Nëntë fillime-Margaret Atwood

in Letërsi by

Duhet të kesh një lloj  kurajoje  të jesh shkrimtare, një kurajo gati fizike, atë lloj kurajoje që të duhet  për të  kaluar matanë lumit. Kali të hedh në lumë dhe ti duhet të ngjitesh sërish mbi kalë. Notin e mësova duke më hedhur në lumë.

  Margaret Atwood

1.Pse shkruan?

E kam  filluar këtë  shkrim nëntë herë. I kam flakur të gjitha fillimet. S’më pëlqen fare të shkruaj për procesin e të shkruarit. Pothuajse s’e bëj kurrë. Pse po e bëj tani? Sepse thashë se do ta bëja. Mora një letër. Iu përgjigja me “jo”. Pastaj kur isha në një mbrëmje i njëjti person gjendje po aty. Është më e vështirë t’i thuash “jo” personit që ke përballë. Të thënit “po” ka të bëjë me të qenit e mirësjellshme, ashtu siç u thuhet të jenë grave, dhe ka të bëjë edhe më të qenit e dobishme, diçka që gjithashtu u mësohet grave. Gratë duhet të jenë të dobishme duke dhuruar gjak. Duke mos shpallur të drejtën e vetëmbrojtjes “mos-më-prek” të artistit, me arsyen se s’duhet të tregohesh egoist. Duke hequr dorë, duke bërë pjesën tënde, duke u pajtuar me këto detyrime. Jam rritur sipas këtij kodi. S’arrij dot t’i shmang detyrimet shoqërore. Të thuash se do të shkruash për procesin e të shkruarit është një detyrim shoqëror. Nuk është një detyrim kundrejt të shkruarit.

2. Pse shkruan?

I kam flakur të gjitha fillimet. Dukeshin të parëndësishëm. Ngjanin tepër deklarativë, tepër pedagogjikë, tepër sipërfaqësorë apo provokues. Ngjanin agresivë, shprehnin mençuri artificiale. A thua se kisha  arritur të bëja një zbulim të veçantë që do të nxiste të tjerët, apo kisha dije të veçantë për të përcjellë një lloj thënie të saktë që do të kishte efektin e një hajmalie për ata që janë të fiksuar pas idesë së të shkruarit.

3. Pse shkruan?

S’më pëlqen fare të shkruaj për procesin e të shkruarit sepse s’kam çfarë të shkruaj, sepse s’e mbaj mend se çfarë ndodh kur shkruaj. Në atë kohë sikur truri im thërrmohet. Është sikur jam në një kohë në të cilën nuk jetoj. Mund t’i kujtoj detajet e dhomave dhe vendeve për të cilat kam shkruar, rrethanat, gjërat e tjera që kam bërë para dhe më pas, por jo procesin në vetvete. Të shkruash për procesin e të shkruarit kërkon vetëdije. Të shkruarit kërkon të dorëzohesh plotësisht para tij.

4. Pse shkruan?

Janë shumë gjëra që mund të thuhen për atë që ndodh në zgrip të të shkruarit. Disa ide të caktuara që mund të kesh, një nxitje e posaçme për disa ide apo tema, plane të mëdha që s’përmbushen. Mund të flas për shkrime kritike negative, për reagime seksiste ndaj asaj që kam shkruar, për marrëzirat që kam thënë në studio televizive. Mund të flas për libra që kanë dështuar, që s’u përfunduan kurrë apo për arsyen pse ndodhi kështu. Për librin që kishte më shumë personazhe sa duhej, dhe për ata që kishin shumë shtresëzime kohore, një qoshe e botës pamore, një zë i veçantë, një peizash i paqartë.

Mund të flas për vështirësitë me të cilat përballen gratë si shkrimtare, për shembull, nëse je shkrimtare, herët a vonë do të pyesin: E shihni para së gjithash veten si shkrimtare apo si grua? Kini parasysh, kushdo që e bën këtë pyetje e urren si të qenit shkrimtare edhe të qenit grua. Shumë prej nesh, të paktën nga brezi im, kemi patur mësues apo shkrimtarë burra apo ndonjë idiot frikacak, që na thoshin se gratë s’mund të shkruanin, sepse ato s’ishin të zonja të bënin punën e shofereve të kamionit apo të shërbenin me forcat e marinës dhe rrjedhimisht nuk e kuptonin anën më të errët të jetës, gjë që nënkuptonte seksin me gratë.  Na thoshin se ne shkruanim si shtëpiake, ose trajtoheshim si burra të nderuar, thua se të ishe shkrimtare e mirë duhej të shtypje femrën brenda teje.

Qëndrime të tilla mbaheshin rëndom sikur të ishin të vërtetat më të thjeshta. Ato tani vihen në dyshim. Disa gjëra kanë ndryshuar për mirë, por jo gjithçka. Ndjenjën e mungesës së vetëbesimit e rrënjosin tek vajzat që në moshë të hershme, para se të shkruarit të shihet si një mundësi. Duhet të kesh një lloj  kurajoje  të jesh shkrimtare, një kurajo gati fizike, atë lloj kurajoje që të duhet  për të  kaluar matanë lumit. Kali të hedh në lumë dhe ti duhet të ngjitesh sërish mbi kalë. Notin e mësova duke më hedhur në lum. Është e nevojshme ta dish se mund të mbijetosh edhe pasi të fundosesh në ujë. Vajzat duhet të lejohen të luajnë në baltë. Ato duhet të çlirohen nga detyrimet e përsosmërisë. Një pjesë e shkrimeve të tua duhet të jetë aq lojcake sa një lojë.

