Njeriu i letrave trajtohet si “jetim”, ndërsa shtëpitë botuese janë të vetmet “jetimore”që majmen nga “jetimët”/Rudina Çupi

in Letërsi/Prit deri në pranverë, Bandini! by

Po e patë duke folur me vete, ka shumë gjasa se është duke  mallkuar veten që nuk prodhon kos, pasi tashmë produkti i tij do të ishte duke u reklamuar në çdo rrugicë të qytetit me moton shekspiriane: “Kosi hahet apo pihet? … kjo është çështja”, pasi autori, vetë produktin e tij fillimisht e blen (shtëpisë botuese), e pastaj e shet me çmim shumice (libraritë).

Rudina Çupi

Saktësia e përdorimit të termave më është bërë ‘sëmundje profesionale’, ndaj shpesh më ngacmon pranëvënia, zëvendësimi, ngatërrimi apo përgjithësimi i termave autor, shkrimtar/poet dhe artist, kur dikush shprehet për një njeri të letrave. Artistët janë piktorë, skulptorë, muzikantë, këngëtarë, skenaristë, regjisorë, aktorë, balerinë (së fundi edhe futbollistë :P) – ajo që i bashkon është se këta prodhojnë kulturë (veprat e tyre), por ata dallojnë prej faktit nëse arti i tyre është individual apo ekipor, si dhe në shpërblimin që marrin prej artit që bëjnë.

Ndryshe nga çdo profesion tjetër që të dhuron karrierë apo pagë të llogaritshme, artistët – edhe si idealistë që janë – me “të shpërblyer për punën e tyre” kuptojnë edhe vlera që nuk përfundojnë me një varg zerosh, por me një varg përgëzimesh apo fame (arti është një pulë që bën vezë të arta, jo një pulë që pjell përditë). Por nëse flasim në terma ekonomikë, të paktët që e shesin veprën e vet  5 mijë deri në 10 mijë lekë të vjetra (prej të cilave vetëm 10% janë të tyret) janë shkrimtarët/poetët, që janë edhe shuuumë më modestë se kaq, pasi në çështjen e “shpërblimit” nuk kanë as pulën, as sorrën (as vlerësimin moral e as atë material/monetar).

Pranimi i kësaj i ka shndërruar në persona vunerabël, ndaj të cilëve duhet pasur më shumë keqardhje, sesa vlerësim (ose gjykim), duke e bërë kështu letërsinë një profesion të mëshirueshëm, të cilit, të paktët që i hedhin ndonjë qindarkë në dorën e zgjatur të lypjes janë lexuesit (dhe e keqja është se ndryshe nga lypësi real që i gëzohet qindarkave teksa blen diçka të mbushë barkun e të sigurojë vazhdimësinë e ekzistencës, njeriu i letrave nuk mund t’ia lejojë vetes mosmbushjen e shpirtit e të pranojë se ka përfunduar në derexhenë e ekzistencës).

Njeriu i letrave trajtohet si “jetim”, mbi të cilin nuk bie vetëm fatkeqësia e mosfunksionimit të sistemit (letrar dhe tregtar), por trajtohet edhe si bartës i përgjegjësisë kryesore se ai bën diçka ta çojë veprën e vet te lexuesi (punë edhe para-se-të-dalë-në-treg dhe pasi-të-dalë-në-treg). Ai e ndien veten “jetim” teksa kupton se është vetëm në prodhim-tregtimin e veprës letrare (është “produkt kulture” dhe si e tillë kërkon një punë në ekip dhe se ai vetë është vetëm njëra hallkë (botuesi, media, kritika, Ministri Kulture, janë të tjerat dhe ai duhet të bëjë edhe punën e këtyre “të mëdhenjve”); sidomos teksa sheh se si shtëpitë botuese janë të vetmet “jetimore”që majmen nga “jetimët”. Po e patë duke folur me vete, ka shumë gjasa se është duke  mallkuar veten që nuk prodhon kos, pasi tashmë produkti i tij do të ishte duke u reklamuar në çdo rrugicë të qytetit me moton shekspiriane: “Kosi hahet apo pihet? … kjo është çështja”, pasi autori, vetë produktin e tij fillimisht e blen (shtëpisë botuese), e pastaj e shet me çmim shumice (libraritë).

Por, le të lëmë mënjanë qindarkat me zero prapa, e të ndalemi pak te pjesa boshe e “shpërblimit”: te vlerësimi.

