TOSKA-ISABEL ALLENDE

in Letërsi/Përkthim by

 TOSKA – ISABEL ALLENDE

(Kili, 1942)

I ati e uli në piano qysh kur ishte pesë vjeçe dhe, kur Mauricia Ruxhieri mbushi dhjetë, e veshur me një fustan prej pëlhure të hollë pambuku, ngjyrë trëndafili dhe me këpucë me qafa, lustrafine, dha recitalin e parë në Klubin Garibaldi, para një publiku dashamirë, në shumicën e vet i përbërë nga anëtarë të kolonisë italiane. Me të mbaruar shfaqja vendosën tufa me lule të ndryshme te këmbët e saj, ndërsa presidenti i klubit i dorëzoi një medaljon dhe një kukull prej balte, të stolisur me kordele dhe dantella.
– Të përshëndesim, Mauricia Ruxhieri, si një gjeni i parakohshëm, si një Mozart i ri. Të presin skenat e mëdha të botës, – deklamoi ai.
Vajza e vogël priti që të pushonin duartrokitjet dhe, përmbi të qarën krenare të mamasë së vet, me një kryelartësi të papritur, ngriti zërin e saj.
– Është hera e fundit që po luaj në piano. Ajo që dua unë është të bëhem këngëtare, – shpalli ajo dhe doli nga salla, duke hequr zvarrë kukullën, që e kishte kapur nga njëra këmbë.
Me ta marrë veten nga ky turp i madh, i ati e regjistroi të bijën në klasën e kantos, me një mësues të ashpër, i cili, për çdo notë fals, e godiste në duar, gjë që nuk arriti t’ia vriste dot vajzës entuziazmin për operën. Megjithatë, nga fundi i adoleshencës u pa që kishte një zë si prej zogu, që mezi mjaftonte për të nanuritur një foshnjë në djep, kështu që iu desh të hiqte dorë nga pretendimi për soprano dhe të synonte për një gjë më të rëndomtë. Në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçe u martua me Ecio Longon, emigrant nga gjenerata e parë e vendit, arkitekt pa titull dhe konstruktor në punë, i cili kishte ëndërruar të themelonte një perandori çimentoje dhe çeliku, gjë që ia arriti në tridhjetë e pesë vjetët e tij.
Ecio Longo ra në dashuri me Mauricia Ruxhierin me po atë forcë që shpenzoi për ta mbytur kryeqytetin me pallatet e veta. Kishte një trup të shkurtër, kockëfortë, një qafë prej kali karroce dhe një fytyrë energjike e disi të egër, ca buzë të trasha dhe sy të zinj. Për shkak të punës detyrohej të vishej me rroba dosido dhe, ngaqë rrinte shumë në diell, lëkurën e kishte të nxirë dhe me rrudha, kryq e tërthor, si lëkurë e regjur. Kishte një karakter prej babaxhani dhe ishte bujar, qeshte me lehtësi, i pëlqente muzika popullore dhe ushqimi i bollshëm e pa shumë salltanete. Poshtë asaj pamjeje disi vulgare fshihej një shpirt i pastër dhe një dobësi që nuk dinte të shprehej me gjeste apo me fjalë. Nganjëherë, sa kundronte Maurician, i mbusheshin sytë me lot dhe gjoksin ia shtypte një ëmbëlsi, të cilën ai, i skuqur prej turpit, e fshihte aty për aty. E kishte të pamundur t’ia shprehte asaj ndjenjat e veta dhe besonte se, duke e mbuluar me dhurata e duke duruar me stoicizëm ndryshimet e çuditshme të humorit dhe vuajtjeve imagjinare të saj, do të kompensonte mangësitë e repertorit të dashnorit. Ajo