Ka diçka shumë të rëndë në një shoqëri që e detyron njeriun e artit të bëjë cirk për të argëtuar masat/Arlinda Guma

in About Us by

Ëndrra ime është që shoqëria shqiptare ta ngrejë kokën nga llumi ku e kanë zhytur mediat vulgare, të blera nga pushteti dhe t’i kthejë sytë nga vlerat e nëpërkëmbura-Arlinda Guma

Intervistoi Aurora Sahatçi

Aurora Sahatçi

Një sqarim për lexuesin: Kjo intervistë lindi nga kurioziteti im – Aurora Sahatçi (regjisore, përkthyese)

Aurora Sahatçi: Arlinda, hera e parë që unë lexova diçka të shkruar nga ti ka qenë rreth viteve 2010-2011, dhe ishte shkruar jo vetëm me talent, por edhe me sarkazëm; lidhur bukur, me imazhe nga dita, jeta e përditshme dhe me një prekje humori. Nga aty, më pas lexova romanin tënd të parë, “Bulevardi i Yjeve”. Më pëlqeu jashtë mase dhe i dhurova një kopje mamës time, e cila, edhe ajo, e pëlqeu jashtëzakonisht.
Por dua të të bëj një pyetje, një kuriozitet personal: pse revista quhet Defekt Teknik, dhe sidomos pse nëntitulli është Revolucioni nuk do të transmetohet? Çfarë revolucioni është ky, dhe pse nuk transmetohet? A ke shpresa që një ditë ky revolucion të transmetohet?

Arlinda Guma: Po, shkruaja ndonjëherë gjatë asaj kohe. Në ndonjë rast, me gjysmën e emrit (Arlinda G.) sepse punoja në një mjedis që mbështeste fort qeverinë e atëhershme, ndaj të cilës isha kritike, ashtu siç jam sot ndaj kësaj të tanishmes. Nuk e di cili prej shkrimeve ka qenë pikërisht. Ndoshta ka qenë shkrimi që ironizonte mbërritjen e facebook-ut dhe perceptimin konvulsiv të përdoruesve ndaj kësaj “çudie” të re. Ai pati një lexueshmëri dhe një shpërndarje të madhe atëherë. Njerëzit lexonin veten atje. Madje ia postonin njëri-tjetrit për t’i bërë karshillëk. Apo ndoshta ka qenë një shkrim për masakrën e 11 janarit. Nuk e di. Ndryshe nga sot, atëherë kishte gazeta të shtypura.
Emri defekt-teknik i referohet asaj stemës që nxirrte shpesh RTSH-ja sa herë që kishte ndonjë defekt apo sa herë që duhej të censuronte ndonjë lajm. Besoj se e thotë qartë vendosja e saj në ballinën e revistës në vend të pikës së i-së. Ndërsa nëntitulli i referohet një kënge të vjetër amerikane gjatë protestave kundër racizmit. Në kontekstin e revistës sime: i referohem revolucionit nëpërmjet kulturës. Kultura nuk “transmetohet” më në televizionet shqiptare të mbushura me vulgaritet.

Aurora Sahatçi: Në përgjithësi besoj se kjo faqe që ti organizon nuk është e financuar nga jashtë, por më shumë e autofinancuar. Sa e vështirë ka qenë ndër vite të mbahej gjallë ky aktivitet! Duhet vlerësuar fakti që ka mbajtur gjallë flakën e një zëri të veçantë dhe të një perspektive që shpesh nuk është konsideruar brenda mainstream-it shqiptar në rrjetin e artit dhe të gazetarisë shqiptare,
Për të tretën, a ka pasur raste kur ke ndier se ishte vërtet e vështirë ose e domosdoshme të vazhdoje me këtë aktivitet?

