Shkrimtari Shpëtim Selmani: “Kosova ime po lufton për paqen.”

in Letërsi by

Riccardo Michelucci 


Ajo e Ballkanit është një e kaluar që duket se nuk kalon kurrë. Ndërsa ende nuk janë shuar jehonat e konfliktit në Kosovë, i cili e mbylli shekullin e 20-të në mënyrën më të keqe të mundshme, ka nga ata që me atë barrë të tmerrshme janë detyruar të rriten dhe të bëhen në moshë madhore.
Shkrimtari dhe aktori kosovar Shpëtim Selmani e cilëson veten si “biri i asaj lufte”, e cila filloi kur ai ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç. Ndërsa rritej ai u përpoq ta ripërpunonte atë përvojë edhe me ndihmën e letërsisë dhe teatrit. Por ai e pranon se nuk mundi. “Unë ende nuk kam bërë paqe me të shkuarën time. Shpresoj që të paktën të pajtohem me të ardhmen”, rrëfen ai në këtë intervistë që na dha me rastin e daljes në treg të “Baladës së Buburrecit” (përkthim i Fatjona Lamçes, Crocetti, 160 faqe, 17,00 €), një libër në të cilin ndërthuret përditshmëria e tij si shkrimtar, aktor, baba dhe bashkëshort, me dhunën e historisë.
I lindur në Prishtinë në vitin 1986, fitues i çmimit të Bashkimit Evropian për letërsi në vitin 2020, Selmani është autor veprash në prozë dhe poezi, të përkthyera tashmë në shumë gjuhë, në të cilat është përpjekur të reflektojë mbi dhimbjen dhe poshtërimin e pësuar gjatë luftës të familjes dhe të popullit të tij.
Është ai bubrreci i titullit, “i vogël por plot krenari dhe me një dinjitet të thellë”, dëshiron të sqarojë ai, duke argumentuar se “të gjitha konfliktet shpërthejnë aty ku nuk ka njohuri, as mirëkuptim ndaj kombeve të vogla”.
Me një gjuhë të papërpunuar dhe me nerv, që herë pas here u lë vendin lirikave të improvizuara (dhe mund të kujtojë atë të një shkrimtari tjetër me origjinë ballkanike, boshnjakut Aleksandër Hemon), Selmani rindërton përvojën e tij, emocionet që ka përjetuar vitet e fundit dhe këndvështrimin e tij për jetën përmes një serie paragrafësh të shkurtër autobiografikë.
Ai rendit histori, kujtime dhe anekdota, si copa mozaiku, në përpjekje për të rindërtuar shpirtin e tij të dhunuar dhe për t’u përballur me të shkuarën e tij. Traumat e tij personale, vështirësitë e pasluftës, rindërtimi i vendit të tij. Deri në realitetin e sotëm të një vendi që ende sheh ndarje të thella ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, politikanë të korruptuar dhe biznesmenë të paskrupullt.
Letërsia, megjithatë, mund të jetë një kundërhelm për shumë të këqija, siç shpjegon ai në një pjesë qendrore të librit, kushtuar takimit të tij me një shkrimtar të ri serb që synon të mohojë gjenocidin e Srebrenicës.

A mund të jetë letërsia edhe një mjet për të luftuar mohimin dhe revizionizmin?

Unë do të thosha që po. Në fakt, mendoj se duhet të jetë një nga arsyet kryesore të ekzistencës së saj. Një letërsi e vërtetë duhet të jetë e rafinuar, origjinale, autentike. Dhe t’i shërbejië gjithmonë të mirës. Nuk mund dhe nuk duhet të ketë nevojë të gënjejë, të përhapë urrejtje apo propagandë. Mund të jetë vërtet ilaçi kundër shumë të këqijave të botës, për shembull; duke nxitur një reflektim mbi identitetet kolektive, edhe nëse jetojmë brenda një kutie të madhe politike, në të cilën letërsia është si një vend i humbur, në kërkim të funksionit të saj të vërtetë. Në një epokë si kjo e sotmja, në të cilën identitetet personale mund të jenë gjithashtu fluide, identiteti kombëtar është gjithnjë e më i fortë. Dhe nga kjo lindin shumë nga problemet e botës. Letërsia e vërtetë, përkundrazi, përbëhet nga identitete universale dhe pikërisht për këtë arsye shpesh politika përplaset me letërsinë. Gjithashtu mendoj se ka një vijë shumë të hollë midis letërsisë dhe jetës. Sepse gjithçka që jetohet është letërsi.

Cilët janë elementet kryesore të frymëzimit për veprat tuaja?

Kam shumë, duke filluar nga jeta ime, nga vendi ku jetoj. Dhe gjithashtu nga identitetet tona. Shumë gjëra në jetë janë harmonike në kaosin e tyre dhe ndonjëherë është e vështirë t’i kuptosh. Popujt, për shembull, janë entitete shumë komplekse. Nuk më pëlqen aspak që njerëzit janë të lumtur për shkak të fuqisë së tyre. Një temë shumë e rëndësishme në veprën time letrare është edhe dashuria. Por jeta më jep shumë njohuri për të cilat jam gati të flas sinqerisht, aq sa mundem.

A ia dolët të bënit paqe me të shkuarën me ndihmën e letërsisë?

Fatkeqësisht jo. Përvoja e luftës, të cilën e kam përjetuar si fëmijë, përcaktoi shumë nga perceptimet e mia si i rritur. Ne ende po luftojmë për të gjetur paqen, por ende duket shumë e vështirë sepse jemi një shtet i vogël dhe jemi të manipuluar nga pushteti politik. Ne nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen tonë pa mbështetjen e shteteve të fuqishme. Disa narrativa politike kanë filluar të flasin përsëri për luftën dhe është vërtet absurde që qeniet njerëzore mund ta mendojnë ende ekzistencën e diçkaje që është thellësisht primitive dhe idioteske.
Unë mund të arrij të bëj paqe të paktën me të ardhmen. Po, mendoj se kjo është thelbësore.

Çfarë do të thotë për ju t’i rezistoni luftës?

Të jesh një fanatik i paqes. Të urresh kufijtë. Të duash njerëzit. T’i respektosh. Të mbrosh dashurinë. Ta mendojmë botën si shtëpinë tonë. Të kuptosh të tjerët dhe të kundërshtosh gjithmonë ata liderë politikë që janë të aftë vetëm të shkatërrojnë.

Ju jeni edhe poet e dramaturg. Çfarë është të shkruarit për ju?

Ishte një mënyrë për të qëndruar gjallë. Por e kam shumë të vështirë ta shpjegoj se çfarë është në të vërtetë për mua. Të shkruarit ka qenë gjithmonë një mënyrë për të komunikuar me veten. Është një mënyrë për ta mbajtur veten nën kontroll, për ta kuptuar veten. Unë ende nuk e kuptoj pse e bëj këtë. Është si një lloj vetë-riparimi. Por edhe një sëmundje, një impuls fëminor, diçka për të cilën kam nevojë.

Cilat janë ndjesitë tuaja kur shihni përplasjet e fundit në veri të Kosovës? A është një lloj historie që nuk përfundon kurrë?

Një ndjesi mosbesimi. Është çmenduri që pas kaq shumë vitesh e gjithë kjo urrejtje ekziston ende. Historia nuk na ka mësuar asgjë. Por njerëzit e thjeshtë janë vërtet shumë të lodhur dhe të ngopur me patriotizëm, propagandë, kërcënime, gjak. Ne të gjithë duhet të bëjmë pjesën tonë për të krijuar një të ardhme pa urrejtje.

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga: Avenire.it

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top