Arben Velo
Fieri ka shumë histori, por ndoshta historia e tij më e bukur mund të tregohet në vjeshtë.
Sepse vjeshta di ta ruajë kujtesën. Di t’i zhveshë pemët dhe ta veshë qytetin me kujtime. Ngjyrat e verës i merr dhe i ndryshon me kujdes. E verdha e diellit bëhet e artë mbi gjethe, e kuqja e perëndimeve shndërrohet në të kuqen e pemëve, ndërsa portokallia ngroh rrugët dhe mbrëmjet e freskëta.
Por, mes gjithë këtyre ngjyrave, vjeshta ruan një të artë të veçantë: ngjyrën e kujtimeve, të pjekurisë dhe të gjërave të bukura që marrin fund dalëngadalë. Në Fier vjeshta ka edhe një ngjyrë tjetër: ngjyrën e tokës së Myzeqesë pas shirave. Nëse do të mund ta shihnim këtë qytet në tri vjeshta, të larguara nga njëra-tjetra me dhjetëra vite, do të na dukej sikur shohim të njëjtin njeri në tri mosha.
Në vitin 1864, Fieri është fëmijë. Në 1944, është një burrë i lodhur nga lufta, me plagë në trup dhe me një liri të sapolindur. Në 2026, është një qytet i rritur që shikon pas dhe pyet veten çfarë ka mbetur nga ajo që ishte dhe pse disa prej bijve të tij po largohen.
Tri vjeshta. Një qytet. Dhe një lumë me emrin Gjanica, që rrjedh dhe nuk pyet kurrë se në cilin vit jemi.
Vjeshta e parë
1864 – kur qyteti kishte ende erën e tokës së papunuar
Është një mëngjes vjeshte i vitit 1864.
Mos kërkoni pallate. Mos kërkoni makina, asfalt, vitrina. Kërkoni mes baltës një rrugë që sapo ka nisur të kuptojë se një ditë do të quhet rrugë qyteti. Shiu i natës ka lënë gjurmët e tij mbi tokë. Në ajër përzihen era e dheut të lagur, e kafshëve të ngarkuara, e drithit dhe e prodhimeve që janë nisur drejt pazarit.
Diku dëgjohet një zë që thërret. Diku tjetër shfaqen këmbë njerëzish me nallane që ngecin në baltë. Kuajt lëvizin ngadalë nën peshën e ngarkesave. Qerret e tërhequra nga buajt kalojnë mes pellgjeve. Bujqit kanë dalë herët nga shtëpitë dhe sjellin atë që toka u ka dhënë pas muajsh pune.
Ky është Fieri i fillimit.
Më 29 korrik, 1864, Kahreman Pashë Vrioni e bleu Fierin nga thesari perandorak për 150 000 grosh, me synimin për ta kthyer në një qendër tregtare e zejtare. Pozita e vendbanimit ishte e favorshme: rrugët e Beratit, Vlorës, Lushnjës, Mallakastrës dhe Semanit e lidhnin atë me hapësirën përreth.
Në vitet 1864-1865, përgjatë Gjanicës u ngrit një treg me rreth 122 tregtarë. Historia na jep numrin.
Por numri nuk tregon zërat kumbues të tregtarëve, tingujt e këmborëve të kafshëve të ngarkuara, hapat që llapashiten mbi baltën e lagur nga shirat. Nuk tregon aromën e kuajve të lagur nga vesa dhe djersa, mirëzën e drithit dhe të prodhimeve që vinin nga fusha, as kallot e duarve të bujqve që sillnin në pazar atë që kishin nxjerrë me mund nga toka.
Një numër mund të tregojë se ishin 122 tregtarë. Por nuk mund të tregojë si tingëllonte një qytet që sapo kishte nisur të lindte. Këtë duhet ta përfytyrojmë. Dhe në mes të kësaj zhurme ishte Gjanica.
Jo thjesht si një vijë uji mes dy brigjeve, por si një fije jete që lidhte vendbanimin e ri me tokën dhe tregun. Pranë saj po lindte pazari. Përtej tij shtriheshin fushat, kënetat dhe Myzeqeja, nga ku vinte ajo që qyteti kishte nevojë të shiste.
Fieri po lindte nga një marrëveshje e heshtur mes njeriut, tokës dhe tregut. Ishte bujku ai që mbillte, punonte dhe korrte atë që toka i besonte. Çdo thes me drithë, çdo ngarkesë me prodhime, çdo karrocë që merrte rrugën drejt pazarit mbante brenda saj punën e tij. Dhe mes duarve të bujkut, tregtarëve që do t’u dilte nami e emri i mirë në gjithë Shqipërinë, rrjedhës së Gjanicës dhe zhurmës së pazarit, Fieri nisi dalëngadalë të merrte frymë si qytet.