shkaktonte një dëshirë të pakundërshtueshme tek ai, dëshirë që përtërihej çdo ditë me afshin e takimeve të para, e përqafonte i pezmatuar, duke u përpjekur të shmangte hendekun midis tyre, veç gjithë pasioni i tij shpërthente kundër nazeve të Mauricias, imagjinata e së cilës ushqehej me ethet e leximeve romantike dhe disqet e Verdit e Puçinit. Ecio flinte i dërrmuar nga lodhja e ditës, i trazuar nga ëndrrat e liga me mure të shtrembër dhe shkallë të përdredhura, dhe, sa gdhihej, zgjohej e ulej mbi shtrat për të parë gruan e vet që flinte; e kundronte me aq vëmendje sa pothuaj mësoi të lexonte edhe ëndrrat e saj. Do jepte edhe jetën që ajo t’i përgjigjej ndjenjave të tij me të njëjtën forcë. Ndërtoi për të një shtëpi madhështore, të mbështetur mbi kolona, ku përzierja e stileve dhe bollëku i zbukurimeve shastisnin shqisën e orientimit dhe ku katër shërbyes punonin pa pushim vetëm për t’i bërë të shkëlqenin broncet, për t’i mbajtur dritë katet, për të pastruar globet e qelqta të llambave, për të fshirë e bërë paq mobiliet me këmbë të praruara dhe sixhadetë false persiane, të ardhura nga Spanja. Në kopshtin e shtëpisë kishte një amfiteatër të vogël, me altoparlantë dhe drita skenari të madh, ku, zakonisht, Mauricia Ruxhieri këndonte për të ftuarit e saj. Ecio, as në çastin e vdekjes, nuk do të kishte pranuar se qenkësh i paaftë për t’i vlerësuar ato ligjërime dridhëse prej zogu, jo vetëm për të mos nxjerrë në pah gropat e kulturës së vet, por, mbi të gjitha, për respekt të prirjeve artistike të së shoqes. Ishte një njeri optimist dhe i sigurt në vetvete, po kur Mauricia, duke qarë, dha lajmin se ishte shtatzënë, atij i erdhi një goditje e pakontrolluar shqetësimi, ndjeu se po i çahej zemra si një pjepër, ngaqë, në fushën e lotëve, nuk kishte aq vend për gjithë atë gëzim. I shkoi në mendje se ndonjë katastrofë e beftë do ta shembte parajsën e tij të brishtë dhe u vu në gatishmëri për ta mbrojtur ndaj çdo ndërhyrjeje. Dhe katastrofa qe një student mjekësie, me të cilin Mauricia u takua rastësisht në një tramvaj. Kjo ndodhi pasi kishte lindur djali – një krijesë aq e fuqishme sa edhe i ati, që dukej e imunizuar nga çdo e keqe, madje edhe nga syri i keq – dhe, kur së ëmës i kishte ardhur në formë beli. Gjatë rrugës për në qendër të qytetit, studenti qe ulur pranë Mauricias; ishte një i ri hollak dhe i zbehtë, me profilin e një statuje romake. Ishte duke lexuar partiturën e Toskas dhe duke vërshëllyer nëpër dhëmbë një arie të aktit të fundit. Ajo ndjeu sikur i gjithë dielli i mesditës po i përshkëndiste mollëzat e faqeve dhe djersa po nxitonte t’i lagte bluzën. Nuk e përmbajti dot veten dhe nisi t’i këndojë nën zë fjalët e fatziut Mario, i cili përshëndeste agimin, para se toga e pushkatimit t’u jepte fund ditëve të tij. Kësisoj, midis dy rreshtave të partiturës, filloi romanca e tyre. Djaloshi quhej Leonardo Gomes dhe ishte po aq i dhënë pas këngës së bukur sa edhe Mauricia.
