A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar? – Petraq Risto

in Esé/Letërsi by

Revista defekt-teknik u drejtoi një pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë.
A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar?
A mund të mësohet shkrimtaria?
Disa prej përgjigjeve erdhën menjëherë, të tjera janë duke u shkruar si esé të veçanta; një prej të cilave është kjo që vijon, shkruar nga Petraq Risto:

    Petraq Risto

        Shkollat e shkrimtarit…

Një shkrimtar i mirë duhet të kryejë disa shkolla, edhe pse shpesh ka shkrimtarë shumë më të mirë autodidaktë, që kohërat i kanë kthyer në institucionin e një shkolle. Ka dhe nga ata që kanë kryer shkolla larg profilit të shkrimtarit. Çehovi, për shembull. Sabato…
Shkolla e parë e shkrimtarit është fëmijëria: një rrugaç i vogël mund të bëhet shkrimtar i madh. Rruga kthehet në një laborator. Rruga kthehet në një skenë ku ravijëzohen personazhet e ardhshëm. Natyrisht, shkollat e tjera mund ta mësojnë “rrugaçin” e vogël të mos bëhet “shkrimtar rrugaç”. Por, edhe “shkrimtari rrugaç” mund të jetë një gjeni dhe të kthehet në një shkollë origjinale. Për shembull “Beat Generation”me Kerouac-un, Burroughs-in dhe Ginsberg-un. Vendosni dhe Bob Dylan-in përkrah tyre, bashkë me Çmimin Nobel!
Fëmijët apo adoleshentët që kanë prirje për të qenë poetë apo prozatorë të mirë, zakonisht buisin në bankat e shkollës. Mësuesi i mirë e dallon shkrimtarin e ardhshëm, edhe pse vetë mund të ketë qenë një krijues i rëndomtë.
Libri është shkolla më e mirë. Libri të orienton, të frymëzon, të jep modelin e duhur, të përsos shijet, “e merr” rrugën tënde dhe e zhvendos në hartën e botës, ndonjëherë dhe në udhëkryqe të rëndësishëm. Libri të bëhet pjesë e ADN-së. Librat e Umberto Eco-s janë shkollë më vete. Herë pas here shfletoj dhe ndalem te libri autobiografik i Gabriel García Márquez-it, “Jeto për ta treguar”. Besoj se çdo shkrimtar apo poet i ri (por edhe i vjetër), që lexon dhe nënvizon këtë libër, patjetër që e ka kryer një shkollë. Borges-i thoshte: “Shekspiri nuk ekziston; ai jam unë kur lexoj “Makbethin”, “Hamletin”, “Otellon”…, Shekspiri është i shkrirë me lexuesin e tij.” Shekspiri është një Univers-itet më vete për shkrimtarët dhe poetët e të gjitha kohërave.
Në disa vende të zhvilluara ka edhe universitete ku mësohet shkrimtaria si profesion. Në SHBA, për shembull, janë mbi dhjetë universitete me emër që përgatitin edhe shkrimtarë. Përgatitësit e këtyre shkrimtarëve të ardhshëm janë personalitete të mëdhenj, profesorë me peshë, fitues çmimesh, deri edhe nobelistë. Kritiku i madh amerikan, Harold Bloom, ka dhënë leksione me studentët krijues të universiteteve të Harvard-it dhe të Yale-t duke qenë nxitës për të ardhshmit e mëdhenj “Dhe studentët e zotë, si dhe shkrimtarët e zotë, – shkruan Bloom-i, – do të ngrihen në vendet dhe kohërat më të paparashikuara, për t’u ndeshur me dhunën e brendshme të ushtruar mbi ta nga mësuesit dhe paraardhësit e tyre”.
Kuptohet, shkollat janë me pagesë, madje, shpesh të papërballueshme, ndaj në to hyjnë përgjithësisht bijtë e të pasurve. Por, historia e letërsisë botërore ka treguar që shumë shkrimtarë të talentuar apo gjeni, kanë lindur nga shtresat e mesme, apo edhe nga ato të varfra. Dhe nga universitete modeste.
Shkrimtaria jo gjithnjë është fitimprurëse. Shpesh ata shkrimtarë që hapin “shkollëza” apo japin leksione online, e bëjnë edhe “nga hall”’, sepse shesin pak nga librat e tyre dhe u duhet të mbijetojnë në shoqërinë e konsumit. Natyrisht që mbijetojnë, por nuk bëhen të pasur si disa shkrimtarë të romaneve rozë. Ata apo ato (rozistët) janë me fat, sepse kanë “shkollën e nuhatjes” së shumicës, i përshtaten shijes së saj.
Sot të vetafrohen dhe mësues privatë që ‘të mësojnë” si ta përsosësh shkrimtarinë, të mësojnë që nga rëndësia e frazës së parë të një vepre, të japin leksione për modelet dhe sesi të shkëputesh prej tyre, për rrymat dhe shkollat letrare, për marrëdhëniet me botuesit, por edhe për redaktimin e veprës, për origjinalitetin e subjekteve, për kthimin e romanit në skenar filmi, etj. A është i interesuar shkrimtari ynë në këtë fazë zhvillimi të letërsisë brenda logjikës së ekonomisë së tregut?…
