Përse shkruaj-Aida Velo

in Pse shkruaj? by

Aida Velo
 
Do të ndihesha fatlume po ta dija vërtet pse shkruaj (e pse stepem të shkruaj). Të shkruarit më përket më tepër si një dëshirë që ia di cakun. Historitë e mia kanë vërtet një cak. Nuk janë as për t’u harruar, as përmendore. Janë histori të zakonshme.
Për të qenë e vërtetë, mendoj se kam nevojë të shkruaj. Jo që njerëzit të më njohin. Të njoh veten time. Të shkruarit më duhet për një arsye fare të thjeshtë: për të mbajtur mend. Sepse jam e harruar. Pa kurrfarë rendi kohor ose shkakësor…
I kam dashur të gjallët dhe të afërmit, por besnikë, ama, më kanë qëndruar të vdekurit ose të largëtit. I kam dashur të afërmit, por të vërtetat për veten time m’i kanë treguar ata me të cilët nuk ndaj asnjë segment ADN-je.Ata që nuk i përkisnin më të gjallëve. Kam pasur fatin t’i ndiej si të afërm të zgjedhur me dorë, edhe pse në të shumtën e herëve as e kam ditur që do të bëheshin të tillë. Kjo dashuria ime për të gjallët m’u mësua nga ime më, kurse kjo për të vdekurit ose të largëtit erdhi vetiu.
Dhe jo se unë isha rebelja, por sepse kleçkat e dashurisë mes të gjallëve nuk i kam kuptuar qysh motit. Për aq dashuri sa kam marrë, ashtu kuturu, jam mirënjohëse. Kanë qenë gati të plota. Plotësisht njoh vetëm dashurinë që kam dhënë dhe atë që jap. Të shkruarit lindi si një kontradiktë mes asaj që më thuhej në shtëpi dhe asaj që ndieva dhe pësova në lëkurën time. (E thashë, më duket, se historitë e mia janë mëse të zakonshme, apo…?)
Në shtëpi i binin tamburasë për fatin e madh të të jetuarit në atë lagje naftëtarësh, po me ca të tjerë që dallonin. Me atë lloj fqinjësie gati-gati vëllazërore. Ndamë çelësat e shtëpisë, i vëmë në krye të tavolinës për fejesa e martesa, ua hapim e na i hapin dyert e shtëpisë për dasma e për mort…
Sa e lehtë për ta thënë nga prindërit tanë!
Nuk u është dashur atyre të luajnë me pinjollët e këtyre fqinjëve, por mua. Përjashtohesha nga loja se nuk dija të luaja. Në «dasma» mua nuk më ra asnjëherë radha të lyhesha me të kuq e të mbaja një tufë lulezambakësh e të ulja sytë. Radha më binte të mbaja bishtin e fustanit, ndonjë copë rreckë, kryesisht flakërimë.
Unë nuk isha e përshtatshme as për ndonjë gjilpërë gozhde të ndryshkur, sepse harxhoja alkoolin për të më dezinfektuar prapanicën. Po unë e dija se alkooli ishte vetëm për ca prapanica nja dy herë më të majmura. Para tyre të pasmet e mia ishin «bëzhdila».
Ma patën treguar mirë vendin. Sipas tyre, qeshë «Mendjelleshkë e çmendur», me të folurën time si prej librash. Dukej se, për ndonjë arsye a ndonjë tjetër, truri dhe goja e «të vegjëlve» të lagjes sime ishin vendosur në prapnicë. Dhe heshta. Kryesisht nga frika. Më duhej të dridhesha e të buzëqeshja.
Kujt do t’ia thoja se ndihesha kaq vetëm, edhe pse rrethqarkësohesha me njerëz? Librat më kuptonin tamam, se brenda e jashtë vetes sime rrëmuja s’më kursente. Shtëpia ku u rrita qe, në njëfarë mënyre, hotel. Vinin shpesh ca të afërt prej vërteti e ca të afërt prej gjasme. Dhe bëheshin vërtet zot shtëpie. Më përshtatej ky hotelizim.
