me kujtime “Vit pas viti” ai tregon se si arriti te ideja e krijimit te skenarit te filmit “Nëntori i Dytë”. Pasi lexoi materiale nga jeta e rilindesve kapi fillin e skenarit tek një libër me kujtime përgatitur prej historianit Petraq Pepo. Ishin kujtimet e karrocierit M. Osmanlliu për udhëtimin e Ismail Qemalit nga Durrësi në Vlorë. Dhe Viktori shkruan se shkoi i propozoi Prof. Dhimitër Shuteriqit që t’i lexonte ato kujtime dhe të shtonte dhe disa skena nga udhëtimi i I. Qemalit prej Stambollit në Durrës dhe pas përshkrimit të udhëtimit për në Vlorë të shtonte disa skena të tjera nga jeta në Vlorë dhe aktin e shpalljes së pavarësisë, etj.
    Me një fjalë regjisori Gjika i dha skeletskenarin Dhimitër Shuteriqit, por nuk i tha: “Më vër dhe emrin tim si bashkëskenarist. Nuk e bëri këtë kërkesë sepse nuk e kishte të zhvilluar ndjenjën e të drejtës së pronës, dhe as mbrojtjen e së drejtës së autorit.
    Edhe fakti qe autori i tregimit, i ndjeri Gjyzel Hasani e grisi origjinalin e tregimit të vet, tregon se dhe ai nuk e kishte të zhvilluar ndjenjën e të drejtës së autorit, dhe as konceptin se vepra letrare është pronë private dhe prona private duhet mbrojtur e ruajtur brez pas brezi.
    Pra fajtori kryesor ka qenë diktatura dhe diktatori që krijoi atë klimë amorale…

  6. I nderuar Thanas, po më kujton shprehjen “po ai që më vodhi lopën a ka ndopak faj.”
    Sistemi kishte shumë faje por vjedhjet personale nuk kanë alibi.Nuk mund t’ia faturojmë sistemit.Dhe nga ai sistem që kishim me të sotmen nuk ka shumë ndryshim. Edhe sot të vjedhin krijimtarinë, madje një poet i suksesshëm i komunizmit që po kërkojnë kinse demokratët t’a bëjnë deputet e ushtron këtë zanat të vjeter sa bota. E di Administratorja se edhe atë edhe mua ai poet-deputeti na ka vjedhur. Edhe për këtë mbase “fajin e ka Rusoi” siç thoshte Gavroshi në barrikadë tek të “Të mjerët” e Hugoit? Askujt nuk i pëlqen t’a pranojë por muzikën e këngës në filmin “Skënderbeu” Çesk Zadeja e ka marrë nga kënga e mësuesit të vet At Martin Gjoka pa e shënuar emrin askund. Dhe askush nuk thotë asgjë. Dhe Martin Gjokës edhe sot i mohohet nderimi sepse titullin “Nderi i Kombit” e merr një aktore, a një regjisor skeçesh ordinere që janë harruar. Kjo është shoqëria shqiptarë ku mbretërojnë eunukët e artit. Pikat mbi i. Në një shoqëri të sëmurë veset lulëzojnë.

    • Edhe vjedhja e ideve te dikujt tjeter eshte nje veper penale qe duhet ndeshkuar Per mua kjo eshte e patolerueshme dhe hedh nje njolle te erret mbi Vath Koreshin Me duken mjerane tentativa e disa komentuesve qe mundohen te mbajne anen e tij me lloj lloj teorish Jepi Qezarit cfare eshte e Qezarit Per nje krijues profesionist fabula eshte primare ,mbi te cilin ai do te ndertoje vepren Nese e zoteron ate i zoteron te gjitha Te tjerat jane mbushje pastaj Raste te tilla kur shkrimtare te panjohur perplaseshin dyerve hermetike te organeve te lidhjes se shkrimtareve dhe ju vidheshin subjektet ka shume Une dua ta besoj autorin e ketij rrefimi ,edhe per faktin se e njoh per njeri shume serioz dhe sot per sot ai eshte nje nga prozatoret dhe poetet me interesante dhe me kulture ne letrat tona

  7. Zoti Kolec une nuk e justifikova Vath Koreshin, por thashe se kishte bere gabim te rende, pastaj shtova se ne ate sistem te pamoralshem te tilla vjedhje ishin dukuri normale te justifikueshme . Dhe ju e thoni shume mire: “Ne nje shoqeri te semure, veset lulezojne”
    Uroj qe pasi te perfundoje Reforma ne Drejtesi dhe Vetingu, ne Shqiperi te krijohet shteti ligjor te mos kemi me nje shoqeri te semure!

  8. Une e besoj tregimin e mesiperm, sepse e kam njohur Gjyzel Hasanin, nje njeri fisnik dhe shume korrekt. Indinjata dhe zhgenjimi ka bere qe ne ate moment ta gris tregimin e tij, te mos mendoj ato gjera qe ne i mendojme dhe i diskutojme sot. Nuk mund te stiset ekzistenca e nje historia qe nuk ka ndodhur, kur rradhiten kaq shume detaje dhe personazhe qe edhe pse nuk rrojne, jane brenda ketij rrefimi te dhimbshem.
    Besoj qe keshtu ka ndodhur dhe keshtu do jete e verteta.!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.