Krenar Zejno
Çapitem nëpër terr, mugëtirën hulumtoj / rrëmoj me një bastun të pasigurt / unë që e përfytyroja parajsën / si një bibliotekë.
Më shumë se analogjia mes parajsës dhe bibliotekës si një gjetje figurative e Borgesit, besoj se lexuesin e tërheq dhe topit marramendja që ky synon vazhdimisht të na paraqesë dhe “manipulojë” në marrëdhënien e kaosit me kozmosin; parregullsisë me rendin e gjërave, botëve reale dhe ireale.
Vështirë të bësh çap për diçka mbi Borgesin dhe hapësirën e pamatë ku ai endej, pa vendosur kufij që të veçonin mes të pafundmes tematike të tij veç ndonjërën prej temave. E meqë jemi në lëmin e botimeve, po provoj të kufizohem në lidhjen me librin, bibliotekën dhe bibliofilinë.
Borgesi, herë i pasqyruar në sipërfaqe dhe herë i zhytur thellësive në vorbullën ku bën si mistik autentik edhe aty ku lineariteti sikur nuk ka risi të dukshme e shkëlqime mistike dhe, ansjelltas, sillet sikur s’është mistik aty ku zhbiron në labirinthe e mistere përmes të menduari mistik e krejt origjinal – na tregon (aq shpesh duke e vënë në gojën e tjetrit) që mistikët mëtojnë se ekstazitë e tyre iu zbulojnë një dhomë të rrumbullaktë, e cila përmban një libër gjigant rrethor, me një shpinë që mbulon tejetej muret përreth. “Ky libër ciklik është Zoti!”
Sado të na thotë se edhe këtë e ka mësuar diku nga dikush, filani, ne ia njohim disi rengun lojcak me autorësinë, të vërtetat dhe të rremet, që këmbejnë vendet në rendin e përbotshëm e të pafund. Mistik apo jo i tillë, një gjë duket sheshit në figurën, profilin, shkrimet e tij: të qenit marrëzisht dhe shkëlqimisht bibliofil. Edhe kur simulon se gjendet në sipërfaqe, edhe kur dokumenton saktë, teksa gjithçka e letërson, ai nxit dhe stimulon faqe pas faqe ndjesi të thella bibliofilike. Para tij e gjer te Floberi e Malarme, qe fjalosur për librin mbi hiçin e gjithçkanë apo botën e tërë bërë për të hyrë në një libër, porse pak-kush si ai i pat ngritur lavde librit gjer në të tillë pathos e nën një vizion deomorfik dhe, për më tepër, me tërë gjestet, jetën, kredon dhe veprën vet, aq në përputhje me njëra-tjetrën.
Nëse është i vërtetë pohimi i vetë i Borgesit mbi mendimtarin që e pat ndikuar më tepër, ai është Emersoni. Po ky çfarë mendonte në lidhje me këtë? “Një person i vetëm është autor i gjithë librave që ekzistojnë në botë”. Kurse diku tjetër, Borgesi me prirjen e vet për të na ngatërruar e futur nëpër labirinthet karakteristike, thotë se “poezia është bërë prej të gjithëve, jo prej njërit”. Dhe, sipas Genetit, kjo është parabola më moderne e humanizmit.
Sidoqoftë, është në stilin e Borgesit të luajë me antinomitë, dhe si rezultat final të na bëjë ta duam këtë lojë mes librash, kohësh, kategorish… e të hyjmë në vallen e tyre. Legjitimiteti i aktit të tij letrar (njëkohësisht, edhe si një zbulim shkencor, e si i tillë lindur nga një gjë e thjeshtë në dukje) e gjen korrespondentin që prej mitit. Prej kohёs sё Babilonisë teksa u çakërdis Zoti me kullën që njerëzit donin të ngrehnin gjer në zenit, dhe i ndëshkoi ata me shumfishimin e gjuhëve që të mos merreshin vesh. Por më shumë e përdor mitin për të zhbiruar në vetë konceptin e kohës si të tillë, vdekjes dhe pavdesisë, gjë që siç dihet është kryesorja në gjithë inkursionin e tij letrar, e që unë nuk di ta zhbiroj këtu për të thënë ndonjë gjë të hajrit.
Borgesi nuk mungon të dëftojë (padyshim, jo dretpërsëdrejti) edhe mbi sekretet e procedimit të tij: “Shkruesit bëjnë një betim të fshehtë, se do ta lënë diçka jashtë, do ta ndërfutin ose ndryshojnë. Praktikohet gjithashtu edhe falsifikimi i tërthortë.”
Herë-herë, argjentinasi i gjithëmirëditur sikur i përngjan atij holandezit fluturues, ndëshkuar nga Satanai të përshkojë tërë udhët e oqeanet lëndorë dhe mendorë, gjer ditën e gjykimit. Por, befas, me kontrapunktet e të përkundërtat ciklike, nuk mungon as të shprehet: Unë e dija se një tjetër – një Zot – është ai që veton / me dritë të beftë punën tonë.