Të gjithën këtë gjendje ai e kapërdin, pasi ndërgjegjia i thotë se krijimi është sport individual, unik dhe origjinal…  por çdo individ gjallues jeton në një mjedis në të cilin lipset të përshtatet; ndaj vishet e ngjishet si zotni sërëmadh, e maskon dhimbjen e tij të mjerueshme me buzagazin më dashamirës që ka kur shkon në promovimet e të tjerëve të komunitetit të tij për nevojën e dyanshme (nevoja për t’u organizuar në bashkësi më kujton mërgimtarët e tëhuajtur tek mblidhen e gëzojnë me një këngë atdheu – por letërsia kaherë ka reshtur së qeni një festë a gëzim).

Ka kaq shumë emra grupesh të vogla letrare (reale dhe virtuale) që rreken të gjallojnë duke i marrë grupeve të tjera pjesëtarë, ndërkohë që këta të fundit rreken të marrin  pjesë te të gjitha grupet – është si një korrupsion i madh vetëm për pak shitmendje – por që në shumatore, në fund të ditës nuk kanë fituar asgjë… as lexues (vetëm numër rendor) e as janë njohur, e me ngjarjen në fjalë kanë marrë veçse një dozë serum fuqie për të vijuar. Për të mos folur pastaj për kastat e klubeve letrare që kanë krijuar njëfarë tradite, që duket sikur funksionojnë sipas motos “o me mua – o kundër meje”.

Por nevoja për të gjalluar në një mjedis letrar mbetet, pasi pas një prove prej 27 vjetësh pa një të tillë, pra, pa rrahje mendimesh letrare, realiteti duket sikur nxjerr vepra sporadiken dhe jo letërsi me frymë e fytyrë të vetën.

Habitati i një poeti është ironia (e brendshme dhe e jashtme). Shkrimtarët, e kryesisht poetët – këta njerëz të mëdhenj nga brenda e të vegjël nga jashtë – janë bartës-beteje-me-dy këmbë, të betejës mes ndërgjegjes brerëse dhe egos nxitëse. Për sa i përket vlerësimit ata ndodhen mes dy zjarreve, njëri prej të cilëve, lexuesi, gjendet në tokë: i madh në numër, por pa grada, të cilat i mbajnë ata të skajit tjetër, atij të epërm: vlerësuesit, kritikët, që kanë në dorë “ligjin dhe Maliqin”.  Dilema e shkrimtarëve: të kenë lexues me shumicë (paçka se është krijuar ideja se të jesh best-seller duket sikur të kategorizon te autorët-tallava mbetet kënaqësi, pasi një shkrimtar shkruan për lexuesin) apo të jenë të vlerësuar nga një juri (me mendimin utilitar se me këtë gur vret dy zogj, fiton edhe lexuesin, edhe certifikimin e veprës e të “markës” së tij), pra, kjo dilemë është pjesë e ironisë.

Por kohët moderne, me paaftësinë për të vazhduar qoftë edhe traditën klasike të mëparshme të funksionimit të letërsisë – le më për të krijuar hulli të reja e moderne – kanë bërë të na mbetet koka mbrapa për shumëçka. Ka pasur më shumë bashkohësi atëherë sesa sot, pasi nëse një autor në një vend të huaj vlerësohet nga kritika, ai rrogtohet, jeton me të ardhurat e shkrimit – njësoj siç ka qenë te ne më parë kur autori fitonte veç të tjerash edhe leje krijimi shumë më të volitshme se lejet e shtatzënisë.  Kështu, që një shkrimtar a poet, i cytur nga ndërgjegjia e tij e brendshme merr pjesë në një konkurs letrar, e bën këtë për të përftuar atë shërbim që nuk e siguron dot me rrugë tjetër: vlerësimin e një jurie lexuesish të kualifikuar (lexues e jo kritikë, pasi te ne nuk ka ende degë studimi që profilizojnë kritikë arti), për të ditur se ku e ka vendin në aradhen e letrarëve të tjerë bashkëkohës.

