Joan Pelushi
Studimi i Prof. Thanas L. Gjika “SHËN PALI NË DYRRAH” – Korrigjim i disa shënimeve dhe hartave të Dhiatës së Re është një studim shumë i rëndësishëm për të rizbuluar rrënjët e krishtërimit në Ballkanin Perëndimor. Ai mbush një boshllëk të madh në studimet e historiografisë europiane, duke hedhur dritë në një periudhë pak të njohur të historisë së Shqipërisë në përgjithësi dhe të përhapjes së krishtërimit në fillimet e tij. Ky studim shumëvjeçar është origjinal, sepse siç shprehet dhe vetë autori, në përgjithësi studiuesit e Dhiatës së Re, duke qenë të kualifikuar si teologë, historianë ose tekstologë, nuk i kanë analizuar librat e Dhiatës së Re edhe si objekt historiko-letrar, gjë që e kreu ai për herë të parë me sukses.
Dhiata e Re dëshmon qartë se Apostoli Paul, si dhe shumë bashkëpuntorë të tij, ungjillizuan në viset e Maqedonisë, të Ilirikut, të Epirit dhe Dalmacisë. Në letrën drejtuar besimtarëve të Romës vetë Sh. Pali shkruan: … from Jerusalem and in a circuit as far as Illyricum I have thoroughli preached the good news about the Christ (Rom. 15:19). Titi, bashkëpuntor i Sh. Palit, ungjillizoi, përveç vendeve të tjera edhe në Nicopolis të Epirit (Tit. 3:12) dhe në Dalmaci (2 Tm. 4:10).
Po ashtu, edhe shumë dokumente të vjetër, dëshmojnë për praninë e Apostullit Pal në trojet Ilire në përgjithësi, dhe në Dyrrachium / Dyrrach në veçanti. Sipas disa studjuesve, ai ka qëndruar në Dyrrach në vitet 53-58, kurse në këtë studim saktësohet se ai punoi në Dyrrach dhe në Apollonian e Adriatikut gjatë udhëtimit të tretë misionar në qershor e korrik të vitit 56, dhe se në Dyrrach Pali shkroi letrën kryesore drejtuar besimtarëve të Romës (Rom 1:1-15:33). Po ashtu sqarohet se gjatë udhëtimit të katër apostulli ndali dy herë në Dyrrach: në maj të vitit 62, kur u largua nga Roma drejt Jerusalemit dhe në maj të vitit 63, kur u kthye nga ky udhëtim për në Romë.
Shën Jeronimi, lindur në Iliri rreth viteve 342-347 dhe vdekur në vitin 420, siguron në Letrën e tij nr. 59, se Ungjilli u përhap me Thomain në Indi, me Pjetrin në Romë, me Pain në Ilirik (In omnibus locis versabatur; cum Thoma in India, cum Petro Romae, cum Paulo in Illyrico).
Studiues dhe klerikë të tjerë, ndër shekuj, kanë sjellë dëshmi për praninë e Sh. Palit në trojet Ilire, por ky studim i konkretizon dhe i qartëson akoma më mirë. Disa nga dishepujt apostolikë ndër të Shtatëdhjetët, ishin me origjinë nga Iliriku, vend në të cilin ata ishin të pranishëm në udhëtimet e tyre misionare dhe përmenden më vonë si peshkopë në disa qytete të Ilirikut. Gjithashtu, tradita kishtare dhe gojëdhënat, të ruajtura ndër shekuj në popullin shqiptar, si edhe toponimet e shumta kudo në Shqipëri, që lidhen me veprimtarinë e Sh. Palit, të cilat, trajtuar shkencërisht nga autori, janë të dhëna të rëndësishme dhe nuk mund të shpërfillen. Prania e martirëve të shumtë në shekullin e parë dhe të dytë, si Sh. Cezari, Sh. Sosthenes, Sh. Asti, Sh. Lefteri, Sh. Flori dhe Sh. Lauri, etj., tregon se krishtërimi ishte tashmë i pranishëm në këto treva.
Ndonëse këto fakte janë tashmë të njohura nga të gjithë dhe tregojnë qartë se historia e krishtërimit në Shqipëri fillon që në shekullin e parë, duke na treguar se krishtërimi nuk u përhap në këto troje nga misionarë latinë apo grekë, por është autokton, në kuptimin që është predikuar nga vetë apostujt dhe nxënësit e tyre, si në të gjithë botën mesdhetare të asaj kohe dhe është zhvilluar pastaj në mënyrën e tij. Por kjo e vëtetë është lënë në hije dhe anashkaluar nga shumë studiues. Studimi i Prof. Thanas L. Gjika merrr një rëndësi të madhe sepse, duke ndjekur një metodë origjinale gjithëpërfshirëse, bën që këto të dhëna të shihen në një dritë më të qartë dhe bindëse.
