KRITIKA SI APERITIV PËR KRONOSIN/Arb Elo

in Letërsi by

Kritika letrare do të duhej, në vend që t’ia linte peshkun në dorë lexuesit, ta mësonte këtë se si të peshkonte. Mirëpo në anët tona më të shumtët peshkojnë me dinamit

       Arb Elo

1.

Më bie në sy, u bënë disa vjet tashmë, se shumë nga miqtë e të njohurit e mi – dhe këtu nuk e përjashtoj aspak veten: mund ta vësh re një sëmundje edhe duke qenë vetë i prekur prej saj – me gjasë, në mungesë të një shprese konkrete që “të bëhet” më në fund ajo që nuk merret vesh mirë seç është: Shqipëria, dashuria, arti, përjetimet, vetja, sukesi – shto ç’të duash këtu – në mungesë të një realizimi të afërt, së paku në këtë jetë, të një ëndrre që e mëkojnë qysh prej fëmijërisë, bien gjithnjë e më shpesh pre e cinizmit apo e satirës, asaj satire pa dalje në rast zjarri, e cila mbase është goxha realiste, por acide, ngaqë nuk u parashikon të vënëve në lojë ndonjë mundësi qoftë iluzore ndryshimi.

E këtu do të merrem me përshfaqjen e cinizmit në letra.

E meqë parimisht nuk e shpenzoj kohën kritike me diçka që nuk më pëlqen mbi gjysmë e sipër, kur shkruaj “letra” e kam fjalën për ato që më pëlqejnë më shumë se gjysma, ku më shumë e ku më pak me një fjalë, porse gjithnjë mbi 50% – për shkencorët mes nesh kjo shifër.

Marramendje do të ishte më e saktë për simptomën që ceka në krye. Në kërkim të diçkaje ku të mbahen, diçka si puna e atij llozit që kërkonte Arkimedi për të lëvizur botën, ne po kërkojmë një lloz në botë për t’u mbajtur, ndërkohë që bota lëviz siç ka lëvizur gjithnjë.

Një pjesë mëtojnë ta kenë gjetur këtë vend për t’u mbajtur tek identiteti ynë, me gjithë problematikën që sjell shumësi në këtë rast – se edhe Qoftëlargu yni ish, nuk ishte shkja – , një pjesë tjetër e qëmtojnë po këtë identitet duke e vënë në lojë, duke e përqeshur, për të mos thënë: duke u tallur.

Këto dy palë, pavarësisht se në më të shumtën e rasteve janë kundërshtare e debatojnë shpesh pafundësisht për çka qenkemi vërtet, anashkalojnë më së pari, – ose nuk janë në gjendje ta njëmendësojnë këtë, varësisht nga serioziteti i përfaqësuesve, – anashkalojnë pra llogoret filozofike prej të cilave shkëmbehet ky zjarr absurd e me viktima po ata vetë, po të lëmë mënjanë këtu dëmin që u ndodh atyre që i ndjekin.

Sepse mjafton të ndërmendësh rrymat kryesore të filozofisë antike greke, për t’i llogaritur ca te sofistët, ca te cinikët e me radhë – me një fjalë; asgjë e re nga fronti mediatik, pos viktimave të përditshme.

Në letrat e këtij çerek shekulli pas rënies së diktaturës, – për të dalë më në fund aty ku dua, – kjo rrekje për të gjetur një truall të fortë për themelin dallohet sa në njërën anë të lëvrimit për të satën herë të legjendave, miteve, gojëdhanave, etj., dhe jo gjithkush është Kadare e ky nuk është ai që është ngaqë shkroi për të tilla tema.

Nuk po dua të them se trajtimi i tyre qenkësh tabu e nuk duhet bërë: po e vë re veç si sprapsje në kohë, si kërkim i vetes në kohë dhe i kohës në vete, kërkim që letërsia pa dyshim edhe është. Kjo është pala e parë e mua nuk po më ndërmendet tani ndonjë libër me vlera të spikatura, të cilin do të mund ta përmendja këtu si sugjerim leximi. Por dhe nuk i kam lexuar të tërë – pse njëherë? – e ndaj i jam mirënjohës çdo sugjerimi nga ana e lexuesit.

Qasja tjetër është ajo cinike, satirike, në mos, në rastin më të keq, tallëse. Pasi jo gjithkush është Swift e Swift-i nuk është ai që është se shkroi satirë.

