A e keni dëgjuar ndonjëherë shprehjen “ne përdorim vetëm 10% të trurit tonë”? Në realitet, nuk ka asnjë mënyrë për të matur përqindjen e ndërgjegjes – pjesërisht sepse truri nuk ka një vijë bazë statike.
Sidoqoftë, sot ekziston një konsensus i përgjithshëm mes neuroshkencëtarëve se shumica e proceseve të trurit janë të pandërgjegjshme. Kjo nuk do të thotë se ju nuk po e përdorni pjesën më të madhe të trurit – por se po ndodhin shumë më tepër gjëra nga sa jeni të vetëdijshëm.
Neuroshkenca njohëse moderne na ka rikthyer sërish te pikëpamja psihoanalitike e Sigmund Freud-it mbi mendjen e pandërgjegjshme. Kjo vjen pjesërisht sepse teoritë që dikur mendoheshin të pamundura për t’u testuar, po fitojnë terren shkencor.
Freud-i, në vitin 1895, tregoi se mendja e pandërgjegjshme fsheh dëshira seksuale dhe agresive, në librin e tij me kolegun Josef Breuer Studime mbi Histerinë. Ata shkruan se simptomat e shëndetit mendor, si ankthi, fobitë dhe kompulsionet, burojnë nga mendime të pandërgjegjshme të pazgjidhura.
Modeli i Freud-it (e ndërgjegjshme, para-ndërgjegjshme, e pandërgjegjshme) përputhet me kuptimin tonë të sotëm për kujtesën. Eric Kandel, fitues i çmimit Nobel, neuroshkencëtar dhe psihoanalist, thotë se ne kemi procese të kujtesës deklarative dhe jo-deklarative. Rikthimi i kujtesës deklarative është i ndërgjegjshëm, si për shembull kur përpiqeni të kujtoni sekuencën e numrave në kartën tuaj të kreditit. Kujtesa jo-deklarative përfshin rikthim automatik dhe të pandërgjegjshëm.
Gjithashtu, modeli strukturor i mendjes sipas Freud-it përputhet mjaft mirë me kuptimin tonë për njohjen (kognicionin). Freud-i propozoi se Id-i përbën pjesën primitive të psikës dhe se Superegoja (Mbi-un-i) përfaqëson ndërgjegjen tonë morale. Së fundi, Egoja juaj ndërmjetëson mes Id-it dhe Superegos. Ideja e tij për Id-in mund të jetë e barasvlershme me proceset neurale të pandërgjegjshme – megjithëse ka argumente bindëse se përpunimi i kënaqësisë në Id është gjithashtu i ndërgjegjshëm. Egoja mund të përfaqësohet gjithashtu nga metanjohja (vetëdija për proceset tuaja të mendimit), e cila lidhet me korteksin prefrontal të trurit, pikërisht prapa ballit tuaj.
Superegoja mund të pasqyrohet në sistemin limbik të trurit, i cili rregullon emocionet dhe sjelljen tuaj, si dhe ju tregon nëse diçka e ndieni mirë apo jo.
Sidoqoftë, biheviorizmi u bë dominues në vitet 1920, me psikologë si J.B. Watson, i cili në “manifestin e tij biheviorist” mbrojti pikëpamjen se vetëm sjellja e matshme duhet të merret parasysh në shkencë.
Truri i pandërgjegjshëm rikthehet
Nga vitet 1980 e tutje u bë më e qartë se marrja e vendimeve dhe sjellja e njerëzve mund të ndikoheshin pa vetëdijen e tyre.
Më vonë, përmes eksperimenteve të neuroshkencës dhe skanerëve të trurit, siç tregova unë dhe ekipi im në dy meta-analiza, u bë e qartë sesi kujtesa e pandërgjegjshme ashtu edhe ajo e ndërgjegjshme luajnë një rol në proceset e trurit. Për shembull, neuroshkencëtarët mund t’u tregojnë pjesëmarrësve në studim shkrepje të fshehura “subliminale” të fytyrave të lumtura ose të tmerruara, dhe personi nuk do të ketë asnjë kujtim të ndërgjegjshëm të fytyrave. Por amigdala e tyre (rajoni i zgjimit dhe emocioneve në tru) do të shfaqë aktivizim të rritur, çka mund të ndikojë në marrjen e vendimeve të njerëzve.
