Defekt-teknik i kërkoi poetes Desantila Qerimaj Rranxa të zgjidhte një prej shkrimeve të publikuara në këtë revistë dhe mbi të do të ndërtohej një recensë në formë bisede nëpërmjet pyetjeve dhe përgjigjeve.
Ajo zgjodhi poezinë “Metrazh i lajthitur” të poetes Herman Çuka.
Desantila Qerimaj Rranxa
Arlinda Guma: Pse zgjodhët pikërisht poeten Herman Çuka, çfarë ju ngacmon tek ajo? Dhe pse pikërisht këtë poezi?
Desantila Qerimaj Rranxa: Mund të ketë dy vjet që kam lexue poezitë e Herman Çukëss në rrjetet sociale. Në morinë e poezive që lexojmë tashma përditë, vargu i Hermanit ka vetinë t’më rikthehet nëpër mend. Edhe orë mbasi e kam lexue, vargu i saj më kujtohet gjatë aktiviteteve të mia të përditshme, si rrjedhojë, ajo asht kthye natyrshëm në nji poete të paharrueshme për mue. Ndërkohë që lexoja për net me radhë në “Defekt Teknik” materialet për këtë rubrikë, zgjodha Herman Çukan për fuqinë e saj shprehëse, perceptimet ndjesore, shtjellimin e ndjenjave, situatat emocionale e sociale, mesazhet e imazhet e botës. Zgjodha këtë poezi për “trillimin” e imagjinatës, si teknikë poetike me orientue lexuesin drejt perceptimesh të holla psikologjike të njeriut e dramës së tij. Më tërhoqën imazhet, situatat dhe e mbrendshmja e personazheve, shtjellue në shumë fushëplane kuptimi. Ka momente që imagjinata e poetes çon në përfundime mbi situatat që shpreh, po aq sa të krijon idenë se këto përfundime mund të jenë krejtësisht të mendueme ndryshe prej poetes. Pra, për këtë poezi mund të flitet shumë.
Arlinda Guma: Ka poetë që ndërtojnë poezi me lojra fjalësh dhe kur ti e mbaron së lexuari ajo nuk të lë asgjë në kujtesë, në të kundërt poetë të tjërë vënë fabulën në qendër të poezisë. Çfarë mendimi keni për këtë?
Desantila Qerimaj Rranxa: Ka raste kur lojnat e fjalëve janë idendjellëse apo kur nji poezi mundet me qëndrue edhe vetëm për nji metaforë, por poezia që të len gjurmë në kujtesë ka nji të vërtetë, nji mesazh specifik apo universal, sidomos nëse zgjon emocione te lexuesi. Te lexuesi i interesuem për poezi të paharrueshme, çfarë ai përjeton emocionalisht prej vargjeve gjatë e mbas leximit asht thelbësorja. Gjithsesi, për sa i përket anës teknike dhe emocionale poetike, janë nji sërë ‘‘rregullash’’, si ritmi, gjuha, struktura poetike, fabula e të tjera që duhet me kenë qëndrueshmënisht në funksion të njena tjetrës. Në “Metrazh i lajthitur” objekti, fotografia (strumbullari i psikologjisë së poezisë) e personazhi Maria, janë shpirti i fabulës, e cila (tue e pa prej nji plani përgjithsues) fillon dhe mbaron me përhapjen dhe zhvillimin e lajthitjes prej vetmisë. Fabula e kësaj poezie lidhet kambë e krye me çdo ind të çdo detaji emocional. Dëshira e Maries për nji fotografi, si bërthamë e fabulës, përcakton zhvillimin e saj e kjo dëshirë asht tjerrja e pëlhurës së Penelopës, dëshira e dëshirës. Këto shtresëzime, si dhe situatat e tjera plotësojnë e fokusojnë personazhin qendror. Me këtë due me thanë që për sa kohë ka nji ndërlidhje të mirë mes fabulës, kuptimit dhe emocionit, për sa kohë që çdo ind i poezisë i përgjigjet mesazhit kryesor, ‘‘lajthitjes’’ në këtë rast, atëherë krijohet nji poezi me peshë emocionale, kuptimore dhe të paharrueshme. Çdo ‘‘presje’’ kuptimore dhe presje stilistike, duhet të jëtë në funksion të të gjithës. Kjo poezi e arrin ma së miri këtë.
