Si këndvështrohen personazhet femërorë në letërsinë botërore dhe në atë shqiptare/Majlinda Sinani Lulaj

in Esé/Letërsi by

Revista defekt-teknik u drejtoi një pyetje, shkrimtarëve dhe joshkrimtarëve, mbi mënyrën sesi këndvështrohen personazhet femërorë në letërsinë botërore dhe në atë shqiptare.
Përgjigjia e radhës erdhi prej poetes Majlinda Sinani Lulaj.

Arlinda Guma: Mendoni se në letërsinë botërore, përfshi edhe në atë shqiptare, personazhet femërorë duke u këndvështruar së shumti nga shkrimtarët burra, kanë një boshllëk të vazhdueshëm? Të cilin mund ta plotësonin këndvështrime të reja, më çliruese, të grave shkrimtare? (Edhe pse ndonjëherë më duket sikur edhe vetë disa shkrimtare gra i kanë këndvështruar këto personazhe sipas modeleve të vështrimeve burrërore të kolegëve të tyre.) Si e shihni ju këtë?

Majlinda Sinani Lulaj: Produktet artistike janë konstrukte ndërveprimi shumëdimensional. Mënyra e të menduarit në proces të këtij ndërveprimi absorbon nga jashtë dhe reflekton në brendi të artit e paraprakisht në vetë artistin. Në këtë mënyrë, një vepër artistike, shkrin në thelb autorin dhe habitatin krijues (jo thjesht fizik). Brenda kufijve të padukshëm të këtij ndërveprimi, letërsia mbetet rrugëtim kompleks e i shumëfishtë.
Mendësia prej së cilës autorët nuk janë e nuk mund të jenë të shkëputur, përmirësohet shtresash të përmbajtjes dhe shpesh dikton fatin e veprave. I bën ato të pranueshme apo të refuzuara; u jep gdhendjet e mbamendjes, apo u vesh hirin e harresës. Në këtë kuptim, portretizimi i grave, ndoshta më shumë se gjithçka, nuancon kontekstet historike, kulturore, sociale, ekonomike, gjeografike… të cilat thellë në vetvete brumosin ngjyrën e shijen e mendësisë së ambientit ku zhvillohet dhe konstruktohet një vepër letrare dhe njëkohësisht reflektimin e kësaj mendësie ndër duar autorësh.
Letërsia absorbon besnikërisht përvojat, dijen, ndjesitë, dëshirat, pendesat. Shpesh ngjarjet historike, kauzat e mëdha, apo edhe ngjarjet traumatike e jo të zakonshme, që prishin rutinën e rehatinë në jetën e një shkrimtari, riorientojnë veprën letrare, shkundin perspektivat, tjetërsojnë pengesat… e bashkë me këto retushojnë karakteret, theksojnë profilet, veçojnë tipare, himnizojnë akte, ndëshkojnë faje e mëkate dhe rizbulojnë virtytet dhe përkorjen.
Jo vetëm letërsia më e largët në kohë, por edhe ajo e kohëve të sotme, sado e arrirë të jetë, sado progresive apo avangarde, në sfondin e shtrirjes së vet, paraqet në vetvete dëshminë e dominimit historik të burrave. Edhe sot e kësaj dite (përkundër progresit), burrat vazhdojnë të kenë fjalën kryesore e në masë, në botën e letërsisë si autorë, e për rrjedhojë bëhet dominues këndvështrimi kryesisht “mashkullor” i perspektivave që trajtohen në veprat letrare.
A gjendet ndjeshmëri gjinore kur shkruhet nga burrat për gratë? Natyrisht, s’ka një përgjigje absolute. Qasjet janë të ndryshme. Ka herë kur portretizimet vijnë të plota e të thella, e herë të tjera paraqiten fragmentare e të lehta. Edhe pse ka autenticitet portretesh, eksplorimi brenda botëve të këtyre grave shpërfaqet të shumtën e herave përciptazi. Penelet e shkrimtarëve burra, shpesh, vijëzojnë hollë silueta grash, por nuk zbërthejnë botët e tyre përtej stereotipeve thellësisht gjinore ose leximit të dritëhijeve fizike e duke e mbajtur të heshtur zërin e fjalën e saj.
I takoj asaj bindjeje se personazhet në letërsi, përfshirë gratë e portretizuara, nuk janë pjellë e tërësishme imagjinate e krijesa të veshura artificialisht me heroizmat a ligësitë, me shkathtësitë a me mangësitë… e thjesht për hir të artit. Qasja autoriale, si në rastet e personazheve qendrore, por edhe të atyre periferike, paraqet botëkuptime të krijuara brenda kontekstualitetit të formimit të autorëve, me parametrat e mendësisë edhe individuale. Natyrisht, edhe pse nuk kanë ndërtuar një model unison për gruan, shpesh tiparet që u vishen atyre, bëjnë pjesë në pakon e imazhit që gjinia dominuese ka për të kundërtën biologjike apo edhe për të ndryshmen për karakteristikat e roleve shoqërore gjinore.
Megjithatë, universi i letërsisë njeh edhe autorë jokonformistë, që shpesh kanë përmbysur realitete, duke i shtyrë normat konvencionale, përfshirë ato për gratë, përtej kornizave të njohura e të kualifikuara (prej burrave, në radhë të parë) si të pranueshme. Zhvillimi i shoqërisë njerëzore, për sa i përket pozitës e rolit së gruas, patjetër që e ka transformuar portretizimin e grave edhe në letërsi.
A do të ishte ndryshe letërsia, me theks figura e grave në letërsi, nëse do të kishte më shumë autore gra? Në rast se po, a do të ishin më tepër refuzuese ndaj kufizimeve që mendësia kolektive i imponon? A do të kishte reflektorë të drejtuar ndryshe portretizimi i karaktereve gra nga gratë? …
Them se po. Do të duhej të ishte ndryshe, përkundër faktit se barrierat që ushqejnë inferioritetin ndaj grave janë po aty, ndoshta jo në masë si në të shkuarën e jo të njëllojta (disa nga pengesat, me kohën, janë sofistikuar e nuk duken derisa gratë përplasen në to). Letërsia ka nevojë për duar e mendje grash, për të sjellë atë këndvështrim që burrat nuk dinë e nuk munden ta sjellin, qoftë edhe kur e vënë në qendër të vëmendjes (edhe letrare) gratë. Por, përtej kësaj, letërsisë i duhet ajo anë e pathënë ose së paku e thënë jo mjaftueshëm, që filtrohet nga sy grash, që ushqehet nga guximi i tyre; që e mbartin ato vetë zemrash e i japin shpirt, kur të tjerët i lë fryma. Letërsisë i duhet kjo anë, për t’i sjellë ngjyra të reja fjalës e qiellit kah endet ajo. Fjala e gruaja.

Korrik, 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top