Arlinda Guma: Kjo revistë nuk financohet. Dhe i vetmi “staf” i saj jam unë. Kur nëpunësja e Biblotekës së Kongresit Amerikan më shkroi për të më kërkuar leje që ta arkivonte në mënyrë që revista të ruhej përgjithmonë, ajo iu drejtua “organizatës”, “grupit editorial”, apo “ojf-së” së supozuar. Pra, ajo mendonte se pas kësaj reviste ishte një tabor me njerëz. Por unë i thashë se ishte vetëm një njeri që e çonte përpara këtë revistë, pra, unë.
Më ka ndodhur gjithashtu të më shkruajnë vajza që donin të punonin në këtë revistë. Dhe më ka ardhur keq që i kam zhgënjyer duke u thënë se revista nuk ka me çfarë t’i paguajë sepse nuk ka mbështetje financiare. Pra, ka qenë gjithmonë një perceptim se jemi shumë staf. Janë mësuar me portalet e financuara nga qeveria, që ekzistojnë për t’i bërë fresk kësaj të fundit, të cilët me fondet që marrin e kanë shkatërruar njëherë e mirë misionin e gazetarisë dhe popullin shqiptar.
A ka qenë i vështirë sigurimi i vazhdimësisë? Po. Ka qenë i vështirë. Shumë i vështirë. Dhe po vështirësohet edhe më nga dita në ditë. Askush nuk e financon një revistë të lirë. Dhe me ndryshimet e fundit që ka bërë facebook-u është vështirësuar edhe më, ai pothuajse e ka bërë fare të padukshme praninë e linke-ve. Për më tepër revista nuk ka patur kurrë shkrime me link-e të sponsorizuara. Ata lexues që ka fituar ndër vite i ka fituar vetëm në sajë të vlerave dhe të cilësisë së saj. Po t’u shtosh gjithë këtyre edhe hacker-at dhe hajdutët e portaleve, këta të fundit më kanë detyruar të shkruaj gjithmonë e më pak, pasi nuk dua t’i shoh më shkrimet e mia të sakatuara e të vjedhura në faqet e tyre ku marrin guximin të bëjnë edhe “redaktorin”. Të kuptohemi, unë nuk kam kërkuar kurrë grante nga institucionet shtetërore sepse do të bija ndesh me parimet e kësaj reviste, tejet kritike ndaj tyre. Financimet shtetërore do ta cenonin lirinë e saj. Por në fillimet e saj kam biseduar me nja dy biznese duke u kërkuar një bashkëpunim nëpërmjet ndonjë reklame që do të mund ta lehtësonte sadopak mbarëvajtjen e saj. Më vjen shumë turp ta them por drejtuesi i njërit prej tyre pasi pranoi, më ftoi, me një ton gjasme të shpenguar, “të hanim një drekë jashtë Tirane”. Në atë çast ndërpreva çdo lloj komunikimi me të. Edhe qëndrimi i biznesit tjetër nuk ndryshonte dhe aq. Thjesht ishte më i kamufluar. Kështu që i ndërpreva edhe kërkimet sepse kuptova se fakti që revistën e drejton një grua do të krijonte gjithnonë qasje të tilla, të neveritshme do t’i quaja. Revista dhe unë nuk jemi në shitje.
Diçka tjetër që më ka prekur, jo pak, ishte çasti kur dikush u ofrua ta blinte revistën duke përfituar prej faktit se dinte që revista po kalonte vështirësi të mëdha. Pra, u mundua të përfitonte në një çast brishtësie. Duke shpresuar se unë do shihja interesin financiar të çastit. Dhe kjo m’u duk shumë, po shumë e ulët. Reagimi im në përgjigjen që i ktheva ishte shumë i ashpër. M’u duk sikur po ofrohej të blinte fëmijën tim. A shitet fëmija?
Është paksa ironike, apo jo? Një revistë që ruhet si vlerë në Bibliotekën e Kongresit, në Shqipëri rrezikon të mbyllet për mungesë të mbështetjes.

