Pse shkruaj?-Neviana Shehi

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit. Defekt-teknik nuk bën dallime me hierarkitë. Në vëmendjen e kësaj reviste, përgjigjia e një krijuesi të ri është po aq e rëndësishme sa dhe përgjigjia e një shkrimtari apo poeti të afirmuar.

Në këtë rast, përgjigjia e radhës erdhi nga Neviana Shehi.

Vijon më poshtë.

Pse shkruaj?-Neviana Shehi

      PSE SHKRUAJ!

E kam pyetur veten: pse shkruan?
Shumë herë më kanë pyetur: pse shkruan? Është e pashmangshme edhe pyetja: po pse në historinë e njerezimit gjithmonë pati individë të veçantë që shkruanin e që u njohën e njihen si poetë, shkrimtarë, dramaturgë, filozofë e shumë profile tjera që nuk iu ndanë penës së tyre. Ata që shkruajnë nuk do të jenë në gjendje të tregojnë saktësisht se pse shkruajnë, sepse secili ka përkufizimin e vet.
Poezia është diçka shpirtërore, është emocion, shije estetike, është shprehje në shërbim të të bukurës, në shërbim të të vërtetës. Nëse është përvojë shpirtërore, atëherë gjithsesi do t’i gjejë ata shpirtra që presin ta ndiejnë dhe të përjetojnë pikërisht të njëjtin emocion.
Të shkruash, do të thotë t’i dorëzohesh çastit të vetmisë, çastit kur shpërthen dhimbja, pikëllimi, pse jo, edhe gëzimi. Mbase poezia nuk pretendon të shpjegojë, por të ndjehet, duke qenë një gjuhë e shpirtit. Kurse gjuhën e shpirtit e njohin vetëm ata që janë të ndjeshëm dhe të përgatitur për t’ia hapur portën e shpirtit bukurisë, dhimbjes, pikëllimit, dashurisë e gëzimit.
Vetë natyra është poezi, duke bërë magji me ngjyra. Është magjike kur e shikon qiellin të mbushur me yje dhe diku më afër Hënën, e cila në heshtje sikur na lexon vargje shpirti. Poezi është lindja dhe perëndimi i diellit, poezi është deti, poezi janë lindjet e foshnjave, por edhe vdekjet. Nëse natyra shkruan poezi përmes pamjes, atëherë njeriu bën të njëjtën veprim, por përmes fjalës.
Poezia është shprehja e shpirtit, ndaj dhe shkruaj sepse mendoj se vetëm shpirtërorja lehtëson shpirtin përballë sfidave të shumta që tentojnë ta helmojnë. Shkruaj, sepse dua që sado pak t’i lumturoj shpirtërat e pikëlluar, të mërzitur, t’ua kthej shpresën atyre që e kanë humbur.
Fjala e bukur është gjuha e zemrës sonë dhe nëse shkruajmë me zemër, atëherë misioni ynë human arrin te përmasa e së vërtetës.
Të shkruash, do të thotë të bësh magji: të arrish të depërtosh te vuajtja, te vetmia, te dhimbja, të humbja, te loti…
Dëshira për të shkruar më kishte lindur që herët. Ndoshta ma kishte imponuar vetë jeta, për të cilën mendoja se ishte përplot me enigma. Pastaj (sërish jeta) kjo dëshirë sikur u zbeh, sepse isha në kërkim të vetes.
Dhe, një ditë ndjeva se diçka më mungonte. Në fakt, më mungonte fjala e bukur, më mungonte vetja… Atëherë u binda se kishte ardhur koha t’i kthehem emocionit, përkatësisht shpirtërores, për ta bërë dhimbjen më te butë e pikëllimin më të lehtë.
Nuk kam ndonjë përkufizim të prerë se pse shkruaj, por e di se diçka përbrenda meje më cyt të shkruaj dhe se shkrimi është bërë fati im nga i cili nuk shmangem dot…

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top