Slavoj Žižek: Nëse dëshironi të jeni të lumtur, thjesht jini budallenj. Mjeshtrit e vërtetë nuk janë kurrë të lumtur; lumturia është një kategori për skllevërit.
Më intereson sesi do ta karakterizonit ju mërzinë…
S.Z. Mendoj se mërzia është fillimi i çdo akti të vërtetë. Kierkegaard-i, një nga mendimtarët e mi të preferuar, ka shkruar se nga mërzia, nga mërzia e të qenit vetëm, Zoti krijoi botën. Më pas Adami u mërzit, kështu që Zoti krijoi Evën. Më pas njerëzit e vetmuar u mërzitën dhe krijuan komunitetet. Më pas ne, evropianët, u mërzitëm dhe u angazhuam në kolonializëm. Tani jemi të mërzitur në Tokën tonë dhe duam të udhëtojmë në hapësirë. Mërzia hap hapësirën për angazhime të reja. Pa mërzinë, nuk ka krijimtari. Nëse nuk mërzitesh, thjesht shijon në mënyrë budallaqe situatën ku ndodhesh.
A është e rëndësishme lumturia këto ditë? Si mund të jemi të lumtur? Çfarë hapash sugjeroni?
S.Z. Lumturia nuk ka qenë kurrë e rëndësishme. Problemi është se ne nuk e dimë se çfarë duam me të vërtetë. Ajo që na bën të lumtur nuk është marrja e asaj që duam, por të ëndërruarit për të. Lumturia është për oportunistët. Kështu që mendoj se e vetmja jetë me kënaqësi të thellë është një jetë me luftë të përhershme, veçanërisht luftë me veten. Të gjithë e kujtojmë Gordon Gekkon-in, rolin e luajtur nga Michael Douglas-i te Wall Street. Atë që thotë ai, se mëngjesi është për memecët/të dobëtit, ose se nëse të nevojitet një mik bli një qen, mendoj se duhet të thuhet diçka e ngjashme edhe për lumturinë. Nëse dëshironi të jeni të lumtur, thjesht jini budallenj. Mjeshtrit e vërtetë nuk janë kurrë të lumtur; lumturia është një kategori për skllevërit.
Si dallon përmbledhja juaj e tezës së Lacan-it – se qëllimi kryesor i dëshirës është të riprodhojë veten – nga Vullneti i Schopenhauer-it, një filozof që mungon kryesisht në veprën tuaj?
S.Z. Nuk shoh asnjë vazhdimësi midus Schopenhauer-it dhe Lacan-it. Mendoj se Schopenhauer-i është në origjinën e filozofisë racionaliste të jetës, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me të pandërgjegjshmen e Freud-it. E pandërgjegjshmja e Freud-it është racionale, e artikuluar, e strukturuar si gjuhë. Nxitja (instinkti) e Schopenhauer-it është nxitje jete, ndërsa nxitja e Freud-it është nxitje vdekjeje. Dhe në opozitën mes jetës dhe vdekjes, unë jam për vdekjen. Ja pse e dua filmin Melancholia të Von Trier-it – e gjithë jeta në Tokë zhduket, ndaj mendoj se është një film me përfundim të lumtur.
Si është të jesh ti? / Çfarë përfundimesh keni për Zen-in?
S.Z. Nuk e di, sepse nuk jam vetvetja. Të gjithë punën time e bëj për të ikur nga vetja. Nuk besoj te vështrimi brenda vetes. Nëse e bën këtë, thjesht zbulon një mal me shpifësira/jashtëqitje. Mendoj se ajo që duhet të bëjmë është ta nxjerrim veten jashtë vetes. E vërteta nuk është thellë brenda nesh. E vërteta është jashtë.
Për sa i përket Zen-it, kjo është gjithashtu arsyeja e mosmarrëveshjes sime etike me Budizmin Zen. Mënyra sesi perceptohet Budizmi Zen sot është duke i thënë vetes se nuk duhet të hidhemi plotësisht në realitet, se nuk duhet të lidhemi shumë pas objekteve tokësore, përderisa realiteti i jashtëm është thjesht një rrjedhë dukjesh. Unë besoj në të kundërtën: se duhet të lidhemi plotësisht pas objekteve tokësore. Nëse shkruan një libër, harro çdo gjë tjetër, hidhu i tëri në të. Nëse je i dashuruar, shko deri në fund, mëso çdo gjë për objektin e dashurisë. Kjo është arsyeja pse ne sot nuk duam më të biem në dashuri. Duam ta kemi të kontrolluar, si seksin e sigurt. Por ajo që më pëlqen mua te dashuria është pikërisht “rënia” (rënia në dashuri / falmenti). Unë e ndiej se jam gjallë vetëm kur bie. Dhe kjo shkon që nga fillimi: mendoj se Hegeli e dinte tashmë se rënia e Adamit është arritja më e madhe, ngjarja më e madhe në histori.
A mendoni se filozofia moderniste është shkëputur tërësisht nga dashuria/kërkimi i urtësisë, ashtu siç e kuptonin grekët?
S.Z. Mendoj se po, është shkëputur nga kërkimi i urtësisë, dhe mendoj se kjo është gjëja më e mirë që mund të kishte ndodhur. Urtësia është në thelb një budallallëk konformist. Mishërimi më i mirë i urtësisë janë fjalët e urta, dhe me to mund të arsyetosh gjithçka. Nëse ndëmerr një rrezik dhe më pas ia del, ka një fjalë të urtë. Nëse dështon, ka një fjalë tjetër të urtë; si për shembull në gjuhën tonë është: nuk mund të urinosh kundër erës. Kjo është urtësia. Mësimi përfundimtar i urtësisë është: mos provo shumë, mos syno tepër lart, në fund gjithçka përfundon në pluhur. Por unë mendoj se për shembull Krishterimi – dhe unë e mbaj veten si një ateist i krishterë – Krishterimi nuk është urtësi. Nga këndvështrimi i urtësisë, ai është çmenduri. Është shpresa se një shkëputje radikale mund të ndodhë, se mund të shpëtohemi, e kështu me radhë. Kështu që mendoj se të gjitha format e sotme të urtësisë, zakonisht urtësia “New Age”, edhe pse pretendojnë se po hapin një rrugë për të na shpëtuar nga kriza jonë, ato vetëm sa e thellojnë krizën. Urtësia është një nga emrat e armikut tonë sot.
Përktheu: Arlinda Guma