Refleksione mbi librin “RIDËNIMI” të Fatos Lubonjës/Alfred Mehmeti

in Letërsi/Tirana Review by

Alfred Mehmeti

Libri “Ridënimi” i Fatos Lubonjës pasqyron ngjarjet e një periudhe dramatike nga jeta e autorit, gjatë kohës kur kryente dënimin si i burgosur politik në kampin e punës së detyruar në Spaç. Ai e fillon rrëfimin nga vera e vitit 1978, paçka se dënimin në kamp e kishte filluar që në shkurt të vitit 1975.
Kapitulli i parë, pasi na njeh me një përshkrim të shkurtër të maleve të ashpra të Spaçit, na servir gjithashtu edhe të parin episod, që embrionizon subjektin e ngjarjes së vërtetë të këtij libri: fjalët qarkulluese rreth një letër-akuze drejtuar udhëheqjes së partisë, madje vetë Enver Hoxhës, nga dy prej të burgosurve politikë në kamp, Vangjel Lezhja e Fadil Kokomani.
Gjithsesi, paçka se kur pyetet prej Lubonjës, Vangjeli e mohon dërgimin e letrës, kapitulli tjetër vijon me arrestimin e tij dhe të Fadilit. Në ditët në vazhdim, ata i marrin nga kampi dhe ndonëse asgjë s’dihet për fatin e tyre, fjalët për letrën shtohen mes të burgosurve, duke e fryrë më tej mjegullën e thashethemnajës… mjegull, që ashtu siç endet, po aq shpejt edhe davaritet, sepse e tillë është jeta e vështirë dhe topitëse mes kampit e minierës: s’të le kohë të marrësh frymë e t’i asfikson mendimet.
Mandej, në dy kapitujt e radhës, edhe pse fillon me përshkrimin e Dhimo tellallit, lajmëtarit ndërmjetës mes komandës e të burgosurve, autori çuditërisht sërish bën një kthesë e na njeh me një tjetër episod arrestimi, atë të Xhelal Koprenckës e të një mikut të tij. Siç përflitet rreth e rrotull, shkaku është po i njëjti: sërish një letër dërguar udhëheqjes. Veçse thashethemnaja tani thotë se nëse dy të parët letrën e kishin hartuar si simpatizantë të linjës prosovjetike, Xhelali letrën e tij e kishte hartuar si ithtar i linjës kineze e properëndimore.
Pasi e pasuron këtë episod me një portret të shpejtë të Xhelalit nga jeta e tij e lirë e mandej nëpër burgje, Lubonja vijon më tej duke e shtrirë linjën e përshkrimit në mjedisin dhe atmosferën e brendshme të kampit, deri në batakçillëqe e perversitete apo në mezipritjen e ardhjes së “mishit”, siç quheshin në zhargonin e kampit të burgosurit e rinj: qoftë për t’u informuar prej të porsaardhurve, se ç’ndodhte në jetën e lirë jashtë kampit, nga ata vinin apo qoftë edhe për të krijuar me ta shoqërizime: thjesht për t’i rrjepur, ngaqë vinin me trastat me ushqime apo edhe më keq akoma, për t’i shfrytëzuar si viktima të dobësive vetjake perverse. Janë pikërisht këto prurje të përdyjavshme të të burgosurve të rinj, shpresa ku mund të mësohet diçka edhe për fatin e Fadilit, Vangjelit apo Xhelalit. Por nga të burgosurit e rinj asnjë informacion nuk vjen që të hedhë dritë mbi fatin e të arrestuarve, nëse mund t’i kenë ndeshur diku nëpër hetuesitë apo burgjet nga vijnë.
