Si të jesh stoik-Elif Batuman

in Filozofi by

I lindur gati dy mijë vjet para Darvinit dhe Frojdit, Epikteti duket se kishte parashikuar një rrugëdalje prej burgjeve të tyre.

       Elif Batuman

Filozofi stoik, Epiktetusi, lindi skllav, rreth vitit 55 pas Krishtit, në qytetin greko-romak të Hierapolisit-Pamukkaleja e sotme, Turqi. Mësimet e tij i ndesha për herë të parë në vitin 2011, pak pasi u transferova nga San Francisko në Stamboll. Unë jetoja vetëm në një kamp universitar pranë një pylli.
Në mes të një marrëdhënieje të trazuar në distancë, ndonjëherë kaloja ditë të tëra pa folur me askënd përveç kokës pa trup të të dashurit tim në Skype. U shkurajova nga politika turke, e cila bëri që si laikët ashtu edhe fetarët të ndiheshin si viktima. Nëse do të ishit grua, pavarësisht se çfarë do të kishit veshur – dekolte apo shall në kokë – do t’ju hidhnin ndonjë shikim të pistë.
Rreshti i parë i manualit të këshillave etike të Epiktetit, Enchiridion – “Disa gjëra janë në kontrollin tonë dhe të tjera jo” – më bëri të ndieja se një peshë po hiqej nga gjoksi im. Për Epiktetin, e vetmja gjë që mund të kontrollojmë plotësisht, dhe për këtë arsye e vetmja gjë për të cilën duhet të shqetësohemi, është gjykimi ynë për atë që është e mirë. Nëse duam pará, shëndet, seks ose reputacion, në mënyrë të pashmangshme do të jemi të pakënaqur. Nëse vërtet duam të shmangim varfërinë, sëmundjen, vetminë dhe errësirën, do të jetojmë në ankth dhe zhgënjim të vazhdueshëm.
Sigurisht, frika dhe dëshira janë të pashmangshme. Të gjithë i ndiejnë ato pulsime frike apo pritjeje. Të jesh stoik do të thotë t’i hetosh ato pulsime, të pyesësh nëse ato zbatohen për gjëra jashtë kontrollit tënd dhe, nëse po, të jesh gati me reagimin: “Atëherë nuk më shqetëson”.
Duke lexuar Epiktetin, kuptova se pjesa më e madhe e dhimbjes në jetën time nuk erdhi nga ndonjë privim apo fyerje aktuale, por, përkundrazi, nga turpi i të menduarit se ato mund të ishin shmangur.
A nuk ishte faji im që jetoja në një izolim të tillë, që arsyeja vazhdonte të më ikte, që jeta ime dashurore ishte një rrëmujë? Kur lexova se askush nuk duhet të ndihet i turpëruar prej faktit se është vetëm apo në një turmë, kuptova se shpesh ndihesha e turpëruar për të dyja këto gjëra. Këshilla e Epiktetit: kur jeni vetëm, “quajeni këtë paqe dhe liri dhe konsiderojeni veten të barabartë me perënditë; ndërsa në mes të një turme, mendojeni veten si të ftuar në një festë të madhe dhe festoni aq mirë sa të mundeni.”
Epikteti fitoi admirimin tim edhe me tonin e tij, i cili ishte ai i një trajneri të tërbuar atletike. “Nëse doni të bëheni stoik”, thoshte ai, “do të nxirrni prej vendit kyçin e dorës, do të ndrydhni kyçin e këmbës, do të hani rërë” dhe do të pësoni akoma humbje dhe poshtërime. E megjithatë, për ju, çdo pengesë është një avantazh, një mundësi për të mësuar dhe lavdi.
Kur ndeshni një vështirësi, duhet të ndiheni krenarë dhe të emocionuar, si “një mundës të cilën Zoti, si një trajner, e ka bashkuar me një të ri të fortë”. Me fjalë të tjera, mendojeni çdo gomar të paarsyeshëm me të cilin duhet të përballeni si pjesë të përpjekjes së Zotit për t’ju “shndërruar në material të klasit olimpik”. Ky është një truk shumë i fuqishëm.
Pjesa më e madhe e këshillave të Epiktetit janë të mos zemëroheni me skllevërit. Në fillim mendova se mund t’i kapërceja ato pjesë. Por shpejt kuptova se kisha të njëjtat mendime vetakuzuese dhe të palogjikshme në ndërveprimet e mia me pronarët e bizneseve të vogla dhe me profesionistët e shërbimeve.
Kur një taksist gënjente për një rrugë, ose një dyqanxhi m’i kthente mangët paratë, ndieja se ishte faji im, që flisja turqisht me theks ose që isha pjesë e një elite. Dhe, nëse bëja sikur nuk i vija re këto dobësi, a nuk po provoja se isha vërtet një shtypëse e paangazhuar dhe e privilegjuar
Epikteti më shkundi nga këto mendime me këtë ushtrim të thjeshtë: “Duke filluar nga gjërat me vlerë të vogël – pak vaj i derdhur, pak verë e vjedhur – përsërisni me vete: “Për një çmim kaq të vogël, unë blej qetësinë”.
I lindur gati dy mijë vjet përpara Darvinit dhe Frojdit, Epikteti duket se kishte parashikuar një rrugëdalje nga burgjet e tyre. Ndjenja e dënimit dhe e kënaqësisë që është programuar në trupin e njeriut? Mund të kapërcehet nga mendja.
Lufta e përjetshme midis dëshirave të padërgjegjeshme dhe kërkesave të qytetërimit? Mund të fitohet. Në vitet 19-50, psikoterapisti amerikan Albert Ellis erdhi me një formë të hershme të terapisë kognitive-sjellëse, bazuar kryesisht në pretendimin e Epiktetit se “nuk janë ngjarjet ato që i shqetësojnë njerëzit, por janë gjykimet e tyre në lidhje me ta”. Nëse e praktikoni filozofinë stoike mjaft gjatë, thotë Epikteti, ju ndaloni së gabuari për atë që është e mirë madje edhe në ëndrrat tuaja.

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga: The New Yorker

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Filozofi

Go to Top