Fjalimi i shkrimtares Isabelle Allende në ceremoninë e Çmimeve Kombëtare të Librit

in Letërsi by

A ju kujtohet fëmija i vogël 3 vjeçar sirian, trupin e të cilit oqeani e nxori në një plazh në Turqi në vitin 2015? Emri i tij ishte Alan Kurdi. Ai mund të ishte djali juaj ose nipi im. Po atë ditë, babai i tij humbi gruan dhe një fëmijë tjetër në gomonen ku kishin hipur për të kaluar detin për të shpëtuar nga lufta në Siri. Alan Kurdi simbolizon gjendjen e miliona njerëzve të dëshpëruar. Për një çast bota u trondit nga imazhi i foshnjës së vdekur në plazh, por shpejt e harroi

    Isabelle Allende

A keni një enciklopedi apo një libër telefonik që të mund të mbështetem në diçka?

Faleminderit, faleminderit shumë për këtë nder të papritur që e pranoj me përulësi, në emër të miliona njerëzve si unë që kanë ardhur në këtë vend në kërkim të një jete të re.

Unë kam qenë gjithmonë e huaj, jam lindur në Peru dhe jam rritur në Kili në shtëpinë e gjyshit tim.

Ndoqa njerkun në udhëtimet e tij si diplomat. Isha refugjate politike për 13 vjet në Venezuelë pas grushtit ushtarak të vitit 1973 që i dha fund një tradite të gjatë të demokracisë në Kili. Dhe  kam qenë emigrante në Shtetet e Bashkuara për më shumë se 30 vjet.

Të qenit e çrrënjosur kronike ka disa përparësi. Pjesa më e madhe e shkrimeve të mia lindi nga  nga nostalgjia, humbja dhe ndarja, nga një dëshirë e pashërueshme që t’i përkas një vendi. Kam pamjen e një kilianeje, dhe ëndërroj, gatuaj, bëj dashuri dhe shkruaj spanjisht. Bëj dashuri: do të ishte qesharake të dihasja në gjuhën angleze. I dashuri im nuk flet asnjë fjalë spanjisht. Kam një të dashur në moshën 76 vjeçare, nuk e besoni apo jo. Ai është i guximshëm.

Si e huaj, nuk marr asgjë për të mirëqenë. Vëzhgoj dhe dëgjoj me kujdes. Bëj pyetje dhe vë në dyshim gjithçka. Për shkrimet e mia nuk kam nevojë të trilloj shumë, shoh përreth dhe mbaj  shënime, jam koleksioniste e përvojave. Mbështetem në jetën e njerëzve të tjerë, veçanërisht në gratë e forta dhe plot pasion që takoj kudo. Mbështetem në hidhërimin dhe në vështirësitë e çdo dite, në gëzimin e të qenit gjallë dhe nuk kam frikë nga vdekja por nuk kam frikë as nga jeta. Refuzoj të jetoj me frikë dhe as që bëhet fjalë të votoj me frikë.

Kjo është një kohë e errët miqtë e mi, është kohë lufte në shumë vende, dhe kohë lufëtrash të mundshme kudo. Është kohë nacionalizmi dhe racizmi, mizorie dhe fanatizmi, një kohë ku vlerat dhe parimet që mbështesin qytetërimin tonë janë të rrethuara. Është kohë e dhunës dhe varfërisë për shumë njerëz. Mijëra njerëz  detyrohen të lënë gjithçka të tyren dhe të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme për të shpëtuar jetën.

A ju kujtohet fëmija i vogël 3 vjeçar sirian, trupin e të cilit oqeani e nxori në një plazh në Turqi në vitin 2015? Emri i tij ishte Alan Kurdi. Ai mund të ishte djali juaj ose nipi im. Po atë ditë, babai i tij humbi gruan dhe një fëmijë tjetër në gomonen ku kishin hipur për të kaluar detin për të shpëtuar nga lufta në Siri. Alan Kurdi simbolizon gjendjen e miliona njerëzve të dëshpëruar. Për një çast bota u trondit nga imazhi i foshnjës së vdekur në plazh, por shpejt e harroi.