Babai bëhej i dashur dhe unë mbështillesha me xhaketën e tij. Merrja aromën që ta mbaja me vete për t’u mbrojtur nga mungesat e tij. Më linte në agim të sabahut e më gjente në gjumin e parë të mbrëmjes. Tani kuptoj sa i rëndë ka qenë ky hotelizim falas për nënën time. Të gatuante për ca nga ata njerëz pështjellues të vegjëlisë së saj (nga nguti për të kapërcyer caqe) duhej të ketë qenë vërtet e hidhur. Se që ishte e rëndë, këtë ma ka pohuar me gojën e saj, kur të njëjtët shfaqen në derë me ndonjë pasardhës dhe ia lënë në dorë, tani që po kap shekullin, ndonjë 1000-lekësh të ri.
«Nuk i dua», më thotë. «Merri ti». Njëherë, madje, as nuk kishin gjetur grimca fjalësh për të përligjur ardhjen. Për kësi rastesh paskësh shkruar Markezi, kolumbiani, një nga të dashurit e mi të zgjedhur me mendje e zemër. Po edhe Zhak Preveri, francezi me zogj e harrakatë zbatharakë.
E pse duhet të shkruaja edhe unë? Apo të më thonë prapë se unë kopjoj? E kam ngritur piacën, (kopjoj të jashtmit, me demek). Të shkruarit më ndihmon të vlerësoj gruan që më lindi. U përpoq e përpiqet ende të më thotë se, sa është ende gjallë, të mos fiqirosem se të tjerët nuk më duan. Më ka thënë se do të largohet nga kjo botë kur unë të mos ia kem më nevojën. Më hyn nga njëri vesh e nga tjetri më del çfarë parathotë ajo.
Vetë harroi të më mësonte të jetoj pa të.
Ajo… Sa ka pritur e përcjellë! Sa njerëz kanë ngrënë e janë ormisur për të fjetur nga duart e saj! Netëve, me kominoshet e ngrira nga llaci ende në atë trupin e saj të mezidukshëm. Me kafenë që nuk e gjerbi njëherë për merak… Unë flija e ajo shqepte thasët e çimentos për të nxjerrë spango, për të thurur triko për vete. Dhuratën më të lirë që një grua i bën vetes.
Të njëjtat duar ashpërsoheshin nga sapunët me shtresa thumbore. Atëherë nuk qaja, se nuk më shqetësonte. Tani që jam vetë nënë, më vjen të ulërij… Në libra kishte dhembshuri dhe drejtësi për njerëz si nëna ime. Pse duhej dhe unë të shkruaja?
Nuk kam kërkuar ndonjëherë rroba të reja e ndihesha në siklet kur më duheshin këpucë. Ama, doja drejtësi për nënën time. Atë, të gatidukurën nga pjesa tjetër e nënave… Mes 1001-ra faqeve të lexuara, me histori nga më të rëndomtat e deri te më monumentalet, mes fantazisë për të qenë tjetër njeri, në një tjetër lagje, e vetmja xhelozi e vërtetë u ndjesua te ajo. Kush do të shkruante për të?
Dashuria rreth meje ka qenë shumë dembele për t’u shfaqur.
Mohoj të ketë qenë e njëjtë dhe përbuzja. E shpejtë, e ashpër, e pacipë, e aspak e zgjuar. Linte gjurmë sa andej-këndej, krejt si lopa bajgën. Dhe kurrë nuk mori mundimin ta pastronte pisllëkun që mbillte. Jam vetëkonfirmuar si viktima e dorës së parë e zemrës së prindërve të mi.
Sipas tim eti, duhej të bëhesha e fortë e t’i haja me dhëmbë lanetët e padashur, por nuk më lejohej ta kopjoja në situata të njëjta. Sipas nënës sime, ta hapja zemrën e ta bëja hambar, sidomos për ata që silleshin keq me mua. Madje, ata kishin të drejtë edhe të më shanin, se nuk e dinin se çfarë ishte dashuria.
Gjynah të shkretët!
Një kokolepsje absurde e të natyrshmes me të pakonceptueshmen. Dhembshuri për të tjerët e pranim i degdisjes nga «fqinjëria»! Sepse ata nuk kanë marrë diçka, si i thonë more… Ngatërronte edukatën me dashurinë. Urrejtjen me pamundësinë për të qenë i sjellshëm…
Marrim për të mirëqenë atë që na jepet falas. Na duket se e meritojmë. Arroganca e të marrit dashuri pa e vrarë mendjen për të qenë mirënjohës, mungesa e empatisë për tjetrin, vetëm sa e bën njeriun të thyeshëm.
