Defekt-teknik i kërkoi poetes Neviana Shehi të zgjidhte një prej shkrimeve të revistës dhe mbi të do të ndërtohej një bashkëbisedim në trajtën e një recense.
Ajo zgjodhi poezinë “Nënës” të poetit Frederik Rreshpja.
Poetja madje edhe e lexoi poezinë, të cilën mund ta dëgjoni këtu:
Neviana Shehi
Arlinda Guma: Pse zgjodhët pikërisht këtë poezi? Çfarë ju tërheq tek ajo?
Neviana Shehi: Nëna është burimi i parë i dashurisë dhe përkujdesjes që njohim që nga lindja. Është një udhërrëfyese, një mësuese, një shoqe dhe shpeshherë edhe një hero. Dashuria e saj është e pakushtëzuar dhe gjithmonë është gati të bëjë gjithçka për lumturinë dhe mirëqenien tonë. Nëna është shembull i forcës dhe përkushtimit. Është dhe do të jetë gjithmonë simboli i dashurisë, përkujdesjes dhe sakrificës së vërtetë. E zgjodha këtë poezi të Rreshpjes sepse në të ka diçka edhe nga nënat tona, e cila, siç thotë poeti – është një dhimbje e pashuar. Mbase, secili njeri, në jetën e vet, në çaste të vështira, emocionale, në çaste dhimbjeje, shpreh vetëm një klithmë: Oh, nënë. E zgjodha këtë poezi të Rreshpjes, sepse fuqishëm e përshkruan mungesën e nënës, edhe në çastet e fundit të jetës. E zgjodha këtë poezi, sepse e ndien deri në palcë, sepse trazon edhe lotin e dhimbjes.
Arlinda Guma: E rilexova dhe sytë m’u mbushën me lot. Ndoshta kam qarë edhe atëherë kur e kam lexuar për herë të parë… Një dhimbje kaq e thellë, kaq fatale në kaq pak vargje… Ky është çmimi që poetët dhe shkrimtarët duhet të paguajnë për të bërë art të mirë?
Neviana Shehi: Dhimbja e poetit, përkatësisht e shkrimtarit, shprehur përmes vargjeve, shpesh herë është dhimbje biblike. Në letërsinë tonë kemi shumë poezi që thjesht të japin një ndjenjë të çuditshme, të emocionojnë dhe të përlotin. Kujtojmë poezinë e Musine Kokalarit TË ISHA NJË LULE, të Dritëro Agollit KUR TË JESH MËRZITUR, të Ali Podrimjes LUM LUMI, të Petrit Rukës NËNA FOTO NUK KA e shumë e shumë të tjera. Them se, bie fjala, poetët arrijnë që me një fuqi mbinjerëzore ta përballojnë dhimbjen e madhe shpirtërore për ta kthyer atë në art. Kjo është edhe një nga veçantitë e shkrimtarëve që arrijnë të bëjnë art të mrekullueshëm, duke qenë të plagosur rëndë shpirtërisht. Pra, ata këtë kalim nga dhimbja në art e paguajnë edhe me çmim të lartë. Pa shpirtëroren si një përvojë personale që na lidh me aspektet më të thella të qenies sonë, duke na ndihmuar të gjejmë një ndjenjë të përkatësisë në univers, nuk ka art. Dhe mund ta kuptojmë e paramendojmë shpirtëroren e poetit Frederik Rreshpja.
Arlinda Guma: Poeti është i vetëdijshëm se edhe ai së shpejti do të ikë nga kjo botë që i dhuroi vetëm dhimbje. Por, ai e ka gjetur lumturinë në një botë paralele me xhinde e drurë që lëshojnë hije nën dritën e hënës. Në të vërtetë vetë letërsia është një botë paralele, apo jo? Që të bekon dhe që të shkatërron njëherazi. Që të mbron dhe që njëherazi të hedh në gojë të luanëve për të parë sesi do të mbijetosh…
Neviana Shehi: Shakaja e fatit ndonjëherë ka edhe epilog tragjik. Rreshpja me siguri që herët do ta ketë ndjerë se fati i tij do të jetë shkrimi. Pra, ishte përcaktuar që ai të kishte një shpirt të trazuar, duke i kundruar gjërat më ndryshe se të tjerët, se deri te e vërteta arrihet përmes artit. Kuptohet, rruga e tij, si edhe e shumë artistëve tjerë, në aspektin e shpirtërores, nuk do të jetë e shtruar me lule, përkundrazi; e vështirë dhe mbi të gjitha, shumë e dhimbshme. Dhe ne përafërsisht e dimë se në ç’kalvar kaloi Rreshpja, të cilit e keqja nuk iu nda as edhe në çastet e fundit të jetës, kur si asnjëherë më parë, kishte nevojë ta ndiente dorën e nënës. Por, ai kurrë nuk u dorëzua, as edhe kur fati e ndaloi para “luanëve”. Mbijetoi, sepse armë të vetme pati fjalën e bukur, me të cilën arriti ta mbulojë dhe ta zbutë fatkeqësinë, si një dimension universal.