Shkruaj për ta ruajtur kujtesën nga gërryerja e harresës dhe për t’i bërë bashkë njerëzit. Besoj në fuqinë e historive të rrëfyera. Nëse dëgjojmë historinë e një personi tjetër, nëse tregojmë historinë tonë, fillojmë të kapërcejmë  ndarjen dhe urrejtjen. Sepse e kuptojmë se ngjashmëritë që bashkojnë janë shumë më tepër sesa dallimet që na ndajnë.

Shkruaj gjithashtu për të kuptuar. Çfarë është shkrimi në fund të fundit, përveçse një përpjekje për të zgjidhur pështjellimin e e jetës. Shpesh nuk e di pse ndihem e detyruar të shkruaj një histori të caktuar dhe vetëm më vonë e kuptoj se është e lidhur me një pjesë të jetës sime, ose të psikikës sime, që më duhej ta kuptoja dhe nganjëherë ta shëroja.

Për ata që nuk i kanë rrënjët në një vend, kujtesa është thelbësore për të ruajtur ndjenjën e vazhdimësisë. Askush nuk e dëshmon jetën tonë, duhet të kujtojmë. Dhe çfarë do të bënte një shkrimtar pa një ndjenjë të fortë të së kaluarës, pa një idengulitje me kujtesën? Nuk e di se sa nga kujtesa ime është fakt i vërtetë dhe sa kam trilluar. Ndoshta mbaj mend atë që kurrë nuk ka ndodhur. Kujtesa është subjektive, kushtëzohet nga emocioni dhe besimi. Historia jonë është gjithashtu subjektive. Ne zgjedhim se çfarë të nxjerrim në pah dhe çfarë të shpërfillim apo harrojmë. Zgjedhim mbiemrat për të përshkruar udhëtimin tonë dhe në këtë mënyrë krijojmë legjendën tonë. Unë kam krijuar për veten time një legjendë më të madhe se jeta, ndoshta për të kompensuar shtatin tim të shkurtër.

Në këtë tokë, të gjithë e kanë origjinën nga dikush që ka ardhur nga një vend tjetër. Dallimi i vetëm midis meje dhe teje, nëse nuk ka një amerikan vendas në audiencë, është se gjyshërit tuaj kanë ardhur këtu të parët. Unë jam thjesht pjesë e kësaj diasporës së madhe, dhe megjithëse  jam kritikuar për shumë gjëra rreth këtij vendi, jam krenare që jam një qytetare amerikane.

Kam marrë shumë më tepër nga sa kam ëndërruar dhe më është ofruar mundësia që të kthej diçka. Ky çmim kombëtar është një dhuratë e jashtëzakonshme për mua,  do të thotë se ndoshta unë nuk jam e huaj në fund të fundit. Do të thotë se ndoshta është koha për të mbjellë rrënjët e mia dhe të pushoj. Ndoshta kam gjetur një vend ku mund t’i përkas. Ndoshta nuk do të shkoj më askund.

____

Isabelle Allende (1942-) në ceremoninë e Çmimeve  Kombëtare të Librit (14 Nëntor 2018) u bë autorja e parë që shkruan në gjuhë  spanjolle e cila u nderua me Çmimin e Karrierës për kontributin e shquar në letrat amerikane. Fjala e mbajtur me rastin e pranimit të çmimit u mirëprit  nga publiku dhe bëri jehonë në median e shkruar.

Përktheu: Granit Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Gruas-Shpëtim Selmani

Gruas-Shpëtim Selmani Kam parë perëndeshat e Hamburgut të mbytura në pikëllim,grave greke

Jezus-Shpëtim Selmani

Fragment nga dorëshkrimi i një romani të pabotuar Shpëtim Selmani Sa më
Go to Top