Po çfarë ishte dashuri për mua?
Duhej të njihja gjyshen nga nëna, që të kuptoja se dashuria është zgjedhje. Dhe se, në çfarëdo forme të vijë, derën duhet t’ia çelim. Se për gjyshen nga babai, më mjaftonte që ime më betohej vetëm për shpirt të saj. Dashuria që ajo më mësoi ishte aq e thjeshtë, sa një shtëpizë me mana e dysheme balte, njëjtë si muret, sofat gri dhe këmbë të zbathura.
Ah, dhe gjëja më e bukur, gërshetat e saj!
Nën napën e zezë që hidhte kokës, dilnin tuba flokësh të verdhë. Mbeta gojëhapur kur e pashë të lante flokët me finjë. Dy palë flokë!!! Një palë të vjetër e një palë të rinj. Shamia e zezë mbulonte ato pak flokë të zbardhur nga pleqëria. Por në fund të cepave shamia kujdesej për dy pufkëza të mjalta, fije të dendura. Ishin flokët e nusërisë. Ajo i ngjiste me thurje për të ndjellë atë, burrin e saj, gjyshin tim. T’i kujtonte se i përkiste edhe pasi ai qe bërë njësh me dheun.
Ta ketë dashur vërtet aq shumë?
Ime ëmë nuk ia fali dot të atit që e pat keqtrajtuar gjyshen time. As unë, edhe pse nuk e njoha kurrë. Nga ne të dyja, ime më ka kujtesë të zilishme. Varfëria dhe dhuna u bënë kujtesa e saj, dashuria zgjedhja. Do ta kujtoj gjithë jetën fjalët e të atit në nxehje e sipër: «Ju plasa për dheu», e nuk i preku kurrë me dorë. Kurse asaj, gjyshes sime, i binte sa herë të mundej.
Sikur e kishte ajo fajin që ai nuk gjente punë! Meqë ishte grua, duhej të kishte bërë diçka që dajën tim të vetëm ta kishte mbrojtur nga syri i keq.
Daja im, Hasani, u mor në qafë nga syri i një gruaje me tetë djem dhe vdiq një javë më pas, duke kërkuar këtë gjyshin tim të kthehej në shtëpi. Pakujdesia e gjyshes nga ngrënia me sy, si shkaktare e vdekjes, e la pa djalë. Një krim që duhej ndëshkuar. Meqë nuk e vdiste dot (se i duhej), e rrihte.
Si mund të keqtrajtohej një njeri si ajo, që lante kokën me ujë shiu e me finjë? Vetëtinin flokët e mjaltë të gjyshes sime për këtë lloj gjyshi kaq të përfolshëm. Kaq të pangushëllueshëm! E joshte ende atë, bashkëshortin që kishte larë hesapet me të gjallët? Sigurisht, nuk priste ndjesën e tij. Mendoj se lutej ta merrte me vete. Nuk i kishte njohur të sajët. E ndjera ime motër më thoshte se qe e ardhur nga Turqia. Po kështu dhe motra tjetër. Nëna kurrë nuk ma tregoi, mendoj se nuk e di as ajo vetë…
Një pështjellim mes asaj që mendoja unë dhe ime më, dhe asaj që bënte gjyshja ime, mbase do të duhej të sqarohej vetëm me aktin e të shkruarit. Po të ulesha për t’u dukur shkruese, do të më duhej të stisja histori nizamësh zemërdridhur që dhembshurinë e vrarë e rilindi te kjo krijesë e vogël, gjyshja ime pa atdhe. Te ajo që, në një shekull tjetër, do të më zbulonte se dashuria nuk kërkon shpërblim. Ose është, ose mungon. Të tjerat janë pallavra.
