Sylvia Plath në seanca elektroshoku-Petraq Risto
1.
Anglia – anije
më kalon mespërmes:
ndahem dhe bashkohem si dallgë.
Kafka ime: kambanat rrojnë pa kishë.
Vjen Parajsa me veshje infermiereje.
Gjymtyrët: shenja pikësimi
në një poemë mishi
që digjet në Ferr
Dorëzonjëza e freskët del në shteg:
për dore më merr.
Amplituda të çuditshme.
Zig – zage rrufesh të çoroditura.
Kullufitje zogjsh në një laring qiellor.
Kryqi kthehet në fluger…
Dimër i egër, Ted,
ku janë fëmijët?…
Dorëzonjëza e freskët për dore më merr.
Vetvrasja – magnet i padukshëm i një ylli të zi
E gatshme të mbytem në një dhomë gazi
pranë atit tim prusian
Londra prestigjatore: nga xhepat e mjegullës
shami infermieresh,
bluza mjekësh
fletë të grisura poetësh…
Jam qytet i bombarduar: në alarm…
Anglia – anije
më kalon mespërmes:
ndahem dhe bashkohem
si dallgë.
2.
Pas rrymës truri im mban erë ozoni.
Fjalët – peshq të verbër
përplasen në akuariumin e kafkës.
Pasqyra më kthen një fytyrë që s’e kam veshur kurrë.
Infermierja ma ndërron emrin si çarçafin e bardhë
Çarçaf ma kthen lëkurën
Mos trokit, Ted
Në këtë dhomë
dyert hapen nga rrufetë!
Babai prusian del nga fotografia me çizme prej hiri.
Ai nuk flet.
Vetëm ora
ecën ushtarakisht
mbi brinjët e mia.
Ndahem dhe bashkohem si dallgë:
mespërmes si anije – Anglia
Po kërkoj zërin tim.
E gjej në sqepin e një sorrëze,
pastaj e humbas në një filxhan qumështi.
Kush e fik dritën
kur ndizet truri?
Nga dritarja Londra mbledh copat e mjegullës
si një nënë që qep mushkëritë e mëngjesit.
Dhe unë ende dëgjoj
kambanëzat e kishës
që s’është ndërtuar kurrë.
Ç’epitaf në gur!
3.
Më ndezin si një alfabet
që ka harruar zjarrin e shkronjës së parë.
Në çdo neuron
një dimër hap e mbyll
çadrat e borës.
Mjekët largohen.
Vetëm heshtja
vazhdon të më dëgjojë pulsin.
Hëna – infermiere e natës,
ma ndërron fashën e ëndrrave.
Plaga ime s’ka më gjak:
rrjedh metafora.
Një korb merr në sqep gjysmën e emrit tim.
Gjysmën tjetër ia lë erës ta shqiptojë gabim.
Ted, mos më kërko: jam strehuar brenda një poezie
ku vdekja është vetëm një presje
që harron të bëhet lot pike
Fëmijët kalojnë përtej xhamit:
S’e dinë nëse jam nënë,
apo dritare që mëson si të marrë frymë.
Pastaj…një trëndafil i bardhë fut kokën në prizën e murit.
Gjithë spitali mbushet me bletë drite
Drithërima guri…
4.
Qielli ma fut gjilpërën e rrufesë në venën e agimit.
S’jam më paciente.
Jam kontinenti ku stuhitë
mësojnë alfabetin e zjarrit.
Nga kafka dalin zogj të karbonizuar.
Këndojnë.
As vetë s’e dinë
janë psalme
a sirena alarmi….
Ted, mos ma sill pasqyrën.
Ajo e ka mësuar përmendësh fytyrën time –
tani më ngatërron me hijen.
Babai ka zbritur nga fotografia.
Në xhepat e palltos
mban dimra të papërdorur.
Infermierja ma mat pulsin me një varg.
Thotë: ende jeton… pakëz e lodhur.
E dëgjoj zemrën:
makinë shkrimi
që shtyp
veç fjalën
hi.
Dritat fiken.
Për një çast e gjithë bota është një fletë e bardhë –
Pret goditjen e metaforës së parë.
Po-e-zi
Po-e-hi
5.
Më fikën. Por drita s’pranoi të dilte nga truri im.
U fsheh nën qepallat e një zogu bore
që fluturonte pa e ditur
nëse ishte pendë apo hi.
Spitali lundronte ngadalë:
ajsberg mbi oqean kloroformi
Çdo korridor- fjali që kërkonte foljen e saj.
Elektroshokogram – korridori
Ted, mos m’i mblidh copat e heshtjes.
Ato janë farat e një pylli që ende s’është shkruar.
Nga fotografia babai më sheh me sytë e një dimri që s’fal
Ia kthej shikimin
me dy duar plot pranvera… me dy duart
Sepse tani e di: edhe rrufeja
ka një fole ku kthehet
kur lodhet së vrari pemët.
Ku janë fëmijët, Ted…
Dimër i egër!
Mbi tavolinën metalike dikush ka harruar një laps.
E marr.
Në majën e tij
ende digjet
shkëndija
e elektroshokut.
Dhe unë shkruaj.
Jo për të shpëtuar.
Jo për të vdekur.
Por që fjala të ketë
një zemër
më të fortë
se rryma.
New York 2014-2026
Poezi nga Petraq Risto
Poezi nga Petraq Risto Sa herë të mendoj, te pasqyra e madhe çelet një dritareDhe vjen