Një kujtesë për të harruar-E dashur ‘’J’’-Mahmoud Darwich

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Mahmoud Darwich

Këtu, në këtë cep të largët, shoh pelën tek hidhet prej ditirambëve të vjetër arabë. Pelë që kërkon sherr me të panjohurën, me gjuhën. Pelë që del prej kësaj perle drite në fushë të hapur nga një akord kitare, i cili të fton në dasmën e kalorësve të vdekur.
Kupola, minare, kulla zgjaten për të ndjekur hijen e dashurisë e cila shkon pas hovit të heshtave të tendosura.
Kam për t’u kthyer shpinën thikave dhe do përkëdhel shkumën e manos në gotë, do të gremisem në honet e vdekjes së epërme, shoqëruar me grimca menteje, rojtare të kësaj hapësire ku nuk mundesh të hedhesh dy hapa.
Dashuri është që të stepesh.
Dashuri është ajo çka i shtoj kësaj ofrande shpirti.
Dashuri është që mos dëgjoj më prej teje asgjë tjetër, përveç rënkimeve.
U bëftë gur ajri, deti u bëftë këcënim dhe burimet e fundit të trupave tanë të dëshpëruar le të vërviten tutje, për të siguruar derën e drunjtë të kësaj strehe të brishtë.
Ngjiti njëqind e dymbëdhjetë shkallët. Frymëmarrja jote fishkëlluese do të bëhet psherëtimë e lodhur, do të t’i fshij djersët me lëkurën time, me përkushtimin sikur të jetë një detyrë.

Do të të thërras “J” sepse ti je premtim çmendurie. Prej teje hapet ferri, parajsa, dëshirat ngadhënjejnë mbi luftën për hir të një përqafimi, që bëhet i mundshëm vetëm në kthetrat e vdekjes. Lere fëmijën tënd të lozë me profesorin e kimisë.
Ngjitu në kullën e vrojtimit të sodisim predhat, të rrimë e të kërkojmë atë çka trupat tanë kanë të përbashkët me macet. Këmbët e tua të lëmuara si gurë dimërorë në mal, gurë që më rrëmojnë veshkat dhe e bëjnë verën të shpërthejë prej fuçisë.
Mbys klithmën që ti të mos mendosh se mund të vuaj prej diçkaje tjetër përveç shtetrrethimit, dhe nuk i përgjigjem përshëndetjes, bëj intriga me historinë time kundër dëshirës, që prej asaj balukes së parë që më bëri të kris përbrenda. Dëshira ka maskat e veta, për ta bërë lojën të zgjasë edhe një vit tjetër.
U lodha nga maska, nga loja, prej lodhjes tënde u lodha. Boll e rrahe kalldrëmin me klithmat grykore që fundosen tek unë. Më kanë ardhur në majë të hundës aksidentet e shëmtuara rrugore në këto kohe lufte, nga këto kalamallëqe. Të qurravitesh për dashuri në kohë lufte, çfarë turpi!