Gërshetat e saj sikur më thoshin se dashuria është përkatësi gjithashtu. Ajo e deshi tim gjysh, edhe pse ai nuk e trajtoi dhembshurisht. Kishte kuptuar para meje se dashuria mësohet. Deshi t’ia mësojë gjyshit tim, atë, artin e të dashurit. Po a hedh rrënjë dashuria aty ku pushteti duhet të bëjë namin, qoftë dhe në varfëri ekstreme?
Gjyshi përdori atë dromcë pushteti për të poshtëruar, keqtrajtuar pjesën më të mirë të jetës së tij. Nuk besoj se është penduar për këtë, do ta kisha marrë vesh. Te njerëz si unë dhe familja ime, me histori pothuaj të njëjta, kthimmendja ndodh rrallë, mbahet mend. Një njeriu pa atdhe, ose me atdhe të gënjeshtërt, me një copë trung për të vënë kokën darkave e një gavetë për të ngjyer koromanen, përkatësia i barazohet me identitet.
Dashuria nuk është përkatësi. Është zgjedhje, engjëlli im dypalëflokësh!
Njeriu mund të dojë e të zgjedhë dikë ose diçka që nuk i përket, për arsyen e vetme se ekziston. Është ajo lloj dashurie që mua më bëri një njeri më të mirë. Më bëri të fluturoja dhe më bën të ndihem e përkëdhelur edhe tani. Fundet tejet të lumtura nuk janë ulur ndonjëherë në fatet e njerëzve si ne. Kurse për atdheun, nuk mund të ketë zgjedhje të dytë. Gjyshja ime pranoi atdheun që i dhanë.
Ia vlen ta kujtoj këtë përmes shkrimit. E veçanta nuk është historia e gjyshes sime, por shenjat që la te unë. Rreth e qark nuk kisha dëgjuar të flitej për histori të tilla. Ose nga panjohja, ose nga njëfarë bezdie. Të vdekurit me të vdekurit, e të gjallët secili në lëkurë të vet. Por bota është e tejmbushur me vjedhje e shkëmbime atdhesh. Në lagjen time, moda e tillë do të trokiste pas ’90-s, kur ime gjyshe qe njëjtësuar me dheun.
Babai dhe nëna ime ma mësuan kokëposhtë atdheun, ta duam dhe për ata që vdiqën. Kur unë e recitova këtë fragment në një radhë për marrjen e një racioni mishi, që zgjati mjaftueshëm për të njohur të ftohtin, sytë e gruas që më pyeti më shpuan dhe më ngulën një heshtë që ende nuk e kam shkëputur prej ashtit. Dreqi e mori, vetëm njëherë e kam parë atë grua!
Thua se i duhesha unë për ta zbrazur atë akullimë, dhe thua se unë kisha nevojë për atë dush që të zgjidhja: Ta doja Shqipërinë për të vdekurit, për të gjallët apo për veten time?
Kushedi sa e rëndë ka qenë ngrimërina në atë trup gruaje dhe ata sy dritëkarfosur! Mirë që më gjeti mua, një copë kallamishteje kockash, se mbase u çlirua. Edhe pse më bëri të ndihesha vërtet budallaqe. Më shkroi në eshtër sa të vegjël para atdheut. Dashurinë për të e pronësuan dhe reklamuan të tjerë, më të hedhur e më të parë, më zhurmëbërës dhe lekëbërës gjithashtu.
Çfarë dreqin më kanë katranosur ata të dy, prindërit e mi? Akoma guxoj dhe mendoj për akullimën e saj dhe jo për ashtin tim me plagë!!!
Njerëz si personazhet e historive të mia, mbase nuk janë protagonistë ngjarjesh historike dhe vendimtare në këtë Shqipërinë tonë. Ajo që unë jam krenare të them dhe të shkruaj është se, në asnjë rrethanë, asnjëri nga ne nuk e ka mohuar ose mallkuar atë. Nuk e ka sharë apo shitur qoftë dhe shkarazi tavolinave. Dhe jo se nuk kemi pasur arsye për t’ia mbathur. Ata që ikën nuk e donin më pak se ne atdheun. Ne qëndruam. Unë qëndrova. Për të kuptuar mbase? Të vetëkuptohem.
