Shqipëria mbetet për perëndimorët një tokë ekzotike gjithnjë e keqnjohur/Bisedë me pianistin Red Radoja

in Biseda/Muzikë by

Bisedë me pianistin Red Radoja, mbi muzikën dhe jetën e tij në emigrim.

Ai jeton prej vitesh në Francë dhe ka themeluar ateljenë e muzikës polifonike tradicionale shqiptare në kështjellën e qytetit të Luneville-t.

Radoja thotë midis të tjerash se ndihet shpeshherë, e jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Francë, si një lloj avatari i Lizës në Botën e Çudirave; gati “i huaj” në të dy rastet, dhe se ajo që e nervozon, edhe e mrekullon njëherësh…

Ai rrëfen një episod interesant gjatë përvojës së tij të mësimdhënies:

Para ca ditesh, një nxënësja ime 20 vjeçare, më tha se kishte bërë për vete një djalë në stacionin e trenit të qytetit Nancy, ndërsa po luante në pianon e stacionit preludin “Vajza me flokë të linjtë” të Debussy-së, të cilin sapo e kishte punuar me mua.

 Bisedoi: Arlinda Guma

Arlinda Guma: Për kompozimet tuaja, bazuar në motivet e folklorit shqiptar, ju është dashur të shkoni në zonat më të thella të Shqipërisë Veriore, për të gjurmuar e dëgjuar nga afër ata pak rapsodë të lahutës, të mbetur ende në jetë. A keni menduar ndonjëherë se kjo që po bëni është më shumë se puna e të gjithë zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës të marrë së bashku? Dhe më shumë edhe se sa e gjithë deputetëve shqiptarë, të cilët kujtohen për ato zona vetëm atëherë kur duhet t’i gënjejnë për t’u marrë votën?

Red Radoja: Të them të drejtën kërkimet e mia në terren kanë patur si fillim një qëllim vetjak thjesht etnomuzikologjik dhe frymëzimi krijues erdhi më pas. Për fat të mirë kërkimet e mia nuk u shtrinë deri në zonat e thella, sepse pjesën më të madhe të këtyre banorëve i gjejmë sot të ngulitur në qytete si Shkodra, Lezha dhe sidomos Tirana e Durrësi me rrethinat e tyre. Po e njëjta gjë ndodh edhe me zonat malore të Malit të Zi ose Kosovës, ku lahutarët, gjithnjë e më të paktë, i gjen më kollaj në rrethinat e qyteteve si Tuzi apo Peja, sesa kur iu ngjitesh malësive të Hotit ose Rugovës. Puna ime mbetet një kontribut modest në studimin muzikor të eposit, me pretendime akademike relative për sa i përket një paraleli të dukshëm mes vargut të kënduar nga lahutarët dhe psalmodisë gregoriane, gjë e cila e diferencon qartë eposin tonë nga epika e sllavëve të Jugut. Sa për Ministrinë e Kulturës dhe veprimtarinë e zyrtarëve të saj nuk kam ndonjë informacion, aq më pak pastaj për qasjen e gënjeshtërt ose jo të deputetëve me zgjedhësit e tyre në terren. Le të themi se qëndrimi im ndaj politikës në përgjithësi dhe asaj shqiptare në veçanti mbetet tepër indiferent, edhe pse jam i vetëdijshëm që një qëndrim i tillë pasiv e i mënjanuar nuk i shërben përmirësimit të një shoqërie si e jona.

Arlinda Guma: Keni themeluar ateljenë e këngës polifonike tradicionale shqiptare në keshtjellën e Luneville-t, të qytetit francez ku dhe jetoni. Si reagojnë francezët kur dëgjojnë polifoninë shqiptare? Them se edhe shumë e panjohur nuk duhet të jetë për ta po të kesh parasysh muzikën tradicionale korsikane. E kanë mësuar ata këngën “Janinës ç’i panë sytë”? Po përmend pikërisht këtë këngë, sepse francezët kanë edhe ca përgjegjësira historike për sa i përket fabulës së saj…