Dështimi nuk shmanget gjatë procesit të shkrimit. Koshi i basketbollit nuk përdoret pa arsye Mendojeni atë si altarin e Muzës së Harresës, ku ju flijoni variantet e para të shkruara, simbole të papërsosmërisë tuaj njerëzore. Ajo është Muza e dhjetë, ajo pa të cilën asnjëra prej muzave të tjera s’mund të funksionojë. Dhurata që ajo të ofron është liria për një mundësi të dytë. Ose për aq mundësi sa mund t’i krijosh vetes.

5. Pse shkruan?

Në mes të viteve tetëdhjetë fillova të mbaj një ditar ku shkruaja herë pas here. Sot iu riktheva për ta shfletuar duke kërkuar diçka që mund ta përdorja në vend që të shkruaja këtë shkrim mbi të shkruarit. Por ishte e padobishme. S’gjeta asgjë në të në lidhje me krijimin e asaj që kam shkruar gjatë gjashtë viteve të fundit. Gjeta detyra që duhej të kryeja asokohe, të zgjohesha më herët, të shëtisja më shumë, t’u rezistoja tundimeve dhe të mos shpërqendrohesha. Të pish më shumë ujë, kam shkruar. Të flesh më herët. Kishte lista se sa faqe duhej të shkruaja çdo ditë, sa duhej të rishkruaja, dhe sa mbeteshin për t’u shkruar. S’gjeta gjë tjetër me përjashtim të përshkrimeve të dhomave, shënime për çfarë kisha gatuar ose ngrënë dhe me kë, letrat që kisha dërguar dhe marrë, thënie të njohura për fëmijët, zogjtë dhe kafshët, për motin. Çfarë kisha parë në kopësht. Shënime për sëmundje të miat dhe të tjerëve. Për vdekje, për lindje. Asgjë për të shkruarit.

1 janar, 1984.  Blakeny, Angli. Deri më sot kam përfunduar 130 faqe të romanit dhe sapo ka filluar të marrë formë dhe të arrijë pikën në të cilën kam ndjesinë se është forma e plotë dhe mund të përfundohet e ia vlen. Po shkruaj në dhomën e gjumit të shtëpisë së madhe dhe këtu, në dhomën e ndjenjes, ndërsa zjarri digjet në oxhak. Si zakonisht, kam shumë ftohtë, gjë që është më mirë se të kem shumë vapë. Sot është një ditë gri, mund ta quash mot i ngrohtë po të kesh parasysh stinën e vitit, lagështirën që mbizotëron. Nëse do të zgjohesha më herët, ndoshta do të punoja më shumë, por ja që më ikën më shumë kohë duke i shtyrë gjërat për më vonë, siç po më ndodh tani.

Dhe kështu me radhë.

6. Pse shkruan?

Ti mëson të shkruash duke lexuar dhe shkruar, duke shkruar dhe lexuar. Si zeje përvetësohet duke nxënë, por je ti që zgjedh mësuesit e tu. Nganjëherë janë të gjallë, nganjëherë të vdekur. Si zeje, ajo mbështetet tek duart. E zotëron zejen dhe pastaj duhet ta përcjellësh. Ndoshta këtë do ta bësh vetëm nëpërmjet veprës tënde, ndoshta në mënyra të tjera. Me secilën mënyrë, je pjesë e një bashkësie, bashkësisë së shkrimtarëve, bashkësisë së rrëfimtarëve, e cila zë fill në kohëra të lashta që në fillesat e shoqërisë njerëzore. Për sa i përket shoqërisë njerëzore, të cilës i përket, nganjëherë, kur ajo bën padrejtësi, je kundër saj, ose i përket një bashkësie tjetër, asaj të të shtypurve, të shfrytëzuarve, atyre që s’kanë zë. Në secilin rast, trysnia ndaj teje do të jetë e madhe. Në vende të tjera, ndoshta vdekjeprurëse.

7. Pse shkruan?

Pse jeni kaq të që dhënë pas të rastësishmes? Pse shkruani? (Traktat nga psikologët e fëmijëve, që zbulojnë traumat e tua. Nga ana tjetër, leximi i duarve, astrologjia dhe studimet genetike, deshifrimi i yjeve, trashëgimia.) Pse shkruani? (Që do të thotë, pse të mos bëni diçka të dobishme në vend të kësaj?) Po të ishit mjek, mund të tregonit rrëfenja për një moral të pranueshëm, për mënyrën se si ke dëshiruar gjithmonë të kurosh vuajtjet e njerëzve. Askush s’debaton për një gjë të tillë, por të shkruarit, për çfarë shërben?