Gjatë muajve në vazhdim studenti mori titullin e mjekut, ndërsa ajo i përjetoi një për një të gjitha tragjeditë e operës si dhe disa nga ato të letërsisë universale; atë e lënduan, me radhë: don Hoseja, tuberkulozi, një varr egjiptian, një kamë dhe helmi; dashuroi duke kënduar në italisht, frëngjisht dhe gjermanisht; u bë Aida, Karmen dhe Lusia e Lamermurit; dhe në çdo rast Leonardo Gomes ishte objekti i pasionit të saj të pavdekshëm. Në jetën reale ndanë së bashku një dashuri të dëlirë, të cilën ajo dëshironte ta përjetonte fort, pa guxuar të kridhej në të, ndërsa ai luftonte me zemrën e vet për të respektuar faktin që Mauricia ishte e martuar. Takoheshin në vende publike dhe ndonjëherë, në zona të errëta të ndonjë parku, kapeshin për dore; shkëmbenin shënime të firmosura me emrin Toska dhe Mario, dhe ku, natyrisht, me Skarpia kuptohej Ecio Longo, i cili ishte shumë i kënaqur për të birin, për gruan e tij të bukur dhe për gjithë të mirat që i kishin rënë nga qielli, që gjithashtu punonte aq shumë që t’i falte familjes së tij sigurinë e mundshme, dhe se, po të mos kishte qenë një fqinj, i cili erdhi e i tregoi se e shoqja po shëtiste shumë në tramvaj, ndoshta kurrë nuk do ta kishte marrë vesh se ç’po ndodhte pas shpinës së tij.
Ecio Longo ishte përgatitur për t’u përballur me mundësinë e një falimentimi të biznesit të vet, me ndonjë sëmundjeje e madje edhe me ndonjë aksident të të birit, siç përfytyronte në çastet e tij më të këqija prej tmerri besëtytnor, ama kurrë nuk i kishte shkuar nëpër mend se një student tejet i sjellshëm mund t’ia rrëmbente gruan, mu para hundës. Kur e mori vesh, qe gati t’ia plaste një të qeshure, sepse, ndër gjithë fatkeqësitë, ajo i dukej më thjeshta për t’u zgjidhur, por, pas asaj ndjesisë së parë, një tërbim i papërmbajtshëm ia përmbysi stomakun. E ndoqi Maurician deri te një ëmbëltore e thjeshtë, ku u befasua, kur e pa tek pinte një çokollatë të ngrohtë me të dashurin e saj. Nuk lypi sqarime. E mbërtheu prej rreckash rivalin e vet, e ngriti peshë në ajër dhe e hodhi tutje, duke e përplasur për muri, mes një zhurmërimi porcelanesh të thyera dhe ulërima klientësh. Pastaj e zuri për krahu bashkëshorten dhe e çoi deri te makina, një nga Mercedes Bencat e fundit të importuar në vend, përpara se Lufta e Dytë Botërore t’i prishte marrëdhëniet tregtare me Gjermaninë. E mbylli në shtëpi dhe vuri dy nga muratorët e firmës së vet që të ruanin te porta. Mauricia kaloi dy ditë duke qarë në shtrat dhe as foli e as vuri ushqim në gojë. Ndërkaq Ecio Longo kishte pasur kohë që të shestohej dhe tërbimi i ishte shndërruar në një zhgënjim të shurdhët, i cili i solli ndërmend braktisjen gjatë fëmijërisë, varfërinë e rinisë, vetminë e jetës së tij dhe gjithë atë urinë e pashuar për dashuri, që e kishte përndjekur derisa njohu Mauricia Ruxhierin dhe kishte besuar se kishte shtënë në dorë një perëndeshë. Ditën e tretë nuk duroi dot më dhe hyri në dhomën e të shoqes.
– Për hir të birit tonë, Mauricia, duhet t’i fshish nga mendja ato fantazi. Unë e di që nuk jam shumë romantik, por nëse ti më ndihmon, mund të ndryshoj. Unë nuk jam nga ata burra që mund t’i durojnë brirët, veç të dua aq shumë saqë s’të humbas dot. Por, po ma dhe mundësinë, do të të bëj të lumtur, të betohem.
Por e gjithë përgjigja e asaj qe, të kthehej nga muri dhe të vazhdonte pa ngrënë edhe dy ditë të tjera. I shoqi u kthye sërish.
– Do të doja të dija çfarë dreqin të mungon në këtë botë, se kushedi, mbase mund të ta jap, – i tha, i pikëlluar.
– Më mungon Leonardoja. Pa të do të vdes.
– Në rregull. Mund të ikësh me atë palaço po deshe, ama nuk do ta shohësh kurrë më me sy birin tonë.