Po në linjën e përshkrimit të përditshmërisë së jetës së kampit, autori na njeh gjithashtu edhe me profilin e disa prej spiunëve më të rrezikshëm të kampit: Milto Mile, Besim Valteri, Nikollë Pëllumbi, punërat e privilegjuara që ata bëjnë në minierë e në kamp, si shpërblim i spiunllëqeve të herëpashershme, jo vetëm brendapërbrenda kampit, por edhe jashtë… nisur nëpër misione të ndryshme të largëta, nëpër kaushe e qeli burgjesh, për të vjelë informacion nga të burgosur të panjohur, që ndodhen në paraburgim… e për t’u dalë më pas si dëshmitarë në hetuesi apo në procese gjyqësore (siç përflitet edhe në këtë rast, për të dëshmuar në gjyqin e Sytki Podgoricës, një personazh gjithashtu kyç në zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve të këtij libri, i cili, nga sa zbulohet më pas, del që edhe vetë është një spiun).
Ndërkohë që lista e të arrestuarve të tjerë, vijon të shtohet, kësaj here me Xhaferr Xhomon… kemi një intermexo nga ana e autorit, teknikë që autori e ndjek gjatë gjithë librit: qetësim i përkohshëm i ujërave të ankthshme të rrëfimit dhe gërshetim i paragrafëve rrëfyes, me ata përshkrues, dialogues e meditues. Vetë rrëfimi udhëhiqet në stil nga një shkrirje: sa midis kronikës – duke pasuruar sfondin e mjedisit, ku zhvillohet subjekti, me episode të jetës në kamp, midis të tjerave dënimet ndëshkuese nëpër biruca, që bashkëshoqërohen me urinë e sidomos me të ftohtin (siç ndodh edhe me vetë Xhaferrin); sa midis kujtimeve – duke ndjekur shpesh e më shpesh teknikën e retrospektivës e të rimarrjes, siç ndodh gati me tërë galerinë e protagonistëve (të burgosur, policë e spiunë), duke pasuruar me penelata të shpejta e të goditura karakteret e profilet e tyre apo qoftë edhe duke ndërlidhur episodet, për t’i dhënë kështu konture gjithnjë e më të dukshme linjës subjektuale; sa midis ditarit, ku ngjarjeve më të rëndësishme, autori u referohet shpesh edhe me datat përkatëse.
Së fundmi, në mbyllje të pjesës së parë të librit, të titulluar: “Arrestimi”, autori na njeh me një valë tjetër arrestimesh, prej afro njëzet të burgosurish, të cilët përfundojnë në burgun dhe nën hetuesinë e Tiranës, viktimë e së cilës në këtë rast është edhe ai vetë (paçka se për një kohë të gjatë, qoftë edhe gjatë seancave të para të hetuesisë, ai s’arrin ta kuptojë arsyen e këtij arrestimi). “Diçka e pazakontë, – shprehet ai, – që në kampin e Spaçit, s’mbahej mend të kishte ndodhur prej vitesh, sidomos në situatë normale e pa kurrfarë arsyeje.”
Pjesa e dytë e librit e titulluar “Hetuesia”, fillon me portretizimin e Sytki Podgoricës. Tek ai, përtej rasteve të personazheve të mëparshme, autori nuk mjaftohet thjesht me një përshkrim, por nëpërmjet interpretimit dhe analizës zhbiron edhe më në thellësi, sidomos sa i takon veprimeve dhe misionit, që vetë Sytkiut i kanë zgjedhur të pozicionohet në këtë histori. Madje sa i takon kronologjisë, ndryshe nga rastet e tjera, përveç rimarrjes, autori ndjek edhe teknikën e pararendjes, ku na parapërgatit në kohë për fundin e fatit të mëtejshëm të Fadilit, Vangjelit e Xhelalit, të akuzuar për ngritjen e një organizate kriminale kundër pushtetit të asaj kohe. Duke iu referuar akuzës së paqenë, të stisur e të trilluar, jo vetëm ndaj këtyre të treve, por edhe ndaj të arrestuarve të tjerë, kur analizon Sytkiun, si dëshmitar i rremë, Lubonja shprehet: “A ka pasur mundësi ai (Sytkiu) ta kuptonte, se këtu po luhej një lojë me jetë? Ai e dinte mirë se në Spaç nuk ekzistonte ndonjë organizatë, pra, se kjo ishte një shpifje që duhej ta pohonte ai. Atëherë përse duhej shpifur kur dënimi dhjetë vjet për letrën ua kishte çuar dënimin, si Fadilit, Vangjelit dhe Xhelal Koprenckës pranë maksimales që parashikonte kodi penal?” Pra, e thënë më shkoqur: ata e kishin marrë një ridënim të dytë, atëherë përse duhej një ri…ri…dënim i tretë?!