Në atë vjeshtë ishte si një pemë e re që sapo kishte nxjerrë degët e para. 122 tregtarë nuk ishin thjesht 122 njerëz. Ishin 122 shenja se diçka po ndryshonte. Në 1864 Fieri kërkonte njerëz që të vinin. Dhe mbi këtë qytet të sapolindur kishte rënë vjeshta. Vera kishte ikur. Dimri po afrohej. Natyra dukej sikur ndalej për një çast mes asaj që kishte qenë dhe asaj që do të vinte.
Edhe Fieri ishte në një prag të tillë. Ishte baltë, tokë, ujë, rrugë mes baltës e njerëz. Dhe një lumë.
Vjeshta e dytë
1944 – kur shiu binte mbi një qytet që priste fundin e luftës.
Pas pushtimit italian dhe atij gjerman, Fieri nuk ishte më qyteti që kishte mësuar të rritej mes zhurmës së pazarit dhe erës së tokës. Lufta i kishte ndryshuar tingujt. Tani ato pak rrugë e shumë rrugica dëgjonin një gjuhë tjetër: lajmet që sillnin korrierët nga larg, krismat që afroheshin, hapat që mund të sillnin frikë.
Kishte ardhur vjeshta e paqetë e vitit 1944.
Në Myzeqe ajo nuk është kurrë vetëm ngjyrë. Është edhe shi. Një shi i imët që bie mbi fusha, mbi këneta të mbushura me kallëma si fyej mitikë, mbi çatitë e shtëpive të pakta, mbi rrugët e baltosura. Është ai lloj shiu që e bën tokën të rëndë dhe qiellin të lehtë. Vajkani. Koshovica. Çukasi.
Emra që në një hartë mund të duken të vegjël, por në ato ditë mbartnin krismat e pushkëve, frikën dhe pritjen. Më 18 shtator pati luftime në Vajkan; më 5 tetor, në kodrat e Çukasit u zhvilluan përleshje të tjera, ndërsa më 13 -14 tetor luftimet u afruan drejt Fierit. Më 15 tetor, forcat partizane hynë në qytet. Fieri u çlirua. Historia na tregon datën. Por data nuk tregon heshtjen e shtëpive, ankthin e njerëzve dhe atë çast kur një hap në rrugë mund të sillte frikë ose shpresë.
Është mëngjes.
Shiu ka pushuar për pak. Rrugicat janë ende të lagura. Nëpër shtëpi njerëzit flasin me zë të ulët. Një grua afrohet te dritarja. Lëviz perden e punuar me dorë. Anon kokën mbi xham.
– I dëgjove?
Burri pranë saj nuk përgjigjet menjëherë.
– Çfarë?
– M’u duk sikur dëgjova hapa.
Hapat afrohen. Pastaj zëra. Shumë zëra.
Dikush, nga larg, thërret:
– Po hyjnë!
Dyert nisin të hapen. Fëmijët dalin pas fundeve të nënave.
– Mami, kush po vjen?
– Ja ta shohim.
Njerëzit zbresin në rrugë. Fillimisht me kujdes, pastaj gjithnjë e më shumë. Dikush buzëqesh, dikush qan, dikush ende nuk beson. Një burrë i moshuar, që kishte kaluar vite duke pritur, mund të ketë pyetur:
– Vërtet mbaroi?
Dhe dikush pranë tij:
– Mbaroi.
Për një çast Fieri merr frymë. Por lufta nuk ishte larguar pa lënë gjurmë. Në tërheqje, gjermanët hodhën në erë dy nga urat e rëndësishme të qytetit: urën e vjetër të gurit, që lidhte qendrën me Shkozën dhe datonte nga viti 1777, si edhe Urën e Sheqit. Dhe këtu vjeshta e Fierit bëhet më shumë se një stinë. Kthehet në një metaforë.
Liria hyri në Fier mbi ura të shkatërruara.
Çfarë figure më të fortë mund të kishte për një qytet që duhej të fillonte përsëri?
Urat ishin thyer. Shtëpitë mbanin mbi çati shenjat e shkatërrimit dhe prisnin që brenda tyre të ndizeshin sërish zjarret e dimrave. Ndërsa Gjanica vazhdonte të rridhte. Ajo nuk donte t’ia dinte për pushtime, çlirime apo data. Thjesht vazhdonte rrugën e saj nën urat e dëmtuara, duke mbajtur mbi sipërfaqen e ujërave kujtesën e qytetit. Vjeshta e vitit 1944 nuk ishte vetëm vjeshta e çlirimit.
