Rreth kësaj faqeje

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Nisi si një projekt për kulturën. Për realizimin e tij bashkëpunova me disa media. Rezultati ishte i njëjtë në të gjitha; lexuesit më shkruanin se ajo që po bëja ishte ndryshe nga ajo që ofronte shtypi i Tiranës, ndërkohë që shkrimet e mia sa vinin dhe hiqeshin nga qarkullimi. Ato vendoseshin në ndonjë cep aq të padukshëm sa as qentë e antidrogës nuk i gjenin dot, mbuloheshin me ndonjë foto këngëtareje e cila i vërviste reçipetat kokës kameramanit apo fshiheshin fare sikur të mos ekzistonin. Aq sa ndonjëherë më dukej vetja si armiku i popullit, të cilit i retushonin fytyrën nëpër fotografi dhe gjithçka që mbetej prej tij ishte një njollë e bardhë.

Lexuesit e mi duhet të jenë endur si Amerigo Vespucci duke rrëmuar nëpër ato cepa, sepse me gjithë vështirësitë, sepse megjithëse shkrimet e mia po bëheshin njolla të bardha, ata ende interesoheshin të më lexonin.

E kështu, si rrjedhojë e gjithë këtyre kamuflimeve groteske që hasen vetëm në mentalitetet e vockla ballkanike feudale, vendosa të hap këtë faqe;

“defekt-teknik.com” – Revolucioni nuk do të transmetohet!

“Defekt-Teknik” erdhi tek unë si një reminishencë nga kohërat e fëmijërisë, nga kohërat kur Radio Televizioni Shqiptar shfaqte siglën e Defektit-Teknik edhe atëherë kur duhej mbuluar ndonjë “Defekt-Ideologjik” apo censuruar ndonjë lajm.

Ndërsa slogani: “Revolucioni nuk do të transmetohet”- “The revolution will not be televised”, është një varg nga teksti i një kënge të Gil Scott-Heron (vitet 70-të), gjatë protestave kundër racizmit në USA. Teksti, një poezi e mirëfilltë, është gjithashtu edhe një aluzion i hidhur mbi serialet televizive-telenovelat, lajmet rozë, etj., të gjitha këto shkaqe të sheqerta që u bëjnë një pritë dinake përmbysjeve të mëdha.

Ky emër dhe ky slogan erdhën menjëherë në pavetëdijen time si një përgjigje ndaj gjithë mediave të blera, të korruptuara.

Si një përgjigje ndaj gjithë drejtuesve të tyre shovinistë, maskilistë, megallomanë dhe mendjecekët.

Si një përgjigje ndaj gazetarisë pa pikë nervi apo idealizmi, por me një ego të stërmadhe, brilante për t’i vendosur shkopinj nën rrota asaj tjetrës që përpiqet të ndërtojë diçka të vlefshme për shoqërinë.

Kjo hapësirë nuk sponsorizohet. Mbi të gjitha nuk sponsorizohet nga politika… Nuk ka se si. Këtu nuk do të flitet për fustane, manikyrë, burrin e ëndrrave, mesazhet e mbetura seen (një nga çështjet më ekzistenciale të gazetarisë rozë) dhe as për rritjen ekonomike imagjinare. Si e tillë kjo faqe e fillon rrugëtimin e saj në kushte të pabarabarta në krahasim me të tjerat, pas të cilave fshihen interesa nga më të ndryshmet. Por fakti që lexuesit janë lodhur prej pornografive-politike (e më gjerë), të cilat kanë pushtuar pa përjashtim të gjitha mediat, më jep shpresë se ajo do të dijë të ecë. Sepse nuk është aspak e vërtetë që shqiptarët e duan atë lloj “gazetarie”, atyre ajo u ofrohet.

Kjo faqe nuk do të bëjë asnjë kompromis me cilësinë për hir të klikimeve.

Këtu nuk do të “zhvishet” njeri, nuk do të “ulërase” njeri, nuk do të “çmendet” njeri, nuk do të “pëlcasë” njeri.