Arlinda Guma: Kjo poezi më krijon idenë e një minifilmi të vogël. Ndoshta do të rrinte mirë edhe si shfaqje teatrale. Apo si ndonjë muzikal.
Desantila Qerimaj Rranxa: Vetë fjala “metrazh”, si fjalë e parë e poezisë na prezanton me idenë e filmit. Imazhet kanë karakteristika vërtet të veçanta. Kemi burrin me një frak të zi/një lule të kuqe /në jakën alla vittoriane, i cili na hedh në nji kohë të gati dy shekujve ma parë, kemi gruen nudo, e cila edhe ajo, me ombrellë të mëndafshtë marrë nga gratë e Monesë, na shpërngul në imazhe e piktura të shekullit të kaluem. Po ashtu shpërngulet imagjinata edhe me imazhin e grues veshur me kombinezon të kuq/si te Mouline Rouge. Këtë herë në Paris, ndoshta, me idenë e Parisit të “lajthitun”. Shuma e këtyne imazheve dhe objektet si ombrella, kombinezoni, ma vonë këmisha e Maries, kuvlia e qela, krijojnë skena gati-gati të mendueme për film. Edhe koha në këto imazhe shpjegon ndërlidhjen me tematikën e lajthitjes. Skandalet jashtëmartësore banin shumë bujë në kohët viktoriane. Kemi Mouline Rouge, veshje të kuqe e të zjarrtë, si konotacion me aktivitete bohemiane, ndërsa grueja nudo në ballkon në shi e diell, sigurisht, asht bujë. Këto detaje më japin idenë se kjo poezi mund t’ishte nji film i shkurtër bashkëkohor pa zá ku në fund të tij shkruhen vetëm vargjet Si, s’më bëri edhe mua një fotografi/lakuriq! sepse sapo shfaqet Maria, këto imazhe e çdo mekanizëm i poezisë ngulmojnë n’idenë se gjithçka sillet rreth saj, çdo detaj asht sfond ku prima donna… asht Maria.
Arlinda Guma: Ç’personazh karizmatik, Maria!… E kam shumë të gjallë para syve…
Desantila Qerimaj Rranxa: Maria asht personazh i ndërlikuem në krizat e saj ekzistenciale e po në të njajtën mënyrë e drejtpërdrejtë. Mbi Marian, ka vend për nji gamë percaktimesh që burojnë prej “krizës” së fotografisë prej momentit kur I bie pika që (ai) s’i bën një fotografi, deri në vargun e fundit. Edhe gratë e tjera në poezi janë estetika që ndihmon në shqyrtimin e Marias, sepse esenca e këtyne grave/imazh asht surreale. Me këtë due të them që perceptimet shpirtnore e ndjesore, ose dëshirore, janë reale, ndërkohë që perceptimet pamore të grave të tjera mbajnë domethanie surreale, meqë kuptimi i tyne asht i shkëputun prej kohnash të tjera dhe me detaje të marruna prej nji realiteti tjetër. Prandaj në këto plane krahasuese Maria nuk asht nji vizion-andërr apo plotësim për kuptimësinë e poezisë por gjallnia, e sotmja, poezia vetë. Në nji kandvështrim tjetër, lind pyetja a asht Maria e vëtëdijshme për ekzistencën e saj si nji ironi dramatike, kur dëshpërimi i saj përligjet vetëm me faktin së ajo nuk merr nji fotografi? Ky konflikt e krijon atë si nji personazh karizmatik, me gjallni emocionale të madhe por edhe me ambiguitet konceptual. Mbrenda Marias mishërohet sa filozofia e kaosit emocional e shpirtnor, aq edhe folozofia e kaosit seksual, ndaj tërheqja m’e kuptue e kjartësue vetëdijen dhe nënvëtedijen e saj asht magnetike.
Arlinda Guma: Poetja Herman Çuka ka pasion edhe pikturën. Mendoni se kjo ndihet edhe në këtë poezi? Në mënyrën sesi e ka vizatuar skenën?