Këta paragrafë analitikë janë edhe bërthama e ngjizjes së konflikti të këtij libri. Nëpërmjet një interpretimi më të thelluar, sa nëpërmjet fakteve të zbuluara më pas në kohë e sa nëpërmjet instiktit e arsyetimit logjik, shkrimtari mundohet të hedhë dritë mbi gjithë shkakun e uraganit tmerrësisht të egër, të shpërthyer në këtë rast ndaj tre autorëve të letrës. Dikush apo disa atje lart në udhëheqje (së paku Ramiz Alia dhe Hysni Kapo në duart e të cilëve ka mbërritur letra, janë të pakënaqur nga dënimi i mëparshëm, me vite burg dhe ndaj kërkojnë një dënim edhe më të rëndë për autorët e letrës… atë me vdekje. Një ish-hetues, i cili edhe vetë më pas përfundon si i dënuar politik, baskëvuajtës me autorin, e konfirmon hapur këtë fakt, kur thotë se letra u kthye poshtë, në Ministrinë e Brendshme, me një shënim të Hysni Kapos: “Të dënohen me vdekje!”.
Gjithashtu Lubonja e le të hapur variantin e mundshëm, se edhe vetë Enver Hoxha ishte në dijeni të gjithçkaje, nisur nga argumenti, se dënimet kapitale, nuk kryheshin kurrë pa miratimin dhe dijeninë e tij. Për të mos thënë se ai vetë ishte frymëzuesi dhe dirigjenti i këtij dënimi me vdekje, duke u udhëhequr, si edhe në rastet e tjera, nga deliri dhe paranoja e tij personale. Kuptohet: të tre autorët e letrës kishin guxuar tepër… Dhe si e patën çuar nëpër mend që të guxonin kaq tepër?! Kështu pra, dosja duhej rikthyer edhe njëherë poshtë, për t’u rishqyrtuar e “plotësuar”. Dosja plotësonte vetëm nenin 55: motivin e dënimit për agjitacion e propagandë. Por si motiv, për dënimin me vdekje lypej neni 57: krijimi i organizatës kriminale kundër pushtetit popullor. Kësisoj, si edhe në rastet e tjera të grupeve armiqësore, institucionet duhet të bënin “punën e vet”: prokuroria, gjykata e sidomos Sigurimi i Shtetit. Duhej përgatitur skenari, regjisorët, trupa e aktorëve. Si në një teatër duhet të ndaheshin rolet, nga ato më komiket e deri tek më tragjiket, paçka se e gjitha kjo duhej të luhej jo në skenë, por vërtetësisht në jetë e me një fund gjithashtu tragjik të vërtetë për disa prej aktorëve… vdekjen jo artistike, por reale të tyre.
Vetëm në këtë pikë të subjektit, pjesa e nënujshme e ajsbergut fillon e bëhet e dukshme. Meritë e Lubonjës nuk është thjesht rrëfimi i ngjarjes, por dritësimi radiografik i saj, ndërlidhja me mjedisin, kohën e klimën kur kjo tragjikomedi luhet, në të gjitha oktavat e notat: delir, paranojë, mani, fantazmagori, servilizëm, devotshmëri, përulje, puthjadore, lëvdata, gradime, karrierë, favore. Kështu funksiononte makina-sistem e kohës, në dritë e në terr, që nga kupola e deri në bazë: nga faraoniku diktator, politikanët, gjykatësit, prokurorët, hetuesit… e deri afërmendsh tek vetë të burgosurit politikë, agjento-spiunë, që për të siguruar ca favore e lehtësira, punëra më të lehta brenda kampit: brigadierë, shefa sektorësh në minierë, magazinierë, bibliotekarë, berberë, bojaxhinj, kuzhinierë… apo edhe më pak vite burg, kur viheshin nën shënjestër nën një akuzë të dytë… në luftën për ekzistencë, në përpjekjen për të dalë nga gropa, çfarë nuk ishin në gjendje të bënin, duke shkelur e duke vënë këmbët e duke shtyrë mbi kokat e të tjerëve. Ndërgjegjia e qenies kishte vdekur dhe këtë e ushqente vetë sistemi. Sepse në fushëbetejën ideologjike për jetë a vdekje, sistemit vetë i interesonte një strategji e tillë: ku jo vetëm klasa sunduese duhej të mbante nën thundër klasën e shtypur, por duke e mbjellë dhe duke e ushqyer këtë luftë e përçarje edhe brendapërbrenda vetë klasës së shtypur, ku njëra pjesë duhej të dërrmonte pjesën tjetër.