Red Radoja: Më vjen mirë për paralelin që bëni me polifoninë korsikane. Në fakt kjo atelje, për këngëtarë amatorë, merret me këngën polifonike orale evropiane në përgjithësi dhe atë shqiptare në veçanti. Kjo në vazhdën e një hipotezës sime se traditat polifonike të Evropës, e madje dhe më larg, kanë një bazë etnike të ngjashme dhe ndodhen çuditërisht në vendndalimet e ekspeditës legjendare dhe parahelene të argonautëve.  Këngën  «Janinës ç’i panë sytë» ua kam mësuar dhe duhet të jetë ende në YouTube një fragment videoje i njërës prej provave. Personat që dëgjojnë për herë të parë këngë polifonike shqiptare befasohen për nga origjinaliteti i saj. Impakti i kësaj tradite bëhet edhe më i fortë te personat që nisin të mësojnë edhe sesi këndohet, për më tepër edhe në një gjuhë unikale si shqipja, që u krijon probleme në shqiptim. Për francezët në nivel mesatar përgjegjësirat historike shkojnë deri diku te Lufta e Parë Botërore dhe kufizohen gjeografikisht diku rreth lumit Rin, ku jehojnë jo dhe aq të largëta përplasjet franko-gjermane për territoret e Alzasë-Lorenës. Shqipëria mbetet për perëndimorët një tokë ekzotike gjithnjë e keqnjohur.

Arlinda Guma: Ishte zgjedhja juaj piano si instrument? Apo në këtë zgjedhje ndikuan rrethanat artistike familjare? Në Shqipëri ka një klishe që fëmijët e artistëve duhet të bëhen medoemos artistë.

Red Radoja: Një fëmijë si unë nuk ka patur «zgjedhje», sepse “rrethanat” ndikuan dhe diktuan deri diku. Im atë që është aktor, ia delegonte sime mëje; violinçeliste, vendimmarrjet mbi të ardhmen profesionale të fëmijëve. Ime motër, e cila është nëntë vjet më e madhe se unë, është edhe ajo pianiste, kurse unë isha nisur për t’u bërë violinçelist në fakt, por përsëri ime më mendoi, dhe vendosi se për shkak të karakterit tim jo dhe aq «social» pianoja do më bënte më të vetmjaftueshëm. Them se zgjedhja e saj ka qenë e duhura. Përgjithësisht kam qenë dhe mbetem i dëgjueshëm ndaj prindërve dhe më pëlqen ta ndjek fillin e traditës në përgjithësi dhe familjes sime në veçanti.  Klishetë që përmend pyetja juaj qëndrojnë dhe mendoj se nuk duhen parë medoemos si negative në qoftë se mbështeten mbi një traditë të mirë.

Arlinda Guma: Qysh prej vitit 2005 jepni mësim në shkollën e muzikës te Luneville-t. A mund të rrëfeni ndonjë episod që ju ka impresionuar, mrekulluar apo shokuar gjatë punës suaj?

Red Radoja: Para ca ditesh, një nxënësja ime 20 vjeçare, më tha se kishte bërë për vete një djalë në stacionin e trenit të qytetit Nancy, ndërsa po luante në pianon e stacionit preludin “Vajza me flokë të linjtë” të Debussy-së, të cilin sapo e kishte punuar me mua. Gjithsesi, puna e mësimdhënies, e cila nuk ka qenë kurrë për mua një veprimtari mrekulluese, është shpesh e zhytur në monotoninë e përditshmërisë dhe shokimet janë tepër të rralla.

Arlinda Guma: A është e pranishme vajza juaj në sallat ku ju jepni koncertet? Si reagon ajo?

Red Radoja: Në kësi rastesh ime bijë, disi kokëfortë dhe refraktare ndaj synimeve të mia, tregon një lloj indiference që çuditërisht më pëlqen.

 Arlinda Guma: Cili është ai kompozitor i madh, me të cilin do të kishit dashur të kthenit një gotë verë dhe të bënit biseda të gjata?

Red Radoja: Ndoshta me Claude Debussy-në, edhe pse mesa duket ai ishte disi i vrazhdë e ta priste shkurt.