Ajo bëri gati valixhet, veshi një fustan mëndafshi, vuri një kapelë me një tyl dhe thirri një makinë me qira. Para se të ikte, e puthi fëmijën e përlotur dhe i pëshpëriti në vesh, se shumë shpejt do të kthehej ta merrte. Ecio Longo – i cili kishte humbur gjashtë kile dhe gjysmën e flokëve për një javë, – ia hoqi të voglin nga krahët.
Mauricia Ruxhieri mbërriti në pensionin ku jetonte i dashuri i saj dhe mori vesh se ky kishte dy ditë që kishte shkuar të punonte si mjek në një kamp nafte, në një nga ato provincat e nxehta, emri i së cilës të sillte ndërmend indianë dhe gjarpërinj. Mezi e përtypi faktin që ai kishte ikur pa u ndarë prej saj, por ia hodhi fajin drurit që ai kishte ngrënë tek ëmbëltorja, doli në përfundimin se Leonardoja ishte një poet dhe se harbutëria e bashkëshortit të saj duhet ta kishte turbulluar. U ngul në hotel dhe gjatë ditëve në vijim nisi telegrame drejt të gjitha adresave të marra me mend. Më në fund, arriti ta gjente adresën e Leonardo Gomesit dhe e lajmëroi se, për atë, ajo kishte braktisur birin e saj të vetëm, ishte përplasur me të shoqin, me shoqërinë dhe me vetë Zotin, dhe se vendimi i saj për të qenë krah tij, kudo qoftë, deri kur t’i ndante vdekja, ishte krejtësisht i pakthyeshëm.
Udhëtimi qe një odise e lodhshme me tren, me kamion dhe në disa pjesë me lundrime. Mauricia kurrë nuk kishte shkuar e vetme përtej një rrezeje prej tridhjetë blloqesh nga shtëpia e saj, por, as madhështia e peizazhit dhe as largësitë e pallogaritshme, nuk mundën ta trembnin. Gjatë rrugës humbi nja dy valixhe dhe fustani i saj i mëndafshtë u kthye në një rreckë të verdhëlleme nga pluhuri, por, më në fund, mbërriti te lumi, ku duhej të ishte duke e pritur Leonardoja. Me të zbritur nga makina, vuri re një varkë në breg dhe vrapoi drejt saj, me leskrat e tylit që i valëviteshin prapa shpinës dhe flokët e saj të gjata që i dilnin tufa-tufa nga kapela. Por në vend të Marios së saj, ishte një zezak me kasketë eksploruesi dhe dy indianë melankolikë me rremat në duar. Ishte tepër vonë për t’u kthyer prapa. E pranoi shpjegimin se doktor Gomesit i kishte dalë një rast urgjence dhe hipi në varkë bashkë me pjesën e mbetur të bagazhit të saj, duke iu lutur Zotit që ata burra të mos qenë banditë apo kanibalë. Për fat, nuk ishin të tillë dhe e transportuan shëndosh e mirë nëpër ujë, përmes një territori të pamasë, të ashpër dhe të egër, deri te vendi ku e priste i dashuri i saj.
Ishin dy qendra banimi të vogla, njëra me dhoma gjumi të gjata, ku banonin punëtorët; dhe tjetra, ajo ku jetonin punonjësit e administratës, përbëhej nga zyrat e kompanisë, nga njëzet e pesë shtëpi parafabrikate të sjella me avion që nga Shtetet e Bashkuara, nga një fushë golfi e pakuptimtë dhe nga një pishinë me ujë të gjelbër, e cila çdo mëngjes gdhihej e mbushur me bretkosa; e gjithë kjo qendër qe e rrethuar nga një gardh metalik me një portë të ruajtur nga dy roja. Ishte një kamp kalimtar, atje jeta sillej rreth asaj balte të errët që dilte nga thellësia e tokës, si një e vjellë e pambarimtë kuçedre. Në atë vetmi nuk kishte gra të tjera veç disa shoqeve të përvuajtura të punëtorëve; gringot dhe përgjegjësit shkonin në qytet çdo tre muaj, për të vizituar familjet e tyre. Mbërritja e gruas së doktor Gomesit, ashtu siç e quajtën, e trazoi rutinën gjatë disa ditëve, derisa u mësuan me ta parë të shëtiste me tylet e saj, me kapelën dhe këpucët e ballos, si një personazh të arratisur prej një rrëfenje.