Arlinda Guma: Kanë një imazheri të gjallë vargjet e Rreshpjes dhe një estetikë mjaft të lartë. Duket sikur dhimbja e thellë e kullon poezinë nga “papastërtitë” (fjalët e tepërta). E mendoni edhe ju kështu?
Neviana Shehi: Pikërisht, sepse vargjet aty për aty të rrëmbejnë dhe ti e ndien dhimbjen e thellë të poetit. Asnjë fjalë nuk është e tepërt. Ka një preçizitet magjik, e cila të krijon një melodi të brendshme. Këtë melodi e ndien vetëm shpirti. Është diçka si Rekuiemi i Moxartit…
Arlinda Guma: Pse dreqin jam gatuar kështu?/Të grindem me gjithë qeveritë? Në të vërtetë kjo është detyra e poetit, shkrimtarit, intelektualit, që të grindet me gjithë qeveritë. Të jetë një opozitar i përjetshëm. Por në Shqipëri kjo ende nuk kuptohet si duhet.
Neviana Shehi: Artistët e vërtetë gjithmonë kanë qenë opozitarë, sepse, siç theksuam më lart, arti është në shërbim të së vërtetës, kurse kjo, asnjë pushteti, qoftë ai edhe më demokratik, nuk i vjen për shtat. Reshpja vdiq në vitin 2006, kur shteti shqiptar ishte me sistem demokratik. Në sistemim komunist ishte i dënuar disa herë me arsyetimin si ishte i “rrezikshëm” për pushtetin e atëhershëm, kurse në sistemin demokratik përjetoi një varfëri të skajshme. Fatkeqësisht, në Shqipërinë tonë shumë gjëra akoma nuk kuptohen si duhet dhe kjo është një mangësi e madhe e shoqërisë shqiptare.
Arlinda Guma: Është aq i vetëm në botë, e vetmja gjë që i ka mbetur është guri i varrit të nënës. I dorëzuar para fatit por i veshur me dinjitetin e poezisë së lartë…
Neviana Shehi: Në këtë botë vijmë vetëm dhe ikim nga ajo po kështu vetëm. Vetmia është pjesë e pandashme e jetës sonë. Të gjithë e kemi nga një gur në shpirt, por edhe nga një gur që pret në varr e që na përkujton të dashurit tanë. Asnjë vuajtje e poetit nuk e ka peshën e mungesës së nënës, prandaj kjo poezi është kaq e ndjeshme, kaq emocionale e kaq e fuqishme dhe njëherësh kaq dinjitoze.
Arlinda Guma: Ndiej një dhimbje të madhe sa herë përmendet emri i tij. Sepse iku pa e mësuar se sa shumë do ta vlerësonin më pas. Ato kohë bëheshin me dhjetëra antologji ku atë nuk e përfshinin. Por ai ua tha qartë, i quajti “skllevër e bij skllevërish”. Sepse duhet liri e jo vargonje për të bërë art të mirë, apo jo?
Naviana Shehi: Padyshim se Rreshpja është një nga artistët tanë më të pafat. Jeta ndonjëherë di të jetë e pamëshirshme, por në fund të tunelit, megjithatë, duket ndonjë dritë, po qoftë edhe e zbehtë. Kurse, në tunelin e Rreshpjes është drita e të vërtetës se pas ndarjes së tij fizike, midis nesh mbeti përgjithmonë shpirtërorja e tij, e cila, me kalimin e kohës, gjithnjë e më shumë po bëhet lëndë studimi, duke u trajtuar si një nga poetët tanë më të shquar.