Megjithatë, në këtë lëmin e dytë, meqenëse komedia është vetiu më e lehtë për t’u tretur dhe ngase realitetin tonë pasdiktatorial mund ta përcjellësh më mirë përposh duke e vënë në lojë se duke e zhbiriluar siç duhet, ka disa proza të këndshme që më ka rënë rasti të shfletoj, për të cilat nuk jam penduar.

Diçka duhet patur parasysh gjithnjë kur bie fjala te letrat: së pari: nuk është se nuk kemi se ç’lexojmë dhe, së dyti: nuk është e thënë të shkruhet gjithnjë letërsi e mirë, madje kjo është tërësisht e paparashikueshme. Ka shekuj të tërë kur nuk ndodh asgjë e dhjetëvjeçarë kur kryeveprat pasojnë njëra-tjetrën.

Asgjë për t’u shqetësuar pra nga fronti i letrave.

2.

Nuk ka kuptim të flasësh në letërsi për zhvillime.

Këtu me siguri shumëkush do të më kundërshtonte e nuk do të harronte të përmendte fjalë si “moderne”, “bashkëkohore”, “risi”, etj. Pasi gjithsekush jo vetëm që lexon ndryshe, por ka edhe shtysa të ndryshme për ta bërë këtë.

Sartre-i – në mos gaboj, ngase po e citoj nga kujtesa – ka te libri “Neveria” një personazh të quajtur Autodidakti, i cili i është futur detit në këmbë, bibliotekës pra, duke u nisur nga shkronjat e alfabetit e në kohën që zhvillohen ngjarjet e romanit gjendet aty nga shkronja – le të them – N.

Natyrisht që autori e vë në lojë atë e bashkë me të mendësinë se dijenia dhe dituria qenkëshin e njëjta gjë – ose të paktën kështu e lexoj unë këtë.

Dhe ja ku erdha në thelbin e asaj që po dua të shpreh: letërsia nuk është dijeni, por dituri.

Parë kështu, mund ta çosh jetën edhe vetëm duke lexuar Homerin e Danten e Servantesin e kaq do të ish tepër; madje vetëm Homeri do të ishte mjaft, nisur nga ideja se qysh atëbotë nuk është se qenkësh përshkruar diçka që nuk gjendet tashmë tek “Iliada” a “Odisea”.

E dikujt do i ndërmendet këtu historia e atij kalifit që dogji të tërë librat e vendit, përpos Kuranit, me argumentimin se, nëse nuk kanë të bëjnë me Kuranin janë sidoqoftë blasfemikë dhe, nëse kanë të bëjnë me të, janë atëherë të tepërt.

Po dua të them se nuk lexohet letërsi – më mirë do të ish, meqë është këndvështrim subjektiv: unë nuk lexoj MË – nuk lexoj pra më për të mësuar; për këtë ka libra të tjerë sa të duash.

E megjithatë – e për mbërritur te letrat tona e bëra këtë hyrje – në letërsinë tonë, porse edhe në shijet tona letrare (për shijet zyrtare flas dhe ato të përgjithshme, jo atë të personave të veçantë) vërehet pa shumë vështirësi njëfarë – po e quaj – çakërdisje kohore, a thua se na paskësh mbetur ora njëqind a më shumë vjet. Po ashtu të bie në sy njëfarë tarimi i ethshëm i kësaj, orës letrare pra, për ta sinkronizuar këtë me atë bashkëkohoren, cilado qoftë kjo e fundit.

Simptoma e parë, ajo e të mbeturit të orës ndoca njëqind vjet më parë e më shumë, vërehet menjëherë te klasikët tanë, ndërsa kjo e dyta, dëshira për t’u dukur si modernë, nuk para ngjit, mbase sepse nuk u ngjan lexuesve fort e besueshme dhe se vetë këta u përkasin atyre me simptomën e parë.

Pjesa më e mirë e letërsisë sonë mund të ishte shkruar edhe dy – a treqind vjet më parë gjëkund në sallonet provinciale ruse a zabelet e Persisë, ndërsa ajo progresivja, e cila rreket ta shtrijë hapin sa atletët e shpejtë amerikanë të fjalës, ende nuk ia vlen të përmendet si diçka e qëndrueshme, kjo mbase edhe për nga vetë fluiditeti i këtyre zhvillimeve.

3.

Në mungesë të një kritike për të qenë, bisedat letrare në anët tona mbarojnë shpesh me shprehjen: “Koha do ta tregojë në ka vlerë” fistek libër a filan autor.

Mungesa e kritikës letrare është e fundit në një vargan me simptoma, ku më e rënda për momentin ngjan shkatërrimi total i infrastrukturës letrare.

