Flurans Ilia
Ka një problem me trurin që të funksionojë si duhet. Truri nuk dëmtohet nga asgjë tjetër veç mungesës së higjienës dhe oksigjenit. Nuk mundet të lesh në trurin tënd mbeturina toksike, hiqe nga mendja. Nuk mund të hedhësh plehra në trurin tënd siç i hedh qeset plastike nga ballkoni dëng mbi trotuar dhe thua, “hë mo ç’i ** tëmën” (t’emën) se dikush tjetër do t’i mbledhë. Jo, plehrat e hedhura nga ti bëhen mbetje të përbashkëta më tej për krejt ambientin ku jeton. Kalbëzojnë tru të tjerë rreth teje. Krijojnë një ambient mbeturinash, «mode de vie» që më tej do e shfaqë veten në emër të «trend»-it, si një fidanishte e gatshme të japë kërpudha të reja trush simotra me kazanin fillestar. Ngërçi i vetëm është se jo të gjithë e kanë të sendërtuar trurin për të jetuar me natyrën në harmoni të plotë. Dua të them se bota ka ndryshuar, këtë dua të them. Bota ka ndryshuar plako. I gjithë leku është i betonuar në metropol. Njeriu nga njëra anë vrapon i skllavëruar pas lekut dhe nga ana tjetër vete edhe shpenzon pará për të shkuar, kërkuar, rigjetur natyrën e humbur. Është t’ia plasësh të qarit me termin “ushqim bio”. Vetëm në ditët tona e kupton se ku kemi katandisur me këtë temë (të paketuar po në qese plastike) e cila më kujton një thënie me vlerë të autoktonëve të Amerikës së madhe ku thuhet “do vijë një ditë që do e kuptosh se paraja nuk haet” edhe që ne në Shqipërinë tonë të vogël e kemi të paketuar në shprehjen “paranë nuk e ha as qeni”. Përse njeriu në fundjavë ikën jashtë metropoleve për të përqafuar natyrën? Jo për t’iu shmangur kafshimeve të asfaltit, por ngaqë truri i tij krijon autoprocesin e vetëpastrimit, ndjen atë nevojën e domosdoshme të oksigjenit të munguar, si thotë edhe ajo kënga korçare “o vemi o s’vemi në mes të pyllit do vemi”. Është një thirrje ekzistenciale e trurit menjëherë pas së cilës trupi yt fillon të reagojë, kur e ka mundësinë sigurisht. Për ata që nuk e kanë këtë mundësi ka udhë të tjera. Truri, sepse kështu ia thotë truri, vendos të udhëtojë me mënyrën e vet. Alkool, drogë, lojëra fati apo elektronike, media sociale, pasqyra, prej të cilave truri yt robërohet dhe vjen e bëhet një qenie e varur prej konsumimit të tyre masiv për një kohë të gjatë. Jo se jam kundra këtyre formave, është një e drejtë e gjithsecilit përzgjedhja e unit të vet. Por jam kundër robërimit të trurit. Sepse në qoftë se kushtet sociale të etapave të ndryshme historiko-ekonomike të zhvillimit të trurit kushtëzojnë një mesatare ideologjike të përbashkët të menduari, truri nis e kërkon trurin e vet, do bëjë atë çka ai di të bëjë më mirë, do vazhdojë të farkëtoj karakterin për ta unifikuar me universe të tjera të natyrës, njëra prej të cilave për shembull është zemra, në pamje të jashtme si torollaçkë që ia heq trurit trurin por, që ai nuk bënë dot pa të. Zemra është motori i vetëpastrimit të gjithësisë, pompë që ushqen dhe zbraz qeniet nga të gjitha llojet e mbeturinave ndër tru. Sepse zemra nuk di të bëjë si bythë e zgjuar. Zemra ngelet zemër.
*Për zemrën do flasim njëherë tjetër. Të diel të mbarë në vazhdim!