Një letër për Borges-in nga Susan Sontag, 10 vjet pas vdekjes së tij

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Susan Sontag

13 Qershor, 1996, New York

I dashur Borges,

Meqenëse letërsia jote mbante gjithmonë shenjën e përjetësisë, s’ngjan edhe aq e çuditshme të të drejtohem me një letër. (Borges, janë 10 vjet!) Nëse një bashkëkohës ka qenë ndonjëherë i paracaktuar për pavdekësinë letrare, ai ishe ti. Ti ishe aq shumë produkt i kohës tënde, i kulturës tënde, dhe megjithatë ti dije si ta kapërceje kohën tënde, kulturën tënde, në mënyra që duken kaq magjike. Kjo kishte të bënte me të qenët i hapur dhe me bujarinë e vëmendjes tënde. Ishe më pak egoisti, më transparenti nga shkrimtarët, si dhe më mjeshtri. Kjo kishte të bënte me pastërtinë natyrore të shpirtit. Megjithëse jetove mes nesh për një kohë deri diku të gjatë, ti i përsose praktikat e shpejtësisë dhe të shkëputjes, gjë që të bëri një udhëtar të zotë mendor edhe në epoka të tjera. Kishin një sens të kohës që ishte ndryshe nga ajo e njerëzve të tjerë. Idetë e zakonshme të së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes, dukeshin banale nën vështrimin tënd depërtues. Të pëlqente të thoshe se çdo çast i kohës përmban të kaluarën dhe të ardhmen, duke cituar (siç më kujtohet) poetin Browning, i cili shkroi pak a shumë kështu: “E tashmja është çasti në të cilin e ardhmja shkërmoqet në të kaluarën”. Kjo, sigurisht, ishte pjesë e modestisë tënde; shijes tënde për të gjetur idetë e tua në idetë e shkrimtarëve të tjerë.
Modestia ishte pjesë e sigurisë së pranisë tënde. Ishe zbulues i gëzimeve të reja. Një pesimizëm aq i thellë, dhe i paqtë si i yti s’kishte nevojë të ishte zemërak. Përkundrazi, duhej të ishte krijues – dhe ti ishe, para së gjithash, krijues. Kthejlltësia dhe kapërcimi i vetvetes për mua janë shembullore. Tregove se s’është e nevojshme të jesh i palumtur, edhe pse mund të jesh mendjemprehtë dhe pa më të voglin gënjim (iluzion) se sa e tmerrshme është gjithçka. Diku keni thënë që për një shkrimtar – shtuat me delikatesë: – të gjithë njerëzit duhet të mendojnë se çdo gjë që u ndodh është një pasuri. (Po flisnit për verbërinë tuaj.)
Ti ke qenë pasuri e madhe për shkrimtarët e tjerë. Në vitin 1982, pra, katër vjet para se të vdisje – unë thashë në një intervistë: “S’ka asnjë shkrimtar që jeton sot që të ketë më shumë rëndësi për shkrimtarët e tjerë sesa Borgesi. Shumë do të thoshin se ai është shkrimtari më i madh i gjallë. . . Shumë pak shkrimtarë të sotëm s’kanë mësuar prej tij apo s’e kanë imituar”. Kjo është ende e vërtetë. Ne akoma ende po mësojmë nga ti. Ne ende po të imitojmë. U dhe njerëzve mënyra të reja të të imagjinuarit, ndërsa shpallje vazhdimisht borxhet tona ndaj së kaluarës, para së gjithash, ndaj letërsisë. Ti the se i detyrohemi letërsisë pothuajse për gjithçka që jemi dhe çfarë kemi qenë. Nëse librat zhduken, historia do të zhduket dhe qeniet njerëzore po kështu do të zhduken. Jam e sigurt që ke të drejtë. Librat s’janë vetëm shuma arbitrare e ëndrrave tona dhe e kujtesës sonë. Ata gjithashtu na japin modelin e tejkalimit të vetvetes. Disa njerëz mendojnë se leximi është vetëm një lloj arratisjeje: një arratisje nga bota e “përditshme” në një botë imagjinare; në botën e librave. Librat janë shumë më tepër. Ata janë një mënyrë për të qenë plotësisht njerëzorë.
Më vjen keq që duhet të të them se librat tani shihen si një specie e rrezikuar. Me libra, kam parasysh edhe kushtet e leximit që bëjnë të mundur letërsinë dhe efektet e saj shpirtërore. Së shpejti, na është thënë, do të kemi në “ekranet e librave” çdo “tekst” sipas kërkesës, dhe do të jemi në gjendje të ndryshojmë pamjen e tij, të bëjmë pyetje, “të ndërveprojmë” me të. Kur librat bëhen “tekste” me të cilat “bashkëveprojmë” sipas kritereve të dobisë, fjala e shkruar do të bëhet thjesht një aspekt tjetër i realitetit tonë televiziv, të drejtuar nga reklamat. Kjo është e ardhmja e lavdishme që po krijohet dhe na premtohet, si diçka më “demokratike”. Sigurisht, kjo s’do të thotë asgjë më pak se vdekja e të brendshmes dhe e librit.

Këtë herë, nuk do të ketë nevojë për një zjarr të madh. Barbarët s’kanë pse të djegin librat. Tigri është në bibliotekë. I dashur Borges, të lutem kuptomë që s’është aspak kënaqësi të ankohem. Por kujt mund t’i drejtoheshin më mirë ankesa të tilla për fatin e librave – të vetë leximit – sesa ty? (Borges, janë 10 vjet!) Gjithçka dua të them është që na merr malli për ty. Kemi mall. Ti vazhdon të bësh dallim. Epoka në të cilën po hyjmë tani, ky shekulli 21, do ta sprovojë shpirtin në mënyra të reja. Por, mund të jesh i sigurt, disa prej nesh s’do ta braktisin Bibliotekën e Madhe. Dhe ti do të vazhdosh të jesh mbrojtësi dhe heroi ynë.

Përktheu: Granit Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top