Në këtë pikë të subjektit, orientuar nga ky fokus analitik, por edhe nga zhvillimet dhe kthesat e seancave hetimore, autori i librit, fillon të qartësohet e të kuptojë dalngadalë edhe absurdin e përfshirjes së tij në këtë tragji-komedi: jo se ai ka bërë diçka kundër regjimit, por fati i keq e i mbrapshtë, bashkë me shumicën e të akuzuarve të tjerë e ka përfshirë atë në këtë skenar grotesk: thjesht si aktorë gjithëpërfshirës të projektuar për t’u bërë kurban për mundësimin e kushtit të krijimit dhe ekzistencës së organizatës, që njëkohësisht të mundësohej kështu edhe leximi i nenit 57. Në gjithë arkitekturën e vet, në sendërtimin tullë pas tulle të subjektit, ky është edhe parimi i ndërtimit të këtij libri: parimi i ortekut – një shuk a top dëbore, që sa fillon e rrokulliset tatëpjetë malit… e mandej merr me vete gjithë çfarë i del para… drejt humnerës. Parimi i analizës bazohet mbi vëzhgimin e hollë dhe mbi reflektimin mbi të, parimi i kaleidoskopit, ku çdo detaj i vëzhguar ndërlidhet me një tjetër të ndodhur më parë, që edhe nëse s’ka lënë gjurmë kuptimësie në kohëndodhjen e vet, nën efektin domino shkak-pasojë, fillon e merr kuptim në të ardhmen.
Në gjithë intrigën e subjektit, sa i takon kurbës emocionale, në pjesën e hetuesisë e të gjyqit, mjeshtëri e autorit në rrëfim është se ai vazhdon ta lartësojë shkallëzimin e kësaj kurbe, qoftë sa i takon mjedisit (i ftohti dimëror në birucë, uria dhe vetmia vrastare), qoftë dhe sa i takon përballjes së tij me një larmi personazhesh: hetues, policë, të burgosur nën akuzë e të burgosur – dëshmitarë të rremë, prokuror e gjykatës, lartësim që vjen jo vetëm nëpërmjet situatave, episodeve, tensionit dramatik dhe përshkrimeve, por edhe nëpërmjet përjetimit emocional e psikologjik të brendshëm të këtyre situatave: lojë – macja me miun, karreme afrimiteti dhe maska të rreme njerëzore, nga ana e hetuesve gjatë seancave… e mandej në rastet e ngecjes së sharrës në gozhdë: presione psikologjike e dhunë verbale, fyerje, poshtërime e të pështyra në fytyrë, dhunë fizike, shtrëngime prangash nëpër kyçe e përplasje pas muri, mbajtje rraskapitëse për orë të tëra më këmbë, terror e vulosje aluzionesh për fundin e pashmangshëm të dënimit me vdekje, me zhargonin poshtërues në gjuhën e hetuesve, ku në vend të shprehjes: “Të pret plumbi!” përdoren shprehje fyese e poshtëruese të tipit: “Të shkërdhejmë trutë!” apo “Do shkosh në hale të gomerëve!”.
