Teatri Kombëtar dhe teatri politik shkombëtar/Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Teatër by

Dhe ka gati 30 vjet që politika po përgatit terrenin për rrëzimin e artistit, rrënimin gradual të figurës së tij. Rrëzimin e artistit dhe ngritjen e politikanit…

            Arlinda Guma

Viti 2018 do të mbahet mend në historinë e Shqipërisë si ai i Luftës së Ftohtë midis një kryeminstri dhe një ndërtese. Finalja? Gjergj Elez Alia, me nëntë plagët e liderit hallemadh të Ballkanit, mund më në fund balozin e zi; Teatrin Kombëtar!

Beteja me një ndërtesë mund të jetë po aq solemne sa edhe beteja me një mulli ere. Dhe i gjithë ky grotesk, më ndërmend një skenë tragji-komike nga një protestë e Partisë Demokratike, disa vite më parë, kur militantët e saj i vunë flakën një bunkeri; një i moshuar që s’lodhej e s’lodhej së rëni me kazmë bunkerit dhe më pas një i ri që u ngjit deri në majën ku qëndronte protagonisti, e kapi këtë të fundit për mënge dhe pas kësaj tjetri ndaloi së godituri bunkerin.

U gëzova kur pashë që i riu mendjehapur arriti ta bindte të moshuarin se asgjë të mirë nuk sjell një akt vandal. Ka shpresë ende në këtë vend, thashë me vete, Por ç’të shihja pas disa minutash! Pasi i moshuari zbriti prej bunkerit, i riu rrëmbeu kazmën dhe filloi t’i binte vetë! Edhe më fort se tjetri. (Pikërisht aty, gjithë shpresat e mia “prosperoze” për këtë vend morën arratinë njëherë e mirë.)

Siç dukej, i riu vetëm sa i paskësh thënë burrit: – Rri se u lodhe… E mbaroj unë këtë punë!

Ajo skenë ishte për të qeshur dhe për të qarë. Nuk e harroj pamjen e fytyrës së burrit dhe më pas atë të djalit. E qëllonin sikur të ishte vetë diktatori Hoxha, dhe jo thjesht një copë betoni prej të kaluarës së hidhur historike, çmendurisë sonë kolektive, të cilën, duke e mirëmbajtur, ndihmohemi të mos ta harrojmë, e si rrjedhojë; të mos ta përsërisim, meqë historia ka provuar se ne shqiptarët harrojmë shpejt.

E solla në vëmendje atë skenë, sepse fytyra e hakërryer e atij burri të moshuar, sot më është zëvendësuar me fytyrën e hakërryer të kryeministrit, i cili i është sulur Teatrit Kombëtar njëlloj si burri në fjalë, të cilit bunkeri i ngjallte kujtime të hidhura. (Nuk di pse atëherë, në vend të atyre burrave mbi bunker, pashë me mendje kryeministrin aktual dhe kryeministrin e shkuar, të dy me kazmë duke i rënë Shqipërisë…)

Asnjëherë nuk do të mund ta kuptoj patologjinë e të shkatërruarit apo të retushuarit medoemos të çdo gjëje që i përket një kujtese të hidhur historike; një pjese të jetës shqiptare. Atë nuk mund ta zhbësh. Nuk mund të kthehesh mbrapa e ta modifikosh; ta ndërrosh me një të shkuar më të këndshme. Herët a vonë duhet të përballesh me të. Shkatërrimi vetëm sa tregon mungesën e kurajës për t’i qëndruar. Dhe nuk ka shërim pa atë përballje.

Po një ndertesë teatri, ç’kujtime të hidhura duhet t‘i ngjallë një kryeministri, që i përbetohet aq shumë se do ta shembë?

Për kaq vite sa ka qenë në qeverisje, ky kryeministër, luftrat më të ashpra, çuditërisht ia ka adresuar artit! (Mjafton të kujtoj këtu edhe mënyrën e tmerrshme me të cilën kjo qeveri po e takson librin.)