A të dua? Jo, nëse dashuria këkon më tepër kohë nga sa t’ia fusësh me plumb vetes.
Po, nëse dashuria është vetëtimë fërgëlluese. Eja të gjejmë përgjigjen, eja të shtrojmë pyetjen, se këta të ngujuarit në këto humbëtira s’kanë ç’të bëjnë tjetër veçse të lëshojnë prej burgut të fjalëve të arta xhidet e dëshirës. Është padrejtësi të ikësh pa u bashkuar me njëri-tjetrin, padrejtësi që në mes të rrugës vështrimet tona të rikthehen brenda syve nga ku derdhet mjalt mbi zjarr. Sytë e tu lëndojnë edhe gurin, vrapojnë nëpër rëmbat e gjakut tim si një ushtri milingonash… Kur do arrij t’i mbledh të gjitha për të t’i kthyer, t’i kthej në fole, që të marrë fund kjo kruajtje sa herë shoh atë këmbë mbi këmbë? Dil nga ajo derë në krahun e majtë, merr djathtas, ec njëzet metra, pastaj kthehu majtas, pastaj përsëri djathtas, pas tridhjetë metrash edhe njëherë tjetër djathtas. Është një pemë e trashë, një melia e vetmuar që të çon në një shesh të vogël. Kapërceje dhe ndiq aromën e kardamomës deri në hyrjen e godinës, ashtu si peshkaqeni kur tërhiqet nga era e gjakut. Ndiq të rrahuarat e gjakut tim dhe ngjit njëqind e dymbëdhjetë shkallët. Ke për ta gjetur derën të hapur, pas porte do më gjesh mua mbi prushin përvëlues, gati të vdes, në këmbë me ty, në këmbë tek ty, derisa një predhë të na ndajë, të na detyrojë të ulemi. Përplasi takat e tua të larta nëpër shkallë, si mbi paretet e një zemre që i hidhet ta hanë qentë e rrugëve. Sa shumë i dua takat e tua të larta, që i tendosin ato dy këmbë në shkallën më të epërme të feminitetit gati për t’i puthur. Takat e larta fshehin barkun dhe gërmojnë një hark për të stehuar mishin tretur prej etjes. Rrumbullakosin gjinjtë dhe i ngrejnë përmbi kalimtarët, të cilëve u mohoet ajo çka ata kërkojnë. Derdhin këmbët në preludin e një dance mbi tymin e dëshirave të harxhuara. Drejtojnë qafën në një hov kuajsh që gremisen në hon. Ngrejnë heshtën mbi një tribunë ajri të ngurtë. Godite kalldrëmin me krenarinë e një gazele, e cila nuk preket as nga krahët e as nga fjalët. Shfaqu pak nga pak para portës së mbyllur. Nga kjo anë, është një kolltuk lëkure që na nxë të dyve, boll i gjerë për ne të dy. Do ulem unë i pari, ti më pas, sepse dhoma e gjumit bie nga ana e detit, i cili na sheh, na kërcënon, na bombardon, edhe dhoma e ndenjies nga ana detit bie, ajo e punës po ashtu. Atëherë s’na ka ngelur gjë tjetër përveç kolltukut prej lëkure. Dridhu, shpërthe, thërrmohu, por mos u zhvish, vetëm lakuriq të mos na gjejë vdekja. Një pelë mbi gjoksin e një burri ka kohë vetëm për dashuri kalimtare dhe afshin kalimtar të përjetësisë. Nuk ka kohë për dashuri në një luftë ku ne è thithim burimin e jetës vetëm me majën e buzëve. Të jetë lufta ajo që na e krijon këtë dëshirë ?
I takon frikës nga vdekja të pjellë k’si lloj tensionesh? Dy duar gërvishtin murin për t’i ndaluar macet të kërcejnë përpjetë dhe një gojë e hapur ulërin në hapësirat e shkreta për të ndjellë ujqit.
E dua këtë dashuri pa dërdëllitje, memece, pa fjalë të përzgjedhura, pa finesa të kota. Nuk ka dhe aq kohë për ritet të cilat rishpikin ndarjet e avashta, daljen nga të qenit një. Masandej ne strukemi në një cigare, duke u shtirur se po ndjekim rrathët e vizatuara prej tymit blu. Shohim orën, jo për të ditur sa është, por për të kuptuar kur do tërhiqet si hajdut njëri prej nesh. E dua këtë dashuri pa kujtime të dhimbshme, pa shenja plagësh, dashuri që të dhuron një fluturim fluture mbi lulen e shpirtit. Një çast i beftë me bukuri më jetëgjatë dhe më të pranishme sesa ajo rëndesa burokratike e dashurisë, zhytur në aministratën e takimeve dhe në ruajtjen e nostalgjisë. Një tekë, aq sa poeti të ngatërrojë femrën me një këngë, një kapriço, liria e heshtjes së lirë nga ajo që e kthen në siklet. Dy botë që merren vesh vetëm prej shtrëngimit. Dy ndjenja të pabarabarta. Dy botë që kthehen përmes heshtjes, në kujtime që kanë më shumë përplasje sesa gjëra që i bashkojnë. E dua dashurinë në këtë kolltuk i cili nuk ka nevojë ta shkundësh dhe ta ndreqësh sepse nuk zhubravitet. Siç e kam dashur nën hijen e një shkëmbi buzë detit, në një makinë të fshehur në një korije plepash, në një tren natën mbushur me të panjohur, në një fluturim të pafund, buzë një fushe ku turma duartroket fjalimin e dashnorëve jetshkurtër, të cilët kërcejnë e këndojnë në kërkim të një ekstaze të re. I dua çastet kapriçoze, të çliruara prej fjalëve dhe detyrimve. Por lufta të çon te kjo përhumbje shpirtërore erotike e mrekullueshme.
Sa bukur është të vdesësh mbi bregun e këtij mjalti që sikletos gjuhën, pa lakuriqësi, pa pasardhës! Të ngadhnjesh mbi luftën e brendshme prej frikës që bashkon trupat tanë. T’u thuash lamtumirë ditëve mbi këtë trëndafil që po hapet, djersin, psherëtin dhe çahet prej forcës së vesës spërkatur me kripë, nën një përmbytje ajrore, tokësore, detare, ku kënaqësia jonë përshkon gjithë këto etapa, pa dështuar e duke i kthyer lehjet e hekurit në ulërima mishi, gjaku, nervi të ngritur përpjetë!
Mos më pyet në të dua, pelë dalë prej ditirambëve të vjetër arabë, pelë që u ikën shtrëngimeve të kalorësit për të gjetur mëzin e vet, i cili endet midis raketave, kutive me birra, profesorit të kimisë dhe infermiereve të guximshme skandinave që kanë ardhur për të vdekur për një kauzë sesa prej një zhgënjimi.
Mos më pyet nëse të dua, sepse ti e njeh afshin e trupit tim në kërkim të trupit tënd. Merr bukë dhe një shishe me ujë për të thënë se ke një orë që po e kërkon.
Ke për të qenë në poemën time e dashur “J”, përderisa nuk erdhe me mua, ashtu siç zambaku del prej Kantikut të kantikëve.
Ke për të qenë në poemën time e dashur “J”, sepse ti u zhduke si Ai.
Dhe ke për t’u shfaqur prej një ëndrre që del nga ëndrra, e dashur “J”, si zambaku i këtij agu.

Përktheu: Miranda Içi

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Inventari-Dorothy Parker

Inventari-Dorothy Parker Katër janë gjërat që mirë bëj t’i njoh:Përtacinë, pikëllimin, mikun

Përgjigjia-Robinson Jeffers

Përgjigjia-Robinson Jeffers Pra cila është përgjigjia? Mos të zhgënjehesh prej ëndrrave.Të dish

Riarmatosja-Robinson Jeffers

Riarmatosja-Robinson Jeffers Ato lëvizje madhështore e fatale drejt vdekjes: solemniteti i masësQë
Go to Top