Desantila Qerimaj Rranxa: Teknika poetike e Hermanit ka shpesh skena që të kujtojnë pikturën. Për shembull, në poezinë “Aromë” ajo përdor (si te “Metrazh i lajthitur”) imazhin e objektin, respektivisht natyrën dhe kafshën me përçue mesazhe universale apo “fabulën” e vëzhguesit. Skena e poezisë “Aromë” fokusohet në ndjesinë e nji dashnie të madhe për tokën e bukurinë e saj, kafshët në lidhje me këtë bukuri, atdheun, shtëpinë e përkatësinë me tokën. Edhe tek “Metrazh i lajthitur” poetja, e ndame prej “unit”, vetës së parë, të jep përshtypjen e vëzhgueses prej jashtë, dhe kjo përforcon faktin se ajo po studion sfondin si nji piktore, që mandej i shton pikturës jetë me fjalën. Në disa piktura të Herman Çukës, të shpërndame në rrjetet sociale ndihet impresionizmi. Edhe poezia, fillon me nji ndër përfaqsuesit ma të njoftun të kësaj rryme të artit, Monet, ndaj lexuesi, qysh në vargjet e para e ndien pikturën si pjesë të pashmangshme të poezisë. Mund ta imagjinojmë Çukën tue vëzhgue imazhet e pozicionimin e tyre para procesit të shkrimit ndërkohë që peshon dhe kombinon sfondin e saj goditës si truell të poezisë. Me fjalët e Rudian Zekthit mbi artin Qoftë i vëzhguar nga një pikë së jashtmi, qoftë i vëzhguar nga një pikë së brendshmi, sfondi është i pashmangshëm si truall i vatrës ku është drejtuar vëzhgimi. (Rudian, Zekthi, Vëzhgimi pa sfond, 2012, fq. 19) Gjatë poezisë, së jashtmi vëzhgon poetja, ndërsa pulsi asht Maria, e cila ka nevoje për sfondin që shohim për me krijue Marian. Në kontekstin artistik, pra të pikturës, sfondi i kësaj poezie asht truell i vëzhgimit, e Çuka, piktorja që luen me imazhet e saj tue i kthye ato në “tablo”. Në kontekstin poetik, ky truell asht i domosdoshëm me zhvillue tendosjen emocionale të personazhit kryesor, ndërsa kjo e fundit e lëviz vrullshëm jetën, tablonë në mbrendësi.
Arlinda Guma: Prifti e mbylli botën në kuvli, thotë Çuka në pjesën e dytë të poezisë. Ka një liri të harlisur në mënyrën sesi rrjedh fabula…
Desantila Qerimaj Rranxa: Tue përdorë alegorinë, poetja na kujton çastet kur bota asht e lodhshme për çdo njeri. Aq sa asht bota heretike për priftin, aq asht prifti heretik për botën. Prifti I vetëm, për meshën mbylli botën në kuvli. Duket se bota duhet m’u ndrye në “pranga” për me dalë në pah lajthitja ose, e pame në nji botkuptim tjetër, liria e “mohueme” e priftit. ‘I vetëm”, “grushti” i tij i drejtohet botës që ka sy të keq heretik, sepse bota nuk ia lejon harlisjen. Por, në kandvështrimin e titullit të poezisë, kjo asht lajthitje, edhe pse këtu mbizotnon instinkti primordial i njeriut, kënaqësia, molla e ndalueme, nji çast ku shuhen edhe rregullat shpirtnore, edhe ato sociale. Ndërkohë që fabula rrjedh, të gjithë personazhet e poezisë janë të “shuem” e të vetmuem. Asnji prej tyne nuk e merr parasyesh botën e rregullat konvencionale të saj. Poezia fokusohet kështu te lëkundja emocionale që vjen prej presionit që bota shkakton si nji hallakatje mes personales e së jashtmes. Mbas aktit seksual, Maria e prifti të përhumbur prej rrëfimit të ngushëllimit, kanë fuqinë të shpjegojnë se realiteti mbizotnues këtu asht vetmia dhe instinkti carnal.