Politika nuk e do teatrin? Asgjë e jashtëzakonshme! Politika nuk do asgjë përveç vetes. Teatri Kombëtar i rivalizon politikës shqiptare atë teatrin tjetër, teatrin e saj: atë teatrin e pistë me të cilin përmbyt shqiptarët deri në ezaurim nervor nëpërmjet televizioneve të blera dhe gazetave së korruptuara. Ky teatër tragjik i ka kapur shqiptarët për fyti dhe po i bën të kenë frikë edhe të mendojnë, me paranojën se mos edhe aty, brenda mendjes së tyre, ajo u ka vënë fshehtas ndonjë mjet përgjues që t’u lexojë mendimet, ashtu siç bën zakonisht në median sociale nëpërmjet ushtrisë së së militantëve dhe IT-ve, të cilët ruajnë nëpër profile se kush kritikon kryeministrin, dhe më pas ia raportojnë të gjitha atij.

Të gjithë sistemet diktatoriale nuk e kanë dashur ndonjëherë teatrin dhe artin në përgjithësi. Sepse vemendja dhe simpatia që mund të marrë prej audiencës një artist i talentuar, ka qenë dhe mbetet kërcënuese për figurën e politikanit, atij ballkanas në veçanti, i cili zakonisht ka një vanitet të konturuar trashë.

Ka një atmosferë surreale këto dite në Tiranë në Lëvizjen për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar prej Shembjes.

Aktorët e kanë lënë sallën dhe kanë zbritur në rrugë, aty ku po e kryejnë më së miri performancën dhe mbi të gjitha detyrën e tyre ndaj shoqërisë, ndërkohë që politika është strukur thellë brenda zyrave, duke luajtur teatrin e saj të zakonshëm: atë të manipulimeve dhe korruptimit të individit.

Dhe ka gati 30 vjet që po e bën këtë më së miri.

Dhe ka gati 30 vjet që po përgatit terrenin për rrëzimin e artistit, rrënimin gradual të figurës së tij.

Rrëzimin e artistit dhe ngritjen e politikanit… (Si dikur diktatura ngritjen e njeriut e ri… i cili nuk rezultoi edhe aq i ri.)

E keni venë re se sa pak ose aspak gazetarë ka në një promovim libri, ekspozite, apo filmi? (Ngjarjet e pakta kulturore në këtë vend, përgjithësisht janë të braktisura prej mediave.) Dhe se sa shumë gazetarë që vrapojnë pas politikanëve në dyert e Kuvendit, ndërsa ata dalin andej gjithë arrogancë, dhe hyjnë mospërfillës në makina luksoze, shpesh edhe duke i keqtrajtuar këta gazetarë? Dhe të mendosh që 90 për qind e këtyre politikanëve nuk kanë lexuar kurrë një libër në jetën e tyre! Brutalë, të pakulturuar, injorantë! Dhe të mendosh që, po kështu, edhe 90 për qind e gazetarëve që vrapojnë pas tyre gjithashtu nuk lexojnë! Për të mos folur për pronaret e mediave të tyre…

Çështje ekzistencialiste e politikanëve shqiptarë:

Sa më pak të flitet për artistët dhe sa më shumë për ata vetë!

Politikanët, ata dhe vetëm ata duhet të jenë yjet e skenës. Yjet e vetëm të saj. Në politikën feudale nuk ka vend për art… shumë-shumë për ndonjë cikërrimë çinginjsh që mund të kënaqë shijet e tyre prerë trashë, edhe mundet, por vetëm kaq.

Arti që e bën individin të lirë i tremb për vdekje ata.

Kjo është çorba që kanë gatuar politikanët tanë këto 30 vjet. Dhe po na e ushqejnë me forcë në emisionet e mbrëmjes të të gjithë kanaleve televizive të korruptuara, duke përjashtuar prej kësaj skene interesin publik të cilit ata duhet t’i shërbejnë. Po ia shkatërrojnë këtij populli pavarësinë e të menduarit, po e indoktrinojnë me mënyra që as në sistemet më fashiste nuk janë aplikuar me kaq intensitet.