Sinqeriteti i përjetimeve psikologjike mbërrin deri në kufijtë e zhgjëndrrës e të pabesueshmes: një rreze dielli dimërore, që arrin të futet nga frëngjia, të cilën e ndjek cep më cep të birucës për të të shigjetuar fytyrën, atë fytyrë që e ke harruar e që e zhbiron herë-herë në pasqyrimin e surprinës të lëngut të supës së spinaqit, për të kuptuar se deri ku ke rezistuar në rrugëtimin shfarosës të kockëlëkurjes së ditëpasditshme, si pasojë e urisë; një rigë-dritare shikimi në sportelin e derës së birucës, që të mund të vëzhgosh në korridorin e burgut, që të kuptosh se çfarë ndodh rrotull teje, sa për t’u ndjerë gjallë e për të mos u shkëputur nga realiteti; tmerr, ankth malinj, deri në urinim të shpeshtë e në makthe ëndrrash, me lloj-lloj mënyrash ekzekutimi, në tmerrin pa fund para fundit të tmerrshëm, – pasojë e kërcënimeve të vazhdueshme me vdekje.
Në udhën rrëfimtare, gjithashtu mbresëlënëse janë stacionime të tilla, ku autori dritëson deri në qelizë portretet individuale të Fadilit e të Vangjelit, dramat personale, familjare e profesionale të tyre, profilin intelektual, botëkuptimin idealist deri në vërtetësi të lakuriqtë, të cilin s’e tradhtojnë as për të shpëtuar lëkurën, çka dëshmohet veçanërisht në fjalën mbrojtëse të Fadilit, me karakter burrëror e të rrallë, në procesin farsë të gjykimit, ku ai s’dorëzohet deri në fund, paçka se së bashku me Vangjelin e Xhelalin, e kanë marrë verdiktin e dënimit me vdekje (ndërkohë që të tjerët dënohen nga gjashtëmbëdhjetë – deri në njëzetë e pesë vjet burg). Është ky qëndrim dinjitoz, që e shtyn Lubonjën të shprehet para gjykatës, prokurorit e gjithë të pranishmëve me fjalët “…edhe pse kundërshtar në pikëpamje me Fadil Kokomanin, po qe se ai do të mbetet gjallë, do ta konsideroja mikun tim më të shtrenjtë”. Po kaq mbresëlënës është edhe epilogu, ku pas dënimit, edhe pse pas një udhëtimi disaorësh, pasi i çojnë në Spaç, të dënuarit nuk i zbresin nga makina, por i rikthejnë sërish në Tiranë, ku njëri pas tjetrit, i futin në një nga dhomat e hetuesisë, u tregojnë fotot e përçudnuara e makabre të Fadilit, të Vangjelit e të Xhelalit, fill pas ekzekutimit të tyre dhe vetë nëndrejtori i Sigurimit të Shtetit, Kapllan Sako me ton të vrazhdë e kanosës në mënyrë kuptimplotë përcjell kumtin e fundit: “Ja, ja ku e ke shokun tënd më të ngushtë! Këtu e ke vendin, po erdhe edhe njëherë tek kjo derë!”
Përfundimisht për librin “Ridënimi” të Lubonjës mund të themi, se skenarin e tij, më shumë se e ka arkitekturuar autori, në njëfarë mënyre, ai i është dhuruar atij prej vetë xhelatëve të tij të Sigurimit të Shtetit dhe në këtë akt grotesk dhurimi, fati i mirë i skenarit… dhe fati i keq i autorit, pamëshirshëm e me cinizëm kanë kompesuar njëri-tjetrin: me një çmim tepër të rëndë… të maktheve e të dhunës terrorizuese, të dhembjes dhe kohëvuajtjes padrejtësisht të ridënimit, prej tij e prej shumicës së të dënuarve, sepse sa u takon tre prej protagonistëve, ky çmim shkon tejskajshmërisht në absurd… deri në vdekje. Për ta ristrukturuar këtë ngjarje reale, autorit nëpërmjet retrospektivës në kohë, si nëpërmjet fillit të Arianës, i është dashur të kthehet pas në kujtesën e vet dhe nëpërmjet analizës vetjake, t’ia nisë ndërtimit edhe njëherë nga e para, për të na sjellë këtë dëshmi makabre të labirintit një kohe të caktuar, por që i vlen gjithëkohësisë së një shoqërie e një kombi në rrugëtimin e tij të mëtejshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top