Arlinda Guma: Shpesh kur lexoj poezinë e Rreshpjes them me vete si është e mundur që pushtetarët e asaj kohe nuk e dalluan atë klithmë për ndihmë? Si është e mundur që bashkëkohësit e tij poetë e vranë aq shumë me heshtje? Ata që vargjet nuk u vlejnë dy lekë, por që edhe tani ftohen gjithandej nëpër emisione dhe dalin të persekutuar rëndë, edhe pse kanë rrëmbyer si të babëzitur favore nga të gjitha anët. Si është e mundur që të jenë kaq pa ndërgjegje? Si? Para vargjeve të Frederik Rreshpjes ata duhet të ulin kokën e të turpërohen.
Neviana Shehi: Fatkeqësisht, midis nesh ka edhe “artistë” konformistë që i përshtaten çdo pushteti. Nuk e kanë problem të bëjnë akrobacira sa në të majtë, sa në të djathtë, sepse ata janë të verbuar nga interesi. Mbase, dyfytyrësia është bërë diçka normale. Ambienti ynë letrar është përplot me kontradikta, por që vjen një ditë e gjërat qartësohen. Tani duket qartë se vepra që la pas Rreshpja ka errësuar ata “artistë” që për interesa meskine, kishin zgjedhur të bëheshin të verbër e të shurdhët. Nuk gabojmë nëse themi se ndërgjegjia e shumë “artistëve” është mykur skajshmërisht.
Arlinda Guma: Jo se poezia ka kombësi apo kontinentësi, por sërish them se nëse dikush që nuk di asgjë për Shqipërinë e as për pozicionin gjeografik të saj, do të lexonte poetin shqiptar Frederik Rreshpja, në mënyrë të natyrshme do të mendonte se Shqipëria êshtë një vend europian. E mendoni edhe ju kështu?
Neviana Shehi: Shqipëria gjithmonë ka qenë vend evropian, pavarësisht epokave të vështira. Përgjithësisht, poezia që është krijuar e krijohet në hapësirat shqiptare, mendoj për poezinë e mirëfilltë, qëndron në majat më të larta dhe zë vend pranë letërsive tjera që konsiderohen kulmore. Edhe Frederik Rreshpja është pjesë e këtyre majave që na bën më shumë se krenar. Ndaj, duhet ta konsiderojmë veten me fat që e patëm edhe Frederikun, i cili na la shumë poezi shpirti e që do t’i bëjnë ballë mynxyrave të çdo kohe.
Arlinda Guma: Dhjetë vite më parë publikova në Gazetën “Mapo” një shkrim për Frederik Rreshpjen. Ishte thuajse i panjohur për lexuesin se nuk të linin hosanatë e poetëve të realizmit socialist që edhe sot i sheh gjithandej me duar ne njëqind tepsi. Qysh atëherë çështjen e tij e ktheva në kauzë. Sot pas dhjetë vitesh realiteti ka ndryshuar disi, por ai ende nuk ka marrë vendin që i takon. Duhet një rrugë që të mbajë emrin e tij. Një bust i tij. I ka dhënë shumë poezisë shqiptare. I ka dhënë edhe atë dimensionin e shpenguar europian. Si i mendoni ju të gjitha këto?
Neviana Shehi: E vërteta gjithmonë vonon, por një ditë del në sipërfaqe. Dikush, me gjasë do të ketë menduar se me largimin fizik të Rreshpjes do të harrohej edhe vepra e tij. Por, ja që shpirtërorja e tij akoma jeton midis nesh dhe do të jetojë përjetësisht, i pëlqeu dikujt apo jo. Do të duhet edhe një kohë që shoqëria shqiptare të vetëdijesohet, sidomos bota letrare shqiptare dhe Rreshpjen ta vendosë pikërisht aty ku e ka vendin. Fare nuk do të jetë e tepërt që një rrugë apo një shkollë të mbaje emrin e tij, ose t’i bëhet një bust. Mbase, do të duhej të themelohet edhe një çmim kombëtar për poezi që do të mbante emrin e tij. Kjo do të bënte që ai të përjetësohej në Panteonin e figurave më të shquara të letërsisë sonë.
Arlinda Guma: Ju falënderoj që u bëtë pjesë e kësaj rubrike dhe që zgjodhët Frederik Rreshpjen!
Neviana Shehi: Faleminderit edhe nga ana juaj!