NGA LAJMET- Shkruan haiku, e rrahin/Arb Elo

in Kronikë nga Dogville/Letërsi by

Më vonë, kur kam lexuar dhe parë fotot e Frida Kalos dhe Diego Riverës, më ka goditur ngjashmëria, ndonëse ata merreshin me pikturë e ne me krime…

                                                       NGA LAJMET

            Arb Elo

Fryn tollumbacet – në koma!

31 Dhjetor, 2015, 17:06

Në rrethinat e Tiranës, në Kombinat më saktësisht, festimet e Vitit të Ri kanë marrë një nuancë tragjike.
Artemisa Kokomani, 27 vjeç, mbesa e gazetarit të njohur të News 24, ka rënë në koma, ndërsa po frynte tollumbace, me të cilat synonte të dekoronte banesën e prindërve, ku do të festonin së bashku Vitin e Ri.

Me sa duket, tollumbacet kanë patur membranë të trashë e qenë të destinuara për t’u mbushur me helium, ndërsa Kokomani ka tentuar t’i fryjë ato me forcën e mushkërive, gjë e cila ka çuar në kolapsin e këtyre të fundit. Ndihma e shpejtë, paçka se është dhënë menjëherë, nuk ka mundur të parandalojë rënien e saj në koma.

Sidoqoftë, mjekët janë optimistë e pohojnë se Artemisa ka shumë të shanse ta marrë veten brenda disa javësh. Këtë ia uron edhe redaksia jonë, shoqëruar me urimin edhe më të gjerë për lexuesit tanë: Gëzuar Vitin e Ri 2015! Qoftë ky viti i sukseseve dhe mbarësive personale!

Rroftë jeta!

Del per gjah – e përdhunojnë!

30 Dhjetor, 2015, 12:04

Horror në komunën e Divjakës.
Iljaz G. ka tentuar të vrasë me paramendim rojen e rezervatit të njohur Çelo M., të vëllanë e tij Zeqir M., si edhe të birin minoren të këtij të fundit me inicialet L.M., por nuk ia dalë, pas ndërhyrjes së forcave të rendit në moment deçiziv.
I pyetur në hetuesi për motivet e tij, Iljaz G. ka pohuar se është nisur për të gjuajtur pa leje në rezervatin e Divjakës dhe ka vrarë atje një derr të egër. Ndërsa po kthehej, ai është kapur në flagrancë nga të lartpërmendurit, është lidhur pas një pishe, e më pas edhe dhunuar prej tyre, mes të tjerash edhe seksualisht.
Poqën derrin dhe e hëngrën duke e shoqëruar me raki, ndërsa mua më kishin lidhur me litarë e më tallnin – rrëfeu Iljaz G. për prokurorinë. Pastaj më morën dhe nderin.
Të pandehurit kanë dëshmuar se e kanë zënë Iljaz G., ndërsa kryente aktin e paligjshëm të gjuetisë pa leje dhe janë sjellë konform ligjit me të.
Hetimet vazhdojnë në disa pista.
I mbetet mjekësisë ligjore të hedhë dritë mbi pretendimet e të dyja palëve.
Iljaz G. mbahet në paraburgim, ndërsa farefisnorët M. ndodhen në gjendje arresti të lirë.

Fuck Xhung!

31 Dhjetor, 2015, 17:06

Ca tinguj pianoje, Shuman, Shopen, pikë-pikë-pikë, mu si shiu i kohës që merr të mirë e të ligj e zhbën gjithçka. Foto fëmijësh, në sfond libra; dy duar fisnike, të rreshkura e të paqme, nxjerrin nga rafti një libër me kapak lëkure me ngjyra të errëta e ca të kuqe.  Një fotografi e vjetër bardhezi: një çift romantik, ai i mbushur edhe i lartë; ajo, delikate dhe e brishtë. Menjëherë të ndërmendet “Për kë bien kambanat”, e zemra zbutet nga çiltërsia e fisme e kësaj dashurie në kohëra luftërash, e të vjen keq që nuk ke qenë edhe vetë aty; të luftoje me kulturë perëndimore për shporrjen e fashizmit nga këto vise të lashta me vajza e djem si zogj.