Fundja, nga vetja ime nuk jam shkëputur asnjë çast, veç atyre rasteve kur e kam urryer dhe më është dukur mëse e drejtë për ta zhdukur nga qarkullimi. Të kuptuarit jo se të bën gjithherë të domosdoshëm, e veçanërisht të lumtur. Mund të hamendësoj kur nisi. Fund besoj se nuk do të ketë.
Mbase nisi atë herën e vetme kur im atë më mori me vete të më tregonte vatanin e tij. Atë vatan që një stërgjysh i tij, nja katër breza më parë, e pat gjetur si ikje nga hasmi. Brenda mrekullisë natyrore, mrekullia njerëzore regëtinte me kundërshtitë e veta. Kam parë aty një njeri që ecte me duar. Këmbët i kishte dy skërfyej të gjatë që i mbështillte si pako nën sqetull. E ecja nuk i sosej as nga rrëpirat, as nga gjëmbaçët. Po aq e pasosur ishte buzëqeshja në fytyrën e zeshkët.
Pashë për herë të parë dhe të fundit xha Abazin dhe Shanikon, kushëri i afërt me tim atë. Tani më vjen për të qeshur… sepse xha Abazi është i pari njeri që ka qarë posaçërisht pse më takoi mua. Mbante veshur një këmishë nja 100-vjeçare në trup dhe kishte krahë të fortë. Qau se më përqafoi mua. Me lot të vërtetë. Po të qante për babanë tim, ky do ta kishte sharë. Nuk do ta kishte pranuar.
E kaloi atë përqafim fytyrëlotshëm te unë. Ta harroja se do ta njihja atë lloj dashurie pesësekondëshe, po të mos qenë të afërm bashkë, ai dhe Abazi. Qenë rritur bashkë dhe Abazi nuk kishte pranuar ta ndiqte babanë tim në udhën drejt qytetit. Në majë të asaj kodre, në shtëpinë pa dysheme dhe me dritare sa një fetë buke, më ngeli një pjesë e zemrës.
Bashkëfëmijërinë fqinjësore as për një mijë vjet nuk kishin për ta kuptuar. Ngaqë ishin shumë të zënë duke kërkuar te unë, dhe te ca të tjerë si unë, ndonjë gjilpërë të vjetër për ta kthyer në gozhdë. Madje as nuk do të donin ta dezinfektonin. Ashtu më vinte hakut, e ndryshku, plot mikrobe. Po e kam festuar atë çast për kaq vite.
Absurde ta shkruash, qoftë dhe si një varg i dorës së dytë, a të tretë. Por unë nuk shkruaj për të bërë përshtypje.
Ajo që di të them është se dashuria e marrë kështu, rrëmbimthi, shkarazi, nga njerëz të harruar, ka qenë aq e vërtetë dhe aq e fuqishme. Aq e natyrshme, saqë viti ’97 më tronditi në ëndërr para se të bëhej realitet. Ëndrrat janë aq sqimatare. Shkojnë aty ku e dinë se duan t’i kuptojnë.
Çmendinat u hapën në ëndrrën time.
Në realitet, djali m’u drodh në bark e vajza, kur turma me armë ngritur përshkuan në këmbë lagjen. Fytyra të lodhura, turmë e çorientuar që, siç dukej, po mësonte t’u qëllonte ndërtesave për t’ua ngulur në mish. Nuk kam për ta falur kurrë përpëlitjen e sime bije mes pelenave. Sepse dhe falja duhet të kërkohet.
Mosfalja ime dhe e njerëzve si unë nuk e ndryshon historinë… Por unë jam dëshmitare e korrikut 1990, e çmendurisë së 1997–1998-s, e 21 janarit 2011. E padukshme, gati indiferente, e tmerruar, por e vërtetë. Dëshmoj sesi mosdashuria sjell pështjellim, revoltë, ikje nga sytë këmbët…
Nuk kujtoj ku lë çelësat, emrin tim shumë herë, telefoni më duket i humbur dhe kur e kam mes gishtave. Çmendem, i hakërrehem vetes për harresat dhe humbjet. Po kurrë nuk kam për ta harruar se dashuria është ajo që na bën unikë. Urrejtjen e mbjellin ata që nuk u është mësuar se çfarë është ajo.
Mbase për këtë, vetëm për këtë ia vlen të shkruaj.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.