Dhoma e punës së Poetit-Jevrem Brković

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Dhoma e punës së Poetit-Jevrem Brković

Në Ballkan
Poeti ende s’guxon të ketë dhomë pune!

Nga kënaqësi e tillë
Mund t’i ndodhë më e keqja:
Mund të çmendet,
Mund të ngjitet pas karriges,
Mund të pushojë së shkruari,
Mund ta tradhëtojë atdheun.

Në Angli
Është e obligueshme edhe lulishtja në dhomë pune,
Dy fontana,
Qeni, macja e leopardi.

Në Francë
Sapo lind poetin e vendosin në dhomë të punës.
Aty e presin tërë ato
Pa të cilat s’mundet as ai e as Franca.
Është çështje private e poetit
Pse në vend që në dhomë të punës
Vete në të parin shesh për të bërë grevë urie
e demonstruar.

Në Spanjë
Poeti e di se, duhet ta kalojë atë udhën
Nga burgu deri te vendpushkatimi,
Për atë udhën tjetër
Nga varri deri tek populli
Poetit s’i duhet dhomë pune.

Në Rusi
Dhoma e punës duhet të fitohet me punë.
Në po atë vend
Poetët kanë pasur edhe armë për dyluftim.
Tashti dhomat e punës janë
Plot mështekëra,
Poetë të vdekur
Dhe medalje nga lufta atdhetare.

Në Ballkan
Poeti s’guxon të ketë dhomë pune.
Kjo është e rrezikshme edhe për të edhe për Ballkanin.

Në Ballkan
Vetëm poeti i therrur është – Poet.

Cdo gjë tjetër është
Ndikim i dëmshëm
I Lindjes e Perëndimit,
I Perëndimit e Lindjes.

Përktheu: Azem Shkreli

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top