Xhungla – Si erdhi njohja, si ndodhi kjo dashuri në kohë lufte?

Xhungli – (pak a shumë) – Sapo ishte themeluar grupimi ynë artistik “Të kuqtë“ dhe kështu u njohëm. Unë isha një pianiste e re, e brishtë, e hajthme, e nuk flisja shumë, parapëlqeja romantikët, në dallim nga D., e cila ish ku e ku më e hedhur, me ekspresioniste. Ai ishte i hijshëm, – më vonë, kur kam lexuar dhe parë fotot e Frida Kalos dhe Diego Riverës, më ka goditur ngjashmëria, ndonëse ata merreshin me pikturë e ne me krime. Por fillimisht as nuk më shkonte mendja; thjesht mendova dhe më erdhi shumë mirë që paskëshim një udhëheqës kaq të kulturuar e të pjekur. Ndërsa Q. ishte më i hapur, hidhte e priste, ishte më gazmor; fundja ishte i ri akoma, ishte gjimnazist. E., nga ana tjetër, e mbante humorin, porse ngjante më i përqendruar, më i rrahur me jetën. Kur u hodha në ilegalitet, më mori me një biçikletë; hip më tha, anash, mua më vinte turp; hip tha se po erret e nis ndalim-qarkullimi. E kisha vendosur me veten time që nuk do të angazhohesha me një dashuri e, aq më shumë të martohesha gjatë luftës. Po mirë, tha ai.

Foto bardh e zi nëpër të. Ajo, e veshur me të errëta, me syze, e ëmbël, e hajthme, dhe ai, i qeshur, por edhe serioz njëkohësisht; i thellë, i vetëdijshëm për misionin që i ka ngarkuar jeta për t’u ardhur në ndihmë të mjerëve e për të vrarë ata që e kanë njohur.

Xhungli – Ndenjëm atë natë te Syrja Selfo, natyrisht në dhoma të ndryshme. Syrjanë e vrau Koçi Xoxe, ndërsa Koçin e vrau pastaj pushteti popullor; nuk ishte i kulturuar, teneqexhi. U përvesha me gjunjët përdhe të laj dërrasat me furçë, a thua sikur ta parandjeja gjakun që do të derdhej më vonë, si të Syrjasë, ashtu edhe të Koçit.

Xhungla – Sa libra kishte E. Xhungu dhe në çfarë gjuhësh lexonit?

E kështu një orë të tërë; romantikë krimi, po hë mo se të shkuara e të harruara, se telespektatori, se gazetaria.

 Fuck Xhung!

Shkruan haiku – e rrahin!

26 Dhjetor, 2016, 13:34

Brigada e femrave xhihadiste al-Khansa ka rrahur në provincën Raqqi një të ri sirian, të cilit i pëlqente të shkruante e të deklamonte haiku, me akuzën se nëse vargjet i përmban Kurani, nuk kanë pse të shkruhen, e nëse nuk i përmban, janë sidoqoftë të tepërta, pasi në librin e shenjtë gjendet gjithçka. Të rejat xhihadiste i përmbahen kështu rigozorisht një shpalljeje të vezirit të shekullit të tetë, Khalil al Qoumrani, që dogji asokohe të gjitha tekstet jokuranore.

Ato e kanë torturuar të riun me një pajisje për kapjen e arinjve.
Xhihadistet e reja janë akuzuar se në një rast tjetër kanë dhunuar një femër me ferexhe të tejdukshme plastike.
“Do të ndëshkojmë këdo që nuk i bindet rregullave islamike”, ka deklaruar më herët Selma Buhari, njëra prej xhihadisteve të reja më aktive.

Macja e shtëpisë mbyt një leopard

01 Janar, 2016, 21:47

Pas një rasti në Kosovë, ku një qen shtëpiak mbyti një ujk mëse të egër, ja ku vjen edhe një tjetër i freskët nga Afrika Qëndrore.
Ngricat e forta të këtyre ditëve kanë bërë që një leopard të afrohet pranë zonave të banuara në një fshat pranë qytetit të Kinshazës.