Disa përgjigje të mundshme: Pse ndriçon dielli? Përballë absurditetit të shoqërisë moderne, pse të bësh diçka tjetër? Sepse jam shkrimtare? Sepse dua të zbuloj modelet e kaosit të kohës. Sepse duhet. Sepse dikush duhet të dëshmojë. Pse lexon? (Pyetja e fundit është delikate, ndoshta s’lexojnë). Sepse dua të farkëtoj kudhrën e shpirtit, ndërgjegjen e pakrijuar të racës time. Sepse dua të bëj një helikë për të thyer liqenin e ngrirë nga brenda. (Këto janë përdorur, por janë të mira.) Nëse s’di ç’të bësh tjetër, shumë mirë. Ose thoni: Është më mirë se të punosh në një bankë. Ose le të thëmi, për qejf. Nëse thoni këtë, nuk do të të besojnë, ose do të shohin si të parëndësishme. Sido që të jetë, do ta kesh shmangur pyetjen.

8. Pse shkruan?

Jo shumë kohë më parë, ndërsa pastroja dhomën time të punës, hapa sirtarin, një sirtar të cilin se kisha prekur me dorë për shumë vite. Ishte një tufë letrash të hallakatura, të palosura, të lidhura me një spango dosido. Ishin gjërat që kisha shkruar në fund të viteve pesëdhjetë, në shkollë të mesme dhe gjatë viteve të para të universitetit. Poezi për borën, dëshpërimin dhe revolucionin hungarez. Ishin tregime që merreshin me vajza, të cilat duhej të martoheshin dhe mësuesit e mërzitshëm flokëgjatë të shkollës së mesme, si dhe përshkrime të vizionit tim të atëhershëm për ferrin, i shtypur me makinë shkrimi nga gishtrinjtë e mi, në një makinë shkrimi të vjetër ku gërmat kanë dalë gjysmë të kuqe.

Ja ku jam prapa në kohë, vitin e dytë të shkollës së mesme, duke shfletuar revistën e letrare pasi kam bërë hartimin në frëngjisht si detyrë shtëpie, duke shtypur poezitë e mia të trishta dhe tregimet gjithë kurajë. (Kisha guxim. Trajtoja temën e mbeturinave në lëndina dhe dëmitmet e trotuarëve. Në këto tregime zakonisht binte shumë borë, ose shi, por më e pakta kishte shumë lagështirë. Nëse ishte verë, nxehtësia dhe lagështia ishin gati gjithmonë të mëdha dhe personazhet e ki djersinin, nëse ishte pranverë, balta u ngjitej në këpucë. Pavarësisht se mund të thuhet që ky ishte moti rëndom në Toronto).

Ne cepin e djathtë, në fillim të disa letrave, vetja ime shtatëmbëdhjetë vjeçe kishte shkruar “Vetëm të drejtat e para në Amerikën e Veriut”. Nuk isha e sigurt se çfarë do të thoshte kjo, e kisha shënuar sepse e kisha parë në revistat letrare. Asokohe isha e dhënë pas revistave letrare, të vetmet ku mund të gjeja këshilla profesionale. Me dukej vetja si arkeologe që gërmonte nëpër shtresat e vjetra të letrave që përbëjnë epokat e jetës time si shkrimtare, një identitet që e kam gjetur në epokën e gurit, le të themi në shekujt pesë deri në shtatë, disa poezi dhe tregime, paraardhëse të parëndësishme të shkrimeve të mia të furishme më pas. Shumë fëmijë shkruajnë në atë moshë, ashtu sikurse shumë prej tyre vizatojnë. Gjëja e çuditshme është që kaq pak prej tyre vijojnë të shkrujanë ose të vizatojnë). Pas kësaj është një zbrazëti e madhe. Për tetë vjet, thjesht nuk shkruajta. Pastaj, papritur, pareshtur, vijojnë dorëshkrimet njëri pas tjetrit. Një javë shkruaja, një javë jo. Kush mendoja se isha që të bëja diçka të tillë? Çfarë mendoja se po bëja? Si i hyra asaj rruge? Për këto pyetje s’kam gjetur akoma përgjigje.

9. Pse shkruan?

Është fleta e bardhë dhe ajo që të është ngulitur në mendje, Është rrëfimi që do të zotërojë dhe qëndresa e saj. Është dëshira e zjarrtë për t’u çliruar prej saj, prej këtij skllavërimi, për të luajtur, për të bërë diçka tjetër, për të larë rrobat, për të parë një film. Janë fjalët dhe pesha e tyre, kuptimet, pamundësia, lavdia e tyre. Janë rreziqe që duhen marrë në sy, harxhim energjish dhe frymëzimi që të vijnë kur s’e pret. Është rishikimi i asaj që është shkruar, korrigjimet, faqet e zhubrosura të hedhura mbi dysheme. Është ajo fjalia e vetme që ti e di se do ta përdorësh. Ditën tjetër, faqja është sërish e bardhë. Ecën drejt saj si një somnambul. Ndodh diçka të cilën s’e kujton do më pas, Hedh sytë tek ajo që ke shkruar. Nuk të kënaq. Fillon sërish. S’është kurrë e lehtë.

Përktheu: Granit Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top