Ishte vjeshta e plagëve të një qyteti të lodhur.
Shiu binte mbi çatitë, mbi rrugët e baltosura, mbi muret që kishin dëgjuar krisma, mbi oborret ku mungonin gjurmë njerëzish dhe lodra fëmijësh. Fieri kishte plagët nëpër mure, nëpër ura të shembura. Por plagët më të mëdha nuk dukeshin. Njerëzit i mbanin me vete. Gjethet binin. Shirat binin gjithashtu. Por qyteti ishte ende aty. Si një pemë që kishte humbur disa nga degët e saj, por rrënjët i kishte ende në tokë. Fieri kishte mbetur gjallë. Në vjeshtën e parë kishte nisur të mblidhte të ardhmen. Në këtë vjeshtë duhej të mblidhte veten. Dhe nga rrënojat, nga balta dhe nga urat e thyera, do të niste një tjetër stinë.
Vjeshta e tretë
2026 – kur qyteti shikon pas.
Fierin nuk e kisha parë asnjëherë.
Isha gjashtë vjeç dhe bota përreth meje vinte pa radhë: cicërimat e harabelave, fjalët e njerëzve, ngjyrat e stinëve dhe, mbi të gjitha, fjalët e babait e të nënës, që në përkëdheljet e tyre mbartnin mall, harresë, dhimbje e dashuri.
Në ato ditë të para të tetorit, Fieri ishte ende një qytet i krijuar në përfytyrimin tim. E shihja të madh, me pallate, me dyqane që ndriçonin si sarajet e përrallave të “Një mijë e një netëve”, me njerëz që më ngjanin me personazhet e gojëdhënave të gjyshes.
Një mbrëmje babai më tha:
– Nesër do të shkojmë bashkë në Fier.
Të nesërmen u nisëm me biçikletën 28-she kineze. Unë isha mbledhur përpara tij, me njërën dorë te timoni i dy-rrotakëshit, ndërsa sytë më kërcenin si peshq të lumtur në mugëtirën e mëngjesit. Përpiqesha të kapja çdo pamje që më dilte përpara, të zbuloja pas saj portën e bukurisë që kisha ndërtuar në mendje. Te hyrja e qytetit, selvitë hijerënda dukej sikur hapnin krahët e gjelbër për të më pritur. Fieri hyri dalëngadalë në sytë e mi.
Ishte një peizazh i përflakur nga dielli i tetorit, që më nanuriste në heshtje mendimet prej fëmije. Lulishte, lule, njerëz, biçikleta, burra, gra, fëmijë. Gjithçka më dukej si një refren thirrjesh të gëzueshme. Po çmallesha me atë që kisha përfytyruar, edhe pse qyteti ishte ndryshe. Ndryshe? Pse ndryshe?
Nuk dija ta shpjegoja. Babai e vuri re hutimin tim dhe ndali biçikletën mbi një urë të madhe. U përkula. Poshtë rridhte një ujë i gjallë. Vorbullat më ngjanin me lajkat e shokëve të lagjes, kur përpiqeshin t’i kafshonin njëri-tjetrit një copë bukë gruri me sheqer të lagur sipër. Ajo ishte Gjanica që pashë për herë të parë. Një lumë i mbuluar me gjethe vjeshte. Atë ditë nuk e dija se po shihja jo vetëm një lumë. Po shihja një kujtim.
Sot, kaq vite më pas, kur e shoh Fierin në vjeshtën e vitit 2026, më duket sikur ai qytet i parë është ende aty. Jo ai që ndërtoja në mendjen time si fëmijë, jo ai i pallateve dhe dyqaneve që më dukeshin si saraje, por ai qytet që ka mbetur diku poshtë viteve, nën asfalt, nën zhurmën e makinave.
Kjo vjeshtë i ka të gjitha.
Ngjan me një pikturë ku spikatin motivet myzeqare në rrymën realiste. Ka ngjyrat e trishtimit të verës që po ikën, teatrin që luan dielli me pemët, ndërsa pemët bëjnë grimin e tyre të fundit, si aktore që e dinë se shfaqja po ndryshon skenë. Ka erën e detit, me pak shije vere të kripur dhe vjeshte të ëmbël, gjethet që luajnë me këmbët e fëmijëve kur dalin nga shkolla, ka magjinë e aromave të tokës. Por ka edhe një ngjyrë që nuk e njihja atëherë. Ngjyrën e ikjeve.