Vihet re edhe pa asnjë mundim kudo kjo në shkrimet për letërsinë: flitet si në kohë të diktaturës, pa asnjë përgjegjshmëri për atë që thuhet, nuk thuhet ajo që mendohet vërtet, por “bëhet sikur”. Domethenë flitet e shkruhet jashtë realitetit, flitet tjetër për tjetër, “upside” asaj që është vërtet, vendit ku ndodh loja.

Kështu është edhe në politikë e në medie te ne, por kur vjen puna te letërsia, e cila jeton prej vetë fjalës, kjo mënyrë të gjykuari është vrastare.

Jo vetëm te ne, që të kuptohemi: mjafton të shohësh për kuriozitet emisionet e kuartetit letrar të tanishëm, që e mbante dikur kritiku i njohur Rajh-Ranicki, për të kuptuar menjëherë se kanë ardhur kohë të vështira për letërsinë edhe këtej. Mund të flas natyrisht vetëm për vendin ku ndodhem.

Kjo e jona është pastaj një hirrë e holluar aq shumë, saqë nuk merret vesh më se ç’bulmet është, madje të krijohet përshtypja se nuk i intereson më kujt, më së pari vetë atyre që e flasin a e shkruajnë.

Një shkrim kritik për një libër mëton të pasurojë përftimin e atyre që e kanë lexuar atë, siç edhe të ndjellë të tjerë, që nuk e kanë bërë këtë, për ta lexuar.

Gjithashtu kritika duhej të ishte e mëvetëshme, pra duhet të jetë tekst letrar i mëvetshëm dhe relativisht i pavarur nga objekti që shqyrton, dhe si i tillë, përpos kërkesave formale që duhej të qenë të vetëkuptueshme (është e trishtueshme që na duhet të merremi akoma me to, kur gjëkund tjetër në botë problemi është joekzistent, pasi thjesht nuk gjenden “gabime” të tilla), duhej të përçonte kthjelltësi e ta joshte lexuesin drejt këndvështrimeve të tjera e më të plota, profesionale, që ai vetë nuk është dhe nuk ka pse të jetë në gjendje të rrokë.

Ka disa rrekje nga Agim Baçi më së shumti në shkrime e në ekran dhe disa të tilla gazetareske nga Diana Çuli, Elsa Demo, Beti Njuma e Arta Marku në emisionet e tyre për letërsinë, porse edhe këto vuajnë të njëjtat simptoma: rrahkrahja e ndërsjelltë dhe asgjëthënia. Është vend i vogël, të gjithë e njohin njeri-tjetrin e nuk po duan të prishin qejf.

Kritika letrare do të duhej, në vend që t’ia linte peshkun në dorë lexuesit, ta mësonte këtë se si të peshkonte.

Mirëpo në anët tona më të shumtët peshkojnë me dinamit.

Duke nisur me botuesit-et, që nuk lanë ekran pa bllokuar e që përdorin të njëjtin vokabular për të “promovuar” Coelhio-n, Borhesin dhe “Si të dobësohemi”, duke vazhduar me ca autorë që janë njëfarësoj libri i autorit libër që kanë shkruar, si Rexhaj, Fevziu, Zogaj, Blushi etj., e që ngjajnë sikur banojnë studiove televizive, për të mbaruar me promovimet e autorëve ca më normalë se këta, që për vite me radhë me tone të zvargur e monotonë bëjnë të njëjtën gjë, ndonëse me tone më elitiste, në gazeta, revista, ekran, rrjete sociale e ku të munden.

Ka ndërtekstualitet të një libri e një të tillë të kritikës. Në kushtet e shprazjes të të gjithë fishekëve patetikë, shpesh me batare, për vite me radhë e papushim, problematika e kritikës dhe e letrave më gjerë ngjan fort me atë të ndërtimeve pa leje.

Të gjithë sugjerojnë se çka duhet lexuar, por askush nuk të thotë se çfarë NUK duhet lexuar e nëse këtë kritika nuk është në gjendje ta bëjë, atëherë nuk mund të flitet për të si të tillë.

Askush nuk më sugjeron se pse duhet të lexoj Hatibin, B. Shehun, Vehbiun etj. e të MOS ia bëj vetes Rexhajn (asgjë me z. Rexhaj); ky peshk i lihet në dorë “lexuesit”, i cili pastaj, i braktisur mes rrokopujës mediatike, nuk lexon as njërin e as tjetrin, ose edhe më keq akoma, lexon vetëm Rexhajn.

Kritikët shqiptarë, ata pak që qenkan, pikturojnë me të bardhë, vetëm me të bardhë, në sfond të bardhë.

