Pse shkruaj?/Flurans Ilia

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga shkrimtari Flurans Ilia.

Pse shkruaj?-Flurans Ilia

Është një pyetje relativisht e vështirë për krijuesin. Nga më të vështirat. Njësoj si të pyesësh, përse shikojmë ëndrra? Nga burojnë ato? Ku shkojnë ëndrrat? Si janë sendërtuar në formën kur na shfaqen nëpërmjet anijes së gjumit apo imagjinatës syçelët? Çfarë rreken të na thonë? Si duhen interpretuar ato? Përse pikërisht unë, si unë edhe qindra të tjerë nëpërmjet një rrjedhe të çlirët, bëhemi mbartës të këtij kumti, duke qenë edhe vetë të hipur mbi to? Frojdi mendonte se e kishte gjetur çelësin, me të cilin mund të çelet një vepër arti, duke e larguar nga sfera e emocioneve personale të krijuesit. Mendoj se është veç një gjetje, interpretim psikoanalitik i ashpër, por jo përgjigjia e duhur. Kur krijuesi gjendet përballë pasqyrës “Përse shkruan?”,  nuk mund të japë një “sepse analitike”, të ndarë nga tiparet e emocioneve të veta në raport me krijimin, sepse ai është mbartësi, jo krijuesi i aktit të krijimit në vetvete. Është një vullnet i lirë dhe krejt i pavarur ku ai është i përfshirë. Diçka ka humbur për krijuesin qysh në fillesat e udhës së tij, diçka e panjohur për të cilën ai përpiqet me vullnet, gjithë krijimtarinë e vet, që t’i japë trajtë, por që ngelet po aq e paparashikueshme sa vetë ardhmëria e fatit me të cilin krijuesi bashkëjeton. Ndaj ai krijon realitete të tjera, botë paralele. “Sekreti i zanafillës krijuese, shkruan Carl Jung, sikurse edhe sekreti i lirisë së vullnetit, përfaqëson në vetvete një problem që nuk mund të njihet e që psikologjia është në gjendje ta përshkruajë, por jo ta zgjidhë. E njëjta gjë duhet thënë edhe për njeriun krijues – kjo është një enigmë, të cilën, sigurisht, mund të përpiqesh ta zbulosh me disa mënyra të ndryshme, por kurdoherë pa sukses.” Më pëlqen vektori «është në gjendje të përshkruaj» që përdor Jung në interpretimin e tij. Sigurisht, ne jemi në gjendje të përshkruajmë tiparet tona kreative te pyetja: Përse shkruajmë? Meqënëse e hapëm me ëndrrat, po vijoj me një ëndërr, e cila më ka munduar shumë gjatë këtij viti. Kam mundur ta përshkruaj korrektësisht ashtu si m’u shfaq atë natë maji të vitit 2020, por jam i paaftë ditën me diell të analizoj përsenë jashtë kontekstit universal të gjumit. Të jem i sinqertë, nuk jam përpjekur t’i jap një kuptim. Po e sjell ashtu si është. Shoh në ëndërr sikur jam i ulur mbi parmakët e Urës së Goricës, në Berat. Nën këmbët e zbathura rrjedh Osumi. Mbaj në dorë një vazo, brenda së cilës më bëhet sikur gjendet hiri i trupit tim të djegur. Dyshoj një çast nëse është hiri i tim eti apo hiri i eshtrave të njerëzve të tjerë përzier në të. E fus dorën në vazo dhe me grusht filloj ta hedh hirin në lumë. Kureshtar pyes veten: Si ka mundësi, të jesh i gjallë edhe i vdekur njëherazi? Grimcat e hirit kur preknin sipërfaqen e ujit atje poshtë këmbëve të urës, shndërrohen në ca germa të lehta që lundrojnë në sipërfaqe mu si shkumëdeti (bukëpeshku) që e merr rrjedha. Hidhem me një ndjesi naive, i alarmuar në kulm, për t’i mbledhur ato germa dhe për të krijuar, më e pakta ndonjë fjalë a fjali me to. Nga kontakti me ujin më del gjumi. Ëndrra ndërpritet. I vetëdijshëm këto çaste se po shkruaj diçka rreth pyetjes përse shkruajmë, jam duke pirë kafenë e mëngjesit, ritualin e përditshëm të zgjimit. Në fund të filxhanit dalloj dy rrugë, një në vajtje dhe një në ardhje. Pothuajse pjesa më e madhe e fluturimeve të botës janë ndërprerë këtë çast, si për të përligjur fluturimet tona të brishta nëpër ëndrra. Për mendimin tim, ky është njëri nga interpretimet e aktit përse shkruajmë. Njeriu brenda nesh krijon për të përligjur vetvetet dhe të tjerët, ekzistencën në kapërcyell të së pamundurës, të kushtëzimeve, në kundërvënie me çdo lloj padrejtësie, qoftë edhe me fatin e tij si qenie jo e përsosur. Mendoj se është një dëshmi e bukur e konceptit për të qenë krejtësisht i lirë nga të gjitha, e mbi gjithçka, nga tjetri brenda nesh.

Montréal, Mars 2021

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top