Shënime personale mbi romanin “The Testament” të shkrimtares Margaret Attwood/Merita Paparisto

in Letërsi/Tirana Review by

Merita Paparisto

Gjithmonë pyes veten çfarë e bën një roman që të quhet roman i mirë, apo shumë i mirë… që të qëndrojë veçmas, të dallohet në turmën e romaneve që gëlojnë nëpër librari dhe gjithmonë kam disa përgjigje, ndërsa njëra prej tyre ështê e pandryshueshme: “ koha është ajo që provon dhe veçon letërsinë e mirë nga ajo mediokre.” Por derisa koha ta bëjë këtë gjë, periudhë që shkon pas ekzistencës sonë personale, ne sigurisht që lexojmë dhe përpiqemi të zgjedhim, të vlerësojmë, të veçojmë, duke përdorur intuitën tonë dhe edukimin e shtresëzuar nga leximet e shumta.
Kështu, romanin “ The Testament” të shkrintares Margaret Attwood ( besoj që do jetë i përkthyer në shqip patjetër) e mora në dorë ditën e shtunë, javën e kaluar dhe nuk munda ta lëshoja prej duarsh deri ditën e sotme. Sot ështe e martë. Romani ka rreth 415 faqe. E ndërprisja leximin vetëm për të kryer detyra që duhet patjetër t’i kryeja, ato që mund të prisnin i anashkaloja, për t’u ulur nê kendin tim, me librin në dore. Mendoj që ky është një tregues i rëndësishëm, madje tepër i rëndesishëm për cilësinë e librit. Dhe ndoshta dikush mund të thotë: “Oh, po sigurisht, Attwood është një nga shkrimtaret më të famshme dhe më të njohura të kohës sonë, kështu që nuk po na thua një gjë të re”. Sigurisht që po them një gjë të re, për sa kohë që unë e lexoj rishtas “The Testament” dhe gjëja e re është që e pandikuar nga titujt e çmimet e autores, apo fama e saj, i rreshtohem armatës së fansave të saj, armatës së atyre njerëzve që e pëlqejnë shumë letêrsinë e saj.
Romani është triller, dystopian. Edhe më parë kur kam shkruar përshtypje për librat që lexoj, kam thënë se romanet së pari i shoh si ndërtesa, pra, i shoh nga jashtë. Shoh si jane formuar muret, si është ndarë në kate, brendia e banesës, me fjalë të tjera, arkitektura e saj. Dhe jo rralle kam lexuar romane me arkitekturë të hallakatur, të palidhur mirë, që hidhen nga njëri kat në tjetrin pa na lënë të kuptojmë sesi ndodh dhe këto i klasifikoj menjëherë si mungesë talenti apo si mungesë eksperience në të shkruar. Po ashtu kam lexuar romane me një arkitekturë të qartë dhe solide, me nje stil konsistent dhe me një fasadë mahnitëse, nga e cila nuk mund t’i heqësh sytë. I tillë është romani në fjalë nga ndërtimi i tij.
Me pas vijnë personazhet ngjarjet, vendet. Sa të besueshëm janë parë ata nga një mendje kërkuese, sa të lidhur me njëri- tjetrin. Dhe e përsëris, romani në fjalë shkëlqen në artin e formimit.
Margaret Atwood më futi për katër ditë me radhë në labirintet e një bote dystopiane të panjohur dhe sa më shumë mësoja, aq më shumë kërkoja të dija. Një realitet joreal në formën e përshkruar nga autorja, por që për brezin tim, që ka jetuar totalitarizmin, sjell reminishenca të së kaluarës.
Nuk do tregoj brendinë e romanit për të mos e zbehur kënaqësinë e leximit të atyre që nuk e kanë lexuar dhe dëshirojnë ta lexojnë, por do shtoj që pikat e ndërgjegjes sime, të prekura nga romani ishin dy:
– Natyra komplekse njerëzore, mundësia e pafund për trushplarje e shoqërisë njerëzore dhe drejtimi i saj si një kope për njëfarë kohe sigurisht. Ndryshimi i marrëdhënieve midis qenieve njerëzore dhe raportet midis tyre, nën shtypjen psikologjike të trushparjes dhe shtrëngimit të lirive.
– Manipulimet, kalbëzimi, dekompozimi i shoqërive që qeverisen nga qeveri totalitare dhe mënyrat sesi i mbulojnë dhe kamuflojnë.
E vërteta është, siç e thashë më sipër, që, edhe pse romani është dystopian, pra, shoqëria dhe mjedisi ku ndodhen ngjarjet janë imagjinarë, mua më sillte reminishenca nga e kaluara e vendit tim, kur qeverisej nga diktatura. Dhe nuk dua të idealizoj këtu qeveritë e ashtuquajtura liberale, apo demokratike, apo me emërtime të tjera, por çdo e metë në qeverisjet e lartpërmendura është e dukshme në sytë e atyre që duan ta shohin. Pra, totalitarizmi është diçka krejt tjeter.
Romani ka një rrymë “të nëndheshme” feminizmi. Unë nuk jam feministe dhe nuk kam ndonjë simpati për feminizmin si rrymë, por e trajtuar në roman në mënyrën siç e trajton Attwood-i është si një dritë e kuqe, e ndezur për vemendje dhe për të mos harruar kurrë se ku të çojnë ekstremizmat totalitare të çdo krahu dhe të çdo lloji.
Lexim të këndshëm çdokujt që do vendosë ta lexojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top