Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.
Përgjigjia e radhës erdhi nga poetja Majlinda Sinani Lulaj.
Vijon më poshtë.
Pse shkruaj?-Majlinda Sinani Lulaj
Pse shkruaj?
Mbase se jam defekt teknik edhe unë 🙂 …
Diçka e vulosur sysh, jashtë serisë. Një trajtë e padefinuar, e hequr prej radhës, e skajuar, në shi. N’vend se t’ndryshkem, pikoj fjalësh.
Shkruaj për t’u përmbledhur, ndoshta. Për të zënë skajet e mia. Përhumbjen. Për të mbajtur kohën e ngjizjen me të. Për të shlyer kujtesën. Për të gërryer harresën.
Shkruaj mbase për të bërë dallimin ndërmjet frymëmarrjesh. Për t’u dhënë nuancë ndjesive. Për t’i dhënë kuptim qenësisë. Për të vijëzuar absoluten e për ta njohur atë. Për t’i përplasur kundërthëniet e për të jetuar me to.
Shpesh shkruaj se kam frikë; ngatërroj rrugën për tek vetja. Për tek njeriu. Tek e vërteta. Shkrimi m’i shenjon kufijtë dhe e kursen këtë vdekataren që thotë se guxon.
Them se shkruaj për të shëruar plagët, për të lëmuar vragat, për të sheshuar honet. Për ta ndarë në kafshata të kapërdishme zhgënjimin.
Herash shkrimi është bashkëbisedimi gju m’gju me Zotin… rrëfimi, mëshira, shpëtimi.
Hovesh shkruaj për t’i heshtur mendimet. Për të paqtuar dufin e qiejve n’mua. Për të qetuar dallgët kur jam larg, fort larg prej bregut. Për t’i marrë me t’mirë erërat kur m’shtyjnë me pahir lartësive.
Shkruaj se, mbase, është një mënyrë për të përmbysur njëtrajtësinë e përditshmërisë. Një mjet për të shtyrë tej kufijtë e shpirtit. Është një veshje brenda së cilës jam natyrshëm vetja.
Nganjëherë shkruaj për të mbërritur dunat, shkretëtirave. Oazet ku djeg hana. Për të dalluar kufirin ndërmjet iluzionit dhe të njëmendtës. Për t’u bërë cifla n’mirazhin e dritëhijeve t’qenies.
Ndodh që shkruaj për të gjetur zanafillën e asaj çka jemi. Të di ku nis humbja e ku triumfi. Në ç’zenit zhduken të dyja e fiton njeriu.
Them se mbase shkruaj se ashtu i largohem territ e hidhem miklimit t’dritës; bëhem njënjëshëm vesës e përbrendësohem rrezesh.
Po… kushedi!
Unë, s’jam më shumë se pluhur n’krah zanash e n’kapërcyell stinësh një amanet andrrash. Ndoshta, prandaj shkruaj!
02 Shkurt, 2022
Prishtinë