Vitet e fundit më ka zënë syri veç dy-tri kritika të këtij lloji: një kritikë e Baçit për Rexhajn dhe një e Elsa Demos për Kongolin. Mbase edhe ca shkrime të E. Ypit, por këto do i përmend më poshtë. Vetëm disa të tilla; kjo është shumë pak për një letërsi bashkëkohore thuajse çerekshekullore tashmë, e cila vuan të gjitha simptomat e mundshme, si edhe vetë shoqëria shqiptare.

Është vend i vogël, të gjithë e njohin njeri-tjetrin e nuk po duan të prishin qejf.

Kjo është qasja më e zakonshme.

Ka edhe një tjetër pastaj, shumë më të rrallë, kur ndonjë niset e godet ndonjë libër a ndonjë autor; E. Ypi e ka bërë këtë disa herë me librat (dhe autorët, duhet thënë) e Rudolf Markut, Mira Meksit e, së fundmi, me Virgjil Muçin.

Siç edhe një qasje cerebrale – për të mos përdorur fjalën “patologjike” – të Primo Shllakut ndaj figurës së Reshpjes e cila shprehet qysh në titull “Kush asht Frederik Reshpja”, qasje, për mendimin tim, tepër mizore e që është interesante vetëm për sa mëton ta shohë këtë figurë shpesh të përfolur vitet e fundit, – sidomos në qarqet letrare shqiptare e më së shumti për mirë – që mëton ta analizojë Reshpjen pra “ndryshe” nga ç’është trajtuar derimë tani.

Gjendet këtu, fq. 51-73 :

http://omprom.com/symbol/symbol-11/

Personalisht më tëhuajëzon si shkrim, siç më ka ndodhur edhe më parë me konsideratat publike të Shllakut për veprën e Kadaresë – meqë përmendet në një frymë me Reshpjen ky në këtë shkrim – dhe që më tëhuajëzon edhe më tepër kur po ky shkrues, Shllaku kuturiset e merr pjesë në konkurimin për… çmimin Kadare, a thua se konkurimi dhe emri i çmimit janë gjëra fare të ndryshme:

Ka një lëvizje në mendimin letrar tonin, sidomos vitet e fundit, ka një rrekje për t’u konsoliduar që do të ishte për t’u përshëndetur, nëse pjesëmarrësit nuk do të merrnin sa herë u jepet rasti poza marciale, nuk do u mbetej qejfi e hatri, nuk do të grupoheshin në shijet e tyre pro apo kundër dikujt, nuk do të shaheshin aq pa shije në publik dhe privatisht e me radhë, tipare të provincializmit këto dhe, duam-s’duam ne, provinciale është edhe kjo e tëra dhe absurde, parë që në këtë mes nuk ka asgjë për të fituar dhe hierarkinë e vlerave ka tagrin ta vendosë vetëm koha.

Mirëpo edhe kjo e fundit, hierarkia e vlerave pra, po bëhet gjithnjë e më absurde në vetvete, varësisht me rolin gjithë e më të paktë që po luan arti – në këtë rast letërsia – në trevat tona e më gjerë.

Ja një episod grotesk, kur njerëzit marrin përsipër të luajnë Kronosin për të tjerët, që nuk e di në është i vërtetë e që e rrëfen Spartak Ngjela. Këtë e ftojnë E. Rama dhe A. Klosi në një apartament, ku:

“… Ftuesit i thanë se ishin mbledhur për “të ngritur” Kasëm Trebeshinën dhe “rrëzuar” Ismail Kadarenë…”

Edhe Shllaku niset të bëjë diçka të tillë, ta vendosë ai në Rreshpja do i rezistoka a jo kohës.

Të tërë shkruesit nga ’90-ta e këtej janë fort të rrezikuar jo nga koha e zakonshme letrare, por nga “kohët” e këqija që i kanosen letërsisë, më së pari shkrimet likuide në internet e revista të tilla online.

Madje edhe vetë Kadareja nuk është e sigurtë në do i rezistojë shkulmeve mediatike bashkëkohore që rrezikojnë themelet e shkruesisë, parë që kësaj here koha po i kanoset jo autorëve të veçantë, por letërsisë në përgjithësi.

Sidoqoftë, ideja për të mposhtur kohën si të tillë është në vetvete absurde, parë që më së shumti, kur koha ka mbaruar punë, nuk është më askush atypari që do të mund të thoshte: “A nuk të thashë?” – ngase do të kemi vdekur të tërë, si autorët që po përflasim, ashtu edhe ata që i kanë varur shpresat e tyre letrare te Kronosi, në mungesë të një kritike për të qenë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top