Arlinda Guma: Në romanin “Me syrin e një kllouni” ka një fragment interesant ku personazhi thotë se ashtu si njerëzit e profesioneve të zakonshme, edhe artisti duhet të marrë pushim herë pas here prej artit të tij. Aq më tepër kur artin e ka edhe si profesion të bukëpërditshmes. Ju kur merrni pushim prej artit ilustroni kopertinat e albumeve tuaja, të cilat i botoni në Éditions Fortin Paris. Pra, prej artit në art. Si është kjo ndjesi?

Red Radoja: Pa i hyrë përqasjes me romanin e Böll, mund të them se pushimi për mua është një qëllim utopik në vetvete, një qëllim të cilin s’para e arrij ashtu si do të kisha dashur. Përpjekja profesionale për “bukën e përditshme” që na jepet sot nuk e zbeh dëshirën për krijimtari anësore, e cila është edhe pjesa e bukur e profesionit. Më pëlqen ideja e një krijimtarije inter-art ashtu si edhe kërkimi etnomuzikologjik ka nevojë për një qasje ndërdisiplinore. Krijimet e mia muzikore janë vepra me program letrar. Ilustrimi pamor që u bëj kopertinave i jep kompozimit muzikor një trajtë të paluajtshme përkundrejt lëvizshmërisë së tekstit që rrëfen dhe muzikës që përsërit. Ndjesia kryesore vjen pas mbarimit të ilustrimit … ; zbrazëtia si paradhomë e atij që në një kuptim metafizik mund të quhej edhe “pushimi i pasosur”.

 Arlinda Guma: Çfarë ju nervozon dhe çfarë ju mrekullon kur vini në Shqipëri?

Red Radoja: Ndihem shpeshherë, e jo vetëm në Shqipëri por edhe në Francë, si një lloj avatari i Lizës në Botën e Çudirave; gati “i huaj” në të dy rastet. Shpesh ajo që më nervozon, edhe më mrekullon njëherësh dhe ndoshta tipari më nervozues e njëkohësisht mrekullues i atdheut tonë është pandryshueshmëria. Shqipëria ka gjithnjë veçantinë që të mbetet një vend gjithnjë enigmatik, jo vetëm për të huajt por edhe për vetë ne shqiptarët, qofshim të shpërngulur apo jo. Gjithsesi, më tepër se kritik ndaj atdheut, më pëlqen të jem dashamirës e deri diku edhe i dhembshur ndaj tij. Përpiqem ti mvesh atij gjithnjë një petk mitik dhe kjo gjë ma ul ndjenjën kalimtare të nervozizmit dhe ma amplifikon prirjen time për t‘u mrekulluar, edhe pse shpesh kjo e fundit stimulohet prej meje në një mënyrë thjesht artificiale.

Arlinda Guma: Cila është atmosfera e kompozimeve tuaja? Një shkrimtar mund të shkruajë fare mirë në një bar… Po një pianist; një kompozitor, a mund të shkruajë në një bar? (Ndoshta në një piano bar?)

Red Radoja: Kompozimet e mia nuk frymëzohen nga jeta e përditshme dhe janë gati krejt të shkëputura prej saj. Ndihet në to një përzierje neoklasike stilesh, ku folklori muzikor shqiptar është tepër i pranishëm. Mesjeta me mitet dhe kujtimin e saj të largët kalorsiak eshtë aq e gjithpranishme, jo vetëm në muzikë, por edhe në program letrar, sa ndoshta dikujt, në pamje të parë mund t’i krijojë një ndjesi gati anakronike. Unë banoj disi larg nga qyteti ku punoj dhe shpenzoj një kohë të konsiderueshme në makinë gjatë ditës. Gati tërë krijimtaria ime është përfytyruar e madje edhe formësuar mbi timon. Realiteti i panevojshëm (bari për shembull) mbahet kështu jashtë e larg dhe brenda kutisë lëvizëse me rrota lind një lloj virtualiteti mitik udhëtimesh, i cili i jep muzikës sime atë lloj jashtëkohshmërie pa të cilën unë s’jetoj dot.

Arlinda Guma: Ju falënderoj për bisedën!

Red Radoja: Faleminderit juve!

Shënim: Në videon më poshtë, këngëtarë amatorë francezë, gjatë provave, duke kënduar “Janinës ç’i panë sytë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Biseda

Go to Top