A lindin të tillë shkrimtarët apo behen?-Jack Kerouac

in Letërsi by

Jack Kerouac

Shkrimtarët bëhen, sepse kushdo që nuk është analfabet mund të shkruajë. Por gjenitë e artit të shkrimit si Melville, Whitman-i apo Thoreau, kanë lindur të tillë. Le të shqyrtojmë fjalën “gjeni”.  Ajo nuk do të thotë çmenduri, ekscentrizëm apo talent i tepërm. Rrjedh nga fjala “gignere” (të lindë.) Dhe një gjeni është thjesht një person që i jep origjinë diçkaje që nuk dihej më parë. Askush përveç Melville-t nuk do të mund ta kishte shkruar “Moby Dick“-un. As Uitman-i apo Shakespeare.
Askush përveç Whitman-it nuk do të mund ta kishte konceptuar, krijuar dhe shkruar, veprën “Fijet e barit”. Whitman-i ka lindur për të shkruar një libër si “Fijet e barit” dhe Melville ka lindur për të shkruar një “Moby Dick”. “Nuk është ajo që ti bën” thanë Sy Oliver-i dhe James Young-u. “Është mënyra sesi ti e bën.”
Pesë mijë studentë të kursit të krijimit letrar, që studiojnë “leximin e duhur”, mund të futin duart në legjendën e Faustit, por vetëm njëri, Marlowe, lindi për ta bërë atë ashtu siç ai e bëri.
Më vjen gjithmonë për të qeshur kur dëgjoj djem të mençur të Broadway-it, të flasin për “talentin dhe gjeniun”. Edhe një virtuoz i përsosur, që mund të interpretojë Brahams-in në violinë, quhet “gjeni”, por gjeniu, forca e origjinës, në të vërtetë i përket Brahams-it; virtuozi i violinës është thjesht një përkthyes i talentuar – me fjalë të tjera, një “Talent”.
Apo, do të dëgjoni njerëzit të thonë se filani është një shkrimtar i madh për shkak të “talentit të tij të madh”. Nuk mund të ketë shkrimtar të madh pa gjenialitet origjinal. Artistët gjenialë si Jackson Pollock-u, kanë pikturuar gjëra që nuk janë parë kurrë më parë. Kushdo që e ka parë ngjyrën e tij të madhe, nuk ka të drejtë ta kritikojë “metodën e tij të çmendur” të spërkatjes, vërtitjes dhe shkundjes përreth.
Kini parasysh rastin e James Joyce-t. Njerëzit thanë se ai e humbi talentin në rrjedhën e stilit të ndërgjegjes, kur, në fakt, ai thjesht kishte lindur për ta krijuar atë. Si do të dëshironit ta kalonit pleqërinë tuaj, duke lexuar libra për jetën bashkëkohore të shkruar në stilin para-Joycean, të themi, Ruskin ose William Dean Howells apo në stilin Taine?
Disa gjeninj mbërrijnë me hapa të rëndë dhe marshojnë solemnisht përpara, ashtu si Dreiser-i. Megjithatë, askush nuk shkroi kurrë për atë Amerikën e tij ashtu si ai. Gjenitë mund të jenë drithërues, gjenitë mund të jenë të zymtë, por është ajo thellësi trishtuese e pashmangshme, që shkëlqen përmes tyre – origjinaliteti.
Joyce u fye gjatë gjithë jetës së tij, nga pothuajse e gjithë Irlanda dhe bota, sepse ishte një gjeni. Disa idiotë, Celtic Twilight, madje, pranuan se ai e kishte njëfarë talenti. Çfarë mund të thoshin tjetër, kur të gjithë do fillonin ta imitonin? Por pesë mijë shkrimtarë të trajnuar universitarë, mund të futnin duart te “Një dite qershori në Dublin” të vitit 1904 ose te “Një natë ëndrrash“, dhe të mos bënin dot kurrë atë që bëri Joyce me to: ai thjesht kishte lindur për ta bërë.
Nga ana tjetër, nëse pesë mijë “shkrimtarë të trajnuar” plus Joyce-n, të gjithë, do të futin duart në një artikulli të tipit “READER’S DIGEST” për “Udhëzimet e pushimeve” apo për “Këshillat e shtëpiakëve“, unë mendoj se Joyce edhe atëherëdo të dallohej për shkak të origjinalitetit të tij të lindur të njohurive gjuhësore.
