Si u bëra një Socialist Subaru

in Esé/Në kohërat e kolerës by

Jay Caspian Kang

(Kjo është pjesë e një prej artikujve rreth të rinjve dhe ekonomisë.)

Gjatë javëve të fundit, kam dëgjuar nga shumë lexues, të cilët kanë ca teori rreth “Socialistëve Subaru”, termi që përdora në një shkrim të fundit për t’iu referuar brezit millennial, liberalë, me arsim të lartë dhe të shtresës së mesme.
Disa nga kritikët e këtij grupi fajësojnë universitetet për promovimin e politikave të së majtës dhe nxitjen e një shqetësimi të tepruar për njerëzit që po mundohen të mbijetojnë; lexuesit më simpatizues ia japin meritën punës së organizimit komunitar dhe aktivizmit për gjenerimin e po këtyre gjërave.
Leximi i këtyre reagineve më ka shtyrë që të marr në konsideratë një nëngrup të Socialistëve Subaru: profesionistë në të tridhjetat dhe të dyzetat e tyre, të cilëti në thelb tani po ia dalin mirë financiarisht dhe madje mund t’i përkasin shtresës së mesme të lartë. Dikur ishte klishe që idealizmi rinor në fund ia lëshonte rrugën konservatorizmit fiskal (dhe të menduarit shumë më tepër nga sa e prisnit rreth taksave të tua). Si u devijua ky grup nga ajo trajektore që dikur dukej e patjetërsueshme?
Pak vetëreflektim mund të jetë me vend. Si shumë nga lloji im i Socialistëve Subaru, hyra në borxhe për një diplomë Masteri, e cila mund të quhet e padobishme – një Master për Arte të Bukura në letërsi artistike, nga Columbia. Pasi e përfundova atë diplomë, kalova disa vite duke u refuzuar nga pothuajse çdo shtëpi botuese dhe revistë që ekziston. Kur ndodhi Kriza e Madhe Ekonomike, isha njëzet e tetë vjeç dhe humba punën si mësues në një shkollë private, gjë që çoi në një periudhë të zgjatur në asistencë papunësie. E gjithë kjo m’u duk e keqe, por në të vërtetë nuk e kanalizova në politikat e së majtës derisa Bernie Sanders-i filloi të shfaqej në skenat e fushatës, në vitin 2015. Deri atëherë, i kisha larë borxhet e studimeve, kisha blerë një shtëpi dhe po fitoja mjaftueshëm para si shkrimtar saqë nuk kisha më nevojë të kontrolloja ethshëm gjendjen time bankare apo të shqetësohesha shumë për blerjen e një bilete avioni apo pjesësh të reja për makinën.
Ndërsa kam menduar më shumë për të tjerët si unë – njerëz të rehatuar në të dyzetat e tyre, të cilët megjithatë janë mjaftueshëm të frustruar me kapitalizmin dhe strukturën e Partisë Demokratike sa për të votuar për pothuajse çdo kandidat rebel që iu del përpara – jam pyetur pse fillova të mendoja me seriozitet për kujdesin shëndetësor universal, rishpërndarjen e pasurisë dhe zgjerimin e sektorit publik në çastin e saktë kur nuk kisha më nevojë reale për to. Një përgjigje e dukshme do të ishte se është e vështirë të mendosh shumë për politikën kur po mundohesh ta mbash me ngulm llogarinë tënde bankare mbi pesëqind dollarë. Por kjo nuk më duket bindëse, edhe kur gjërat ishin keq, nuk isha tërësisht i rrënuar dhe përsëri i lexoja lajmet. Gjithashtu nuk mund të justifikohem me injorancë: kisha një fazë marksiste në fakultet dhe i kalova të njëzetat e mia të hershme duke folur me seriozitet për revolucionet dhe për proletariatin. Por ato bindje ishin abstrakte, megjithëse të sinqerta, dhe hamendësoj se mbetën të tilla derisa erdhi Sanders-i.
Çfarë – ose, më saktë, kush – e bashkoi komunizmin tim rinor dhe politikat populiste më të buta të të tridhjetave dhe të dyzetave të mia? Barack Obama. E mbaj mend entuziazmin që ndjeva pas fitores së Obama-s në vitin 2008, jo siç kujtohet një çast në histori që të mbyll në një kohë dhe me një gjeneratë, por më shumë si diçka që më ndodhi mua personalisht, si shënimi i një koshi në sekondën e fundit në një lojë basketbolli ose dalja në një takim të parë. Derisa u shfaq realiteti i plotë i krizës financiare dhe pasojat e saj, Obama dhe shpresa e tij e madhe për progres shumëetnik i mbajtën pezull pyetjet e mia rinore mbi pabarazinë e pasurisë dhe krimet e Wall Street-it. Besoja, ashtu si shumë prej nesh, se të gjithë ne thjesht do të ngriheshim drejt një ere begatie dhe harmonie racore. Deri në kohën kur erdhi Sanders-i, ajo shpresë e turbullt ishte kthyer në pakënaqësi. Nuk doja të kisha asnjë lidhje me politikat korporative neoliberale antiraciste – gjatë kësaj kohe u mësova t’i bashkoja terma të tillë – edhe nëse e kuptoja se ato ndoshta ishin të mirë për mua dhe karrierën time, ndoshta më shumë se politikat e taksave që favorizonin shtresën e mesme të lartë.
