Shoqëritë zhvillohen nga rrahja e ideve dhe jo nga rrahja e shuplakave!
Arlinda Guma
Para disa vitesh, në ditën botërore të librit, isha e ftuar nga një prej universiteteve të vendit në një takim me studentë. Midis gjërave që më bënë përshtypje në atë takim ishte fakti që pedagogia që drejtonte takimin, herë pas here u tërhiqte vëmendjen studentëve për mënyren sesi duhej të rrinin. Meqënëse kjo gjë u përsërit shpesh, iu drejtova pedagoges me ton miqësor se unë i urreja protokollet, se për mua ai ishte një takim joformal dhe se studentët mund të rrinin si të donin, madje mund të uleshin edhe mbi tavolina nëse ashtu do të ndiheshin më rehat, se këto fjalë po i thoshte një autore që i kishte thyer të gjitha rregullat e mundshme; një autore që nuk i ishte përmbajtur asnjë rregulli klasik për shkrimin e një romani, ndaj dhe takimin me ata studentë e mendonte të tillë.
– Jo, jo, nuk mund të ulen mbi tavolina, – m’u përgjigj pedagogia me njëfarë alarmi dhe unë pastaj heshta. – Mbase do më tërheqë vemendjen edhe mua që “nuk po rri mirë”, – thashë me vete duke nënqeshur lehtë dhe u mbështeta drejt në karrige, me qëndrimin e një studenteje shembullore që mëson përmendësh dhe që zysha e do shumë.
M’u kujtua ky episod këto kohë kur lexova për rezultatin e testit të Pisa-s për nxënësit shqiptarë; që ata kanë zero kreativitet, zero mendim kritik, e shumë zero të tjera.
Por gjëja që më bëri më shumë përshtypje ishte habia e madhe që shkaktoi ky lajm te i madh e i vogël. Një habi madje edhe prej vetë individëve të cilët punojnë brenda këtij sistemi.
Po si mund të zhvillojnë mendim kritik nxënësit shqiptarë, kur mësuesit e tyre duatrokasin me gif-te gjithë pathos kryeministrin e vendit?
Diku ata do të jenë duke marrë shembull… Dhe ku ka shembull më të mirë se ai i mësuesve të tyre?
E përmenda episodin me studentët pak më lart për të nxjerrë në pah ngurtësinë e shkollës shqiptare, formalitetin dhe sipërfaqësinë e saj.
Por shkolla shqiptare është e tillë sepse e tillë është e gjithë shoqëria shqiptare dhe sipër të gjitha këtyre dukurive, si qershia mbi tortë, qëndron represioni i politikës.
Mësuesit shqiptarë duhet të ruajnë vendin e punës me anë të komenteve ekzaltuese që duhet t’i shkruajnë kryeministrit të vendit te faqja e tij në facebook dhe me anë të share-ve. Kryeministri nuk ka asnjë gabim, ai nuk ka asnjë defekt, ai është drita që ndriçon, dielli që verbon, e të tjera e të tjera. Them se më të virtytshmëve u vjen turp për atë që janë të detyruar të bëjnë, ndaj shpesh mjaftohen vetëm me gif-te.
Nga këto komente, nxënësit shqiptarë marrin shembull sesi duhet të sillen në jetë. Sesi duhet të manovrojnë. Se testi i Pisa-s të merr të keqen po e pate mirë me qeverinë dhe kryeministrin.
E në gjithë këtë atmosferë entuziazmi të simuluar, si mund ta zhvillojnë ata mendimin kritik?
Pse nxënësit shqiptarë janë të shkëlqyer në teknologji? Pra, atyre nuk u mungon intelekti, inteligjenca natyrale, por nuk kanë askënd që t’i orientojë, që t’ua drejtojë këtë inteligjencë në hullite e kultivimit. Nuk kanë askënd që t’ua bëjë lëndën më të gjallë dhe interesante, duke dalë nga klisheja e vjetër e autoritetit të mësuesit.
Në ditët pas vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, kur nëpër televizione ishin të ftuar gjithfarë “akademikësh” që flisnin edhe këta gjithë pathos për të ndjerin, më bëri përshtypje një pedagoge, besoj e letrave, pa dyshim. Asaj iu drejtua një pyetje mbi romanin “Dimri i madh” e konkretisht për figurën e Enver Hoxhës, dhe ajo filloi të fliste “rrjedhshëm” dhe me një pathos të frikshëm për skalitjen e kësaj figure në roman. E ekzaltuar, ajo e justifikonte shkrimtarin, nuk gjente asgjë që t’i vriste syrin në synimin e autorit ndaj personazhit të Hoxhës, në një kohë kur vetë Ismail Kadare në një intervistë për një media të huaj ka thënë qartë se romani “Dimri i madh” ishte haraçi që ai duhej t’i paguante diktatorit në mënyrë që ky i fundit ta linte të lirë për të shkruar vepra të tjera. E kur këtë gjë e ka deklaruar vetë shkrimtari, pse pedagogia, në mënyrë fare të panevojshme, e justifikonte për një gjë që ai e kishte pranuar hapur se ishte kompromis?
Ja pra, kjo është shkolla shqiptare! Kjo është pedagogia që duhet t’u stimulojë studentëve mendimin kritik! Kjo është ajo mendësia tipike primitive se kur vdes një njeri publik ne duhet t’ia retushojmë defektet dhe duhet ta kandisim në një njeri pa asnjë nuancë në personalitet, në një njeri të mirë; të mirë deri në mërzi, madje edhe kundra dëshirës së tij.