Arlinda Guma: O janë të braktisura, o janë të dashuruara, vazhdon të përsëritë Maria me xhelozinë e saj gati fëminore… Duket sikur poetja, nëpërmjet përsëritjes së këtyre dy vargjeve, përpiqet të kapë të pakapshmen në marrëdhënien e një çifti… Dhe duket sikur kjo e pakapshme rezulton më shumë groteske sesa dramatike…
Desantila Qerimaj Rranxa: Grotesku i këtyne vargjeve qëndron në faktin se e braktisun asht Maria. Por ne nuk kemi informacion nëse vetëdija e saj e pranon këtë, ma shum’ ndihet sikur ajo e zhyt në nji skaj të padukshëm të nënvetëdijes faktin që fjalët O janë të braktisura, o janë të dashuruara, drejtue grave të tjera, i përkasin vetë asaj. Këtu e pakapshpmja qëndron në nji nivel me groteskun. Maria ngjan aq e sinqertë kur ripërsëritet, si fëmija kambëngulës që nuk beson se kuklla e vet nuk flet, ose beson në mrekulli, thue se diçka ka m’e u përmbysë dhe realiteti ka m’e u deformue dhe kuklla ka me folë. E harrueme prej artistit të dehun ajo nuk merr përgjigje/duke I dalë para aparatit, me shpresën m’e u identifikue me pikën e vetme të tërheqjes për burrin me jakën viktoriane. Këtu tregohet kjartë, që në marrëdhanien e këtij çifti, s’ka asgjá të kapshme, gjithçka asht jokonform mes tyne ndaj edhe xhelozia nji gjasend, ballafaqim me boshësi. Akti i vogël e i thjeshtë, si marrja në fotografi, rezulton i pamundun, qesharak, e kthimi i këtij akti në injorim prej njeriut që personazhi qendror dëshiron bahet marshi i harlisjes të fabulës.
Arlinda Guma: Këtëu kemi një version skenik të jetës, me të gjitha lajthitjet, rropullitë, kontradiktat që mbart ajo, e padruajtur përballë spektatorit…
Desantila Qerimaj Rranxa: Po, poezia asht përzimje elektrizuese personazhesh, imazhesh e situatash. Sa ma shum’ që lexohet aq ma hapsinë ka për interpretime kundërshtuese. Sa ma thellë që e mendojmë Marian dhe situatën e saj, priftin dhe heretizmin (siç i konceptuem ma nalt) aq ma shum’ kuptojmë procesin organik të mbrendshëm të personazheve që na drejton për kah realiteti i tyne i padruejtun. Si vëzhguese poetja shfaq principin e lirisë në të shprehun për jetën, pavarësisht sesi liria perceptohet apo asht për spektatorë të ndryshëm. Gjithashtu mbijetesa emocionale dhe integriteti moral i priftit janë elemente të tjerë jo pak të randësishëm në poezi, shprehun pa asnji druejtje përballë spektatorit. Në rropullinë dhe kontradiktat e kësaj poezie qëndron liria me shprehë çdo gjendje njerzore. Druejtja nuk ka vend prej se dëshpërimi e vetmia e secilit përsonazh, në veçanti e Marias dhe e priftit, vënë ndjeshëm në pah probleme ekzistenciale.
Arlinda Guma: Poetja përdor fjalë të vjetra të toskërishtes dhe unë ndonjëherë them me vete se emigrantët e ruajnë më mirë gjuhën shqipe ngaqë ata nuk janë në kontakt me “evolimin” që ka bërë ajo brenda kufijve.
Desantila Qerimaj Rranxa: Ka tendencë të pazakontë, ma së shumti në mediat shqiptare për tjetërsim të fjalëve shqip. Gjuha pa dyshim që evoluon dhe pëson ndryshime por, ajo i ka të domosdoshme edhe rranjët e saj. Në rastin e “Metrazh i lajthitur” duket sikur poetja përdor fjalët “pëqi”, “kuvli”, etj edhe për çështje tingullore në krijim. Nëse e lexojmë poezinë me zá, e zëvendësojmë fjalët e masipërme me fjalët “prehër” dhe “kafaz”, këto të fundit tingëllojnë disi ma të fikuna. Megjithatë, Çuka natyrshëm mban lidhjet me gjuhën, trashëgiminë identitare. Në krijimtarinë e emigrantëve, leksiku mbart shpesh të kaluemen, sepse ka nji ndalesë gjuhësore në jetën e emigrantit; jeta para momentit kur emigrantët ikin prej atdheut, i mbet e freskët në kujtesë me po ato fjalë që janë përdorë e lexue rëndom para ikjes.
Arlinda Guma: Poetja Herman Çuka nuk është botuar në Shqipëri, por në shtetin italian ka marrë çmime. Vetë ajo e neglizhon këtë gjë por unë mendoj se herët a vonë duhet ta bëjë, në mënyrë që të shmangë plagjiaturën e shpeshtë ndaj poezive të saj. Si e mendoni këtë?