Aurora Sahatçi: A mund të kujtosh një intervistë ose takim me një shkrimtar apo artist që e respektoje dhe që të magjepste, por që njëkohësisht ishte sfidë të intervistoje? Çfarë e bëri atë intervistë të vështirë?

Arlinda Guma: Nuk kam patur asnjë rast të tillë të vështirë. Kjo sepse unë kam ditur kë kam ftuar në rubrikën “Biseda”. Unë nuk jetoj me mite. Nuk ftoj njerëz të mediatizuar, të cilët kanë një narcizëm patologjik, përveç të tjerash edhe shumë qesharak. Këta njerëz, në mënyrë indirekte, më kanë shprehur dëshirën, nëpërmjet të tretëve, që t’i intervistoj. Gjë që unë e kam shpërfillur. Unë kam ftuar njerëz, idetë e të cilëve janë në dobi të shoqërisë shqiptare. Jo vetëm në revistë, por edhe në jetën time personale unë jam natyrë shumë por shumë përzgjedhëse, nuk shoqërohem me gjithkënd (edhe pse botimi i librave në ndoca raste të pakta më ka detyruar t’i thyej paksa këto rregulla për t’u bërë qejfin lexuesve.) Unë kur intervistoj dikë nuk kam ego personale, unë nuk e poshtëroj të ftuarin siç ndodh rëndom në televizionet shqiptare ku intervistuesi i ngjan një gjeli kokëbosh që gjatë gjithë kohës fyen të intervistuarin dhe i shkel syrin audiencës duke i thënë “shihni sa i zgjuar jam”. Mua më intereson vetëm të nxjerr prej të ftuarit anën e tij më të mirë, një anë që as vetë ai nuk e di që e ka patur. Dhe kjo vjen prej kërkimit në punën dhe në shpirtin e tij. Nëpërmjet një gërmimi të thellë. Për mua parësore është çfarë fiton shoqëria shqiptare nga këto biseda. Jo unë. Jo i ftuari. Por e mira publike. Kohët e fundit, me vërshimin e podkasteve, i kam ndërprerë dhe ato biseda. Midis shumë “çudirash” më bën përshtypje fakti sesi drejtuesit e podkasteve e shfaqin me aq krenari injorancën e tyre enciklopedike. Flasin çfarë u vjen ndër mend, sikur të jenë në ndonjë kafene të rëndomtë. Pa asnjë përgatitje paraprake. Dhe në gjithë këtë zallamahi është shoqëria shqiptare ajo që humbet. Që humbet shumë.

Aurora Sahatçi: A ke ndier ndonjëherë nevojën që ta ndryshosh revistën, qoftë në format, qoftë në përmbajtje?

Arlinda Guma: Jo, nuk e kam ndier kurrë të nevojshme, sepse revista përfshin të gjitha fushat e artit dhe jo vetëm të artit. Aty gjen edhe gjuhësinë, filozofinë, historinë, politikën. Revista u krijua që ta ndërgjegjësojë shoqërinë nëpërmjet artit. Ajo interesohet të mbledhë idetë e njerëzve, të cilët nuk janë indiferentë ndaj mjedisit social ku ata punojnë dhe krijojnë.
Nuk do ta ndryshoja as në paraqitjen estetike. Sepse më duket e përsosur kështu siç është. Madje, ca revista mainstream që mbinë si kërpudha pas krijimit të saj ia kanë kopjuar këtë të fundit dhe jo vetëm atë. Por mbeten revista pa identitet.

Aurora Sahatçi: Sipas teje, cila është e ardhmja e gazetarisë? Dhe a ke ndonjë ëndërr për një intervistë me një person të veçantë?