Mbase hapja e një dege të posaçme për shkrimtarë në Universitetin e Tiranës mund të ishte me vlera, por cilët nga të rinjtë do ta zgjidhnin këtë degë? Ku do të emëroheshin dhe ku do të punonin këta shkrimtarë të rinj? Cilat do të ishin lëndët dhe programet që do të mbushnin formimin e tyre dhe, mbi të gjitha, cilët profesorë do jepnin leksione sipërore për këta studentë të talentuar që nesër do të jenë shkrimtarët e ardhshëm? Në këtë kohë mundësitë janë të shumta, mund të ftohen dhe pedagogë të huaj nga universitete të njohura për këtë fushë. Sidoqoftë, rëndësi ka “lënda e parë”. A mundet që çdo vit 10-20 studentë shqiptarë të jenë kontigjentë cilësorë për të qenë shkrimtarë? E pse jo?…
Unë kam lindur dhe kam jetuar në Durrës. Kam filluar të shkruaj poezi që kur isha 9 vjeç. Kam qenë ndër lexuesit më të mirë në bibliotekën e qytetit. Që në moshë të re lexoja Ricosin, Nerudën, Uitmanin, Majakovskin, Shekspirin… Kur mbarova klasën e 8-të, im atë, një oficer i thjeshtë i ardhur nga lufta, që rrallëherë shkruante ndonjë artikull në gazetat e kohës, më tha zëdridhur: “Të kam gjetur punë si hidraulik”. Isha fëmija i parë i një familjeje me pesë fëmijë. Mbase duhej të sakrifikoja, por… “Dua të vazhdoj shkollën…”, i thashë babait. E dija që do të “dorëzohej”, sepse kishte zemër të bardhë dhe i njihte aftësitë e mia, apo çfarë thoshin mësuesit për djalin e tij. Dhe nëna ishte krah meje; do sakrifikonte ajo më shumë dhe vëllai i dytë, i cili do të hynte në punë pas një viti dhe do ta vazhdonte shkollën natën. Gjatë shkollës së mesme, në pushimet verore, punova si roje, në pushimet pas maturës punova si ‘gazetar’ në radio plazhi në Durrës, punë që vazhdoi dhe verën pasardhëse kur përfundova vitin e parë si student në Degën e Gazetarisë.
Ishim studentë në vitet e liberalizmit dhe kjo kishte shumë rëndësi në formimin tonë si shkrimtarë dhe poetë të ardhshëm. Shpesh herë fryma kthehet në shkollë, sepse ajo është shumë afër lirisë. Nga njëzet studentët që kishte kursi ynë, thuajse gjysma ka publikuar (përveç shkrimeve gazetareske) edhe libra me poezi, prozë, drama, skenare, përkthime, etj. Profesioni i gazetarit përgjithësisht është nxitës për shkrimtarin: të pasuron me fakte, të njeh me vende dhe karaktere. Shumë shkrimtarë botërorë kanë përfituar dhe kanë ardhur nga gazetaria. Hemingueji shprehet se një shkrimtar që punon në gazetë duhet të gjejë kohën për t’u shkëputur prej saj, dhe, sipas tij, nuk duhet të qëndrojë më shumë se dhjetë vjet. Rastësisht edhe unë “e dëgjova” Heminguejin e madh dhe punova vetëm dhjetë vjet si gazetar, natyrisht me liri të kufizuar…
Shoqëria letrare është një shkollë specifike: nxitje për njeri-tjetrin, mbështetës për njeri- tjetrin, konkurues me njeri-tjetrin. Në librin “Një festë që e ke gjithnjë me vete” Heminguej flet me mall për këtë shoqëri, në veçanti kur ndalet te biblioteka dhe te libraria e famshme “Shakespeare and Company” në Paris, ku kaluan breza të shumtë shkrimtarësh nga vende të ndryshme të botës.
Një shkollë e madhe janë udhëtimet brenda dhe jashtë vendit. Ta shikosh atdheun nga larg është ndjesi dhe përvojë tjetër. Një vend me tranzicion të tejzgjatur ka nevojë për shkrimtarë që ta kenë kryer herët tranzicionin brenda vetes. Letërsia e mirë apo shumë e mirë kërkon dhe Shkollën e Guximit. Të vjen keq që pas nëntëdhjetës shumica e shkrimtarëve dhe poetëve tanë u përshtatën shpejt me metodën e re që rezultoi e vjetër: e panë realitetin nga bardhezi, vetëm në ziebardhë…
Udhëtimet jashtë shtetit kanë qenë për mua një shkollë e hapur, universale. Një ëndërr e hershme kur e këndvështroja botën si një utopist i pandreqshëm. Tani jetoj në SHBA, larg detit tim të vogël “me dallgët: zarfa malli”, buzë oqeanit të madh “O-qani, o-qani, o-qani”. Të jesh shkrimtar e poet në Amerikë në epokën e globalizmit, nuk është e lehtë, por këtu hapësira e mundësive rritet, koha merr përmasa të tjera dhe utopinë e brendshme apo ëndrrën mund ta shndërrosh në realitet.
Në këtë kohë, kur është rritur shpejtësia e mendimit dhe shpejtësia e veprimit, kur teknologjia është kthyer në një sekretare të shkrimtarit, mundësitë e nxënies janë të panumërta. Vullneti dhe disiplina e punës janë garanci e talentit të vërtetë. Deri më sot nuk është shpikur ndonjë talentomatës, por nëse kohërat do të arrijnë ta shpikin një “aparat” të tillë, patjetër që do mbështeten te vibrimet e holla ndjesore, te shpirti humanist i veprës, te vetvrasja e pakuptueshme e krijuesit dhe te plagët që përskuqin me detyrën e vullnetshme për t’u kthyer në llampa Diogjeni.


New Jersey, 17 Dhjetor, 2022

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top