Në të vërtetë, politika është ndjerë e kërcënuar prej audiencës së lartë që mund të ketë një artist i talentuar, edhe gjatë kohës së diktaturës. Edhe gjatë asaj kohe ajo ka luajtur të njëjtin teatër për ta lënë në hije këtë artist, por kurrë si në ditët e sotme, ajo nuk ka guxuar ta rrënojë figurën e tij deri këtu ku e rrënoi politika e post-tranzicionit.

Dhe kjo vërtetohet më së miri, po të rikthehesh në kohë e të kujtosh se në krye të protestave për demokraci në vitet 90-të, kanë qenë shumë njerëz të artit. Populli iu bashkua dhe u besoi atyre, sepse këta artistë e kishin njëfarë statusi në sytë e tij.

Ndërsa sot politika ka arritur me sukses t’ia heqë artistit atë status, ajo ka arritur ta shndërrojë atë në një njeri të drobitur, në një njeri të cenueshëm, i cili kërcënohet orë e çast se do t’i heqin bukën e gojës.

E si mund të prodhosh art të mirë në një presion të tillë?

Po tekefundit, kujt i intereson arti i mirë?

Politikës jo e jo.

Populli duhet të shohë vetëm show-n e saj vulgar!

E kështu, e gjithë kjo ka bërë dhe do të bëjë që ata aktorë që sot protestojnë të mbeten të vetmuar në protestën e tyre, sepse populli fatkeqësisht nuk do t’u bashkohet… Sepse për këtë ka menduar politika dhe teatri i saj i neveritshëm. Ta rrënojë, ta shkatërrojë plotësisht besimin e tij te elitat kulturore që do të mund ta udhëhiqnin.

Tashmë populli nuk beson më në asgjë. E këto janë  frytet e punës që kanë mbjellë politikanët e të gjitha kaheve, nga e majta në të djathtë nëpërmjet propagandës anti-kulturë, dhe që sot po i korrin krenarisht me sukses të plotë. Sepse nëse mbjell gjembaçë, po gjembaçë do të korrësh, nuk ka se si të presësh të mbijë grurë. Do të prodhosh një popull të pakulturuar e të sundueshëm, dhe këtë ata e dinë mirë. Kanë punuar për këtë ditë. Nuk ka gëzim më të madh për ata se të korrat e gjembaçëve!

Do të kishte qenë një shans i mirë historik, që një lëvizje për të ruajtur një teatër nga shembja, të shndërrohej në një lëvizje të gjerë popullore për të mundur frikën, për t’i thënë një JO të madhe kësaj qeverisjeje, një lëvizje për të ruajtur dinjitetin e individit nga shembja, rrënimi dhe degradimi që i adreson vazhdimisht presioni i politikës, por shqiptarët edhe këtë herë kanë zgjedhur të bëjnë tifo për Kampionatin Botëror; të bëjnë tifo për skuadra që nuk u përkasin, se sa për një Teatër Kombëtar që u përket…

Nuk kam asnjë mëdyshje se më në fund Gjergj Elez Alia ynë do të arrijë ta shembë atë ndërtesë; do të arrijë ta mundë balozin e zi, ndërsa militantet dhe oportunistët që nga ferrat ku janë fshehur e përgjojnë, do të fillojne t’i mjekojnë plagët kryeministrit kreshnik, duke e duartrokitur me ovacione.

Kjo është Shqipëria që ata mbollën! Shqipëria e gjembaçëve! E përzënë, e rreckosur, e plaçkitur, e gjunjëzuar, e frikur, e intimiduar, dhe për këtë intelektualët oportunistë që vazhdojnë të heshtin, kanë të njëjtën përgjegjësi historike të turpshme me atë të politikanëvë kriminelë!

——

Foto që shoqëron shkrimin është marrë nga një sekuencë prej filmit “Plumba Perandorit”. Çdo përkitje metaforike e saj, me ngjarje, personazhe apo perandorë modernë, është krejt e parastësishme…

——-

Arlinda Guma është autore e dy romaneve:”Bulevardi i Yjeve”-2014 dhe “Terma humanitarë si fjala bombardim”-2016, autore e faqes defekt-teknik.com, si dhe autore e disa kolonave në shtypin e shkruar të Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top