Arlinda Guma: Të ardhmen e gazetarisë e shoh me shumë pesimizëm. Sepse nuk ka organizma që të mbështesin gazetarinë e vërtetë. Edhe instutucionet e huaja në Shqipëri janë tepër të drunjta në gjuhë për të mbështetur revista të pavarura si defekt-teknik. (Nuk them dot më “revista ime” sepse tashmë e shoh si një pasuri publike të shoqërisë shqiptare.) Dhe për më tepër, shqiptarët që punojnë në këto institucione, të cilët ndikojnë me opinionet e tyre, në këtë qytet ku të gjithë njihen, janë njerëz me një formim kulturor tejet mediokër për të kuptuar se çfarë jam duke bërë unë me këtë revistë. Madje shpesh qëllon të kenë edhe një xhelozi të çuditshme, të pashpjegueshme nga ana ime.
Nuk kam ndonjë ëndërr për të intervistuar persona të veçantë, ëndrra ime është po e njëjta si para 8 viteve kur e krijova revistën, të bëj diçka të vlefshme për shoqërinë shqiptare; që ajo ta ngrejë kokën nga llumi dhe të mësojë se vlerat e vërteta nuk transmetohen në televizion. Ky revolucion asnjëherë nuk do transmetohet atje, në kutinë e fastfood-it. Që ajo ta ngrejë kokën nga llumi ku e kanë zhytur mediat vulgare, të blera nga pushteti dhe t’i kthejë sytë nga vlerat e nëpërkëmbura.
Shoh këto kohë që një poete e njohur ka hyrë në një reality show. E shoh me dhimbje por e mirëkuptoj. E ndiej. Solidarizohem me të. Deri këtu i ka katandisur njerëzit e artit qeveria shqiptare. Sa për mua, unë nuk bëj dot cirk dhe akrobaci për të fituar një grant për të shpëtuar revistën. As për të shtuar lexuesit e librave të mi. Nëse kjo revistë do të duhet të mbyllet, le të mbyllet me nder dhe me dinjitet, ashtu siç ka jetuar deri më sot krijuesja e saj. Ka diçka që nuk shkon në një shoqëri që ia lexon librat shkrimtarit vetëm nëse ai hyn në një reality show. Ka diçka shumë të rëndë në një shoqëri që e detyron njeriun e artit të bëjë cirk për të argëtuar masat.

Aurora Sahatçi: Revista është një produkt me cilësi të lartë dhe përmban shkrime e përkthime, sidomos nga poezia, si botërore ashtu edhe nga ajo shqiptare. Ajo përfshin autorë jo vetëm të rëndësishëm, por me një thellësi dhe nerv letrar shumë të fuqishëm. Aty gjejmë emra si Franz Kafka, Szymborska, figura të feminizmit botëror, si edhe trajtime të çështjeve filozofike dhe politike bashkëkohore. Si ke mundur ta mbash gjallë këtë nivel cilësie dhe këtë vlerë letrare? E them me bindje, nga ato që kam lexuar, nuk kam hasur kurrë mediokritet. Përkundrazi, gjithmonë ka një tematikë të fortë dhe një dimension ekzistencial që e përshkon revistën.

Arlinda Guma: Ç’të them. Ndoshta revista ka lindur nën një yll të mirë. (Buzëqesh.) Aurora, unë jam shkrimtare dhe të qenit e tillë e lehtëson punën në këtë drejtim. Një shkrimtar di çfarë të sjellë në revistë dhe di çfarë të mbajë jashtë dyerve të saj. Megjithatë, më duhet të them se nuk kam realizuar as 30 % të ideve që kisha projektuar të realizoje në këtë revistë. Çfarë do të ndodhë më vonë? Druhem ta përfytyroj. Por edhe nëse kjo revistë mbyllet, të paktën arkiva e saj do të jetojë në Bibliotekën e Kongresit përgjithmonë. Dhe sa herë që ndonjë studiues i huaj do kërkojë diçka pë Shqipërinë time pas 100 vjetësh, midis të tjerash do mësojë edhe se ajo pati si krijuese një idealiste të pandreqshme, që e mbajti të gjallë, aq sa mundi, pa i thyer parimet e saj të shtrenjta.

16 Prill, 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Go to Top