Ndoshta për ta kuptuar këtë ngjyrë duhet të takosh njerëzit që kanë mbetur. Në këtë vjeshtë takoj Mikel Fekën.
Nëse e kërkon në shtëpi, mund të mos e gjesh. Më kollaj e gjen në punë, në njësinë e vogël të riparimit të biçikletave, në katin e parë të një pallati në lagjen “Kongresi i Përmetit”. Dhe nëse nuk është aty, ka shumë mundësi të jetë duke ngarë biçikletën. Mikeli ka lindur më 4 nëntor, 1942. Ka qenë çiklist dhe fitues etapash në garat e çiklizmit në Shqipëri. Mijëra biçikleta kanë kaluar nëpër duart e tij. Edhe kur shkoi emigrant në Greqi, vazhdoi të punonte me të njëjtin zanat. Më tregon për gruan që e kishte njohur në restorantin “Vollga”, në Durrës.
– Atje e pashë për herë të parë. Iu qepa, s’iu ndava, derisa u martova, – thotë duke qeshur.
“Kemi tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë”.
Pastaj fjala merr një kthesë të heshtur. Fëmijët janë jashtë vendit. Por Mikeli nuk ankohet. Ndoshta sepse disa dhimbje, kur i ke mbajtur gjatë, nuk kanë më nevojë për shumë fjalë. Mijëra biçikleta kanë kaluar nëpër duart e tij.
– Jeta ime ikën dhe rrotullohet sikur është vetëm biçikletë, – thotë dhe qesh.
Por pas asaj të qeshure më duket sikur dëgjoj diçka tjetër. Një ofshamë. E njëjta ofshamë që më duket se dëgjoj këto ditë nëpër qytet. Fieri ka ndryshuar. Është rritur, është zgjeruar, ka më shumë pallate, makina, rrugë e dyqane. Por ka edhe më shumë vende ku mungojnë njerëzit. Sidomos të rinjtë. Ata janë larguar për të kërkuar një jetë tjetër. Dhe qyteti që dikur i thërriste njerëzit të vinin, tani duket sikur u kërkon bijve të vet të mos largohen.
Në 1864 Fieri kërkonte njerëz që të vinin. Në 2026, Fieri kërkon njerëz që të qëndrojnë.
Shkoj te Gjanica. Më kujtohet ura e fëmijërisë. Më kujtohet biçikleta e babait. Më kujtohet ajo copë bukë gruri me sheqer të lagur sipër, që për mua atëherë ishte një botë e tërë. Më kujtohet qyteti që më dukej si përrallë. Dhe më del përpara Mikeli, me biçikletën e tij, duke ngarë ngadalë nëpër një qytet që ka parë shumë. Gjanica është aty. Ka parë tregun e parë. Ka parë luftën. Ka parë urat e shkatërruara. Ka parë qytetin të rritet. Ka parë fëmijë që u bënë burra e gra dhe më pas morën rrugët e largimit. Ajo nuk pyet, nuk gjykon, nuk ndalet. Thjesht rrjedh.
Gjethet e vjeshtës rrotullohen mbi ujë. Për një çast më duket sikur bashkë me to rrotullohen tri kohë: 1864, 1944, 2026. Tri vjeshta. Një qytet. Një lumë. Dhe njerëzit. Ata që erdhën, ata që luftuan, ata që qëndruan dhe ata që ikën. Ndoshta kjo është vjeshta e tretë e Fierit.
Jo vjeshta e një qyteti që po vdes, por vjeshta e një qyteti që po pyet veten se çfarë duhet të bëjë që bijtë e tij të mos harrojnë rrugën e kthimit. Gjanica vazhdon të rrjedhë. Njësoj si koha, njësoj si kujtesa.
Dhe unë, pas kaq vitesh, ende e shoh atë fëmijën gjashtëvjeçar mbi biçikletën e babait, duke u përkulur mbi urë e duke parë vorbullat që u ngjanin lajkave të shokëve të lagjes për të kafshuar një copë bukë me sheqer të lagur.
Ndoshta qytetet nuk mbeten në kujtesë për pallatet, rrugët apo vitrinat. Mbeten për një zë, për një erë, për një lumë, për një copë bukë me sheqer, për një biçikletë dhe për një vjeshtë.
Sepse qytetet maten edhe me vjeshtat.
NË KOKËN TIME ENDE BIE NJË ÇANGË-Arben Velo
NË KOKËN TIME ENDE BIE NJË ÇANGË-Arben Velo Në kokën timeende bie një çangë,veshur me funde mjegullash.