Mauricia Ruxhieri nuk lejoi që ta mposhtte ashpërsia e atyre burrave apo vapa e përditshme. Ajo i vuri vetes qëllimin që ta jetonte fatin e vet me madhështi dhe pothuaj ia arriti. E shndërroi Leonardo Gomesin në heroin e melodramës së vet, duke e stolisur me virtyte utopike dhe duke e lëvduar deri në marrëzi cilësinë e dashurisë tij, pa u ndalur asnjë çast për ta shoshitur përgjigjen e të dashurit të vet, për të ditur nëse ai e ndiqte me të njëjtin hap në atë garën e saj të çmendur të pasionit. Në qoftë se Leonardo Gomesi jepte shenja se po ngelej shumë prapa, ajo ia vishte këtë karakterit të tij të ndrojtur dhe shëndetit të tij të ligsht, i përkeqësuar nga ajo klimë e mallkuar. Në të vërtetë, ai dukej aq i brishtë, saqë ajo vetë u shërua nga të gjitha shqetësimet e saj të dikurshme, me qëllim që t’i përkushtohej kujdesit për të. E shoqëronte në spitalin primitiv dhe mësoi detyrat e infermieres për ta ndihmuar. Të kujdesej për viktimat e malaries apo të kuronte plagët e tmerrshme të aksidenteve nëpër puse, i dukej më mirë sesa të rrinte e mbyllur në shtëpi, e ulur përballë ftohësit, duke lexuar për të njëqindtën herë të njëjtat revista të vjetra dhe romane dashurie. Mes shiringave dhe fashave mund ta përfytyronte veten si një heroinë lufte, një nga ato gratë guximtare të filmave që shihnin nganjëherë në klubin e kampit. Me një vendosmëri vetëvrasëse, e mohoi tërësisht që ta shihte rrënimin e realitetit, të cilin ngulmonte ta zbukuronte orë e çast me fjalë, ngaqë nuk kishte mundësi ta bënte me mënyrë tjetër. Fliste për Leonardo Gomesin – të cilin vazhdoi ta quante Mario – njësoj si për ndonjë shenjtor të përkushtuar në shërbim të njerëzimit, dhe i vuri vetes detyrën që t’i tregonte botës se ata të dy ishin protagonistët e një dashurie të jashtëzakonshme, gjë e cila përfundoi duke e ia prerë shpresat çdo punonjësi të Kompanisë që mund të ishte ndierë i frymëzuar nga e vetmja grua e bardhë në atë vend. Egërsinë e kampit, Mauricia e quajti kontakt me natyrën dhe i shpërfilli mushkonjat, kandrrat helmuese, iguanat, ferrin e ditës, frymëzënien e natës dhe faktin që nuk mund dilte e vetme përtej portës. Vetminë e saj, mërzitjen, dëshirën e natyrshme për të shëtitur qytetin, të vishej sipas modës, të takonte shoqet dhe të shkonte në teatër i quante si një nostalgji të thjeshtë. Të vetmen gjë që nuk mundi ta quante dot ndryshe qe ajo dhimbja shtazërore që e çante më dysh sa herë që kujtonte të birin, kësodore mori vendimin që të mos e ndërmendësonte kurrë. Leonardo Gomesi punoi si mjek i kampit për dhjetë vite, gjersa ethet dhe klima i dhanë fund shëndetit të tij. Kishte qenë një kohë shumë të gjatë brenda gardhit mbrojtës të Kompanisë së Naftës, nuk kishte hiç dëshirë që t’ia niste nga e para në një ambient më agresiv dhe, nga ana tjetër, i kujtohej ende tërbimi i Ecio Longos kur e përplasi për muri, kështu që as e solli fare