Kur vdes një njeri publik, një shoqëri e guximshme, e drejte dhe emancipuar, i nxjerr në pah edhe vlerat por edhe dritëhijet. Në mënyrë që fëmijët në librat e tyre mësimorë të mos edukohen me pallavra e shembuj të rremë, por të guxojnë ta shohin të vërtetën në sy dhe të mësojnë se asnjë njeri nuk është bardh e zi. Se shpesh personalitetet e famshme të fushave të ndryshme të shoqërisë kanë edhe ata kontroversialitetin e tyre, anët e tyre të errëta, deri edhe mëkatet e tyre.
Por shoqëria shqiptare refuzon t’i shohë këto dhe e gjithë kjo pasqyrohet në shkollë, në mendësinë inferiore të vetë mësuesve dhe pedagogëve.
Shkolla shqiptare nuk ka liri, ashtu siç nuk ka liri vetë shoqëria shqiptare. Ajo është vetëcensuruese ashtu siç është vetëcensuruese shoqëria shqiptare. Dhe mendimi kritik e krijues mbi të gjitha kërkon liri. Kërkon edhe lexime skrupuloze nga vetë mësuesit. Përgjithësisht autorët që analizojnë këta mësues në gjimnaz janë të rëndomtë. (Madje, para disa viteve, në provimet e lirimit të lëndës së letërsisë, ishte përfshirë dhe një autor banal si Albatrosi.)
Këta mësues dhe pedagogë po i plakin para kohe këta të rinj, dhe këta qeveritarë po i mbysin këta mësues dhe pedagogë me militantizmin, like-t dhe share-t, që ua kërkojnë si haraç në këmbim të vendit të punës. Dhe ata mësues që janë të gatshëm për like, share e komente stratosferike, shpesh janë të paaftë për mësimdhënie dhe me një nivel intelektual të cunguar. Është një rreth i tërë vicioz, i cili, si rrejedhojë, prodhon produktin që konstatoi Pisa. Shoqëria shqiptare është e pamësuar me mendimin kritik, ajo e sheh shtrembër individin që rebelohet, individin që kritikon. Nëse publikon një shkrim kritik për qeverinë, njëqind kushërinj e të njohur që kanë zënë një vend të rehatshëm në administratën shtetërore do të të shohin sikur u ke vrarë babain shpirtëror, sikur u ke ekzekutuar idhullin!
Si krijuese e revistës defekt-teknik prej gjashtë vitesh, sa herë që hyj te statistikat e leximeve, më bën përshtypje fakti që shpesh, vizitorë të ndryshëm hyjnë te faqja e saj për të marrë esé të gatshme për X autor. E kam përmendur shumë herë, por mësuesit dhe pedagogët shqiptarë shqetësohen për faktin sesi rrinë studentët në karrige dhe aspak për faktin se ata kërkojnë esé të gatshme.
Nëse ndonjëherë do zhvilloja një takim tjetër me studentë, e para gjë që do t’u thosha do të ishte që të mos u binden verbërisht autoritetit të pedagogëve dhe në rastet kur mendojnë se ata nuk kanë të drejtë, ta shprehin hapur këtë kundërshtim. Të shprehen hapur kundër çfarëdolloj autoriteti! Mbi të gjitha ndaj atij qeverisës! Sepse pikërisht këtu fillon ai mendimi kritik! Shoqëritë zhvillohen nga rrahja e ideve dhe jo nga rrahja e shuplakave!
Në fund do ta mbyll me një tjetër episod, disi më optimist, prej takimit tim me studentët e atij universiteti.
Ndërkohë që unë u përgjigjesha pyetjeve të studentëve, shihja njërin prej tyre në tavolinën e fundit që vazhdimisht shkruante. Natyrisht mendova se ai nuk duhej të ishte aty për takimin. Dhe kur mbaruam e ai u afrua dhe më kërkoi një autograf, e pyeta se çfarë po shkruante.
– Jam student ekonomiku, – më tha me çiltërsi.
Qesha.
– Epo, nuk do kuptosh shumë nga ky libër, nuk para kam lexues ekonomistë, – i thashë.
– Jo, – ma ktheu ai me vetëbesim të lartë, – po lexoj Frojdin, më pëlqen Hygoi…
I shkrova autografin dhe i zgjata librin.
– Ka shpresë, – thashë me vete.
(E gjithë çështja është nëse këta autorë i kanë lexuar vërtet edhe mesuesit dhe pedagogët e tyre. Dhe nëse po, me ç’mend i kanë lexuar? Shpresoj jo me pathosin dhe me ekzaltimin qesharak të pedagoges që fliste në televizor.)
Të rinjtë shqiptarë nuk kanë asgjë që t’i bëjë të ndihen inferiorë ndaj bashkëmoshatarëve të tyre europianë. Atyre thjesht u mungon dikush që t’i orientojë, që t’i motivojë, që t’i frymëzojë teksa u flet për fuqinë e një ideje.
11 Korrik, 2024
©Arlinda Guma
Arlinda Guma është autore e tre romaneve: “Bulevardi i Yjeve”- 2014, “Terma humanitarë si fjala bombardim”- 2016, dhe “Bob Legjenda” – 2021. Ajo është krijuese e revistës defekt-teknik.com