Vdekja e klounit-Arlinda Guma
Një kloun u vra dje në Aleppo.
Vdekja e tij u raportua live.
Pranë fotos në gazetë,
lodronin gëzueshëm tituj si:
“Si të kryejmë efektshëm gjumin tonë të bukurisë!…”
“Vaji i arrës së kokosit forcon rrënjën e flokëve!…”
“Dhjetë gjëra që duan gratë!…”
Një klloun u vra dje në Aleppo.
Shenja dalluese të viktimës:
një hundë e kuqe dhe ca flokë ngjyrë portokall,
që u mësonin fëmijëve si të qeshnin me bombat…
që u mësonin fëmijeve si të përqeshnin vdekjen…
Kur u rrëzua,
i bëri vdekjes një grimasë,
fëmijët qeshën,
rrëzimin e klounit e pandehën element të koreografisë,
pjesë të numrit që ai po ekzekutonte para bombardimit,
pastaj pritën që klouni të ngrihej,
e të përkulej mirënjohës për duartrokitjet e tyre.
Pritën gjatë,
shumë gjatë.
Fëmijët atje janë ende duke pritur që “numri” të mbarojë…
Një kloun u vra dje në Aleppo.
Ne në facebook shtypëm të gjithë butonin like,
(me të njëjtën lehtësi që piloti i avionit shypi butonin “bombardo”),
pastaj kaluam në gjëra të tjera, më të rëndësishme,
siç është për shembull, ndërrimi i fotos së profilit…2 Dhjetor, 2016
Botuar në vitin 2022 në një antologji në gjuhën serbe. Botuar dhe në gjuhën maqedonase. Recituar gjithashtu në këto dy gjuhë.
Kjo poezi i kushtohet një ngjarjeje prekëse për të cilën lexova dikur në “The Guardian” për Anas al-Basha, ose i ashtuquajturi “Klouni i Aleppos”, një punonjës social, i cili u vra gjatë bombardimeve ruse duke argëtuar fëmijët e mbetur jetimë nga lufta. Ai kishte patur mundësi të evakuohej por refuzoi; ndenji me fëmijët derisa u vra.
Në foto Anas al-Basha. Marrë nga The Guardian.