ndërmend mundësinë për t’u kthyer në kryeqytet. Kërkoi një vend tjetër në një qoshe të humbur, ku mund të vazhdonte të jetonte në qetësi dhe, kështu, mbërriti një ditë në Agua Santa, bashkë me gruan, me instrumentet mjekësore dhe disqet e veta të operës. Ishte epoka e viteve pesëdhjetë dhe Mauricia Ruxhieri zbriti nga autobusi, e veshur sipas modës, me një kostum të ngushtë me rrathë dhe një kapelë të stërmadhe prej kashte të zezë, të cilën e kishte porositur në Nju Jork me anë të katalogut, diçka që nuk ishte parë kurrë në ato anë. Gjithsesi, i mikpritën me ngrohtësinë e fshatrave të vogla dhe në më pak se njëzet e katër orë që të gjithë e morën vesh legjendën e dashurisë të të sapoardhurve. I quajtën Toska dhe Mario, pa e pasur hiç dijeninë se kush ishin ata personazhe, por Mauricia mori përsipër që t’ua bënte të ditur. Ajo hoqi dorë nga detyrat e saj si infermiere krah Leonardos, krijoi një kor liturgjik për kishën dhe dha koncertet e para të këngës në fshat. Të mbetur pa gojë nga mahnitja, banorët e Agua Santës e vështruan, të shndërruar në Madamë Bovari, mbi një skenë të sajuar në shkollë, të veshur me një rrobdëshambër mëngjesi të çuditshëm, ca shtiza qepjeje në flokë, dy lule plastike te veshët dhe me fytyrën e lyer me allçi të bardhë, duke cijatur me zë zogu. Askush nuk kuptoi asnjë fjalë prej këngës, por kur ajo u ul në gjunjë dhe nxori një thikë buke, duke kërcënuar se do ta ngulte në barkë, publiku lëshoi klithma tmerri dhe një spektator vrapoi ta ndalte, ia rrëmbeu nga duart armën dhe e detyroi të ngrihej në këmbë. Aty për aty u ndez një diskutim i gjatë mbi arsyet për vendimin tragjik të zonjës japoneze dhe që të gjithë ranë në një mendje se marinari amerikan që e kishte braktisur ishte një njeri i pashpirt, por ama nuk ia vlente që të vdiste për të, pasi jeta është e gjatë dhe në këtë botë ka plot burra të tjerë. Shfaqja përfundoi në aheng, kur u sajua një bandë, e cila interpretoi disa melodi kumbia dhe njerëzit nisën të vallëzonin. Atë natë të paharrueshme e pasuan net të tjera të ngjashme: këngë, vdekje, sqarim i argumentit të operës nga ana e sopranos, diskutim publik dhe aheng përfundimtar.
Doktor Mario dhe zonja Toska ishin dy anëtarë të përzgjedhur të komunitetit, ai ishte përgjegjës i shëndetit të të gjithëve dhe ajo e jetës kulturore dhe të informacionit mbi ndryshimet e modës. Jetonin në një shtëpi të freskët dhe të këndshme, gjysma e së cilës ishte e zënë nga klinika. Në oborr kishin një papagall të kaltër dhe të verdhë, i cili fluturonte mbi kokat e tyre, kur dilnin të shëtisnin në sheshin e fshatit. Dihej se nga po shëtisnin doktori apo bashkëshortja e tij, ngaqë shpendi i shoqëronte gjithmonë në dy metra lartësi, duke fluturuar heshturazi me krahët e tij të mëdhenj ngjyra-ngjyra. Jetuan shumë vite në Agua Santa, të respektuar nga njerëzit, të cilët i shihnin si një shembull dashurie të përsosur.