Desantila Qerimaj Rranxa: Herman asht poete premtuese ndaj jam e gëzueme për vlerësimet dhe çmimet që ka marrë në vendin ku jeton. Arsyet pse Çuka nuk ka botue në Shqipni mund të jenë të shumta e subjektive. Mendoj se Hermani duhet m’e e botue krijimtarinë e saj në shqip jo vetëm me shmangë plagjiaturën (tashma postimet në rrjetet sociale janë kthye në rrezik për poezitë e pabotueme), por edhe m’i u afrue lexuesit shqiptar përveçse atij italian. E pres me padurim librin poetik të Herman Çukës në shqip!
Arlinda Guma: Mendoni se kjo rubrikë e re në këtë revistë do t’i shërbejë mendimit krijues, gjë që, siç u konstatua nga Pisa, në Shqipëri nuk ekziston fare? (Shpesh kur hyj në statistikat e revistës shoh që vizitorët kërkojnë esé të gatshme për X autor. Pa dyshim studentë…)
Desantila Qerimaj Rranxa: Kur ju Arlinda sugjeruet përzgjedhjen e nji teksti në Defekt Teknik e të flisja rreth tij, nuk e pata të thjeshtë seleksionimin. Kjo m’e theksue se Defekt Teknik asht nji hapsinë me materiale të mira letrare shqiptare e të hueja. Gjej rastin për përgëzimet e urimet e mia jo vetëm për përmbajtjen letrare por edhe për formatin pamor të faqes, e po ashtu edhe për këtë rubrikë, e cila jam e bindun që ka m’e u lexue me interes prej ndjekësve të faqes. Për m’i u rikthye pyetjes në lidhje me rezultatet e PISA-s, fatkeqsisht, 15-vjeçarëve me mungesë mendimi krijues mund të mos i interesojë kjo rubrikë apo faqja Defekt Teknik me esé, poezi, përkthime e të tjera punë serioze të poetëve, kritikëve, studiuesve e shkrimtarëve që meritojnë lexues “kërkues” të vlerave letrare. Rezultatet si të PISA-s tregojnë që 15-vjeçarët tanë nuk kanë pasion leximin apo landën e letërsisë në shkolla, dhe që në kohën e lirë janë larg prej saj. Për ma tepër, këto rezultate tregojnë që mendimi krijues, po ashtu krijimtaria që ka në qendër mendimin kritik, nuk funksionon as në bankat e shkollës fillore, aty ku piksëpari mendimi krijues dhe ai kritik duhet m’e fillue formimin. Për të ardhmen, ky asht nji lajm shqetësues. Le të shpresojmë që gjendja ka me ndryshue sepse përballja me tekste të mira letrare, kishte m’e i ndihmue këto të rinj me zhvillue mendimin, argumentin, lirinë e mendimit e krijimtarinë letrare.
Arlinda Guma: Ju falënderoj!
Desantila Qerimaj Rranxa: Falënderime edhe ju!
______
Bibliografia:
Zekthi, Rudian, Vëzhgimi pa sfond, Shtëpia botuese: dy Lindje dhe dy Perëndime, Tiranë, 2012
Herman Çuka
Poezia:
Metrazh i lajthitur-Herman Çuka
Matanë, një grua nudo, në katin e dytë,
ujit lulet
kur ka a s’ka diell,
me ombrellë të mëndafshtë, marrë nga gratë e Monesë.
Një tjetër i ujit e veshur
në kombinezon të kuq, si te Moulin Rouge,
ndërsa jashtë
bie shi.
Nga pallati përballë,
i fotografon ç’do ditë
një artist i dehur, hedhur sipër një frak
të zi, një lule të kuqe
në jakën alla vittoriane.
...
“O janë të braktisura,
O janë të dashuruara?
Pyet me zë melankolik gruaja
e tij, Maria, pa marrë përgjigje,
duke dalë para aparatit…
I bie pika që (ai) s’i bën një fotografi!
U deh Maria, u deh keq,
shkoi në kishë me këmishë.
I vetëm, prifti për meshën
mbylli botën
në kuvli,
si sy të keq heretik.
Në qelë, mëngjesit,
në pëqi
të njëri-tjerit,
frati
e Maria
përhumbur prej rrëfimit të ngushllimit.
E përsëri tërë dert Maria;
“O janë të dashuruara
O janë të vetmuara,
kanë humbur mendjen!”
Lutej dhe pyeste priftin:
“Si, s’më bëri dhe mua një fotografi lakuriq!”
Imazhi: Truls Espedal
Poezia e recituar nga aktorja Suela Bako