Kjo hapësirë nuk do t’i kushtohet thjesht artit, vend të veçantë ajo do t’i japë aktivizmit nëpërmjet tij. Ky qoshk do të jetë një lloj shtëpie artistësh, një lloj klubi arti për individë që nuk qëndrojnë indiferentë ndaj mjedisit social ku jetojnë dhe krijojnë. (E quaj “hapësirë” apo “qoshk”, sepse fjalën “portal” e kanë bastarduar dhe idiotizuar gazetarët surrogato…)

Politikanët e sundojnë më lehtë një popull nëse ai mbahet vazhdimisht në një nivel të ulët kulturor, ndaj dhe askush nuk është i interesuar të bëjë diçka për ta lartësuar sado pak mendjen dhe shpirtin e tij. Sepse arti i mirë i bën njerëzit të lirë. Ai u mëson atyre të mendojnë me kokën e tyre. Dhe unë gjithmonë kam besuar se nga të gjithë llojet e revolucioneve, ai i fjalës, i artit, është më i shëndetshmi.

E për të kuptuar se sa e emancipuar është një shoqëri, mjafton të shohësh se në cilën faqe të shtypit të përditshëm e ka ajo kulturën. Në shtypin shqiptar kultura është e refuzuara e madhe, ajo është në faqen e fundit ose nuk është fare… ose-ose me kulturë disa gazetarë kuptojnë lajmin mbi një konkurs bukurie apo mbi një telenovelë surrogato që të fyen shijet dhe inteligjencën.

Në kohën kur bashkëpunoja me një nga mediat e sipërpërmendura, një prej IT-ve të tyre më tha një ditë diçka të cilës i rikthehem vazhdimisht. Ai tha se projekti im në mjedise të tilla ishte i harxhur kot… i ngjante sikur të kishe varur pikturat e Rembrandtit në një mensë publike…

Nuk i ktheva përgjigje. Nuk dija nëse duhej të gëzohesha apo të trishtohesha nga ai konstatim, por sot, ndërsa u rikthehem atyre fjalëve, do t’i përgjigjesha atij:

-Po! Edhe në një mensë publike Rembrandti mund të edukojë!

Kur isha fëmijë dhe mësuesja na jepte disa katrorë për t’i ngjyrosur, unë e kisha zakon gjithmonë të ngjyrosja jashtë vijave.

Kjo hapësirë u kushtohet të gjithë atyre që njëlloj si unë duan të ngjyrosin një botë jashtë katrorëve. Së bashku mund të ndërtojmë një botë më të mirë. Një botë pa katrorë.

Kjo hapësirë i kushtohet gjithashtu të gjithë lexuesve që më kanë shkruar dhe që më kanë dhënë zemër për të vazhduar më tej.

I falënderoj të gjithë “AmerigoVespucci-t e mi!” (duhet një fytyrëz e buzëqeshur këtu…)

Arlinda Guma

 

13 Comments

  1. Suksese si gjithmon bravissima ! Po! Edhe në një mensë publike Rembrandti mund të edukojë!

    Kur isha fëmijë dhe mësuesja na jepte disa katrorë për t’i ngjyrosur, unë e kisha zakon gjithmonë të ngjyrosja jashtë vijave. (bukur -pozitive).

  2. Edhe une te uroj sinqerisht. Jam dakord ne gjithcka shkruan dhe me vjen mire qe mund te shpresojme te kete te ardhme nje brez me mendesine dhe shijet e kultures se larte.
    Me lejo nje verejtje: paraqitja ne dy kolona e shkrimeve / poezive etj., krijon veshtiresi ne lexim: t’i ngjitesh perpjete kreut te faqes eshte bezdi edhe per mua qe zakonisht lexoj ne laptop, jo me ne celular. Qofsha gabim! 🙂

    Urime dhe suksese.

  3. Jo nuk je gabim. E kam vene re edhe une kete, Natasha. Por nese do ta ndryshoja, do te behej keshtu per te gjithe shkrimet. Dhe une dua te ruaj kete formatin klasik te gazetes ne paraqitje per jopoezite; nje nga arsyet perse zgjodha kete model. Por nese hyn nga celulari nuk eshte ne dy kolona.
    Te falenderoj per urimet. Suksese edhe ty ne krijimtarine tende!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top