Pse shkruaj?-Merita Paparisto

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhes erdhi nga autorja Merita Paparisto.

Ajo vijon si më poshtë…

Pse shkruaj-Merita Paparisto

Pse shkruaj? Para se të ulesha për të shkruar këte esé të shkurter, më kishte shkuar shumë herë nëpër mendje kjo pyetje dhe mund t’i isha përgjigjur vetes shkurt, jo gjithmonë njësoj, pa u thelluar, pa e shtjelluar më tej.
Dhe po, nëse kjo pyetje do iu bëhej autorëve të ndryshëm, vështirë se do gjendeshin dy përgjigje njësoj. Përgjigjia do varej nga shumë faktorë personalë dhe shoqërorë. Me këtë kam parsysh vendin dhe kohën ku ata do të ishin duke zhvilluar veprimtarinë e tyre, prejardhjen, kushtet familjare dhe shumë të tjera si këto. Arsyeja pse shkruajmë është personale dhe e veçantë për çdo shkrimtar.
Personalisht, pyetjen e mësipërme unë do ta ndaja në dy nënpyetje:

1- Pse shkruajmë poezi?

2- Pse shkruajmë prozë?

Në krijimtarinë time, proza dhe poezia qëndrojnë të ndara, nisur nga mënyra se si i krijoj, ashtu dhe nga sa shumë mund e kohë më duhet t’i kushtoj çdonjërës nga ato.
Unë shkruaj poezi (kam tre libra të botuar me poezi) sepse ajo ngjizet dhe troket brenda meje, duke mos më lënë të qetë deri në çastin që e hedh nga vetja në një file në kompjuter. Nëse nuk e bej këtë, vargjet do të shkrihen brenda meje ashtu si gjethet e vjeshtës gjatë dimrit. Por është shumë më e thjeshtë që t’i hedhësh vargjet në letër sesa t’i lesh të treten gradualisht brenda vetes. Fakti që i botoj, ka të bëjë me idenë që, ndoshta ka aty jashtë njerëz që ndiejnë si mua, njerëz, tek të cilët vargjet e mia do mund të ngjallin të njëjtat emocione estetike që unë kam pasur kur i krijova .
Proza ka një tjetër histori të shkruari. (Kam botuar një vëllim me tregime dhe kam në dorë, duke shkruar, një roman). Proza kërkon më shumë punë dhe mendim. Nuk mund të jetë asnjëherë si një “frymëmarrje” ashtu siç është poezia, edhe pse ka proza që lexuesi i lexon si një frymëmarrje. Për rrjedhojë, arsyet e të shkruarit prozë janë pak më të ndryshmë sesa të të shkruarit poezi. Po ashtu si poezia, shkrimi i prozës vjen nga një shtytje e brendshme, por është e mirëmenduar dhe e planifikuar. Nëse poezinë mund ta shkruash diku dhe kurrë të mos ta botosh apo ta nxjerrësh për publikun, prozën zakonisht e shkruan për të arritur tek lexuesi. Për rrjedhojë, proza jo vetëm që plotëson një nevojë të brendshme të autorit për të nxjerrë jashtë tij një pjesë të vorbullës së brendshme, por autori përpiqet gjithashtu të lidhet nëpërmjet saj me njerëzit e tjerë, t’u kumtojë atyre diçka që ai/ajo e mendon të rëndësishme, t’u kumtojë një pjesë të brendshme, të padukshme me sy, të qenies njerëzore.

Në kohën kur fillova të lexoja, më ndodhte gjithmonë të jetoja nëpërmjet personazheve. Të ecja, të flisja, të sillesha dhe për më tepër të ndihesha si ata. T’i dhurosh lexuesit personazhe të tillë, nëpërmjet të cilëve ata të jetojnë një pjesë sado të vogël të jetës së tyre, është një tjetër arsye për të shkruar.
Por gjithashtu, për ta thelluar dhe përgjithësuar përgjigjen, do të doja të nisesha nga një pyetje tjeter e ndërvarur nga kjo: “Pse lexojmë?” Besoj që disa nga përgjigjet e pyetjes në fjalë mund të ishin: “Lexojmë sepse na sjell kënaqësi estetike, lexojmë sepse gjejmë veten tek personazhet, lexojmë sepse leximi na dërgon në botë të tjera, lexojmë sepse në personazhet shohim njerëz të tjerë, të parë për së brendshmi … dhe shumë arsye të tjera.
Atëherë, për të plotësuar këtë kërkesë të lexuesve – do të ishte njëra nga shumë përgjigjet e pyetjes në krye të këtij shkrimi, për të krijuar një lidhje mes qënieve njerëzore, për të krijuar botë të tjera, të vogla apo të mëdha, reale apo imagjinare, dhe për t’i lëshuar këto botë në hapësirën e gjithësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top