Por macja e familjes N’dour e ka mbytur leopardin e lodhur nga uria, siç tregojnë fotot e shpërndara masivisht në rrjetet sociale.
Në Afrikën Qëndrore mishi i leopardit çmohet si delikatesë, sidomos bishti, ndaj dhe banorët e shtëpisë ia kanë hequr maces nga kthetrat dhe kanë bërë selfies me kërmën, të cilën pastaj e kanë gatuar.

Fotot e tryezës festive, të hedhura edhe ato në rrjetet sociale, janë komentuar rëndë nga online-sat perëndimorë, ndërkohë që banorët e zonës dhe komunitetet aziatike kanë treguar admirim për fatin e familjes N’dour dhe kanë postuar receta të ndryshme.

 I pirë dhe i vdekur?!

26 Tetor, 2016, 18:05

Skuadra e autopsisë u thirr në vendin e ngjarjes, pasi Xhemal Kopliku u diagnostikua si i vdekur pa shpresë. Siç njoftojnë organet policore të zonës së Lumbardhës në njoftimin për shtyp, i ndjeri kish festuar me raki dhe meze me dy-tre shokë xhenazenë e tij pa e ditur; ajo që miqtë nuk patën marrë parasysh nuk kishte qenë vetëm përqindja e lartë e rakisë (së maresë, siç do të zbulonte më vonë ekipi i lartpërmendur), porse edhe fakti që Kastriot Çaçka, një i njohur i mikut të Xhemal Koplikut, që kishte qëlluar rastësisht në ftesën që ky i fundit i pat bërë mikut Përparim Zyka, në kodrat e Liqenit Artificial, në tavolinën e improvizuar të dominosë. Për fatin e tij të keq Kopliku pat ftuar edhe Çaçkën në kësoll, meqë ishte ndodhur aty.

Rakia e maresë nuk ishte në të vërtetë e tillë: pas një telefonate të atypëratyshme që Çaçka kishte kryer me nipin e tij të sapokthyer nga emigrimi i gjatë në Siçili, – inicialet e tij nuk mund të jepen këtu për arsye hetimore – , ky paskësh patur në fuoristradën e tij dy shishe të ngjashme me përmbajtje po ashtu të ngjashme në dukje, por që nuk qenë ashtu, siç do të rezultonte edhe nga autopsia e Koplikut.

Nga intervista e shkurtër që mundëm t’i shkëputim kreut të skuadrës autopsike, pasi ai gjendej ende në punë e sipër, do të mund të thuhej, ndonëse shqyrtimi i çështjes vazhdon, se Kopliku dyshohet të ketë dhënë shpirt për motive të ulëta cinike: nipi i Çaçkës, me sa dihet deri më tani, ndonëse ai ngul këmbë me të madhe në pafajësinë e tij, ka patur në planifikim e sipër asgjësimin fizik të ungjit të tij Kastriot, por kjo pistë nuk është vërtetuar ende në formë fundore, ndonëse të dhënat flasin për një ndërlikim të Kastriot Çaçkës në aferën korruptive të dhënies së një tenderi për Gadishullin e Karaburunit. Porse nipi ngul këmbë se dy shishet pa etiketë i ka blerë për arsye nostalgjike, pasi i është thënë nga shitësi se bëhej fjalë për konjak të bardhë të përftuar nga druri i panjës.

E vërtetuar deri më tani është vetëm vdekja përfundimtare e Xhemal Koplikut; pasi pritën tri ditë se mos i dilte pija, të afërmit vendosën më në fund ta varrosin, pasi t’i ish bërë autopsia e të ishte vërtetuar edhe shkencërisht që ishte vërtet ashtu. Po, ashtu qe: ai kish vdekur vërtet. Ngushëllime të afërmve u uron redaksia e Çaçkës. Ua shpërblefshim në raste të tilla e të rroni e të na kujtoni. Hetimet vazhdojnë.

*Lajmet u përzgjodhën, u filtruan dhe korrigjuan nga ana gramatikale dhe drejtshkrimore, nga gazeta “MaSa”, “Dekada”, “Subjekti”, “Muaji”, “Viti”, “Panodrama”, “Vizioni”, “Gazeta 69” dhe e përjavshmja “Zekthi”.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kronikë nga Dogville

Go to Top