Për krishtërimin në Shqipëri dhe sidomos për fillimet e tij nuk është shkruar shumë. Për këtë arsye çdo studim për këtë periudhë është i mirëpritur dhe është nxitje e madhe për studime të mëtejshme për këtë periudhë të historisë së krishtërimit, periudhë, e cila ka luajtur rol të madh edhe në formimin psiko-kulturor të popujve.
Ky studim jep një ndihmesë të jashtëzakonshme për të kuptuar rolin e qytetit Dyrrach në veprën apostolike të Sh. Palit, duke plotësuar dhe duke sqaruar me hollësi të shumta veprën ungjillizuese të tij në Ballkanin Perëndimor. Autori është përqëndruar kryesisht në përcaktimin e momenteve kryesore të jetës, veprimtarisë dhe krijimtarisë të Apostullit Pal, meqënëse ai është, jo vetëm një autor shumë i rëndësishëm i Dhiatës së Re, por edhe se ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në përhapjen e Ungjillit në të gjithë botën mesdhetare të asaj kohe.
Duke qenë një nga portat e Via Egnatia dhe një qytet i rëndësishëm i asaj kohe, qyteti Dyrrach nuk mund të mbetej jashtë udhëtimeve apostolike. Pa një studim serioz mbi rëndësinë e qytetit Dyrrach në historinë e hershme të krishterimit në Shqipëri nuk mund të kemi një histori të plotë të tij. Autori jep të dhëna të shumta, me anë të së cilave, unë mendoj, do të ndihmohen edhe studiues të tjerë për hulumtime të mëtejshme.
Ky studim është një vepër origjinale, ku qartësohen dhe nxirren në dritë të dhënat e njohura dhe sillen të dhëna të reja, përmes analizash e argumentesh të pashfrytëzuara prej studiuesve të mëparshëm. Shquhet për thellësinë e analizave historike dhe letrare. Metoda e këtij studimi është e veçantë, kombinon dhe përfshin të dhënat e rëndësishme nga fusha të ndryshme, gjë që e ka ndihmuar autorin për të sqaruar me detaje veprën ungjillizuese të Sh. Palit. Ky studim i ndërtuar me këtë metodologji të re sjell fakte të padiskutueshme se besimi i ri, besimi i krishter u përhap në trojet Ilire qysh në shekullin e parë kryesisht nëpërmjet veprës apostolike të Sh. Palit dhe dishepujve të tij.
Historiografia moderne i shikon ngjarjet historike në shumë dimensione, sepse të gjitha këto janë të pandashme dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Paraqitja e njëanshme nuk e jep të plotë historinë dhe si pasojë e deformon dhe e gjymton atë. Vetëm një metodë tërësore mund t’i afrohet më shumë së vërtetës historike.
Mendoj se një nga kontributet e tjera kryesore të këtij studimi është sqarimi me detaje rreth hartave të Dhiatës së Re për katër udhëtimet misionare të Sh. Palit, duke saktësuar datat e nisjes e të mbarimit të tyre dhe vendet e punës së këtij misionari. Hartat e udhëtimeve të Sh. Palit deri më sot ishin hartuar, duke pasur parasysh vetëm ato emra dhe vende që përmenden në Dhiatën e Re. Por, pa dyshim, Apostulli ka vizituar edhe vende të tjera, të cilat nuk janë përmendur aty. Siç shpjegon edhe autori i këtij studimi, në Dhiatën e Re gjenden fakte direkte ose indirekte, për udhëtimet e Sh. Palit dhe nxënësve të tij në vende të tjera, si ato në troje Ilire, që i përkasin Shqipërisë së sotme. Për këtë arsye, gjithmonë ka vend për korrigjime dhe shënime të mëtejshme, për ta pasuruar, sa më shumë që të jetë e mundur, hartën e veprimtarisë së tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.
Studimi i Prof. Dr. Thanas L. Gjika hap një udhë të re për gjithë studiuesit e kësaj periudhe dhe është një kontribut shumë i vlefshëm në historiografinë e kishtërimit. Ai shquhet për seriozitet, për metodologjinë e tij origjinale, si edhe për risitë e çmuara që sjell nëpërmjet kësaj metode.
Mitropoliti i Korçës Imzot Joan Pelushi,
Korçë 20 Janar, 2024.
I ZËMËRUARI I PËRJETSHËM/Visar Zhiti
ME KASEM TREBESHINËNPAS ÇDO DATËLINDJEJE… Visar Zhiti Ç’do të themi për shkrimtarin
E nderuar Arlinda, ju falenderoj per botimin ne revisten tuaj prestigjioze “Defekt Teknik” te recensionit te Peshkopit Joan Pelushi – Mitropolit i Korces, si urim e vleresim per botimin anglisht te ketij studimi. Thanas L. Gjika.