MJELLMA-Charles Baudelaire

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

MJELLMA-Charles Baudelaire

– Victor Hugo-it –

I

Të mendoj, Andromakë! Ky lumë kaq i pakët,
Pasqyrë e trishtë e mjerane ku dikur përndriti
E dhimbjes së vejanes madhështia e pamatë,
Ky Simoid mashtrues që lotët e tu rritin,

Ma mbarsi papandehur pjelloren kujtesë,
Teksa ecja mespërmes Karuselit të ri.
S’ka më Paris të vjetër (forma e një qyteti
Ndryshon, ajme, më shpejt se një zemër njeriu);

Atë kamp me baraka e shoh vetëm me mendje,
Ato pirgje kupolash, kapitelesh skicuar,
Barin dhe blloqet jeshilë nga uji i pellgjeve,
Dhe, tek ndrit përmes xhamash, një rrëmet i pashuar.

Dikur një kafazeri ishte atje, ku pashë
Një mëngjes, në orën kur nën qiellin e kthjellët
E kallkan zgjohet Puna, kur ndërkohë fshesarët
N’ajrin e heshtur ngrejnë një uragan të errët,

Një mjellmë që ishte arratisur nga kafazi,
Dhe, me putrat që rrihnin mbi kalldrëmin e thatë,
Në tokën gropa-gropa oshte pendët e bardha.
Teksa sqepin e çelte mbi një rrëke të tharë,

Nervozisht lagte flatrat mes pluhurit, atje,
Zemrën plot me liqenin e bukur ku pat lerë:
“O shira, kur do bini? Kur do shkrepësh, rrufe?”
Mit fatal i çuditshëm, e shoh atë fatzezë

Drejt qiellit, si njeriu i Ovidit atëbotë,
Drejt qiellit ironik, me blunë e mizorisë,
Mbi qafën e ngërthyer mbante makuten kokë,
Sikur po i drejtonte qortime Perëndisë.

II

Parisi nd’rron! Por nuk nd’rron imja melankoli.
Pallate të rinj, blloqe, skela, lagje të vjetra,
Të gjitha këto për mua bëhen alegori,
E më të rënda se shkëmbi janë kujtimet e shtrenjta.

Kështu, përpara Luvrit një pamje më mundon:
Mendoj për mjellmën time, me gjestet e ndërkryer,
Porsi të syrgjynosurit, komike e madhështore,
Gërryer nga një dëshirë e pacak! Dhe për ty

Andromakë, nga krahët e një burri të madh
Rënë në dorën e Pirros së ndritur, si skllave,
Pranë një varri të zbrazët, kokulur në ekstazë;
Grua e Helenusit, e Hektorit vejane!

Mendoj për zezaken e sëmurë, të dobësuar,
Që përpëlitet në baltë dhe kërkon sytrembur
Të Afrikës magjiplotë kokosët e munguar
Mbas muranës së madhe të mjegullës së dendur;

Për gjithkënd që ka humbur atë që asnjëherë
Nuk gjendet dot më! Për ata që mbyten në lot
Dhe Dhimbjen e thëthijnë si një ujkonjë e mjerë!
Për jetimët që vyshken si lulet, të gjorët!

E kështu, në pyllin ku mendja më arratiset,
Një kujtim kaq i vjetër i fryn bririt përherë!
Mendoj për detarët e harruar në një ishull,
Për robërit, të mundurit!… e plot e plot të tjerë!

Përktheu Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Gruas-Shpëtim Selmani

Gruas-Shpëtim Selmani Kam parë perëndeshat e Hamburgut të mbytura në pikëllim,grave greke
Go to Top