Jam një atlete e mbetur në sheshin e protestës-Arlinda Guma
Jam një atlete e mbetur në sheshin e protestës,
djalit që më kishte veshur policët i thyen këmbën,
pastaj e tërhoqën, ashtu, në gjendje kome,
ndërsa këmba e thyer i lëkundej në ajër…
E unë, siç e shihni, jam ende këtu…
Jam një atlete e mbetur në sheshin e protestës,
kam parë protestues që rrëzoheshin përtokë prej helmit të gazit lotsjellës,
plumba gome që u nguleshin në ballë e në gjoks,
policë që u fusnin ujë këpucët e u këputeshin gjunjët prej të pangrënit,
teksa rendnin për të kapur guerrilasit e vegjël,
që më pas fshiheshin
në katedrale,
në opera,
në librari.
Jam një atlete e mbetur në sheshin e protestës,
më kanë prodhuar duart e grave fasone, të paguara me mëditje,
dhe më kanë shitur uljet sezonale
në dyqanet e kullave të evazioneve fiskale.
Jam një atlete e mbetur në sheshin e protestës,
nuk di të flas shumë për kapitalizmin,
por jeta ime e shkurtër, nga fabrika deri në këtë shesh,
dëshmon kurbën e “ngadhnjimit” të tij.
Nuk di të flas shumë as për politikën,
unë atë e kuptoj duke parë qiellin e këtij qyteti,
dhe qielli i Tiranës sot nuk ka më zogj,
ata janë trembur prej zhurmës së autoblindave të policisë,
të molotovëve
dhe sirenave të ambulancave,
një e tillë sapo më kaloi pranë,
pasi mori me vete një protestues dhe një polic që kishin plagosur njëri-tjetrin,
të dy të përgjakur në të njëjtën ambulancë.
Jam një atlete e mbetur në sheshin e protestës,
natën një kotele fjeti brenda meje,
një endacak më provoi dhe kur pa që nuk i bëja, më shtyu,
më shtyu dhe maja e çizmes së një polici,
ndërsa në mëngjes, një reporter emocional më tregoi para kamerës.
Jam një atlete e mbetur në sheshin e protestës,
djalit që më kishte veshur policët i thyen këmbën,
ndërsa unë, jam ende këtu,
nën qiell të hapur,
si një instalacion arti,
në këtë bienale të stërmadhe,
me kuratore të vetme, historinë…
20 Tetor, 2026
Foto © Florion Goga, Reuters
Fragment nga romani “Marksi ka humbur kujtesën”/Arlinda Guma
Arlinda Guma Ai dëgjoi telefonin të vibronte në xhepin e xhaketës. E mori në duar dhe