Duhet të shtoj se nuk mendoj se Presidenca e Obama-s ishte një dështim i madh; as nuk besoj se Obama tradhtoi miliona ndjekësit që, pasi e panë të ngjitej në skenën e Konventës Kombëtare Demokratike në vitin 2004 dhe të mbante fjalimin e tij si “djaloshi i dobët me një emër të çuditshëm”, e trajtuan si një shenjtor. Por menazhimi që ai i bëri i krizës financiare përfundimisht na detyroi shumë prej nesh të pranonim se ëndrra e lehtë kishte mbaruar dhe se ai nuk e kishte përmbushur atë që pritej. Nevojitej një alternativë, një e tillë që ndihej e lidhur si me një personalitet, ashtu edhe me një ide. Nuk e dinim saktësisht se cila mund të ishte ajo alternativë – madje edhe kur Sanders-i po merrte hov pas fitores së tij tronditëse në zgjedhjet paraprake të Michigan-it – por e dinim menjëherë se kush nuk ishte: Hillary Clinton-i.
Socializmi Subaru u rrit, pjesërisht, nga kriza e vitit 2008, zhgënjimi i mëvonshëm me Obama-n dhe refuzimi i Clinton-it e i garës së saj me vetëkënaqësi e pa mikpritje për Presidencën. Por pse mori formën që mori? Pse kjo prirje socialiste? A nuk mund të çonin të njëjtët faktorë në një politikë më centriste, të fokusuar në refuzimin e Donald Trump-it dhe në kremtimin e tregjeve të lira që mund të ngrinin emigrantët e rinj në një shtresë të mesme të fortë?
Ka arsye të shumta. Njëra është personaliteti kulturor dhe me peshë politike i Sanders-it. Gjithashtu, politika jonë ndonjëherë mbetet prapa realitetit tonë ekonomik. Fushata e parë e Sanders-it më bëri të kuptoja se me të vërtetë u dëmtova pak me borxhet e studimeve dhe se gjërat ndoshta nuk duhej të kishin qenë kaq të vështira. Ndjeva një zemërim në retrospektivë ndaj universitetit Columbia sepse ai ofronte një program që u merrte njerëzve pesëdhjetë mijë dollarë në vit, nuk garantonte absolutisht asgjë në këmbim dhe dukej i pashqetësuar për borxhet që po akumulonin shumë nga studentët e tij. Miq të mi nga ai program nuk e rimorën veten kurrë financiarisht. Gjithashtu arrita të vlerësoja rrjetin e sigurisë të ofruar nga përfitimet e papunësisë në Kaliforni, të cilat më shtynë të kuptoja se çfarë mund të bëja më tej – kriza e vitit 2008 nuk më dënoi me dëbim nga shtëpia dhe me fillim nga e para te prindërit e mi (edhe pse në fund përfundova atje për një kohë të shkurtër).
Më shumë se çdo gjë tjetër, megjithatë, u ndjeva i frymëzuar nga mesazhi universalist i Sanders-it dhe nga refuzimi i tij për të marrë pjesë në betejat e përçarëse me bazë identiteti, për të cilat kisha dyshuar prej kohësh se shërbenin vetëm si një lloj pakete promocionale për karrierat e politikanëve, akademikëve dhe punonjësve të korporatave. Kjo ishte pjesë e zhgënjimit edhe me Obama-n – të kuptuarit se edhe nëse më shumë “njerëz me ngjyrë” do të ngjiteshin në shkallët korporative dhe politike, thjesht ne do të përfundonim me një klasë sunduese pak më të larmishme.
Ndonjëherë, politika nuk zë rrënjë në kulmin e vuajtjes, por vite më vonë, kur ankthi ka kaluar dhe dikush mund të shpjegojë pse duhej të ishte ashtu. M’u deshën disa vite për t’u bërë plotësisht pjesë e së majtës. Shpresa që Obama frymëzoi tek unë vdiq disi më ngadalë nga sa mund të pritej, në masë jo të vogël sepse unë jam pjesë e një pakice dhe për këtë arsye veçanërisht i lidhur me idenë e një Amerike të begatë dhe pas-racore. Kur linda fëmijët, megjithatë, e gjeta veten duke u zhvendosur më tej drejt një mbështetjeje të gjerë e të turbullt për çdo gjë gjysmësocialiste. Unë dhe gruaja ime mund ta përballonim kujdesin për fëmijët, por mund të shikonim gjithashtu se sa pak do të duhej të ndryshonte për ta bërë atë të pamundur. Dhe gjatë Presidencës së parë të Trump-it u bë mjaft e dukshme për mua se megjithëse isha më i suksesshëm si shkrimtar nga sa mund ta kisha përfytyruar, ndonjëherë gjatë ditëve të mia të papunësisë dhe refuzimit, puna ishte më e pasigurt dhe më pak e qëndrueshme nga sa do të kishte qenë jo shumë kohë më parë.
