Revista defekt-teknik u drejtoi një pyetje, shkrimtarëve dhe joshkrimtarëve, mbi mënyrën sesi këndvështrohen personazhet femërorë në letërsinë botërore dhe në atë shqiptare.
Përgjigjia e radhës erdhi prej shkrimtarit Flurans Ilia.
Arlinda Guma: Mendoni se në letërsinë botërore, përfshi edhe në atë shqiptare, personazhet femërorë duke u këndvështruar së shumti nga shkrimtarët burra, kanë një boshllëk të vazhdueshëm? Të cilin mund ta plotësonin këndvështrime të reja, më çliruese, të grave shkrimtare? (Edhe pse ndonjëherë më duket sikur edhe vetë disa shkrimtare gra i kanë këndvështruar këto personazhe sipas modeleve të vështrimeve burrërore të kolegëve të tyre.) Si e shihni ju këtë?
Flurans Ilia: Në letërsinë shqipe po e po, por edhe në atë botërore ky, të cilin ju e quani «boshllëk» – unë do ta quaja «hendek». Është diçka që ka qenë aty përgjatë krejt pasazhit të letërsisë së përbotshme, kushtëzuar edhe nga mungesa e lirisë edhe e emancipimit të gruas ndër shekuj, por kryesisht nga konceptimi i vet shkrimtarëve (burra) që kanë qenë të preokupuar me «diçka» më madhore edhe, si të thuash fatkeqësisht, parja e personazhit femëror ka qenë e dorës së dytë. Por nuk do të ndalem në shembuj përkatës sepse janë të pafundmë.
Duke notuar me vështirësi kundra rrjedhës së kohës, personazhet femërorë të cilët kanë shënjuar rininë time të hershme si lexues, duke u shpëtuar «klisheve» të formave të mëparshme, ngelen Catherine Barkley, heroina e romanit “Lamtumirë armë” (1929) me autor Ernest Hemingway. Dhe Patrice Hollmann, personazhi femëror i romanit “Tre shokët” (1936) nga Erich Maria Remarque. Ndoshta ngaqë ishim edhe gjimnazistë të sapokredhur në ujërat e letërsisë në fundin e viteve tetëdhjetë, parja e këtyre personazheve femërorë krijoi në ndërgjegjen tonë si lexues të pasionuar personazhin ideal, d.m.th. heroinën e fortkërkuar në letërsi. Kjo ka ndodhur me mua si lexues, për të tjerë mundet të ekzistojnë shembuj të ndryshëm. E kam menduar pse-në për një kohë të gjatë. Trazirat midis dy Luftërave Botërore pollën një nga periudhat më të shndritshme të letërsisë, të ashtuquajturën «Letërsi të viteve 1920-1930». Edhe për ne ka qenë e bekuar kjo periudhë kryesisht në poezi dhe formën e tregimit që sapo çelte sythat e parë. Por ama në periudhën e sipërpërmendur botohet një roman i pazakontë për letërsinë tonë nga këndvështrimi i angazhimit letrar dhe forca emancipuese. Titullohet “Sikur të isha djalë” (1936), me autor Haki Stërmillin, i cili e shkroi fillimisht në gegnisht. Dija është një tjetër personazh që nëpërmjet ditarit të saj ngelet krejt e papërlyer nga “klisheja” se si është parë personazhi femëror më tej, kryesisht në romanet e pasluftës te ne.
Duke ardhur tashmë në «revolucionin e qetë» të viteve 1960-1970 në letërsinë e përbotshme, edhe te ne u shfaqën gra e vajza shkrimtare të cilat erdhën vrullshëm si ndikim i ndryshimeve në shkallë botërore. Për mendimin tim kjo periudhë e viteve gjashtëdhjetë ka qenë e vetmja që ka pasur vullnetin të shpërfaqte personazhet e tyre. Fatkeqësisht, megjithëse e shoh si një avantazh të letërsisë, këto personazhe femërorë në letërsinë tonë) vuajnë nga mungesa e lirisë si përkatësi. Janë të diktuar nga shembujt e personazheve femërorë krijuar nga kolegët e tyre, burrat. Duke folur më ngushtë për letërsinë tonë, personazhi femëror u çlirua vetëm pas viteve nëntëdhjetë dhe më e sakta me prurjet e pas viteve 2000-2010. Për sa i përket lexuesit, e kam fjalën po për veten këtu – nuk po e përgjithësoj faktin në fjalë, u ndeshëm me personazhin femëror të çliruar nga klishetë shumë vonë, tmerrësisht vonë!, me veprat e Toni Morrison-it, Margaret Atwood-it, Alice Munro-së, Françoise Sagan-it, Annie Ernaux-së, etj,etj, të cilat filluam t’i lexonim për hir të së vërtetës vetëm pasi një pjesë e tyre u nderuan me Nobel-in në letërsi dhe identiteti i tyre i mëparshëm si shkrimtare ishte i lënë në hije, edhe pse këto vajza e gra kishin vite përpjekje që e kishin filluar ndryshim në veprat e tyre! A përbën kjo një çudi rastësore? Nuk besoj se është e rastësishme, përkundrazi. Kështu që edhe lexuesi ka kusuret e veta në këtë drejtim, si meshkujt edhe femrat janë ngjizur me formën që kanë gëlltitur për vite me radhë. Kjo duhet të ndryshojë. Ka filluar të ndryshojë. Dhe mendoj se ndryshimi për sa na përket ne po ndodh. Por në një botë të mbrujtur me tabutë e patriarkalizmit, thyerja e akullit është gjithmonë e vështirë. Si shpjegohet që romani juaj “Terma humanitarë si fjala bombardim” (2016), ku personazhet femërorë janë personazhe të dalë dhe ngritur nga baltovina e realiteti të ashpër me të cilin është mbrujtur e brejtur shoqëria jonë, kanë kaluar të papërfillshëm dhe të pakuptuar nga «skena letrare»? Përfshi edhe veten time këtu si lexues, e lexova veç këtë verë romanin tuaj Arlinda Guma, pra, përafërsisht një dekadë pas botimit. E sa e sa vepra të tjera shkruar nga kolege të cilat nuk i kam lexuar ende?! Dhe pikëpyetjet shoqëruar me pikë çuditëse vazhdojnë ..
Kjo bisedë më kujton një bisedë me një autor të njohur, i cili më pat thënë dikur “Filania shkruan si femër!” apo “Letërsi femrash, ç ‘pret!” – diçka e tillë e përafërt. I thashë, “Unë jam përpjekur t’i shoh njësoj dhe t’i mbështes në përkatësinë e tyre me sa mundem.”
“Po, ma ktheu tjetri, por mendoje pak më hollë. E gjithë përpjekja jote mund të konsiderohet nga të tjerë, përfshi vet femrat, si një dobësi e jotja për seksin e bukur!” U shtanga. Nuk e kisha menduar kurrë këtë. Pikërisht këtu edhe kështu e shoh problemin, si diçka që nuk ka lidhje me letërsinë por që hyn në të nga jashtë, në një formë të dhunshme, hajnisht. Në letërsi hyhet nga porta kryesore dhe jo nga oxhaku mbi të cilin gjendet një orë e vjetër. Kaq njëherë për njëherë.
Faleminderit Defekt-Teknik për lirinë e shprehjes dhe mundësinë!
Kënaqësi biseda.