Gjashtë poezi nga Rabah Belamri

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Gjashtë poezi nga Rabah Belamri

 

1946-1995

ti troket në çdo derë
kërkon pragun e plagës
gjuha jote është një llambë
e tundur nga një kujtim ere gjembash
ndonjëherë
dora jote cek një sup
një hije që s’është jotja ecën
pranë teje

*

nuk ka derë të duhur
vetëm rastësi udhëtimi
dhe copa kujtese
vure në torbën e lëmoshave
ëndrrën tënde të mrekullisë
darkën e fundit të gjithë lavdive
ndiq rrugën tënde
nga një muzg në tjetrin
me dorën mbi dhembjen e syrit

*

mos këndo më nëna ime
lëre dhembjen të flerë
në djepin me dru dafine
agu është i bukur
mbi qepallat e bashkuara të foshnjës

*

dora e kohës shtyu dritaren
kantilena e udhëtimit largohet
qielli shket drejt heshtjes
s’t’i dëgjoj më rrahjet e zemrës

larg mbi tokë
ku bora bie bashkë me natën
një rrokje e zjarrit tënd s’pranon të vdesë

*

një lutje uji ngjitet me mbrëmjen
ai që mbart një flakë rreth qafës
kalon në rrugë

një hije përkulet në dritare
mbi dorën e zgjatur bie një pikë
e harruar nga një kujtesë shiu

*

një engjëll troket në xham
ka në kraharor
vrajën e njerëzve
më flet për rrugë e për etje
pastaj largohet pa pirë
unë e vë shtambën mbi prag të dritares
dhe i kthehem poemës

 

Përktheu: Alket Çani

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top