Albatrosi-Arb Elo

in Letërsi by

Arb Elo

Më bëhet të kem lexuar diku në rrjet që “Albatrosi”, poezia aq e njohur e Baudelaire-t, paskësh qenë, vitet e fundit, një nga ato temat që u jepen maturantëve në provimet përmbyllëse të pjekurisë në letërsi. Nuk ka edhe fort rëndësi kjo për subjektin që po dua të trajtoj, pasi njëlloj mund t’u jepej nxënësve, bie fjala, “Tigri” i Blake-ut,”Pantera” e Rilke-s apo dhe “Gorilla” e Weissmann-it.

Në fokusin e këtij shkrimi duhej të ishte më shumë një hipotezë e pavërtetuar mbi vonesën e letrave tona krahasuar me letërsitë e vendeve më të mëdha, nisur nga këndvështrimi i ndryshëm i një subjekti pak a shumë të ngjashëm, në këtë rast “Albatrosi” i vënë përkundër trajtimit të të njëjtës figurë, asaj të poetit, në panoramën tonë letrare – ku gjithkujt i përshoqërohet kjo menjëherë pas gjase me atë të shtërgut te Lasgushi, apo nositit po aty, mbase edhe me dallëndyshen e Shirokës.

Ngaqë shkruesi i këtyre radhëve as nuk është e as nuk mund të bëhet dot më studiues i letërsisë (për arsye madhore) dhe të tilla paralele duhet të jenë hequr me siguri ndërkohë, po mjaftohem vetëm me hipotezën e vonesës së letrave tona (me përjashtimet që dihen, natyrisht) në trajtimin e figurës së poetit siç e bën Bodleri mjeshtërisht në poezinë në fjalë dhe disa fenomeneve letrare të periudhës pasdiktatoriale te ne, më tepër për t’i mëshuar diametralitetit se sa përkitjeve. Mirëpo le të shohim së pari më nga afër Albatrosin.

Në një kërkim të shpejtë në rrjet nuk gjeta asnjë shqipërim besnik, ndaj dhe u detyrove t’i përkthej vetë vargjet e mëposhtme më tepër për efekt ilustrimi se sa shqipërimi; kërkoj ndjesë për këtë, duke shpresuar se vargjet janë aq të njohura, sa cilido lexues mund të gjente pa shumë mund versione më të shkoqura se ky.

Albatrosi

Shpeshherë, për t’u zbavitur ca, djemtë e ekipazhit,
Kapin ndonjë albatros, shpendin krahëgjerë të detit,
Shok udhe ky, i leshtë paksa, i plogësht, që si vazhda
Pas i vete anijes që shket mbi hone të hidhura si derti.

Me t’ia gjetur vendin, sapo e plandosin dhogash shogët,
Këtë mbret të kaltrinës, aq të ngathët, aq të turpshëm,
Mëshirë të ngjallin krahët e tij të mëdhenj, bardhokët,
Si rrema të thyer ndër brigje të mprehtë, të nënujshëm.

Ky udhëkrahës, sa dorëtharë tashmë, sa i gjallëpaduk!
Ai që ish aq i bukur, tashmë sa qesharak, sa shëmtak!
Ia godet sqepin me llullë një, tjetri i djeg qime me çibuk,
I treti tallet, bën sikur flatron, e shpotit të metin fluturak.

Ashtu është edhe poeti, i ngjan ai fort këtij princi të reve,
Që s’e tremb shtrëngata, as krisma e as harku i gjahtarit,
Në mërgim, përdhesë, aty poshtë, në vendin e hajgareve,
Krahët gjigantë ka për peng, krahët s’e lenë t’ecë atypari.

Shënova më sipër që përkitjet që po dua të heq me këto vargje në panoramën tonë janë të natyrës fenomenale e më tepër se me vetë letërsinë shqiptare të pas ’90-ës, kanë të bëjnë me situata të ngjashme, që u kanë ndodhur albatrosëve tanë kuvertave me të ikur mendsh, anijeve tona të të marrëve. Shënova më sipër edhe që mëshimi im do të jetë diametral; me një fjalë, ndërsa në poezinë e Bodlerit është albatrosi që i shkon pas anijes, në peizazhin tonë verbal ngjan të ndodhë e kundërta: anije që përndjekin shpezët, i kapin me përdhunë, i shtrijnë gjerë e gjatë mbi dhogat e ekraneve e gazetave e u ekzaminojnë të brendshmet. Shumëkush duhet ta ketë akoma të freskët diskursin popullor e militant, gjuhën me të cilin u ekzaminua një vëllim poetik, nuk ka shumë kohë. Ky qenkësh fati i poetit, kur sensualiteti trajtohet si pornografi, ndjeshmëria si epsh, thelbësorja si hardcore, qiellorja si përbaltje e klitha si pasthirrmë.

Më tepër se albatrosi, poetët/et vetë, ajo që përndiqet më së shumti është poezia që ai mishëron, që të kapet, të plandoset gjëkundi mbi dërrasa skenash e t’i thyhen krahët e mundësisht të mos lëvizë më nga vendi, mundësisht si skllav seksi. Atë, albatrosin poet, po kërkojnë ta kapin me zor sa e sa shtëpiake, ta gjuajnë, ta vrasin, ta thajnë, ta mbushin me kashtë dhe ta venë për zbukurim sa në dhomën e ndenjjes, sa në librari, sa në Facebook, sa mbi kokën e shtratit. Autobusë të tërë me grari e vajza tubohen një herë në vit në zbore, trajnime për këtë, herë në Karadak e herë Vushtrri nën grahën e tupanit e gërvimën e lahutës në konkurse mbarëkombëtare poezie, në Gjilan dhe në Preshevë, pa çka se gjuhës sonë do i shkonte, më shumë se figura e shpendit detar, ajo e shqipes malore, asaj të zonave të thella.

Albatrosit, shqipes sonë, i kanosen ekuipazhe të tërë zdapash veteranë, batalionë me çunakë të rinj buzëdjersitur nga mustaku, rreshta të gjatë gjimnazistesh nga rrethet, i kanoset një panair i tërë libri: po duan ta shtrijnë përdhe, t’ia godasin sqepin me çibuk, mundësisht t’ia thyejnë fare e t’ia përdorin për bastun azileve të pleqve me damlla, ta tallin, të zbaviten me të, ta zhveshin, mundësisht t’ia qethin krahët e ta rruajnë, ta hedhin në ndonjë kazan udhës për në Amerikë, për në mërgim e ta bëjnë supë pastaj, kur ta marrë uria ekuipazhin e të mos gjendet këmbë miu hambareve. Po kot e kanë, se poezia nuk vdes dot, veç në i thahet gjuha e fshehtë e nuk ia njom më buzën e tharë me lëng të brendshëm, vetëm në qoftë se Nibiru ekziston vërtet, veç në rëntë lia e zezë sërish, na ndodh kataklizma, na bie kometa.

Aman ore, të bjerë e të mbledhim mendjen!, më tha një letrar radikal një mbrëmje, kur po qanim hallet e tij në një birrari rrethinash. Nuk se s’ndieva empati paradoksale atë çast në rrasht, atë të dinamitit për ngrehinën, kur shpërthejnë njëherësh, mirëkuptimin anarkist mes minash.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top