Psikologu Daniel Kahneman, në librin e tij të vitit 2011 Të menduarit, e shpejtë dhe të ngadaltë, u mbështet mbi disa nga idetë e Freud-it për proceset parësore dhe dytësore. Ai propozoi se ne kemi dy mënyra të menduari, ku Sistemi 1 është një proces i shpejtë, impulsiv dhe kryesisht i pandërgjegjshëm, ndërsa Sistemi 2 është një proces i ngadaltë që kërkon përpjekje. Procesi dytësor rezervohet për rastet kur ju duhet t’i kushtoni vëmendje diçkaje të re, të rrezikshme ose të pasigurt.
Ka aq shumë gjëra që ndodhin nën sipërfaqen e ndërgjegjes suaj.
Çfarë mund na tregojë neuroshkenca për mendjen e pandërgjegjshme
Funksionet thelbësore, si rrahjet e zemrës, temperatura e trupit, rregullimi i urisë dhe etjes, janë me rrënjë të pandërgjegjshme. Po ashtu, strategjitë e përballimit për të pakësuar ndjenjat e dhimbshme, të mësuara në fëmijërinë e hershme, nuk janë domosdoshmërisht të ndërgjegjshme. Amnezia foshnjore ndodh deri në moshën tre vjeç, por këto përvoja mbeten në trurin tonë të pandërgjegjshëm për gjithë jetën. Megjithatë, disa aspekte të proceseve të pandërgjegjshme mund të mbarten në vetëdije të ndërgjegjshme përmes terapisë me bisedë.
Teori të tjera rreth mënyrës sesi ndërveprojnë zonat e ndërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme të trurit vijnë nga dy ide prominente: Teoria e Hapësirës Globale të Punës (GWT) dhe Teoria e Informacionit të Integruar (IIT).
GWT propozon se mendja është si një skenë teatri, ku agjentët e pandërgjegjshëm janë të zënë prapa skenës për t’u siguruar që “drita e ndërgjegjshme” në skenë të jetë në vendin e duhur.
IIT sugjeron se ka shkallëzime të ndërgjegjes. Shkalla dhe ndërlikueshmëria e integrimit midis rajoneve të trurit përcakton se “sa” ndërgjegje (“phi”) ka një organizëm. Kështu, për shembull, një njeri me një rrjet të ndërlikuar rajonesh të trurit ka më shumë “phi” se, ta zëmë, një krijesë deti me shumë më pak lidhje. Sidoqoftë, problemi me këtë teori është sesi të vërtetohet “sasia” e ndërgjegjes që kanë lloje të ndryshme.
Themeluesi i neuropsihoanalizës Mark Solms – së bashku me neuroshkencëtarin dhe psihoanalistin Karl Friston – në vitin 2010 udhëhoqën një teori të re që integron idenë se aktiviteti i pandërgjegjshëm është forca kryesore që ndikon në marrjen e vendimeve tona të ndërgjegjshme. Sipas pikëpamjes sime, është modeli më i mirë që kemi aktualisht.
Kjo teori – e quajtur Parimi i Energjisë së Lirë (FEP) – sugjeron se roli kryesor i trurit është të parashikojë se çfarë do t’ju mbajë gjallë dhe të ndiheni mirë, brenda kufijve të parashikueshëm në të cilët kemi evoluar për të mbijetuar. Shumicën e kohës ne e bëjmë këtë në mënyrë të pandërgjegjshme, me një model të brendshëm të botës, si dhe me faqe të tëra kujtimesh nga rregullorja jonë evolucionare.
Por kur ndodh diçka e pasigurt ose e papritur, kjo është si një energji e lirë në tru që nuk është e lidhur me një parashikim. Kjo bën që truri ynë të bëhet ultra-i ndërgjegjshëm për një periudhë të shkurtër kohe për të krijuar një parashikim të ri që lidh mendimet tona, çka i kushton trurit shumë energji. Siç deklaroi Kahneman, ne ndonjëherë kemi nevojë që truri ynë i ndërgjegjshëm të na ndihmojë të marrim vendime më të vështira, kur ka shumë të panjohura.
Së fundmi, kërkimet mbi ndërgjegjen kanë filluar të largohen tërësisht nga njerëzit. Solms-i ka argumentuar se është e mundur t’i jepet ndërgjegje Inteligjencës Artificiale (IA). Nëse del se ai ka të drejtë, atëherë sipas vetë punës së tij, proceset e pandërgjegjshme të entiteteve të IA-së do të trajtësohen nga ndërveprimet e tyre me ne.
Përktheu: Arlinda Guma
Marrë nga: The Conversation