Na shtyn mosha të zbresim-Gentian Çoçoli

in Letërsi/Tharm by

Na shtyn mosha të zbresim-Gentian Çoçoli

 

“Na shtyn mosha të zbresim gjer këtu poshtë ku jeton përroi”,
kështu duhet të kemi menduar në ato ditë të vona vere,
ku me gjymtyrët tona kaq të gjalla, që rrëmbenin hapësirë
nga të katër anët derisa çdo gjë na bëhej të qe një zgjatim kërcinjsh –
me ato gjethe varur anash – apo trupi e bërrylash,
drunj frutorë, shkurre edhe mëngë rrëkesh
që nuk dije në binin apo ngjiteshin përroit –
 
atje poshtë binim, të gjithë, në moshë, njëlloj në trup,
të lehtë, kaptues, si balona gjaku qemë, me fillet 
lidhur te njeri dhe lidhur te tjetri,
prapa nesh plekseshin njëmijë ndodhira që rastin prisnin
të qafonin ato boshe që lamë në vend tonë për ato pëllëmbë të shtrira kohe;
 
ne e mësonim këtë në rënie e sipri, po logjika e punës e donte
t’i linim pas ca vramendje pse pastaj humbje kohë në rënie;
 
dhelpra të kuqe si ca zjarre të skrimtë anë përroit ndriçonin vendin,
zhvendoseshin ngadalë sakaq në të kundërtën e rrokullisë
sikur ta nuhatnin atë shkarje pakëz majtas gati të pakapshme
që atëherë kur kulla e Pizës iu përkul dikujt nga nderimi –
 
tërë bimësia kish marrë me kohë vrapin, argjila
si tul buke këputej e kotullohej në kokodashe me rrënjëzat e mbetura në thelbe –
dhe kjo qe e tëra – Kot që u shtytë der këtyre anëve erdhi disi vonë:
nuk është se mbaj anën e përroit edhe kur përmend, si më lart, saktë –
 
por po të hidhje një sy mbi trupat e kresat tona ngulmuese akoma,
që lëviznin si ndonjë dragë që me s’e zbën do nxjerrë sikur nga dheu çudinë,
unë vetë i mbaja sytë nga shtratet gri të argjilës,
si lëndë trunore e ne që prisnim me sytë mbi rrjedhë sa të bëheshim mendim,
a thua qe aq i kulluar sa ç’pritej, tek i mbanim sytë nga dhelprat
apo zajet buçkane apo dhe kërpullat as të ngrënshme as të helmëta –
 
kur me duart mbi shkëmbenj me ato profile syngrirë
që tani nuk dua as t’i përqas me kurrgjë,
trup-përkulur nën qemerë guvash aq të pastra
sikur me ato gojë të hapura të kishin pirë rrufe – 
dhomëza lumore më mirë me thënë, me dysheme të shkitshme, – 
 
kështu i pamë ato pikëla të patretshme gjaku
as dhe të afrueshme mes vedi; ne po mendonim për zhuzhakët e majit,
gjaktha me flatra,- në rrjedhën më sipër, kresa e përgjakur e shokut tonë
sikur nuk shqetësohej për dhimbjen sesa për ngjyrën – Ç’ne kjo e kuqe këtu? –
 
dhe ja, kthehemi prapa që të gjithë, si gjurmët në një kasetë video,
(vetë uji i ra nga nëndheu për të ardhur edhe ai me ne, solemn si në vaki)
si të mendohej e gjitha edhe njëherë me gjakftohtësi,
prej kotjes së pasditeve të gjata e gjer te plaga e Kujtos,
trupi i tij i njomë i ngrohtë – presje natyre -, i blertë nga myshqet rreth, 
që përpëlitet sikur të dojë të zërë tamam vend,-
trung i vënë aty jo pa qëllim, ndofta dikush për trill 
pat dashur t’i ndërrojë drejtimin rritjes–   

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top