Borgesi është origjinal edhe sajë kredos origjinale se origjinaliteti nuk ekziston, është iluzion, dhe për më tepër pa ndonjë dobi. E kishte merak që vepra të lirohet nga pesha e autorësisë dhe t’i kthehet anonimatit parak. Por sak për këtë, miti magjiplotë borgesian është edhe njё lavd i librit dhe bibilofilisë. Që do t’i rezistojë kohës pikërisht e meqënëse misioni i tij, në dukje një eskursus nëpër dituri, mitologji apo mite letrare, është, në realitet, një inkursion i vërtetë dhe spiritual i qëndresës ndaj kohës, realitetit dhe gjërave të përkohshme, efemere, kalimtare. Gjithë duke qenë edhe një elozh për vetë kësi vogëlsirash.
Pranoi se: “Nuk shkruaj për një pakicë të zgjedhurish, e që për mua s’ka as edhe një kuptim, as për atë entitet të lajkatuar platonian të njohur si ‘masat’. Nuk u zë besë kësi abstragimeve, që i kanë aq për zemër demagogët. Unë shkruaj për vete dhe për miqtë e mi, shkruaj për ta bërë më të durueshëm ikjen e kohës.” Ndaj një portret a fotografi e Borgesit duke shkruar (pat shkruar edhe se mburret me atë çka lexuar e jo me çka shkruar) mbase nuk do të qe kapja më e përshtatshme në karakter aq sa ai i një profili të tij mes librash duke lexuar, apo duke u endur e çapitur mes tyre.
Nuk është se më pëlqen pamasë tregimtaria e Borgesit; e ndjej magjinë e alkimisë në të, po nuk e përftoj dhe aq magjepsjen, aq më pak te poezia ca si didaktike e tij. Cështje pëlqese dhe ndoshta aftësie leximi, ndonëse ndiej vërtet në çdo faqe, atë farë hareje që sipas tij shkrimi lypset të shkaktojë te lexuesi. Por, edhe falë një përkthimi e përkujdesjeje manie bibliofilie si prej Azem Qazimit, do ta botoja çdo fletë të Borgesit, edhe për vendin që zë tashmë dhe ndikimin e fortë mbi shkrimtarinë e shekullit të shkuar.
Ashtu si Xhojsi, Pikaso, Stravinski e ndonjë tjetër, edhe ky është një përpirës gllabërues i arritjeve të paraprirësve, gjithaq dhe i kopjuar nga të tjerë më pas, shumica e të cilëve mbetet të renditen në viktimat e paparamendim të “plaçkitësve” si këta, që ndihën dashjepashje ngrehjen e dengjeve të tëra me libra shkruesish të pavlerë. Dukuri nga e cila, megjithë vonesën e botimeve të Borgesit, nuk shpëtoi dot as lëmia e letrave shqipe dhe një lëmë autorësh mbetur në tentativë.
Borgesi arriti të lindej ende brenda sinoreve të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe ia mbërriti të përshkonte mbarë shekullin e vet, atë të njëzetë. Ky mentor, që sesi simuloi e krijoi atë lëndë krejt të vetën që krijon te lexuesi një konfuzion mendor, gjë që stimulon një varësi të mbarë leximi, ndërsa te shkruesit mbase gjer dhe tërheqje e varësi vrastare kopjimi.
Nuk di nëse ka vend si botues i veprës së tij marrja përsipër e ndonjë farë përgjegjësie për këtë, por si shkrues po më tërheq këtë çast qasja e ndonjë tregimi alla Borges, me një shkrues botues që me paramendim e ftohtësi për të vrarë ca shkrimtarë vendas dhe falimentuar botuesit e tyre, duke përfituar nga vonesa kohore po pa përjashtuar edhe ca vonesë mendore, boton një shkrimtar ndikues e me jehonë të gjerë, aq të parezistueshëm për ta kopjuar e për t’i ngjarë. Mirëpo, paskam frikë qysh tani se do dalë një farë triller i sojit Umberto Eco, për të cilin Borgesi kur e pyetën në e dinte cili ishte, u përgjegj thatë: një eko e ekos sime. Ndoshta e kishte hak, por ja që si njeri i butë që më duket edhe në prozën e tij butake e të vonët si autor, nuk rezistova dot të mos vendosja në kopertinën e pasme të botimit shqip të tregimeve të Borgesit, pikërisht përcaktimin e përunjur lakonik të profesor Umbertos që e gjeta të përshtatshëm edhe për në terrenin e korruptimit ballkanik gjer dhe të librave:
“Borges, Xhojs, Kafka përbëjnë trekëndëshin ideal të shekullit të njëzetë. Për emra të tjerë që do më lypnin t’ju sugjeroja, do duhej të më paguanit ryshfet”.