Puna që bën, njeriu që je/Toni Morrison

in A(rt)ktivizëm/Esé by

Kënaqësia e të qenit e nevojshme për prindërit e mi ishte e thellë. Unë nuk isha si fëmijët në përralla: kisha gojë që duheshin ushqyer e që rëndonin mbi kurriz.

Toni Morrison

Gjithçka që më duhej të bëja për ata dy dollarë ishte të pastroja shtëpinë e Saj për pak orë pas shkollës. Ishte një shtëpi e bukur madje, me divanë dhe karrige të mbuluara me plastikë, me tapet blu me të bardhë që mbulonte dyshemenë nga njëra qoshe te tjetra, me një sobë të bardhë të lëmuar, me një makinë larëse dhe një tharëse rrobash – gjëra që ishin të zakonshme në lagjen e Saj, por që mungonin në timen. Në mes të luftës, Ajo kishte gjalpë, sheqer, biftekë dhe çorape me tegel mbrapa.
Unë dija si t’i fërkoja dyshemetë e mbështetur mbi gjunjë dhe si t’i laja rrobat në magjen tonë prej zinku, por nuk kisha parë kurrë fshesë me korrent Hoover apo një hekur që nuk nxehej me zjarr.
Një pjesë e krenarisë sime për faktin që punoja për vinte nga fitimi i parave që mund t’i prishja si të dëshiroja: në kinema, karamele, topa me shkop, lojëra me guralecë (xhaçka), apo kaushët e akullores. Por një pjesë më e madhe e krenarisë sime bazohej në faktin se gjysmën e pagës ia jepja nënes sime, gjë që nënkuptonte se disa nga fitimet e mia përdoreshin për gjëra të vërteta – pagesën e një police sigurimi ose për ato që i detyroheshim qumështshitësit apo shitësit të akullit. Kënaqësia e të qenit e nevojshme për prindërit e mi ishte e thellë. Unë nuk isha si fëmijët në përralla: kisha gojë që duheshin ushqyer e që rëndonin mbi kurriz, telashe që duheshin ndrequr, probleme aq të rënda për t’i degdisur pyjeve. Kisha një status që punët e përditshme brenda shtëpisë sime nuk ma jepnin – dhe kjo më dhuronte një buzëqeshje të lehtë, një miratim me kokë nga një i rritur. Konfirmime se isha si të rriturit, jo fëminore.
Në ato kohë, në vitet dyzetë, fëmijët nuk ishin thjesht të dashur apo të pëlqyer; ata ishin të nevojshëm. Ata mund të fitonin pará; mund të kujdeseshin për fëmijët më të vegjël se veten; mund të punonin në fermë, të kujdeseshin për tufën, të kryenin porosi e shumë gjëra të tjera. Kam përshtypjen se fëmijët nuk janë më të nevojshëm në atë mënyrë sot. Ata i duan, i llastojnë, i mbrojnë dhe i ndihmojnë. Mirë, e megjithatë…
Pak nga pak, u bëra më e zonja në pastrimin e shtëpisë së Saj – aq e mirë sa për të më dhënë më shumë punë, shumë më tepër. Më urdhëruan të ngjitja raftet e librave lart në katin e dytë dhe, një herë, të zhvendosja një piano nga njëra anë e dhomës në tjetrën. U rrëzova duke mbajtur raftet e librave. Dhe pasi shtyva pianon, krahët dhe këmbët më dhimbnin aq shumë. Doja të refuzoja, ose të paktën të ankohesha, por kisha frikë se Ajo do të më pushonte nga puna dhe unë do ta humbisja lirinë që më jepte dollari, si dhe statusin që kisha në shtëpi – ndonëse të dyja po zbeheshin ngadalë. Ajo filloi të më ofronte rrobat e saj, kundrejt një çmimi. E magjepsur nga këto gjëra të përdorura, që dukeshin thjesht të mrekullueshme për një vajzë të vogël që kishte vetëm dy fustane për të veshur në shkollë, bleva disa. Derisa nëna ime më pyeti nëse vërtet dëshiroja të punoja për rroba të hedhura. Kështu mësova të thosha “Jo, faleminderit” për një triko të zbardhur që më ofrohej për një të katërtën e pagës së javës.
Sidoqoftë, e kisha të vështirë ta gjeja guximin për të diskutuar ose për të kundërshtuar kërkesat gjithnjë e më të mëdha që Ajo më drejtonte. Dhe e dija se po t’i tregoja nënës sime se sa e pakënaqur isha, ajo do të më thoshte ta lija atë punë. Pastaj një ditë, vetëm në kuzhinë me tim atë, më shpëtuan disa ankesa për punën. I dhashë detaje, shembuj të asaj që më shqetësonte, por ndonëse ai më dëgjoi me vëmendje, nuk pashë asnjë keqardhje në sytë e tij. Asnjë “Oh, e shkreta ti”. Ndoshta ai e kuptoi se ajo që unë dëshiroja ishte një zgjidhje për punën, jo një arratisje prej saj. Sidoqoftë, ai e uli filxhanin e kafesë dhe tha: “Dëgjo. Ti nuk jeton atje. Ti jeton këtu. Me njerëzit e tu. Shko në punë. Merr paratë. Dhe eja në shtëpi.”
Kjo ishte ajo që më tha. Dhe kjo ishte ajo që unë dëgjova:

Sido që të jetë puna, bëje mirë – jo për shefin, por për veten tënde.

Je ti që e bën punën; nuk të bën puna ty.

Jeta jote e vërtetë është me ne, me familjen tënde.

Ti nuk je puna që bën; ti je njeriu që je.

Që nga ajo kohë kam punuar për gjithfarë njerëzish, gjeninj dhe budallenj, mendjehollë dhe të trashë, zemërgjerë dhe shpirtngushtë. Kam patur shumë lloje punësh, por që nga ajo bisedë me tim atë, kurrë nuk e kam konsideruar nivelin e punës si matës të vetvetes dhe kurrë nuk e kam vënë sigurinë e një pune mbi vlerën e shtëpisë.

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga The New Yorker

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top