Abazhurët e luleshtrydheve-Arben Velo  

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Abazhurët e luleshtrydheve-Arben Velo
 

Në vendlindje,
këtë mbrëmje vere,
serrat ngjajnë
si libra të hapur mbi tokë.
Unë si abazhurë ndez luleshtrydhet
t’i lexoj
së bashku me zogjtë.
 
Më sjellin erën e bojës
së klasës së parë,
kur abetarja hapej
mbi bankën prej druri
dhe gishtat e mi kërkonin me ngadalë
germat e para
të botës së burrit.
 
Shfletoj serrat
dhe më mbeten ndër gishta
gjurmët e bletëve,
shkronja prej nektari.
Sa do të doja ta ndërroja veten
me marinat e mbushura
me flakëza malli,
 
Të ndriçoja netët
ku kërkoj miqtë e shokët,
mërmërimat e tokës
si fëmijë të ikur nga shtëpia
dhe me kallamat e gjoleve,
më të paudhë se unë,
të shkruaja mbi Vjosë
çmenduritë e mia.
 
Vjosa i mori të gjitha me vete:
zërat, çmenduritë e fëmijëve,
larg brigjeve.
Mbrëmjeve ndonjëherë
kthen vetëm jehonat,
si zogj që kanë harruar
foletë e lindjeve.
 
I dërsitur heq kanatieren e erërave
dhe e var
si një qeshje mbi ullinj.
Njerëz, zogj,
– i ndeza si abazhurë luleshtrydhet
dhe serat
 si faqe librash farfurijnë.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top