Mund të thuash të njëjtën gjë për shumë punë, në veçanti për ato në fushat ku ka gjasa të gjesh shumë socialistë subaru: në akademi, arte, në industrinë e argëtimit, madje edhe në reklama. Të gjitha këto fusha priren të kërkojnë mjaft arsim dhe kanë shumë më pak stabilitet nga sa kishin dikur. Dhe njerëzit në to kanë bërë shumë për të formësuar mendimin e bashkëmoshatarëve të tyre. Will Menaker-i, një nga drejtuesit e podcast-it me ndikim të së majtës “Chapo Trap House”, është djali i Daniel Menaker-it, redaktor i vjetër i letërsisë artistike në këtë revistë, i cili më vonë u bë kryeredaktor ekzekutiv i Random House-it. Will-i bëri një përpjekje në industrinë e babait të tij përpara se të bëhej një nga zërat më thumbues dhe therë i të ashtuquajturit lëvizjes “Bernie Bro“. Përvoja e tij është specifike dhe, siç e pranon lirisht ai vetë, tejet e privilegjuar, por është gjithashtu edhe shembullore deri në njëfarë mase. Kam dëgjuar pothuajse çdo episod të “Chapo Trap House” kur doli për herë të parë dhe më kujtohet se ndihesha si i distancuar nga prejardhja elitare kulturore e shkollës private të Menaker-it, po ashtu edhe pakëz i lidhur me të – sepse ai dhe unë po shikonim më shumë a më pak të njëjtën gjë.
Menaker-i më tha se ai dhe bashkë-drejtuesit e tij nuk kishin për qëllim të personifikonin zemërimin e të rinjve të shtresës së mesme me trajektore drejt rënies sociale, megjithëse në fund gjërat rrodhën ashtu. Kjo ka kuptim; asnjë podcast apo transmetim direkt – të paktën asnjë që është shumë i mirë – nuk ka nisur me një synim politik kaq të qartë. Por emisioni i tyre, si emisionet radiofonike të së shkuarës, ofroi një zë të afërt dhe konstant që i bënte dëgjueit ta shikonin veten pak më qartë. Një nga dinamikat kyçe të lëvizjes Bernie Bro ishte se, megjithëse fliste për klasën punëtore, ai u tregoi gjithashtu klasave dikur të privilegjuara sesi të proletarizoheshin, pjesërisht duke bërë një pyetje të thjeshtë: Nëse është kaq e keqe për ne, sa keq duhet të jetë për të tjerët?
Mund ta shohësh të gjithë këtë dhe të nxjerrësh përfundimin se socialistët subaru si unë janë mendjemëdhenj, joseriozë dhe tërësisht pa aftësi për të ngjallur empati. Tekefundit, askush nuk më detyroi të shkoja në një program të shtrenjtë pasuniversitar – në Columbia, nga të gjitha vendet – dhe mund të duket madje si mosmirënjohje të studiosh në një nga institucionet më prestigjioze në planet e më pas të zemërohesh kur ai nuk sjell atë që dukej se premtonte (veçanërisht në rastin tim, pasi në thelb e bëri). Askush nuk ka të drejtë të ketë punën e tij të ëndrrave. Por së bashku me zhgënjimet më personale erdhi edhe të kuptuarit se industria ku shpresoja të hyja mund të mos bëhej kurrëmë e shëndetshme dhe se kjo ishte e vërtetë edhe në ato fusha të tjera, si dhe në shumë të tjera përveç tyre. Kjo më detyroi të mendoja për vajzën time dhe se për çfarë mbrojtjeje do të kishte nevojë ajo nëse, mos e dhëntë Zoti, do të vendoste të bëhej shkrimtare si i ati. A do të kishte kujdes shëndetësor? A do të mund ta përballonte ndonjëherë blerjen e një shtëpie? Sa pasuri do të përvetësohej nga oligarkia teknologjike dhe sa larg do të ishte ajo – me gjithë rritjen e saj e privilegjuar sipas çdo standardi – nga fitimi i disave prej atyre parave? Sa afër do të ishte ajo për të përfunduar në një gjendje shumë më të keqe se prindërit e saj?
Këto janë politikat e mia të interesit vetjak dhe arsyet pse e majta vazhdon të ketë kuptim për mua, madje edhe ndërsa rehatohem mjaft mirë në shtresën e mesme të lartë. Fëmijët e socialistëve Subaru thuajse me siguri do ta kenë punën më keq se prindërit e tyre. Pavarësisht se çfarë rruge të privilegjuar dhe ndoshta kontradiktore ke ndjekur për të arritur në këtë përfundim, pasi e sheh këtë, nuk mund ta largosh më shikimin.

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga The New Yorker

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top