EDUARDO GALEANO
1
Në Peru, një magjistare më mbuloi me trëndafila të kuq dhe më pas më lexoi fatin. Magjistarja më tha:
– Brenda muajit do të marrësh një medalje.
Unë qesha. Qesha me dëshirën dhe mirësinë e pafund të asaj gruaje të panjohur, duke më dhuruar lule dhe urime për suksese të mëdha. Qesha sidomos për fjalën medalje, që m’u duk, nuk e di sa, komike, por edhe ngaqë më erdhi në mendje një mik i vjetër i lagjes, i cili ishte shumë i vrazhdë, por i saktë, dhe që, duke tundur gishtin e tregues, gjithë vendosmëri, më thoshte: «Shpejt apo vonë, shkrimtarët do të hanë hamburger.» Kështu që qesha; dhe magjistarja qeshi me qeshjen time.
Një muaj më vonë, saktësisht, një muaj më vonë, në Montevideo, mora një telegram. Telegrami më njoftonte se në Kili më kishin dhënë një çmim. Ishte çmimi Hosé Karrasko.
2
Atë mëngjes të vitit 44, para Krishtit, Kalpurnia u zgjua duke qarë.
Ajo kishte parë në ëndërr, sikur i shoqi, i goditur me disa thika, po jepte shpirt në krahët e saj.
Kalpurnia, duke i treguar ëndrrën të shoqit dhe duke qarë, iu lut të mos dilte nga shtëpia se jashtë e priste vdekja.
Por Jul Qezari, luftëtari hyjnor, zoti i pamposhtur, nuk e përfilli ëndrrën e një gruaje.
Kështu që, diktatori jetik, zgjati dorën, shmangu të shoqen dhe doli e shkoi drejt Senatit, ku gjeti vdekjen nga goditjet me shpata.
Përktheu: Bajram Karabolli