Në njërën prej krizave të tij, doktori u përhumb nëpër shtigjet e etheve dhe nuk mundi të kthehej dot më. Vdekja e tij e tronditi fshatin. U trembën se mos e shoqja e tij kryente ndonjë akt fatal, si ato të shumtat që kishte interpretuar duke kënduar, dhe kësisoj nisën t’i bënin shoqëri me radhë, natë e ditë, gjatë javëve në vijim. Mauricia Ruxhieri u vesh kokë e këmbë me të zeza, i leu me bojë të zezë të gjitha orenditë e shtëpisë dhe nisi ta zvarriste gjithandej dhimbjen e saj, si një hije e pandashme që ia mblatoi fytyrën me dy rrudha të thella pranë buzëve, sidoqoftë ajo nuk u përpoq t’i jepte fund jetës së vet. Ndoshta në dhomën e saj, kur ishte e vetme në shtrat, ndiente një lehtësim të thellë, ngaqë tani nuk duhej ta tërhiqte më atë karrocën e rëndë të ëndrrave të veta, tani nuk ishte më e nevojshme ta mbante gjallë personazhin e trilluar për të përfaqësuar vetveten, as të vazhdonte të bënte akrobaci për të fshehur dobësitë e një të dashuri, i cili kurrë nuk qe në lartësinë e ëndrrave të saj. Por zakoni i teatrit ishte rrënjosur thellë. Me të njëjtin durim të pambarimtë, me të cilin krijoi më parë imazhin e heroinës romantike, gjatë vejërisë ndërtoi legjendën e pikëllimit të saj. Qëndroi në Agua Santa, përherë e veshur me të zeza, ndonëse zija nuk mbahej më qysh prej shumë kohësh, dhe nuk pranoi të këndonte sërish, me gjithë lutjet e miqve të saj, të cilët mendonin se opera mund ta ngushëllonte. Fshati e shtrëngoi, si një përqafim të fortë, rrethin përqark saj, për t’ia bërë jetën më të lehtë dhe për ta ndihmuar me peshën e kujtimeve të saj. Me ndihmën e të gjithëve, imazhi i doktor Gomesit u rrit në imagjinatën popullore. Dy vite më vonë mblodhën pare për të ngritur një bust bronzi, të cilin e vendosën mbi një kolonë në sheshin e fshatit, përballë statujës së gurtë të pavarësisë.
Po atë vit u hap një autostradë që kalonte karshi Agua Santës, duke e shndërruar, kështu, përgjithmonë pamjen dhe shpirtin e fshatit. Në fillim njerëzit e kundërshtuan projektin, duke besuar se do t’i nxirrnin të dënuarit e gjorë të Burgut të Santa Marias për t’i çuar, të prangosur, që të prisnin pemët dhe të thyenin gurët, siç tregonin gjyshërit se ishte ndërtuar rruga në kohët e diktaturës së Benefaktorit, por shumë shpejt erdhën inxhinierët nga qyteti me lajmin se në vend të të burgosurve punën do ta kryenin makinat moderne. Pas tyre erdhën topografët dhe më vonë grupet e punëtorëve me kaska portokalli dhe jelekë që shkëlqenin në errësirë. Makineritë ishin ca gjigantë prej hekuri, me madhësinë e dinozaurëve, sipas llogarive të mësueses së shkollës, dhe në anët e tyre ishte lyer me bojë emri i firmës ndërtuese, «Ecio Longo dhe Biri». Po atë të premte, mbërritën këta të dy, ati dhe biri, në Agua Santa, për të kontrolluar punimet dhe për të paguar punëtorët.
Kur vuri re kartelet dhe makineritë e bashkëshortit të saj të dikurshëm, Mauricia Ruxhieri u fsheh në shtëpi dhe i mbylli dyer e dritare, me shpresën e marrë që të qëndronte sa më larg të shkuarës së vet. Gjatë njëzet e tetë vitesh e kishte duruar kujtimin e birit të munguar, si një dhimbje e ngulur mu në qendër të trupit të saj, po, kur mori vesh se pronarët e kompanisë së ndërtimit ishin në Agua Santa duke drekuar në tavernë, nuk mundi dot më ta vazhdonte luftën kundër instinktit. U këqyr në pasqyrë. Ishte një grua pesëdhjetë e një vjeçare, e plakur nga dielli i tropikut dhe nga stërmundi për të shtirur një lumturi të përfytyruar, por tiparet e saj e ruanin ende fisnikërinë e krenarisë. Krehu flokët dhe i lidhi topuz mbi kokë, pa u përpjekur t’i fshihte thinjat, veshi fustanin e saj të zi më të mirë dhe vuri varësen me perla të dasmës, të cilën e kishte shpëtuar nga aq shumë aventura, dhe, si një gjest të ndrojtur zbukurimi, i leu paksa sytë me një laps të zi dhe faqet e buzët me të kuq. Doli nga shtëpia, duke u ruajtur nga dielli me ombrellën e Leonardo Gomesit. Djersa i rridhte çurg nëpër shpinë, por tashmë nuk dridhej më.