Pikërisht prej kësaj marr shkas të përçoj përshtypjet rreth pjesëmarrjes sime në konkursin për çmimin e shumëpërfolur “Kadare”, në të cilin qeshë pjesë e përfundova në finale (paçka se u futa me një komb në grykë, ngase në këtë konkurs të mirëqenë përjashtimi i poezisë si zhanër letrar më duket diskriminim – ndryshe ndodh në konkurse si Nobeli, ku këtë çmim shpesh e kanë marrë poetë – a thua se nuk mjafton diskriminimi i poezisë që mungon në raftet e librarive kurdo nëpër Shqipëri). Dorëshkrimin (fakti që konkursi bazohet në dorëshkrim dhe jo në vepër të bërë e të sprovuar me realitetin apo në karrierën e shkrimtarit mua më duket shumë pozitiv, pasi vë që në gjenezë një hallkë nga ato që i mungojnë zinxhirit të funksionimit që thamë më lart) “Shenjat e pikësimit” – roman për lexuesin – me të cilin mora pjesë, ishte rrekja ime e parë në prozë dhe, duke qenë se unë si autorja e tij vij me rrënjë të forta të deritanishme te poezia, edhe struktura e tij nuk është klasike, por krejt e re – e mora si sfidë, por kisha edhe nevojën që lexuesi im të mos ndihej vetëm, të ndihej i mbështetur në gjykimin e vet nga një gjykim profesionist, paçka se për mua leximi është shije dhe shijet nuk duhet t’i përcaktojë askush veç vetes, as reklama, as moda, as juria dhe madje, as miku dhe as të imponohen.

Po të hedhësh një sy fituesve të këtij çmimi të viteve të mëparshme shikon pozitivisht që ata nuk kanë qenë si deri-më-tani “autorë me nam” dhe këtu të bulon një shpresë që kushdo që shkruan në strofullën e vet modeste i tërhequr nga projektorët e jetës skenike a fejsbukiste, (në asketizëm intelektual) mund edhe t’ia dalë. Por nëse i shikon ata në një këndvështrim vertikal, sheh se ka një lidhje boshtore mes tyre: veprat, të cilat, të gjitha kanë lidhje me të shkuarën – dhe këtu buit një tjetër “diskriminim” ndaj pjesëmarrësve, duke i dhënë shumë tradicionalizëm fiktiv këtij çmimi dhe paaftësi për të nxjerrë risitë. Kjo është një tjetër shumëçka që bën të na mbetet koka mbrapa.  Këtu, besimi i ndjekësve të konkursit lëkundet edhe te juria (fillimisht ngrohesh nga fakti se juria nuk është honorifike, që vlerën e ka te motshmëria e moshës – pasi në të tilla raste këta persona honorifikë, e para kanë mungesë të theksuar kritike dhe e dyta kanë vetëm rolin e  velinave në emisionet televizive – vetëm për dukje; por pastaj sheh se duket që ka mbetur te shija klasike e leximit apo në varësinë e madhështisë së të shkuarës në letërsi) dhe po ashtu edhe te UET-i që e ofron këtë shërbim (pasi mbështet argumentin se në gjenezë, në frymë e ide ky institucion është “amerikan” që përparon me risitë, ndërkohë që nga ana tjetër ndihet inferior ndaj elitarizmit e tradicionalizmit krejt “evropian” e ndaj rreket ta krijojë). Sidoqoftë, paçka se çmimi e ka përmbushur autorin (cilido qoftë), a e ka përmbushur ai misionin e vet që t’i sigurojë atij libri lexues – më të shumtë nga çdo të kishte nëse do të botohej pa këtë aureolë vlerësuese? Cilat janë përfitimet reale të të gjithë aktorëve në këtë vorbull dhe sa dorë i ka dhënë letërsisë ky gjest fisnik (që të jemi realistë përveç çmimit ky institucion ofron gjallim letrar përmes botimeve e  promovimeve posaçërisht të autorëve shqiptarë – gjë që duhet ta bëjë Fakulteti i Letërsisë a edhe shtëpitë e tjera botuese). Dihet që gjërat e mëdha frytet i nxjerrin vonë, por e mira është të bëhen matje në terren, llogaritje me shifra e fakte (sepse nëse lexuesi nuk e ndjek këtë vepër, funksioni i konkursit ka rreshtur dhe funksioni i konkurseve të këtij lloji, mendoj unë, duhet të jetë të drejtuarit e lexuesit, pra, shërbimi nuk i kryhet vetëm autorit, por sidomos lexuesit dhe letërsisë), debate e ide, për ta formësuar këtë konkurs, që prej tij të përftohet një proces e jo thjesht një produkt dhe, duke qenë se ky universitet i ka pajisjet e nevojshme, siç janë revistat dhe gazetat, mund ta bëjë këtë proces edhe më të hapur, duke i ofruar pjesë të secilës vepër publikut letrardashës.

Sidoqoftë, mbetem me mendimin se sado dashamirëse të jenë nisma të tilla të privatëve, i takon Ministrisë së Kulturës që, ashtu siç kujdeset për turizmin kulturor, të fusë në listë edhe kujdesin për “turizmin shpirtëror” dhe shprehja “Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës” të vihet jo vetëm mbi libra, por në shumë aspekte të jetës letrare, kryesisht në sistem, që ky të vetëfunksionojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top