Kini parasysh mirë atë që Sinclair Lewis-i i tha Thomas Wolfe-t: “Nëse Thomas Hardy-t do t’i ishte dhënë një kontratë për të shkruar rrëfenja për SATURDAY EVENING POST, a mendon se ai do të kishte shkruar si Zane Grey apo si Thomas Hardy? Mund t’ua them përgjigjen. Ai do të kishte shkruar si Thomas Hardy. Ai nuk mund të kishte shkruar si askush tjetër përveç Thomas Hardy-t. Ai do të kishte vazhduar të shkruante si Thomas Hardy. Pavarësisht nëse ai do të shkruante për SATURDAY EVENING POST apo për kapiten BILLY’S WHIZBANG.
Prandaj, kur shtrohet pyetja: “A bëhen apo lindin shkrimtarët?”, fillimisht duhet pyetur: “E keni fjalën për shkrimtarët me talent apo për shkrimtarët me origjinalitet? Sepse çdokush mund të shkruajë, por jo të gjithë krijojnë forma të reja shkrimi. Gertrude Stein-i krijoi një formë të re të shkruari dhe imituesit e saj janë thjesht talente. Hemingway, më vonë, krijoi edhe ai formën e tij.
Kriteri për të gjykuar talentin apo gjenialitetin është kalimtar, [shënim – shtuar presjen] kur flasim në mënyrë racionale në këtë botë grafikësh, por padyshim që ndihet ndjenja kur një shkrimtar gjeni mahnit me një forcë goditëse që nuk është parë më parë dhe megjithatë tepër të njohur.
E mora atë ndjesi nga Swan’s Way, si dhe nga Sons and Lovers. Nuk e marr nga Colette, por e marr nga Dickinson-i. E marr nga Celine, por nuk e marr nga Camus-i. E marr nga Hemingway, por jo nga Raymond Chandler-i, përveçse kur ai është mjaft serioz. E marr nga Balzac-u apo nga Cousin Bette, por jo nga Pierre Loti. Dhe kështu me radhë.
Gjëja kryesore për t’u mbajtur mend është se talenti imiton gjeniun, ngaqë nuk ka asgjë tjetër për të imituar. Meqenëse talenti nuk mund të lindë, ai duhet të imitojë apo të interpretojë. Poezia në faqen 22 të New York Times-it, me gjithë “krahët e saj të heshtur në një dru të errët dhe të rrallë” dhe drithma të tjera lapidare, nuk është veçse një imitim i dobët i poetëve të mëparshëm gjenialë si Yeats-i, Dickinson-i, Apollinaire, Donne, Suckling…
Gjeniu e lind. Talenti e shpërndan. Ajo që Rambrandt-i, Brandt-i apo Van Gogh-u panë natën, nuk mund të shihet më kurrë. Asnjë bretkocë nuk mund të kërcejë në një pellg si bretkosa Basho. Shkrimtarët e lindur të së ardhmes janë të mahnitur tashmë me atë që po shohin tani, atë që ne të gjithë do ta shohim në kohë për herë të parë dhe më pas do ta shohim të imituar shumë herë nga shkrimtarët e bërë.
Pra, në rastin e një shkrimtari të lindur, gjenialiteti përfshin formimin origjinal të një stili të ri. Megjithëse gjuha e Kyd-it është elizabetiane për atë kohë, gjuha e Shakespeare-t me të vërtetë që mund të quhet vetëm shekspiriane. Shpesh një krijues i formave të reja gjuhësore quhet “pretendues” nga talentet xhelozë. Por çështja nuk është te ajo që ai shkruan. Çështja është te mënyra sesi ai e shkruan atë.

Përktheu: Arlinda Guma

_____________

Shënim i përkthyeses: Jack Kerouac, ishte romancier dhe poet amerikan, i cili, së bashku me William S. Burroughs-in dhe Allen Ginsberg-un, ishte pionier i Beat Generation. (Bitnikët, siç njihen në shqip.)

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Gruas-Shpëtim Selmani

Gruas-Shpëtim Selmani Kam parë perëndeshat e Hamburgut të mbytura në pikëllim,grave greke

Jezus-Shpëtim Selmani

Fragment nga dorëshkrimi i një romani të pabotuar Shpëtim Selmani Sa më
Go to Top