Në atë orë grilat e tavernës ishin të mbyllura, për të shmangur vapën e mesditës, kështu që Maurcia Ruxhierit iu desh një copë herë e gjatë për t’iu mësuar sytë me terrin dhe të dallonte, në një nga tryezat e fundit, Ecio Longon dhe djalin e ri që duhet të qe i biri. Burri i saj kishte ndryshuar shumë më pak sesa ajo, ndoshta ngaqë gjithmonë kishte qenë një njeri pa moshë. E njëjta qafë prej luani, i njëjti skelet i fortë, të njëjtat tipare të mefshta dhe sytë e zhytur, por tani të ëmbëlsuar nga një tufë rrudhash të gëzueshme, të krijuara nga humori i mirë. I përkulur mbi pjatën e vet, përtypej me entuziazëm, duke dëgjuar bisedën e të birit. Mauricia i vështroi që nga larg. I biri duhet të ishte rreth të tridhjetave. Edhe pse kishte eshtrat e gjata dhe lëkurën delikate të saj, gjestet e tij ishin ato të të atit, hante me të njëjtën kënaqësi, i binte tryezës për të theksuar fjalët e tij, qeshte me zemër, ishte një burrë plot gjallëri dhe energjik, me një njohje kategorike të forcës së vet, i gatshëm për luftë. Mauricia e këqyri Ecio Longon me sy të tjerë dhe, për herë të parë, vuri re virtytet e tij të forta mashkullore. Bëri disa hapa përpara, e tronditur, me frymën ngecur në gjoks, duke e këqyrur veten që nga një dimension tjetër, sikur të ishte mbi një skenë duke interpretuar çastin më dramatik të atij teatrit të gjatë që kishte qenë jeta e saj, me emrat e burrit dhe birit të saj në buzë dhe me shpresën më të madhe që të falej për aq shumë vite braktisjeje. Në ato pak minuta, ajo pa ingranazhet e imta të kurthit ku ishte futur gjatë atyre tre dekadave me halucinacione. Kuptoi se heroi i vërtetë i romanit ishte Ecio Longo dhe deshi të besonte se ai kishte vazhduar ta donte dhe ta priste gjatë gjithë atyre viteve, me dashurinë e pashuar dhe me pasionin që Leonardo Gomesi kurrë nuk mundi t’ia jepte, pasi nuk ishte në natyrën e tij.
Në atë çast, kur një hap i vetëm do ta kishte nxjerrë nga zona e errët dhe do ta kishte zbuluar, djali u përkul, shtrëngoi kyçin e dorës së të atit dhe i tha diçka, duke shkelur syrin në mënyrë të këndshme. Që të dy ia plasën gazit, duke i rrahur krahët dhe duke i shpupuritur flokët njëri-tjetrit, me një dashuri mashkullore dhe një kuptueshmëri të përbashkët, në të cilën Mauricia Ruxhieri dhe pjesa tjetër e botës nuk përfshiheshin. Për një çast të pambarimtë, ajo ngurroi në kufirin mes realitetit dhe ëndrrës, pastaj u zmbraps, doli nga taverna, hapi ombrellën e zezë dhe u kthye në shtëpinë e vet me papagallin që i fluturonte mbi kokë, si një engjëll mbrojtës i çuditshëm kalendari.

Përktheu nga origjinali: Bajram Karabolli

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top